Të shkundim ekonominë nga e kaluara mëkatare

ekonomia

Të shkundim ekonominë nga e kaluara mëkatare

Ajo çfarë ka ndodhur dhe vijon të ndodhë nëpër vendet e botës, në funksion të rimëkëmbjes së ekonomive të tyre pas përballjes me pandeminë është një përgjigje shumë e fortë dhe e sinkronizuar e politikave nga ministritë e financave dhe nga bankat qendrore.

Kjo përfshin trilionë dollarë të shprehur në masa fiskale. Ndërsa, bankat qendrore kanë udhëhequr politikat për të injektuar sasi të mëdha likuiditeti për të mbështetur ekonomitë e tyre kombëtare duke ndikuar kështu edhe ekonomitë e vendeve të tjera. Vendet si Shqipëria, që janë ende në nivelet e tregjeve në zhvillim mundet që nëse arrijnë të jenë pjesë e këtyre ndikimeve tu shërbejë si një pikë rifillimi e fortë për të arritur rikuperimin e deficiteve që ende nuk kanë prekur fundin e krizës.

Siç e dimë mirë, Shqipëria, e cila është në grupin e vendeve të vogla me ekonomi të varur nga turizmi, si dhe nga shërbimet është tashmë e gjunjëzuar.

Situatë fiskale e tillë është e ngjashme me kohërat më të këqia të financave shqiptare ndër dekada, pavarësisht se fajin e ka pandemia.

Vendet me nivele të larta borxhi janë në situate alarmante, ndërkohë që përhapja e virusit godet pikërisht vendet ku sistemet shëndetësore janë më të dobëta.

Çfarë duhet të kuptojmë me këtë situatë për të modifikuar qasjet, por edhe përballjen për tu rimëkëmbur?

E para dhe më e rëndësishmja është financimi i ekonomisë dhe konsumit. Nëse buxheti nuk mundet më të financojë dot më shumë se kërkesat bazike, atëherë huatë e mundshme nga FMN, Banka Botërore dhe të tjerë donatorë duhet të shkojnë direkt në rritjen e fuqizimin e sektorëve më të goditur nga pandemia, njësoj si me zonat e goditura nga tërmeti.

E dyta duhet të fillohet të kërkohet paraja aty ku asnjëherë nuk është marrë dot, te ekonomia informale. Tashmë buxheti nuk ka luksin të durojë të njëjtën situatë pisllëku fiskal, korrupsioni dhe mungese barazie në treg. Rasti është për të filluar lufta frontale, për tatimet e jashtëzakonshme për informalët. Të dhënat dhe treguesit egzistojnë, ndërkohë reagimi i administratës tatimore dhe institucioneve që luftojnë informalitetin duhet të shkunden. Këto muaj të mbetur duhet të tkurrin me cdo mënyrë dhe qasje në dispozicion këtë situatë. Fryma përkrahëse për tu mbështetur te publiku i gjerë egziston.

E treta është rigjallërimi politikave të veçanta prej Bankës së Shqipërisë. Deri më tani politikat që janë orientuar prej saj nuk kanë patur efektin e nevojshëm ndaj efekteve nga pandemia. Banka nuk duhet të rrijë të presë që politikat monetare të saj të jenë efektive njësoj sikur s’ka ndodhur gjë.

Mungesa e një qasje ndryshe për hedhje të parasë në treg nëpërmjet instrumentave të lehtësimit sasior, për fillim, por në fakt për një injektim të parasë direkt te segmentet më nevojtare është një detyrim i kushtëzuar nga koha që nuk na pyet, por rrjedh pa u ndier.

Nëse gjithë Europa ecën në këtë drejtim, por edhe një grup vendesh jashtë saj, përfshirë edhe vende me treg në zhvillim, atëherë politikat për financim direk monetar duhet të nxiten. Nëse jo atëherë të paktën të dimë se sa prapa vendeve të tjera jemi dhe teoritë për tregun dhe qarkullimin e parasë ti mbajmë parasysh vetëm në letër, pasi edhe njëherë tjetër kjo situatë na nxorri zbuluar. Kjo situatë po na tregon se sa larg është tregu financiar nga ajo që thuhet nëpër publikime dhe konferenca.

Në fund të fundit, nga gjithë kjo ashtu si përmendin edhe ekspertë të spikatur në vend duhen ndryshuar edhe prioritetet dhe strategjitë për investime duke kthyer sytë tashmë nga investimet në arsim, në forcimin e kapaciteteve dixhitale dhe kapitaleve njerëzore, në sistemet shëndetësore dhe sistemet e mbrojtjes sociale. Këto janë ato që  u duhen njerëzve dhe ekonomisë për të qenë njëfarësoj në tregun konkurues rajonal, por edhe për të përshtatur gjithshka në funksion të situatës post pandemike. Ne duhet të sigurohemi që krizat e tjera që do të dalin para janë adresuar mirë.

Për ta bërë këtë të realizueshme, taksat dhe modelimi i tyre duhen përshtatur tashmë në një mënyrë që ndikon në transformimin ekonomik, por dhe ndërtojnë qëndrueshmërinë ekonomike të vendit për të ardhmen. Këto pa dyshim do të jenë një detyrë mjaft e vështirë për disa qeverisje në vijimësi. Të gjithë partitë politike duhet të dinë të përshtatin qasjet e tyre për të na thënë me vepra në programet e tyre se sa e vështirë do të jetë kjo për ta dhe a munden dot t’ja dalin.

Pas krizës financiare, duhet ndërtuar edhe një qëndrueshmëri në sektorin bankar duke e reformuar atë, pasi nuk mundet të vazhdojmë të jetojmë me mungesën e mirëfilltë të një tregu financiar të ngjashëm me vendet që e kanë atë.

Tani, ne duhet ti bëjmë të gjitha këto, jo nisur nga fakti kush i shkruan apo i thotë, por se duhen bërë për funksionimin e ekonomisë tonë dhe për të filluar shkundjen nga e kaluara mëkatare.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: