Transparenca e detyrave të qeverisë dhe transparenca e pagave

Transparenca e detyrave të qeverisë dhe transparenca e pagave

Kryeministri Rama ka deklaruar në një dalje publike në datë 16 Maj 2022 lidhur me efektet që ka dhënë prej fillimit të vitit deri më sot Njësia Speciale Anti informalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet se:

“Ju të gjithë e keni parasysh se çfarë efekti pati dalja e pagave në publik, që përveç anës së vet negative, kishte edhe një anë jo të vogël pozitive, sepse i gjithë opinioni publik u ballafaqua me një realitet, i cili pavarësisht pretendimeve në vite, ishte pasqyrë e një deformimi të madh, për të cilin ne kemi qenë të vetëdijshëm. 

Punën kryesore e bëri komunikimi intensiv i Tatimeve me biznesin. Dhe faktikisht kërkesa e përsëritur që të gjitha bizneset të rishikojnë situatën me pjesën informale të pagave ka dhënë rezultate shumë domethënëse, të cilat nga njëra anë tregojnë se pasqyra formale zyrtare e shifrave të pagave, që u bënë edhe publike, nuk është pasqyra reale dhe se vetëm nga ky korrektim i bërë nën presionin e opinionit publik mbi të gjitha bizneset, por edhe si rezultat i një shtyse të fortë që ne u munduam të japim komunitetit të biznesit, të kemi një rritje të pagës mesatare në Republikën e Shqipërisë. Kemi mbi 25 % të të punësuarve që kanë kapërcyer nga niveli i pagës minimale, në një nivel më të lartë, që do të thotë se ata nuk merrnin në fakt pagën minimale të deklaruar, por merrnin më shumë. Dhe ndërkohë perceptimi negativ mbi ekonominë dhe mbi biznesin vet, për shkak të këtyre deformimeve, ishte prezent shumë më tepër se sa duhej, sesa kishte lidhje me realitetin. 

Duke parë këtë eksperience, e cila erdhi si rezultat i një ngjarjeje aspak të dëshiruar, dalja e pagave në publik, mendoj se është e rrugës që në këshillimin e ardhshëm kombëtar të pyesim shqiptarët se mos është më mirë që pagat të bëhen publike. Përmes transparencës dhe presionit pozitiv të nevojshëm mbi gjithë komunitetin e biznesit ne mendojmë se kjo është e vërtetë, sepse shikojmë që impakti i kësaj ngjarjeje dhe punës së bërë pas kësaj ngjarjeje dhe pranueshmërisë së lartë që gjeti komunikimi ynë me biznesin të cilit i kërkuam korrektim pagash rezultoi i suksesshëm në këtë fazë. 

Kryeministri deklaroi se do të shkohet më tutje në ballafaqimin e pagave të deklaruara me stilin e jetesës:

“Kjo vlen sidomos për ata që marrin paga të larta dhe që i shmangen deklarimeve në mënyra të ndryshme. Ka dhe një axhustim për të bërë lidhur me mbylljen e asaj hapësire ku luhet nga individët për t’u shfaqur si subjekte fizike apo ku di unë se çfarë, po përtej kësaj ne do të ecim me kontrollet që do të synojnë gjetjen e boshllëqeve midis deklarimit të të ardhurave dhe stilit të jetës. Mund të deklarosh të ardhura X dhe të kesh shtëpia edhe vetura që nuk bëhen kurrë me ato të ardhura”, deklaroi kryeministri.

Sipas kryeministrit, në Këshillimin Kombëtar, mbështetja për fuqizimin e masave, për forcimin e masave antievazion, ishte mbi 65%, ashtu sikundër ishte 70% mbështetja për ata që dëmtohen nga punëdhënësit, që dëmtohen me paga fiktive dhe që dëmtohen me gjendjen e informalitetit në një ndërmarrje, ku mbështetjea do të kthehet në masa ligjore.

Në një ballafaqim me zhvillimin e politikave lidhur me transparencën e pagës në gjithë vendet e zhvilluara, në mungesë të një politike të ngjashme në vendet e rajonit të Ballkanit duhet të sqarojmë se legjislacioni aktual është i mjaftueshëm për të kryer gjithë detyrat që janë deklaruar nga Kryeministri Rama.

Deklarata Individuale Vjetore e Të Ardhurave është ajo që nëse plotësohet me të gjitha rubrikat që përmban një deklaratë në vendet europiane arrin të kryejë verifikimin e nivelit të jetesës. Në këtë deklarat vjetore për qytetarët europianë arrihet të shikohen gjithë të ardhurat dhe shopenzimet që ata kryejnë si individë apo si familje.

Ndërkohë një deklarim i tillë nuk shoqërohet asnjëherë me publikim të pagave në nivel kombëtar.

Nga ana tjetër, qeveritë në këto vende kanë një tjetër administratë fiskale që nuk diskuton realizilizimin e planit të buxhetit të shtetit, por ngushtimin e evazionit. Në këto vende krahas deklaratës vjetore individuale janë të miratuara edhe minimumet jetike dhe mjaft politika të tjera sociale që u kthejnë mbrapsht qytetarëve atë pjesë të të ardhurave që mblidhen nga taksat e indvidëve, sipas parimit të taksimit të ndershëm.

Për të qenë më transparentë, më poshtë jepen edhe zhvillimet e politikave fiskale për transaprencë në disa nga vendet e zhvilluara të botës.

Në mars 2021, Komisioni Evropian paraqiti një propozim për transparencën e pagave për të siguruar që gratë dhe burrat në BE të marrin paga të barabarta për punë të barabartë.

Renditja e pagave të barabarta nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) zbulon se në fund të vitit të kaluar, në Finlandë, gratë fituan mesatarisht 17.2% më pak se burrat në të njëjtin pozicion. Qeveria e vendit nordik ka njoftuar tani se po planifikon të ecë përpara me legjislacionin që lejon profesionistët të dinë se sa fitojnë kolegët e tyre nëse dyshojnë për diskriminim në paga, në përpjekje për të reduktuar hendekun e të ardhurave midis burrave dhe grave.

Përveç Finlandës, ka vende të tjera me masa të ngjashme.

Në Danimarkë, për shembull, kompanitë me 35 ose më shumë punonjës u kërkohet të zbulojnë informacione specifike për pagat sipas gjinisë.

Në MB, kompanitë me më shumë se 250 punonjës duhet të publikojnë hendekun e pagave që nga viti 2017: ky hendek është ngushtuar me kalimin e kohës, sipas zyrës kombëtare të statistikave.

Një nismë e fokusuar në barazinë gjinore për pagat është deklaruar nga Ministrja për gratë në UK, ku deklaroi pikërisht në 8 mars 2022 se qeveria nis pilotin e transparencës së pagave për të thyer barrierat për grate.

Kjo nismë e re do të kërkojë të përmirësojë transparencën e pagave në procesin e aplikimit për punë dhe të ndihmojë bizneset që duan të shkojnë edhe më tej në tërheqjen e grave në pozicionet e tyre. Dëshmitë tregojnë se renditja e një diapazoni pagash në një shpallje pune dhe moskërkimi i aplikantëve për të zbuluar historinë e pagave ofron një bazë të fortë për gratë që të negociojnë pagat në një bazë më të drejtë. Kjo mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në mbylljen e boshllëqeve në paga dhe në trajtimin e pabarazisë në paga. Qeveria po udhëheq rrugën me një skemë pilot, ku punëdhënësit pjesëmarrës rendisin detajet e pagave në shpalljet e punës dhe nuk pyesin për historinë e pagave gjatë rekrutimit.

Në Spanjë, në prill të vitit 2021, u zbatua një rekord pagash sipas gjinisë me synimin për një transparencë më të madhe.

Në SHBA, në shtete të tilla si Kalifornia, Nevada dhe Kolorado, masat janë në proces ose janë miratuar tashmë për të futur legjislacionin që thotë se punëdhënësit duhet t’u japin punëkërkuesve më shumë informacion se sa i paguajnë punëtorët aktualë. Po kështu së fundmi është lëshuar një urdhër ekzekutiv nga Presidenti Biden për promovimin e barazisë në paga dhe transaprencë.

