Të shpëtojmë ekonominë e kapur nga Covid-19!

ekonomia dhe covid-19

Të shpëtojmë ekonominë e kapur nga Covid-19!

Ekonomia shqiptare është tashmë një ndër më të prekurat në rajon nga efekti i virusit Covid-19. Përshkallëzimi i rënies ekonomike edhe në raportimin më të fundit nga Fondi Monetar është edhe më pranë realitetit pasi të dhënat janë jo vetëm thjesht vlerësime, por projeksione të bazuara mbi shenjat që ka shfaqur ekonomia përgjatë 6 dhe 9-mujorit 2020.

Edhe pse qeveria iu përgjigj menjëherë goditjeve nga tërmeti i vitit 2019 dhe nga virusi Covid-19 dhe stabiliteti makroekonomik dhe financiar deri më tani janë ruajtur, ekonomia pritet të ulet deri në 7.5% vetëm në vitin 2020, ndërsa rimëkëmbja do të jetë graduale. Kjo do të thotë një tendencë rikuperimi e shprëndarë gradualisht në disa vite mbrapa kësaj rënie të menjëhershme ekonomike, njësoj si rënia e oksigjenit te të sëmurët rëndë me Covid-19.

Por, çfarë mund të analizojmë dhe çfarë mësime duhen nxjerrë për këtë situatë ekonomike?

Kritika duhet filluar nga vetja duke analizuar dobësitë në qeverisjen ekonomike dhe atë institucionale, të cilat u shfaqën në formën e tyre më të fortë në këtë testim që krijoi papritmas pandemia. Dobësitë në këtë drejtim nuk kanë fuqi të ndikojnë në amortizimin e goditjeve me qëllim përmirësimin me baza të qëndrueshme të ekonomisë si dhe standardet e jetesës. Reformat e filluara disa vite më parë, pa hyrë në analizë të tyre një për një kanë filluar të shfaqin problemet gjatë fazave të zhvillimit. Edhe pse një pjesë e mirë e qasjeve të studiuesve të ekonomisë, të analizave të kryera kanë ngritur shqetësime bashkë me rekomandime përkatëse, ato në versionin më të mirë nuk kanë patur efekt, pasi nëse do të ishin marrë seriozisht reformat nuk do të ishin ngadalësuar.

Ndërkohë, angazhimi strategjik për anëtarësimin në Bashkimin Europian ka një kusht mjaft të  fortë edhe ekonominë, paçka se theksi kryesor është vënë për reformën në drejtësi dhe reformimin e procesit zgjedhor. Modelimi ekonomik duhej të merrte parasysh rrethanat ekonomike, sociale dhe politike të vendit duke reformuar edhe programet politike.

Mbyllja e saj ashtu si bënë vendet e tjera përreth, apo ekonomitë e mëdha europiane duhet të shikonte se deri sa mund të duronte pa “oksigjenin” e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe të konsumit. Aq më tepër, kur vetë modeli ekonomik i qeverisjes aktuale bazohet te filozofia e konsumit dhe prodhimit për të eksportuar. Megjithatë, ardhja e turistëve në sezonin veror nga vendet përreth e pak më gjerë se kaq shërbeu si një ndihmë për ekonominë duke e shpëtuar përkohësisht nga zvogëlimi më tej i dimensioneve të saj.

Të ardhurat fiskale u gjendën menjëherë nën një presion që nuk ishin të përgatitura për ta përballuar duke reflektuar në këtë mes edhe demoralizimin e luftës ndaj ekonomisë informale, e cila mundet të ishte shfrytëzuar për një rënie më të butë të treguesve të të ardhurave buxhetore. Por, këto efekte do të ndiheshin nëse operacionet anti informalitet të filluara që në vitin 2015 tashmë do të ishin konsoliduar dhe buxheti do të fliste me gjuhën e formalizimit të mëtejshëm të të ardhruave fiskale.

Por, le të bëjmë një panoramë treguesish kryesorë krahasuesë midis Shqipërisë 2020 dhe asaj në 2014.

                                                                                                                                                               Në  %

VitetPBBKonsumi finalInvestimetTe ardhurat tatimoreDeficiti buxhetorBorxhi publik
PublikePrivate
Shqipëria 2020– 7.5– 5.06.316.423.2– 4.781.9
Shqipëria 20141.83.05.021.724.1-5.972.0

 

Nëse krahasojmë 2020 me 2014, dy vite që kanë disa ngjashmëri, përsa lidhet me situata që përkojnë me borxh publik  dhe deficit buxhetor të lartë mund të gjejmë një sërë treguesish kryesorë, që duke i analizuar mund të mësojmë nga çfarë shkoi keq edhe 6 vite më parë.

Së pari, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) me zvogëlimin që pritet të ketë deri në fund të vitit 2020 në nivelin – 7.5% na tregon se konsumi do të ulet, biznese do të mbyllen dhe papunësia do të rritet. Por efekti tjetër do të jetë rritja e nivelit të varfërisë dhe shtimi i polarizimit të shoqërisë.

