Taksat dhe investimet janë në përpjestim të drejtë
Pasiguria ekonomike është e fortë në të gjitha vendet ballkanike dhe çon në paqëndrueshmëri politike. Vetëm Kroacia dhe Shqipëria tregojnë për një ndikim pozitiv të IHD-ve në shkallën e papunësisë, por gjithsesi norma e papunësisë mbetet ende e lartë. Duke pasur parasysh mungesën e vazhdueshme të kapitalit dhe papunësinë e lartë, të gjitha vendet do të duhet në të ardhmen të gjejnë modele të politikave ekonomike që do të punojnë drejt rritjes së flukseve hyrëse të IHD-ve dhe reduktimit të shkallës së papunësisë, në mënyrë që të arrihet zhvillimi ekonomik, dhe garantimi social.
Në këtë kontekst, barra ekonomike si një e ardhur e deleguar nga tatimpaguesit për buxhetin e qeverisë, kur ajo nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë dhe të adresohet sipas nevojave të qytetarëve dhe përparimit ekonomik do të jetë një kosto ekonomike për vendin që çon në shtrembërime politike dhe sociale.
Barra tatimore në radhë të parë duhet të jetë qëllimi kryesor i transparencës së një qeverie. Ne mendojmë se vendet e Ballkanit, e specifikisht Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të bazohen vetëm në politikën tatimore të (ndryshimi i normave) për të zhvilluar dhe modeluar ekonominë e ardhme. Por në dallim nga sisteme të deformuara fiskale nevojitet shpërndarja e barrës drejt atyre segmenteve të tatimpaguesve dhe qytetarëve që kanë mundësi më të mëdha për të përballuar pjesën kryesore të barrës tatimore.
Me peshën që mban Shqipëria dhe Kosova në PBB e rajonit janë pak të ndjeshme në ndikimin e ekonomisë së Ballkanit thjesht një politikë e veçuar fiskale apo nismë ekonomike. Pavarësisht këtij fakti, vërehet një rritje e barrës në 2017 krahasuar me një apo dy vite më parë, që i jep një tjetër dimension buxhetit dhe politikës së taksave. Ky realitet pozitiv për këto dy vende me barrë të ulët tatimore spjegohet, si prej rritjes masave antievazion të qeverive, po ashtu edhe me rritjen e performancës së administrimit fiskal.
Nëse shikohen Investimet e Huaja Direkte neto Shqipëria është në vend të dytë në Ballkan për peshën e tyre në raport me PBB-në për periudhën 2016-2017. Ndërsa Kosova ka mbajtur vendin e katërt në Ballkan për IHD Neto në 2017. Këto dy shembuj janë prova e qartë se efekti i normave tatimore nuk është ndikuesi primar në tërheqjen e investimeve. Treguesi i IHD neto na tregon se nëse harmonizohen me sukses normat tatimore me rritjen e kapaciteteve të administrimit dhe forcimin e kapaciteteve rregullatore dhe uljen e korrupsionit do të rezultojë një efekt rritës i flukseve të investimeve të huaja në vend. Ky konkluzion vlen jo vetëm për Shqipërinë, Kosovën apo Maqedoninë, por për secilin nga vendet e tjera ballkanike.
Megjithatë, studimet dhe anketimet e kryera tregojnë se është e mundur që tatimet të kenë ndikim edhe në IHD. Tatimet mbi të ardhurat, mbi konsumin dhe punën ndikojnë në nxitjen për rritjen/uljen e vendeve të punës. Kështu, ndërsa oferta e punës mund të jetë joelastike në një periudhë afatshkurtër, që do të thotë se efekti bie mbi fuqinë punëtore, nëse e shikojmë për një periudhë afatgjatë, elasticiteti i furnizimit të punës duhet të jetë më i lartë. Sipas kësaj logjike, taksat mbi punën dhe taksat e konsumit rrisin kostot e pagave për punëdhënësit. Shpenzimet e larta për pagat (paga dhe tatime) mund të shkaktojnë efektin frenues te bizneset rezidente të mendojnë se si të zëvendësojnë kapitalin për investime me atë për punësime, duke ulur kështu fondet e tyre për investime. Nga ana tjetër, një ekonomi me kosto të lartë të pagave mund të ketë efekte negative ndaj fondeve të investimeve.
Barra tatimore e shpërndarë në rajonet e ndryshme, nëse ballafaqohet me burimet dhe kapacitetet në dispozicion, si dhe nëse ndërthuret në mënyrë më racionale me ekonominë që synohet të zhvillohet, ndikimi i rolit të programeve të qeverisë në shpërndarjen e investimeve dhe përgatitjen e kushteve për investitorët aty ku barra nuk është nxitëse do të ndihmonte secilën bashki, që të mendojë më thellë mundësitë dhe mënyrat për tu integruar brenda modelit të të bërit ekonomi dhe buxhet.
Politika fiskale duhet të ketë lidhje të forta me zhvillimin e strukturës së ekonomisë, duke analizuar pa ndërprerje ndryshimet dhe zhvendosjet e ecurisë së ekonomisë nga njeri sektor te tjetri duke i pararendur tregut dhe konkurencës globale. P.sh. ndikimet e tregjeve globale, që provuan bizneset në industrinë nxjerrëse për vitin 2015-2016 e gjetën ekonominë të papërgatitur si përsa i përket masave për të minimizuar efektin e rënies së çmimeve globale, por edhe për të reaguar duke zhvendosur përkohësisht barrën tatimore si kompensim per rrise te tjera sociale qe duhet te perballonte buxheti dhe kompanite.
Nuk është vetëm barra tatimore ajo që duhet të bjerë në vëmendjen e të gjithë shoqërisë pasi bindemi për efektet e saj. Edhe sektori publik dhe ai privat duhet të ndryshojnë qasjen duke kërkuar një shpërndarje më të barabartë, ku të gjithë të ndihen kontribuesë dhe më pas përfituesë duke dialoguar ne menyre korrekte dhe ne ndihme edhe të një buxheti të konsoliduar.
Një gjetje e fortë nga gjithë analiza është se jo të gjitha ndryshimet e normave tatimore mund të kenë efekt në rritjen ekonomike, të konsumit apo edhe të investimeve të huaja. Reformat që përmirësojnë nxitjen për investime, reduktojnë mbështetjet buxhetore për sektorë të ekonomisë publike, shmangin kolapset financiare dhe thellimin e borxhit publik kanë një efekt të qartë dhe të dukshëm për gjithë qytetarët lidhur me ecurinë afatgjatë të ekonomisë.
Ne konstatojmë se si rregull i përgjithshëm, ndikimi i rritjes së normave të tatimit mbi të ardhurat prej punës në flukset e investimeve të huaja direkte është dukshëm negativ, ndërkohë që ndikimi i rritjes së taksave të konsumit është i parëndësishëm për investitorët. Nga vlerësimet tona mbi ndikimin e rritjes së normave të tatimit mbi të ardhurat prej kapitalit dhe konsumit, pra barrës tatimore reale (të cilat kontrollojnë edhe fluksin për të ardhurat nga puna dhe qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve) rezulton se taksat e larta e inkurajojnë largimin e investimeve drejt vende që kanë ambient të ngjashëm ekonomik, por me norma më të ulëta tatimore.
Qeveritë që zbatojnë taksa relativisht të larta ndaj kapitalit mund të nxisin më shumë investimet të dalin jashtë vendit dhe të tërheqin më pak investime ndërkombëtare hyrëse. Taksat dhe investimet janë në perpjestim të drejtë për vendet e Ballkanit, pasi tregojnë se shteti dhe ligji gradualisht po forcohen. Kjo dëshmi shton më shumë mbështetjen për idenë se kur reformohet politika tatimore, ka arsye të mirë për qeveritë që të marrin parasysh ndikimet e politikës tatimore në atraktivitetin e vendit të saj ndaj flukseve të investimeve.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.