Sa është kostoja orare e punës në Ballkanin Perëndimor dhe sa ndikohet nga produktiviteti?
Sipas kuptimit ndërkombëtar lidhur me koston e punës për njësi, ajo shihet si një masë e gjerë e konkurrencës (ndërkombëtare) të çmimeve. Ajo llogaritet si raport i pagës bashkë me kompensimet dhe shpërblimet e lidhura me punën ndaj orëve të punës. Llogaritja bëhet ose bazuar mbi të ardhurat nga puna mujore apo edhe vjetore para tatimit. Nëse këto të ardhura i pjestojmë me numrin e orëve, atëherë rezulton edhe kostoja orare e punës (të ardhurat mesatare nga puna vjetore në 2023 janë 900.000 lekë në vit dhe nëse gjatë vitit është punuar 2.304 orë pune, atëherë kosto e punës për 1 orë është 390.6 lekë/orë).
Kosto për njësi kohe (orë pune) tregon se rritjet e kompensimit për orë priren të rrisin kostot e punës për njësi. Në vendet ku ka kosto të lartë të punës, si rregull ka edhe rritje të prodhimit për orë të punuar, apo produktivitet i punës. Sa më i lartë produktiviteti, aq më shumë priret të ulë ndikimin e kostos së punës për njësi prodhimi, një komponent kyç i ndryshimit të çmimit. Duke u reduktuar rritja e kostos së punës për njësi, rritja e produktivitetit ul presionin inflacionist mbi çmimet.
Produktiviteti dhe kostot e një aktiviteti janë tregues të të dhënave ekonomike që përdoren për të matur dhe parashikuar tendencat e inflacionit. Produktiviteti mat efikasitetin e punës dhe shëndetin e sektorit të prodhimit, tregtimit dhe shërbimeve në një vend. Kostoja mat koston për njësi të punës për prodhimin e secilës njësi të mallrave dhe shërbimeve në një ekonomi. Te kostoja në këtë rast përfshihen edhe elementë të tjerë përveç vlerës së punës për njësi, të tillë si mallrat/lënda e parë, shpenzimet administrative, shpenzimet e lidhura me realizimin e të ardhurës, etj.
Në të dhënat e mbledhura dhe përpunuara nga ALTAX për vitin 2023, kosto mesatare e punës në Ballkanin Perëndimor (BP6) u vlerësua në 5.2 €. Por, nëse e shikojmë për secilin vend të BP6 ka ndryshime që në vëmendje edhe diferencat e produktivitetit mes vendeve, ku kosto më e ulët e punës për orë për orë është në Kosovë është 3 €, në Shqipëri 3,8 €, në Maqedoninë e Veriut 5,9 €, në Malin e Zi 6 €, në Bosnjë-Hercegovinë 6.1 € dhe në Serbi 6.5 €.
Në publikimin e fundit nga BE për koston mesatare të punës për orë në 2023, u vlerësuan në 31.8 € në BE dhe në 35.6 € në zonën e euros. Megjithatë, kjo mesatare maskon boshllëqe të konsiderueshme midis shteteve anëtare të BE-së, me kostot e punës për orë që variojnë nga 9,3 € në Bullgari, 11 € në Rumani, 12.8 € në Hungari, 14,4 € në Kroaci, 15,7 € në Greqi dhe deri në 24,6 € në Spanjë, 29,8 € në Itali, 38,9 € në Suedi, 41,3 € në Gjermani, 42,2 në Francë, 43,3 € në Hollandë, 51.9 € në Norvegji dhe 53,9 € në Luksemburg.
Produktiviteti i punës përgjatë vitit 2023 është në Serbi me 4,8 %, në Shqipëri me 0,5%, në Kosovë ra në -0.4%, në Bosnjë-Hercegovina me 2.9%, në Maqedoninë e Veriut me 1.2% dhe në Malin e Zi ra në -5.2%.
Nga përballja e të dhënave të kostos së punës për njësi dhe produktivitetit të punës në BP6 duket se kostot e punës po rriten, por produktiviteti jo.
Në këtë këndvështrim, nëse produktiviteti i punës do të rritej, atëherë edhe të ardhurat përgjithësisht do të rriteshin. Por, ndërsa në të gjithë vendet e BP6, kosto e punës orare në 2023 është rritur mesatarisht 5 – 6% krahasuar me vitin e mëparshëm, duket se nuk ka rritje të tillë të produktivitetit, nisur nga treguesit më lart. Nga kjo prirje që kuptojmë nga të dhënat e përmbledhura mund të themi edhe pse me rezerva, se ndërsa pagat janë rritur mesatarisht deri 6%, produktiviteti i punës është rritur mesatarisht jo më shumë se 0.6%, çfarë do të thotë se rentabiliteti i bizneseve ka rënë disi dhe ato janë më pak konkurruese.
Konkurrenca e ulët midis punëtorëve për vende pune priret të nxitë normën e rritjes së pagave. Dhe kjo prirje po ndodh në një kohë kur produktiviteti i punës po rritet pak ose në tremujorë të caktuar edhe ka rënë gjatë 2023.
Pa rritje të produktivitetit, rritjet e pagave dhe rritja e pagës minimale në raport me pagën mesatare janë të gjitha kosto të shtuara të listës së pagave që nuk mund të mbulohen nga produktiviteti aktual i punës. Punëdhënësit sot për sot kanë edhe më pak hapësirë për të rritur pagat për të përmbushur konkurrencën e pagave nga vendet e tjera fqinje.
Parimet e përgjithshme ekonomike sugjerojnë se zgjidhja e mungesës së fuqisë punëtore është me paga më të larta. Pagat më të larta tërheqin punëtorë dhe kostoja më e lartë e punës zbut kërkesën për punë.
Pagat mund të rriten deri më tani në një mjedis ekonomik me produktivitet të ulët për arsyen e fortë se pas largimit të punonjësve në tregjet e huaja do të largohen edhe një pjesë e bizneseve. Nëse duhet parandaluar kjo rrjedhje e ekonomisë, atëherë masat e propozuara duhet të fillojnë të diskutohen për tu zbatuar sa më shpejt të mundet.
Ndërsa ne përpiqemi t’i trajtojmë simptomat me rritjen e imigrimit, kura afatgjatë për atë që na mundon është investimi dhe inovacioni për të nxitur rritjen e produktivitetit.
Ne duhet të investojmë të paktën disafishin e vlerës së derisotshme në kërkime dhe zhvillim për të nxitur inovacionin për rritjen e produktivitetit. Dhe mbi të gjitha, ne kemi nevojë për një qeveri që të kuptojë se ka fuqinë për të kuruar këtë sëmundje.
Politikanët duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kushteve që i mundësojnë biznesit të mbijetojë në atë që, për shkak të vendndodhjes dhe popullsisë së tij, tashmë është një vend jo konkurrues.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.