Një PBB më e ulët do të thotë një rënie proporcionale në të ardhurat për frymë. Për më tepër, duke pasur parasysh pabarazinë e lartë në ekonomi, ka shumë të ngjarë që të varfërit të vuajnë më shumë nga rënia e normës së rritjes së PBB-së, sesa të pasurit. Përkatësisht, numri i njerëzve nën vijën e varfërisë mund të rritet. Banka Botërore në raportin e Rishikimit Ekonomik të Vjeshtës për Europën dhe Azinë Qendrore parashikonte që varfëria për pjesën e popullsisë që jeton me më pak se 5,5 dollarë për person në ditë, do të rritet me rreth 5%.

Së dyti, efektet e zvogëlimit të Prodhimit të Brendshëm kanë ndikim direkt në konsumin e brendshëm, i cili në tremujorin e dytë 2020 (sipas INSTAT) ka rënë me 7.57% krahasur me 2019 dhe deri në fund të vitit llogaritet të shkojë ne minus 5%.

Deri më tani, bizneset prezantojnë një rënie të lehtë të punësimit, por në kushtet e një pandemie që po acarohet me shpejtësi në dëm të shëndetit tonë pritet që edhe niveli jonë i konsumit të kundër reagojë, pasi njerëzit do ti orientojnë shpenzimet në funksion të mbrojtjes së shëndetit.

Kjo dukuri është e dukshme, pasi në fund të këtij viti kursimet e njerëzve janë rritur ndjeshëm.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i depozitave në fund të 10-mujorit 2020 arriti një nivel prej 1.08 trilionë lekësh (8.7 miliardë Euro), duke u rritur me periudhën para se të fillonte pandemia, me 39 miliardë lekë (317 milionë euro), ndërkohë që në 2019 shtesa e  kursimeve ishte afër katër herë më e ulët.

Nisur nga fakti se ky konsum është ulur, por edhe nga parashikimi për një vijimësi negative të tij, atëherë mbetet që të pritet fillimi i vitit 2021 për të parë se çfarë rrjedhe do të marrë efekti i pandemisë ndaj shëndetit të njerëzve. Në fakt pandemia tashmë nuk lë hapësira për rritje të konsumit, për sa kohë ajo kufizon me ëdo formë dhe mënyrë lëvizjen e lirë të njerezve dhe një pjese të mirë të shërbimeve për ta dhe ekonominë.

Konsumi i mallrave dhe shërbimeve, si komponenti kryesor i mirëqenies ekonomike, por dhe një tregues kryesor i standartit të jetesës, së bashku me pasuritë që zotërojnë individët janë dy dimensionet e prekura në cënim të mirëqenies inidividuale.

Së treti, investimet publike dhe private duket se kanë një trend rritje pozitiv nëse krahasohen midis dy periudhave, 2020 me 2014.

Ky tregues shpenzimesh publike në nivele të larta krahasur edhe me 6 vite më parë është qasja që tregon se qeveria vijon të përmbushë angazhimet e miratuara para pandemisë. Duke e konsideruar si një fazë tranzitore, por që mund të kalohet më mirë duke rritur investimet publike, objektivi duket i plotë, pasi si rregull investimet publike gjithnjë prodhojnë efekte rritëse të kërkesës në ekonomi për mallra dhe shërbime, por edhe rritje të punësimit.

Në fakt, në fund të 6-mujorit të parë 2020 shkalla e punësimit është ulur me 1.2%, po të krahasohet me 6-mujorin 2019, ose 0.6% më e ulët se në 6-mujorin e parë 2014.

Në vijim tëtij argumenti, këtë zhvillim të investimeve duhet ta analizojmë me faktin e shpërndarjes së investimeve publike. Nga relacioni i buxhetit 2021 pasqyrohet fakti, se investimet publike janë orientuar me përparësi në financimin e projekteve të filluara më parë, kryesisht në infrastrukturë.

Investimet në infrastrukturë duket se nuk kanë mundur të krijojnë vende të reja pune përtej atyre të llogaritura në preventivat e këtyre projekteve, pasi janë kantiere të hapura dhe që vijojnë të mbajnë të njëjtën shkallë punësimi, për procese pune që nuk gjenerojnë vit për vit fronte pune masive dhe të reja. Në rastin më të mirë ato kanë ndikuar në ngushtimin e hendekut të hapur në punësim nga efekti i pandemisë.

Por e gjitha kjo kërkon studim të thelluar, për një analizë më të saktë.Ndërkohë, investimet private janë riaktivizuar në sektorin e ndërtimeve civile, në bujqësi dhe agro-industri, si dhe në segmente investimi në sektorin energjitik. Në tregun e punës këto investime kanë ndikuar për të ruajtur një hendek më të vogël të uljes së punësimit për arsye të pandemisë, por nuk kanë foprcë ndikuese më të madhe, pasi tregu më i madh i punësimit është i lidhur me eksportin, i cili është ulur dukshëm në vitin 2020.

Niveli i bilancit tregtar, për 6-mujroin 2020 është minus 15.5%. Kjo diferencë tregon një rritje të tij përsa lidhet me uljen e eksporteve dhe rritjen e importeve.

Së katërti, të ardhurat tatimore kanë rënie në raport me PBB-në, e cila është edhe më poshtë se niveli i vitit 2014. Edhe pse treguesit tatimorë janë të ndikuar direkt nga rënia ekonomike, fakti se të ardhurat e TVSH-së kanë një rënie me 6.9% krahasur me 2019 tregon një rënie të qarkullimit.

Rënia e fitimeve të bizneseve dhe papunësia kanë krijuar gropën më të madhe në të ardhurat që merr buxheti nga tatim fitimi dhe tatimi mbi pagat, por pa synuar në asnjë moment të hidheshin dyshime lidhur me informalitetin që ndërkohë mund të jetë rritur.  Ndërkohë, efektet nga përjashtimet tatimore, të cilat u shtuan edhe më tej këtë vit tregojnë për një politikë tatimore që ka krijuar gropa buxhetit përtej efekteve nga pandemia. Politika e përjashtimeve është ajo që ka më tepër nevpojë për analiza dhe llogaritje të shumta, pasi ndikon në cënimin e parimeve dhe pajtueshmërisë me ligjin.

Kështu, përjashtimi i sektorit të shërbimeve dhe medikamenteve shëndetësore prej shumë vitesh nga TVSH nuk ka ndikuar në kahun tjetër në çmime më të ulta dhe barna më cilësore. Përkundrazi, një administrim në nivele jo të forta ndikon në shtimin edhe të informalitetit në këtë kohë krize.

Një qasje e administrimit tatimor, që shkon jo sipas parimit të monitorimit të qarkullimit të parasë, por të zbatimit të reformës që edhe mund të shtyhet nisur nga situata, edhe nëse zbatohen ato në rastin më të mirë do të japin efekte pas disa vitesh, ndërkohë nevoja për të ardhura duhet kërkuar aty ku ato krijohen tani duke mos harruar reformën e nisur.

Ndërkohë, administrimi të ardhurave të bizneseve dhe zbatimi vullnetar i ligjit është lënë kryesisht në dorë të vetdeklaimit të bizneseve. Reformimi teknologjik i faturimit fiskal, si dhe ndryshimi i shpeshtë dhe çorientimi i bizneseve në ambjentin ku oeprojnë, përfshirë edhe një nivel korrupsioni në rritje kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës së biznesit.

Së pesti dhe së gjashti, treguesi i lartë i deficitit buxhetor dhe borxhit publik me një rritje që shkon përtej vitit 2014 pasqyron një situatë të vështirë për rikthimin e tyre në nivelet e deri pak kohëve më parë. Rruga e uljes së borxhit është e gjatë dhe pritet ti nënshtrohet rrisqeve të konsiderueshme.

Në kushtet kur kërkesat e ekonomisë për financime  mbeten të mëdha, duke reflektuar nevoja të konsiderueshme për rimëkëmbjen, përfshirë maturimin për Eurobondet në 2020 dhe 2025, si dhe nevojat për të mbuluar shumë projekte të nisura dhe të miratuara më parë janë një ndër barrat më të rënda që do të trashëgojë çdo qeveri e ardhme.

Për të ulur këtë ndikim me peshë në rigjallërimin e ekonomisë nevojitet që të rifillojë konsolidimi fiskal i bazuar në të ardhura më të larta me objektiva më të fortë se objektivat për rimëkëmbjen e ekonomisë, me synimin për të rindërtuar hapësirën fiskale ​​dhe për ti lënë politikës fiskale mundësi të vendosë borxhin në një rrugë solide në rënie. Ndërkohë, që krahu i shpenzimeve këshillojmë që të mos tkurret, por të rritet edhe pse mbetet teoremë për tu vërtetuar se sa do ti vlejnë ekonomisë investimet që janë projektuar më shumë se sa mban kurrizi i buxheteve në të ardhmen në infrastrukturë.

Ekonomia është mbërthyer nga Covid-19. Natyra dhe madhësia e tronditjes së imponuar nga pandemia do të shtrihet në mënyrë indirekte edhe në sektorët ekonomikë që nuk janë ekspozuar direkt në goditjen e valës së parë. Bashkëpunimi dhe mbështetja solidare ndaj njeri-tjetrit janë më kritike se kurrë. Por duhet të kujtojmë mësimet nga krizat e mëparshme lidhur me politikat që përshtaten krizës dhe jo e kudnërta, pasi është thelbësore zbatimi ,me terapinë intensive dhe të duhur, kur bëhet fjalë për të shmangur krizën financiare e kombinuar me krizën shëndetësore.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: