Tatimi i punësimit dhe të ardhurës prej biznesit nga vetëpunësimi dhe investimet kapitale
Sqarime për tatimin mbi të ardhurave personale[1]
- Nëse një i punësuar[2]
për pagën e tij vjetore deri 2.040.000 lekë tatohet me 13% dhe nëse niveli i pagës është mbi këtë shumë vjetore atëherë tatimi është 23%.
Nëse do të kemi të bëjmë me raste të kontraktimit të punonjësve të huaj, atëherë bazuar mbi termat e kontratës, kompania shqiptare i bën pjesë të listëpagesës dhe paguan të njëjtin tatim sipas përcaktimeve më lart.
Në rastet kur një i punësuar përfiton me vendim gjykate që ti dëmshpërblehen punonjësit pagat dhe sigurimet, atëherë ato do të trajtohen me tatimin e periudhës kur i përket ky dëmshpërblim. Në rast, se nuk janë këto qartësime në vendimin e gjykatës, atëherë do të mbahet mbi dëmshpërblimin tatimi në burim prej 15% ndaj shumës bruto.
- Nëse një i vetëpunësuar[3],
kur 80 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga 1 klient i vetëm,
kur 90 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se 3 klientë,
për qëllime të llogaritjes së tatim fitimit të tij vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën (13% dhe 23%), ku 13% zbatohet mbi të ardhurën e tij nga punësimi deri 2.040.000 lekë dhe 23% zbatohet mbi këtë vlerë
Nëse një i vetëpunësuar
kur 100 për qind të shërbimeve i kryen vetëm për persona jorezidentë (të cilët nuk kanë seli të përhershme në Shqipëri në formën, degës apo zyrës së përfaqësimi)
për qëllime të llogaritjes së tatim fitimit të tij vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat progresive të tatimit (15% dhe 23%), ku 15% zbatohet mbi të ardhurën neto deri 14.000.000 lekë dhe 23% zbatohet mbi këtë nivel xhiro.
Llogaritja e detyrimit tatimor do të bëhet nga vetë i vetëpunësuari që plotëson këto kritere, në deklaratën tatimore vjetore të tij.
Për efekt të deklarimit të të ardhurave nga biznesi, këto të ardhura do të deklarohen zero në deklaratën e të ardhurave personale nga biznesi, duke qenë se kjo e ardhur konsiderohet e ardhur nga punësimi
Gjithë kjo qasje për të vetëpunësuarit ku përfshihen profesionet e lira është ndërhyrje e shtetit te biznesi, pasi vetepunesimi eshte biznes dhe jo punesim sipas Kodit te Punes.
Për bizneset e vogla dhe të vëtëpunësuarit me qarkullim deri 10.000.000 lekë në vit, ofrohet edhe një regjim i veçantë për ti tatuar[4], ku shpenzimet zbriten apriori sipas % më poshtë dhe pa iu nënshtruar kontrollit të regjistrimeve kontabël lidhur me to nga administrata tatimore.
Kështu zbriten si shpenzime, një vlerë sa:
- 60% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese (pra mbeten vetëm 40% të ardhura që tatohen me normat si prezantuar më lart 15% apo 23%);
- 90% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë (pra mbeten vetëm 10% të ardhura që tatohen me normat si prezantuar më lart 15% apo 23%);
- 70% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual(pra mbeten vetëm 30% të ardhura që tatohen me normat si prezantuar më lart 15% apo 23%);
- 60% të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj., të kësaj natyre (pra mbeten vetëm 40% të ardhura që tatohen me normat si prezantuar më lart 15% apo 23%);
- 50% të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtaritë artizanale dhe atyre zejtare (pra mbeten vetëm 50% të ardhura që tatohen me normat si prezantuar më lart 15% apo 23%);
- 30% të të ardhurave për individët e vetëpunësuar (pra mbeten vetëm 70% të ardhura që tatohen me normat si prezantuar më lart 15% apo 23%);
Në këtë rast, i vetëpunësuari trajtohet jo si në pikën 2. më lart, por mund të përfitojë një zbritje direkt nga të ardhurat pavarësisht nga shpenzimet që ka kryer me 30% dhe vetëm 70% e të ardhurave të tij do të tatohen me 15% ose me 23%, në varësi të të ardhurës neto të tatueshme.
Vini re! Të ardhurat nga biznesi gjithsesi duhet të argumentohen dhe pasqyrohen nëpërmjet faturave elektronike për shitjet biznes me biznes dhe faturave të pajisjeve fiskale për shitjet biznes me konsumator.
Ndërkohë, nëse shpenzimet vjetore të të vetëpunësuarit janë më të larta se 30%, atëherë ai nuk ka pse e zgjedh këtë formë të regjimit të veçantë, por mban në rregull gjithë dokumentet e biznesit (të ardhurat dhe shpenzimet) me faturë tatimore dhe bën deklarimin vjetor në bazë të tyre.
Metodën ka të drejtë ta zgjedhi vetë biznesi dhe ta deklarojë pranë administratës tatimore. Kalimi nga një metodë në tjetrën (nga regjimi i veçantë në regjimin normal) nuk mund të bëhet më shpesh se një herë në tre vjet.
Të ardhurat nga investimet[5] për individët janë të ndryshme nga të ardhurat e tyre nga punësimi apo nga të ardhurat e biznesit në rastet kur individi është person fizik tregtar apo i vetëpunësuar dhe nuk ndjekin rregullat e përmendura në pikat më lart.
Kujdes! Të tilla të ardhura edhe pse konsiderohen si të ardhura të individit, në rastet kur ndonjë nga këto të ardhura janë pjesë e biznesit të tregtarit apo të vetëpunësuarit, ato trajtohen si pjesë e të ardhurave të biznesit dhe zbatojnë të njëjtat rregulla tatimi dhe tatohen me 15%, si për gjithë bizneset e tjera, përveç të ardhurave të përjashtuara nga tatimi dhe tatimit mbi dividentin që tatohet me 8%.[6]
Shembujt mund të gjenden te Udhëzimi, faqe 14-18.
Në rastet kur të ardhurat nga punësimi përzihen me të ardhurat nga vetëpunësimi apo edhe nga investimi (janë përzier, pasi konsiderohen si të ardhura personale, të tri burimet e të ardhurave), ato përbëjnë bazën e tatueshme, nga ku llogaritet tatimi për të ardhurat e përziera personale).
Vini re! Në pikat më lart, tatimi është sipas vetëm një burimi të ardhure (punësim, vetëpunësim, investim kapital).
Në këto raste, të përzierjes të më shumë se një burim të ardhure (të ardhura nga punësimi dhe nga biznesi), individi/binzesi mund të zbresë nga të ardhurat tatimore vjetore:
a) një shumë prej 600 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë deri 600 000 lekë, ose një shumë prej 50.000 lekësh në muaj, nëse të ardhurat mujore janë deri në 50.000 lekë;
b) një shumë prej 420 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600 000 lekë deri në 720 000 lekë, ose një shumë prej 35.000 lekësh në muaj, nëse të ardhurat mujore janë mbi 50.000 lekë deri në 60.000 lekë;
c) një shumë prej 360 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë;
ç) një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç prej 48 000 lekësh në vit
Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor.
Shembull për të ardhura nga 2 burime
Individi “E” punon me kohë të plotë si inxhinier në kompaninë “A” dhe ka pagë bruto 100.000 lekë/muaj (1.200.000 lekë/vit). Ky individ është i dypunësuar dhe punon dhe në një studio arkitekture me kohë të pjesshme me një pagë 50.000 lekë/muaj (600.000 lekë/vit).
Si duhet të llogaritet zbritja nga baza tatimore?
Individi “E” zgjedh të nënshkruajë Deklaratën e Statusit Personal me studion e arkitekturës, e cila mban tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, por është e detyruar të marrë në konsideratë në terma mujorë zbritjen nga baza tatimore.
Kështu, nga e ardhura tatimore e individit “e” nga studio arkitekturore është 50.000 lekë/muaj. Ligji parashikon se për pagat deri në 50.000 lekë/muaj, aplikohet një zbritje deri në 50.000 lekë/muaj. Atëherë, pasi aplikohet zbritja tatimore, baza e tatueshme mbetet zero dhe në këtë rast punëmarrësi rezulton me detyrime 0 lekë ndaj tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për të ardhurat mujore që merr në studion arkitekturore.