I nisur nga një projekt Portugez “Transparenca e pagave” synon ​​një bazë të dhënash ku profesionistë nga fusha të ndryshme që lidhen me teknologjinë mund të ndajnë pagat e tyre në funksione specifike të mbështesë gratë në teknologji dhe, në mënyrë indirekte, për të ndihmuar në luftimin e hendekut gjinor të pagave.

Në vitin 2020, qeveria japoneze parashtroi një grup të ri objektivash që kërkojnë barazi gjinore përmes Planit të Pestë Bazë për Barazinë Gjinore. Pritshmëria është që më shumë barazi gjinore në nivelet e larta do të prodhojë norma dhe politika që rrisin mundësitë në tregun japonez të punës për gratë dhe barazi gjinore për pagat .

Analiza të instituteve dhe qendrave kërkimore në botë tregojnë, se një kërkesë për të dhënë histori pagash i bën të gjithë më pak të sigurt njerëzit kur negociojnë pagën e tyre.

Pra shumë mirë këto nisma të propozuara edhe në Shqipëri nga shoqëria civile duhet të mbeten pronë e saj dhe jo të ndërmerren si nisma nga qeveria shqiptare, e cila ka plote detyra të pakryera për të bërë, në vend që të merret me lancime nismash që në historikun 8-vjecar kanë qenë për të kaluar kohë dhe pa një vision afatgjatë.

Të mirat dhe të këqijat e transparencës së pagave

Ana pozitive

Transparenca e pagave e bën tregun e punës më produktive, por në një vend ku tregu punës është formalizuar dhe ku transparenca e pagave nuk shërben si qëllim në vetvete për të luftuar informalitetin, pasi ajo është një detyrë permanenete e institucioneve të qeverisë dhe nuk bëhet me kuvendime dhe marrje mendimi, por me zbatim të legjislacionit përditë dhe me vullnet të pakorruptuar.

Më e rëndësishme që transparenca të jetë në lidhje me momnetin e marrjes në punë duke u përcaktuar në formën e një projekti pilot për çdo kompani publike dhe kompani VIP si dhe transparencën e pagave në procesin e aplikimit për punë. 

Anët negative të transparencës së pagave

Ndërsa përfitimet e transparencës së pagave janë të lehta për t’u kuptuar, mund të ketë anë negative kur ajo nuk komunikohet mirë.

Paga është një temë e ndjeshme për shumicën e njerëzve, e cila mund të shkaktojë kaos nëse hidhet papritur në dritë pa politika të qarta rreth saj. Në këto raste, është më e vështirë për punonjësit të kuptojnë diferencimet mbi rolin, përvojën dhe kualifikimet e kolegëve të tyre që kanë çuar në vendimet përfundimtare të pagave.

Hapja e papritur e informacionit të pagave në gjithë kompanitë mund të shkaktojë probleme në treg nëse pagat nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë, ose nëse punëmarrësit thjesht nuk janë të gatshëm ta ndajnë atë informacion, si një e drejtë kushtetuese e tyre.

Transparenca pa një politikë të qartë pagash mund të jetë problematike, pasi bën presion direkt ndaj punëdhënsve, si dhe ndërhyn në tregun privat me ndikim në lirinë e marrëveshjes së lirë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit,

Nuk është një zgjidhje për pabarazinë në paga më vete dhe luftën ndaj informalitetit. Duke vazhduar me angazhimin për transparencë, qeveria duhet së pari të bëjë publike realizimin e detyrave dhe zotimeve politike të saj për një rishikim të brendshëm të pabarazisë së pagave në treg dhe duke e studiuar dhe diskutuar me ekspertët e punësimit, të pagave, të ekonomisë dhe eskpertët fiskalë. Nuk mjafton një dalje publike nga MFe për të kërkuar transparencë qoftë kjo edhe me anektim kombëtar, pasi një çështje e tillë është për nivel referendum pas një periudhe diskutimesh dhe anketimesh.

Nga gjithë përmbledhja më lart duhet të kuptohet se nismat e qeverisë sado me qëllim pozitiv të jenë duke u justifikuar nevojave të stadit të qeverisjes dhe ekonomisë dhe antikorrupsionit duhet të diskutohen në periudha kohore të mjaftueshme për të shteruar gjithë problemet që janë të mbartura dhe ato që do të krijojë një politikë e re.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: