Shpërndarja e barrës fiskale sipas destinacionit të buxhetit në Shqipëri
Fondet buxhetore me destinim të tyre për zhvillimin ekonomik, por edhe rritjen e konkurueshmërisë dhe përmirësimit më të shpejtë të inovacionit, ndërmarrjeve të reja dhe kërkim – zhvillimit. Ndërkohë, gjithë destinimet e politikave zhvillimore dhe ndihmuese për shtresat sociale dhe në nevojë janë një tjetër qasje e shpenzimeve të buxhetit nëpërmjet agjensive të dedikuara për financim dhe kujdes.
Për zhvillimin e ekonomisë tashmë janë në funksionim disa fonde buxhetore, të tilla si: Fondi i Zhvillimit Rajonal, Fondi i Kompensimit të Pronarëve, Fondi i Konkurueshmërisë, Fondi i Inovacionit, Fondi Start-Up, Fondi në mbështetje të biznesit Kreativ etj.
Ndërkohë, fondet buxhetore për vitin 2019 me destinacion mbështetjen nga buxheti për kontratat konçesionare/PPP janë në total 12.4 miliardë lekë. Nga këto, përafërsisht 6.4 miliardë lekë janë investime dhe 6 miliardë Lekë shpenzime korente. Në krahasim me fondet faktike të vitit 2018 në vlerën 8.7 miliardë Lekë, në vitin 2019 fondet arrijnë deri 42.5% më shumë. Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Totali i shpenzimeve të buxhetit 2019 janë 491.9 miliard Lekë. Sipas Tabelës 26, shpenzimet e gjithsej janë sa 29.1% e PBB-së me një ndryshim sa 0.1% e PBB-së e krahasuar me vitin 2018. Destinacioni kryesor i shpenzimeve, sipas peshës që zënë në raport me PBB është i shpërndarë te:
Fondet sociale, (ku përfshihen pagesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, për pensionet, për të papunët, për ndihmë ekonomike, për ish-të përndjekurit, për familjet në nevojë, si dhe pagesat për pronarët), të cilat së bashku përbëjnë 40.6% e buxhetit (0.6% më shumë se në 2018). Në raport me PBB-në këto fonde në 2019 janë sa 11.8% e saj me një diferencë sa 0.2% e PBB-së në krahasim me vitin 2018.
Në vend të dytë janë shpenzimet për pagat dhe kontributet e sigurimeve të administratës së institucioneve të shtetit (15.6% e shpenzimeve totale të buxhetit). Në ndryshim nga viti 2018, që kanë ruajtur pothuajse të njëjtën peshë këto shpenzime kanë marrë këtë pozicion për arsye të uljes së peshës që kanë në 2019 shpenzimet për investime.
Shpenzimet kapitale (për investime) në vitin 2019 zënë vendin e tretë në destinacionin e përdorimit nga buxheti me një peshë prej 15.2% në shpenzimet totale të buxhetit, ndërsa në vitin 2018 ato ishin sa 16% e shpenzimeve totale të buxhetit.
Shpërndarja e fondeve për pushtetin vendor përbëjnë 11.4% të shpenzimeve totale të buxhetit, ndërsa në vitin 2018 ishin sa 10% e shpenzimeve totale të buxhetit.
Fondet për mirëadministrimin dhe mirëmbajtjen e pronës publike, (apo shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes) përbëjnë 9.5% të totalit të shpenzimeve buxhetore, me një diferencë të vogël prej 0.5% me vitin 2018, kur këto shpenzime përbënin 10% të totalit të shpenzimeve të buxhetit.
Shpërndarja e fondeve të buxhetit për pagesat e borxheve të qeverisë përbëjnë në 2019 një nivel sa 7.1% e shpenzimeve totale të buxhetit, ndërsa në vitin 2018 këto shpenzime ishim në nivelin 8% të shpenzimeve të buxhetit.
Shpenzimet për shpronësimet e projekteve publike, subvencione dhe hua në vitin 2019 bazuar në vendimet e qeverisë dhe ato të mbartura nga vitet përbëjnë 0.6% të shpenzimeve totale të buxhetit.
Nga destinacionet e shpërndarjes së fondeve të buxhetit shihet se shpenzimet për investime dhe shpenzimet operative, si dhe ato për pagesat e interesave për borxhet e marra kanë pësuar rënie në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2019, buxheti ka paguar:
– 40.6% të të ardhurave për destinacionet sociale;
– 25.1% të të ardhurave buxhetore për vete (personeli dhe shpenzime operative);
– 15.2% për investimet kapitale që përfshijnë kontrata të lidhura që zgjasin disa vite buxhetore, por edhe investime të reja sipas kontratave PPP;
– 11.4% të të ardhurave të buxhetit për pushtetin vendor;
– 7.7% të të ardhurave për shpenzime për borxhe të reja që shkojnë për pagesën e borxhit dhe interesave të tij, si dhe për kompensime shpronësimesh.
Shpenzimet për administratën e shtetit (15.6% e buxhetit) shjpërndahen në mbi 4/5 e tyre për pagat dhe afër 1/5 për pagesën e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Shpenzimet sociale, që destinohen për 6 kategoritë sipas Tab.27 arrijnë në 11.7% të PBB-së. Të ardhurat e arkëtuara nga buxheti, nëpërmjet taksave për punën arrijnë në 8.5% të PBB-së.
Vetëm 55% e të ardhurave mbulojnë shpenzimet me destinim fondet sociale. Në këtë rast, MeFE alokon burime shtesë që në fillim të planifikimit buxhetor, me qëllim që të mos cënohet zbatimi i politikave sociale. Këto fonde shtesë janë marrë nga taksa që duhet të përdoren për tjetër shpenzim buxhetor dhe alokuar për të mbyllur gjithë fondin e planifikuar nga buxheti për politikat sociale.
Në tabelën ku paraqitet shpërndarja e fondeve sociale (11.7% e PBB), sipas 6 destinacioneve të ndryshme pesha kryesore i takon fondit të sigurimeve shoqërore (7.8%) për pagesat e përfitimeve për pensione, barrëlindje, aksidente në punë, sëmundje. Tjetër zë ku destinohen këto shpenzime janë për fondin e kujdesit shëndetësor (2.5%). Ndërsa ndihma ekonomike merr 1.2% të PBB-së. Pjesa e mbetur shkon për papunësinë, kompensimin për ish të përndjekurit politikë, si dhe kompensimin për pronarët (të treja bashkë 0.23% të PBB-së).
Investimet kapitale për vitin 2019 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2018 dhe në vitin 2019 kanë patur përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Për financimin e investimeve janë ndjekur orientimet e mëposhtme:
– Prioritetet e Programit të Qeverisë për periudhën 2017 – 2021;
– Prioritetet e integrimit europian;
– Projektet në vazhdim.
– Mbështetja me kosto lokale dhe TVSH për projektet me financim të huaj;
Këto shpenzime financohen në 2/3 e tyre nga financimet e buxhetit me fondet e veta dhe 1/3 me fondet e huaja.
Viti 2019 i krahasuar me vitin 2014, si viti para reformës administrative konstatohet se ka një ndryshim të strukturës së shpenzimeve në favor të rritjes së shpenzimeve kapitale.
Shpenzimet Kapitale janë një zë mjaft i rëndësishëm jo vetëm për faktin që përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit vendor por edhe për shkak se këto shpenzime janë ato që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve.
Në krahasim me vitin 2018, shpenzimet për investime në vitin 2019 janë me rritje, e cila tregon deri në vlerën rreth 2.4 miliard lekë. Shpenzimet vendore janë në rritje këto 5 vitet e fundit, me një performancë më të mirë vendore dhe me ndikim në rritjen e punëve publike që po aplikojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Në vitin 2019 shikohet një rritje e nivelit të shpenzimeve operative. Ato janë të lidhura me rritjen e nevojës për mirëmbajtje për funksionet e transferuara në vitin 2016, për përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike vendore, si dhe për shtimin e aseteve të ndryshme nga investimet që kërkojnë shpenzime për ruajtje dhe mirëmbajtje.
Shpenzimet për paga në buxhetin vendor kanë rritje për vitin 2019. Ky fakt lidhet me konsolidimin e strukturave organizative të njësive të reja të vetëqeverisjes vendore, si dhe në mungesë të një politike të re në rritjen e pagave ka rritje të pakta krahasuar me një vit më parë. Po ashtu shtimi i investimeve vendore kërkon dhe shtim të shpenzimeve të personelit me qëllim ofrimin e shërbimit që i përgjigjen shtesave.
Rritja e peshës së shpenzimeve të pushtetit vendor në raport me shpenzimet që zënë shpenzimet e buxhetit qendor ndaj produktit të brendshëm bruto përbëjnë një tregues të rëndësishëm të përpjekjes për thellimin e decentralizimit fiskal vendor.
Ndërkohë, pjesa e transfertës nga buxheti për të merret nga taksat e paguara pa një destinacion të caktuar (p.sh. të ardhurat nga TVSH). Në këtë formë komunikimi të buxhetit me destinimin e shpenzimeve shikohet se transparenca duhet të synojë pikërisht përtej këtyre vlerave. Pra, synimi për një transparencë të mundshme duhet të arrijë në ballafaqime në nivel vendor, për të arritur më tej edhe në ballafaqimin e shpenzimeve që kryhen në nivel qendror dhe sa mbulohet nga e ardhura që nevojitet për tu mbledhur për tu kryer shpenzimi.
Në ballafaqimin e të ardhurës me destinacion për kryerjen e shpenzimit që i përket asaj të ardhure, si dhe mbulimit të saj me fonde shtesë, për arsye të mosmbulimit të plotë shihet se shpenzimet kryesore që kryen buxheti nuk arrijnë dot të vetëfinancohen nga burimet e taksave që kanë emërtimin përkatës. Sinjalizimi i parë është rënia e nivelit të shpenzimit në raport me të ardhurën për kryerjen e shpenzimit. Më e dukshme është për shpenzimet sociale, si dhe për shpenzimet e borxhit. Të dy këto grupe shpenzimesh tregojnë si për performancë më të mirë në të ardhurën e dedikuar për to, ose jo, si dhe për uljen e kostove për shërbimet publike, njësoj si në rastin e uljes së kostos së shërbimit të borxhit, nëpërmjet daljes në tregjet ndërkombëtare me Eurobondin.
Nisur nga mbulimi i shpenzimeve dhe efektiviteti i përdorimit të tyre duhet të ketë një tjetër frymë dhe vullnet edhe debati për barrën fiskale. Ai duhet të fillojë të ndërtohet si një kulturë e re e opinionit publik. Në fakt duhet të jenë organizatat dhe shoqëria civile e organizuar, të cilat në kuadër të nismës globale për qeverisje të hapur duhet të synojnë të marrin si jë të drejtë të tyre nga qeveria transaprencën e buxhetit. Kjo kulturë duhet të mbajë të hapur kanalin e dialogut social me qeverinë, e cila nga njëra anë të japë llogari për vendimet e saj dhe nga ana tjetër taksapaguesit të mos ndihen të lidhur me vullnetin e qeverisë për çdo hap të jetës. Për shkak se të ardhurat tatimore janë relativisht të parashikueshme, qeveritë mund të planifikojnë përpara me siguri më të madhe.
Por, përtej analizës së treguesve të buxhetit nevojitet një verifikim i thelluar lidhur me
(a) cilësinë e shpenzimeve,
(b) moskrijimin e borxheve të reja për buxhetet e ardhme, që do të thotë një rritje e barrës së ardhme
(c) dhe verifikimin nëse shpenzimet janë të mirë orientuara për zhvillimin e ekonomisë apo përfaqësojnë
interesa klienteliste dhe lënë hapësirë për abuzim me fondet e buxhetit,
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.