Kompania “A”, aplikon një tatim progresiv 13% dhe 23% mbi pagën[7] dhe nuk aplikon zbritje nga baza tatimore.
Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi, dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi i më pak se 1.200.000 lekë mund të zbresë përveç shumave individuale si më sipër edhe shpenzimet korrente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë. Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me shpenzimet për arsim bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
Shembull për të ardhurat familjare
Individja “A” punon në një zyrë programimi dhe paga e saj bruto është 230,000 lekë/muaj (2,760,000 lekë/vit). Ndërkohë individja “A” ka një depozitë me afat nga e cila merr interesa në shumën 20,000 lekë/vit.
Individi “B” (bashkëshorti i individes “A”) ka një biznes për tregtimin e pajisjeve hidrosanitare dhe ka të ardhura neto (fitim të tatueshëm) 3,250,000 lekë/vit. Individi “B” ka disa aksione në kompaninë “XX”, e cila ka paguar dividendë në vlerën 25,000 lekë/vit.
Individët “A” dhe “B” kanë dhe tre fëmijë, përkatësisht 13, 15 dhe 19 vjeç.
- Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi:
Individi “A” ka të ardhura nga punësimi në shumën 230,000 lekë/muaj (2,760,000 lekë/vit). Pra të ardhurat e saj e kalojnë shumën prej 60,000 lekësh në muaj dhe zbritja nga baza tatimore që individja “A” përfiton, është 30,000 lekë/muaj. Gjithashtu individja “A”, dy fëmijë i ka nën moshën 18 vjeç, për të cilët përfitohet një kompensim prej 48,000 lekësh për fëmijë, pra 96,000 lekë në total.
Por, duke qenë se bashkëshorti i saj (Individi “B”) ka të ardhura më të larta, do të jetë ai që do ta kërkojë këtë kompensim, si dhe zbritjet e parashikuara nga ligji[8].
Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi që individja “A” do të paguajë do të jetë:
Të ardhurat vjetore nga punësimi prej 2,760,000 lekësh/vit zvogëlohen me 360.000 lekë me zbritjet e parashikuara sipas ligjit
E ardhura vjetore, pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet (2,760,000 lekë/vit – 360,000 lekë/vit = 2,400,000 lekë/vit) tatohet me dy norma tatimore (13% për pjesën poshtë 2.040.000 lekë dhe 23% mbi këtë shumë), sipas formulës më poshtë:
2,040,000 lekë/vit * 13% + (2,400,000 lekë/vit – 2,040,000 lekë/vit) * 23% = 265,200 lekë/vit + 82,800 lekë/vit = 358,000 lekë në/vit është tatimi final që individja “A” paguan për të ardhurat nga punësimi.
- Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga biznesi:
Individi “B” ka të ardhura neto vjetore si i vetëpunësuar në shumën 3,250,000 lekë. Duke qenë se, të ardhurat e tij janë mbi 600,000 lekë/vit[9], atëherë zbritja n që ai përfiton është 360,000 lekë.
Individi “B”, si tatimpaguesi me të ardhurat më të larta në familje do të përfitojë një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekësh për çdo fëmijë në moshën nën 18 vjeç, pra 96,000 lekë në total për dy fëmijët që janë më pak se 18 vjeç.
Ndërkohë, individi “B” nuk i përfiton zbritje të tjera, duke qenë se të ardhurat vjetore janë më të larta se 1,200,000 lekë.
Të ardhurat neto vjetore nga biznesi zvogëlohen nga zbritjet tatimore dhe kompensimet e parashikuara sipas ligjit janë:
3,250,000 lekë/vit – (360,000 lekë/vit + 96,000 lekë/vit) = 2,794,000 lekë/vit (fitimi i tatueshëm)
Fitimi i tatueshëm është më i vogël se 14,000,000 lekë/vit dhe tatohet si më poshtë:
2,794,000 lekë/vit * 15% = 419,100 lekë/vit tatimi që individi “B” paguan për të ardhurat nga biznesi.
- Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga investimi:
Të ardhurat nga depozita me afat e individes “A” dhe të ardhurat nga dividendët që individi “B” ka marrë nga investimi në aksione, janë të ardhura nga investimi.
Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë individi “A”, për interesat e përfituar nga depozita me afat do të jetë: 20,000 lekë/vit * 15% = 3,000 lekë (i mbahet nga Banka)
Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë individi “B”, për dividendët e përfituar nga investimi në aksione do të jetë: 25,000 lekë/vit * 8% = 2,000 lekë ( i mbahet nga shoqëria që shpërndan dividentin)
[1] Tatimi në këtë rast llogaritet mbi të ardhurat personale apo individuale dhe nuk ka lidhje me tatimin korporativ
[2] Të ardhurat nga punësimi, gjithashtu, përfshijnë pagesat e menjëhershme që jepen në rastet e shkurtimit të vendit të punës, humbjes së vendit të punës ose ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit. Këto të ardhura i shtohen pagës mujore kur kalojnë këto të ardhura dhe do të taksohen jo me 13%, por me 23% për pagat që janë afër pragut të taksimit me 23%.
Nuk përfshihen në të ardhura nga punësimi ushqimet që konsumohen, pijet (jo alkolike), pajisjet e punës, udhëtime, akomodime, dieta, trajtimi mjekësor (pagesa dhe përfitime të tilla duhet të argumentohen me dokumentacion (p.sh. ndihmë në rastin e vdekjes së familjarëve, pagesa për mjekime etj.), por shuma totale e përfitimit nuk duhet të kalojë 20% të pages vjetore të punonjësit përfitues të shpërblimit/shpërblimeve) dhe përfitime të tjera të parashikuara, në ambientet ku operohet nga ose në emër të një punëdhënësi, dhe që janë të disponueshme për të gjithë të punësuarit në kushte të ngjashme dhe që krijojnë kushte më të mira pune për të punësuarit. Nëse këto sa më lart jepen në lekë për të blerë të njëjtat mallra dhe shërbime, atëherë kjo përfshihet te paga mujore.
[3] i cili nuk konsiderohet biznes për të ardhurat e shërbimit, por vetëm për të ardhura të tjera që nuk kanë lidhje me punën, si interesa bankarë, shitje asetesh të biznesit, grante, subvencione etj.
[4] kjo ofrohet në kuptim të mosbezdisjes me kosto administrative për të mbajtur dokumente dhe me kontrolle tatimore
[5] Të ardhurat nga interesat e depozitave të kursimit, llogarive rrjedhëse, llogarive me afat apo pa afat, të ardhurat nga interesat e bonove të thesarit apo obligacioneve, të ardhurat nga dividendët apo ndarjet e fitimit, të ardhurat nga honoraret, fitimet kapitale nga tjetërsimi i kuotave të kapitalit në shoqëri, apo letrave me vlerë të tilla si aksione, fitimet kapitale të realizuara nga skemat e sigurimit të jetës, kthimi i investimit nga skemat e pensionit privat, fitimi kapital nga tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme, të ardhurat nga qiraja e pasurive të paluajtshme, të ardhurat nga nxjerrja/përfitimi i mjeteve virtuale apo edhe të ardhurat nga transaksionet me mjetet virtuale
[6] Të ardhura të përjashtuara të investimeve janë të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të luajtshme, përveç tjetërsimit të automjeteve, aeroplanëve dhe anijeve në qoftë se ato shiten brenda më pak se 12 muajve nga blerja, të ardhurat nga transferimi i së drejtës së pronësisë së tokës bujqësore nga një fermer i regjistruar për një person fizik ose entitet, i cili kryen një aktivitet bujqësor, si dhe në rastet kur pasardhësi ligjor trashëgimtar e mban tokën për të njëjtin qëllim dhe aktivitet. Përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat edhe të ardhurat nga investimi në Eurobonde të emetuara nga qeveria e shqipërisë, kur investitori është individ jorezident shqiptar
Shënim. Taksimi për profesionet, i sqaruar si më lart nuk eshte i aplikueshem prej Qershorit 2024
[7] referuar paragrafit 1, të nenit 65 dhe paragrafit 1 të nenit 24 të ligjit
[8] në paragrafin 2 të nenit 22
[9] Referuar paragrafit 1 të nenit 22
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.