Rritja ekonomike në Shqipëri: faktorët ndikuesë dje, sot dhe nesër
Historia e ekonomisë shqiptare na tregon se ne nuk kemi ditur të ndjekim dhe zbatojmë/minimizojmë me qartësi faktorët ndikuesë (zhvilluesë dhe penguesë) ndaj rritjes ekonomike afatgjatë. Në disa periudha historike është ngatërruar situata aktuale ekonomike me përfytyrimin e ekonomisë për të ardhmen. Nisur nga kombinime të tilla ka ndodhur si pasojë një seri modelesh zhvillimi ekonomik me nivele dhe orientime të ndryshme.
Sipas statistikave të Fondit Monetar (World Economic Outlook), rritja ekonomike paraqitet në nivele të ndryshme në vende të ndryshme. Ndërsa vendet e zhvilluara ekonomike kanë një rritje ekonomike në nivele të ulta, vendet në zhvillim ekonomik kanë një nivel të lartë rritje. Por, ky fakt nuk tregon se niveli i lartë i rritjes është më i mirë se niveli i ulët, pasi vendet kanë histori të ndryshme të ekonomisë dhe ritme të ndryshme të zhvillimit të saj.
Është fakt, që për periudhën 2002 – 2012, rritja ekonomike botërore (sipas Indexmundi) është ngadalësuar paksa me një tendencë mesatare rritje në nivelin 3.2%. Ndërsa rritja ekonomike mesatare e Shqipërisë përgjatë po të njëjtës periudhë është me një rritje mesatare në nivelin 4.5%. NË gjysmën e parë të periudhës ka patur një tendencë mesatare rritje 5.8%. NË gjysmën e dytë të periudhës rritja është ngadalësuar (veçanërisht pas vitit 2008) me një tendencë rritje mesatare 3.2%. Por, arsyet nuk janë ato që kanë vendet e zhvilluara ekonomike.
Për të njëjtën periudhë vendet e Ballkanit kanë patur një rritje mesatare ekonomike në nivelin e 2.9%. Gjysma e parë e dekadës ka patur një rritje 3%, ndërsa gjysma e dytë ka patur një rritje mesatare ekonomike në nivelin 2.8%. Analiza e arsyeve të këtyre niveleve meriton një krahasim të hollësishëm të investimeve, rritjes së popullsisë, zhvillimit të kapitalit njerëzor, financave publike dhe historikut të zhvillimit ekonomik të secilit prej vendeve të Ballkanit.
Por, si ka ecur ekonomia në Shqipëri dhe çfarë ka ndikuar në zhvillimin e saj?
Ekonomia shqiptare ka patur një nivel rritje dhe rënie, në kah të njëjtë me modelet dhe profilet politike të vendit. Sipas raporteve vjetore të bankës së Shqipërisë, për vitet 1980 deri në 1990, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 0.9%. Viti me rënien ekonomike më të madhe për dekadën është 1990 në nivelin -10%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 1989 në nivelin 9.8%.
Për vitet 1991 deri në 2000, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 1.3%. Viti me rënien ekonomike më të madhe për dekadën është 1991 në nivelin -28%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 1999 në nivelin 13.5%.
Për vitet 2001 deri në 2011, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 5.3%. Viti me ngadalësimin më të madh të rritjes ekonomike për dekadën është viti 2011 në nivelin 3.1%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 2001 në nivelin 7.9%.
Zhvillimi ekonomik për tre dekadat e fundit të ekonomisë shqiptare ka një ritëm mesatar rritje ne nivelin 2.5%.
Por, a ka patur nevojë ekonomia për rritje me nivel më të lartë se kaq?
Bazuar mbi të dhënat e tridhjetë viteve të fundit ( sa 1/3 e jetëgjatësisë së shtetit shqiptar) ekonomia në këtë letër do të prezantohet në referencë të faktorëve domethënës ekonomikë dhe politikë, që ndikojnë në zhvillimin ekonomik. Këta faktorë nuk paragjykohen, për shkak të sistemit politik, pasi nuk ndryshojnë, përveçse mund të kenë një rënie të forcës ndikuese të tyre. Por, nga ana tjetër ata nuk duhet të ngatërrohen me faktorët që pengojnë zhvillimin ekonomik.
4 faktorë zhvilluese (ekonomikë dhe politiko-socialë)
- Burimet natyrore minerare dhe energjetike, si dhe një sistem agro-bujqësor e blegtoral i zhvilluar janë elementët që përfshihen te ky faktor mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë. Burimet natyrore të kombinuara me pozicionin gjeografik dhe faktorët e tjerë zhvilluesë i japin ekonomisë frymëmarrjen e duhur për zhvillimin me kosto të ulët.
- Investimet në zhvillimin e aktiveve afatgjata, (infrastruktura, zhvillim industrish) janë një faktor afatgjatë për zhvillim, pasi ulin koston e aktiviteteve ekonomike. Bashkëlidhur zhvillimit të industrisë nuk duhet ndaluar asnjëherë faktori i zhvillimit teknologjik të orientuar nga programet qeverisëse. Është akumulimi dhe formimi i kapitalit që rrit produktivitetin industrial, të bashkëshoqëruar me fuqi punëtore me aftësi të larta në drejtim të përdorimit të saj. Roli më i madh i mbetet investitorëve të huaj, por pa nënvlerësuar investitorët brenda vendit, që duhet të ndiejnë hapjen e ekonomisë
- Rritja e sasisë dhe cilësisë (vlerës) së fuqisë punëtore (kapitali njerëzor) dhe specifikisht ajo pjesë që investohet në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së s
Aj është një faktor domethënës me ndikim direkt në rritjen ekonomike. Natyrisht, që rreziku nga mungesa e ndërhyrjes së qeverisjes mund të krijohen probleme me uljen e nivelit të punësimit.
- Një ambjent politik demokratik me kuadër institucional bashkëkohor, konsiderohet si një faktor ndikues direkt nëpërmjet parimit të qeverisjes së mirë, që ndërhyn në rregullimin e ekonomisë sipas ligjeve dhe rregullave. Secili institucion qeveritar ka rolin e tij në ekonomi, sipas funksioneve për të cilat është krijuar. Stabiliteti makroekonomik redukton rriskun e investimeve dhe në këtë kontekst shihet si një kusht i domosdoshëm në favor të rritjes ekonomike.
3 faktorët penguesë (ekonomikë dhe politiko-socialë)
- Mungesa e stabilitetit politik dhe institucione të pasigurta dhe joelastike në zbatim të sistemit ligjior (pronësia fizike dhe intelektuale, sistemi financiar, taksat), korrupsion i përhapur politik, menaxhim i dobët makroekonomik, liri ekonomike e kufizuar dhe hapje e kufizuar ndaj tregjeve. Ulja e tarifave doganore (barrierat tregtare) janë një kusht i domosdoshëm në favor të rritjes ekonomike, nëpërmjet efektit në funksion të zgjerimit të tregjeve dhe rritjes së depërtimit të produkteve midis vendeve (veçanërisht vendet kufitare).
- Nivel i ulët i aftësive të fuqisë punëtore, mungesë e njohurive ndaj teknologjisë së kohës, mungesë kulture politike, kulturore dhe shoqërore, treg i kufizuar i punës
- Teknologji e vjetër dhe investime të pakta për zhvillimin e saj, orientim i ekonomisë që përjashton teknologjinë (drejt tregtisë, drejt modelit të turizmit pa model), investime jo në favor të zhvillimit afatgjatë, infrastrukturë e dobët
Mund të thuhet që në fillim dhe vlen për gjithë analizën më poshtë se faktorët penguesë kanë qenë që nga fillimi i viteve ’90 dhe vijojnë të jenë ende të tillë, të tre së bashku përgjatë dy dekadave të fundit.
Nisur nga analiza e kombinuar dhe krahasuese e të dhënave të ecurisë së ekonomisë, si dhe nivelit të ndikimit të faktorëve në ekonominë e tridhjetë viteve të fundit (1980 -2011), nëse mund ta ndajmë në tre pjesë rezulton se për dekadën e parë ka patur një përdorim të kufizuar të faktorit të parë dhe të katërt.
Pjesa dominuese e zhvillimit ekonomik të pjesës së parë të periudhës (1980-1990) përbehej nga shfrytëzimi dhe përpunimi i burimeve natyrore minerare, kryesisht për eksport në masën deri 20% të PBB-së, si dhe zhvillimi i kulturave bujqësore për konsum të brendshëm dhe eksport në masën deri 55% të PBB-së. Edhe qeverisja nëpërmjet institucioneve ushtronte një autoritet të fortë dhe stabilitet politik për zhvillimin ekonomik dhe social.
Natyrisht, që ndikimi i vetëm këtyre faktorëve nuk mund të jepte efekt për rritjen ekonomike, e cila ra mesatarisht deri 4 pikë përqind në raport me mesataren e zhvillimit ekonomik në dekadën paraardhëse. Mungesa e lirisë së pronës de facto sipas modelit të tufëzave dhe arëzave ishte fundi i një modeli që nuk kishte qëllim rritjen, por të kundërtën. Dallon viti 1989 (rritje 9.8%), i cili ishte viti që pasoi debatin e një viti më parë për ndryshimin e regjimit politik. Ky ndryshim historik u parapri nga disa mënyra fillestare për çlirimin e ekonomisë socialiste nga zgjedha e vetvetes. Një analizë e plotë dhe gjithpërfshirëse e faktorëve, që nuk u zhvilluan ende mungon edhe pse ka analiza të veçanta të profesorëve dhe analistëve të ekonomisë.
Gjysma e dytë e periudhës (1991-2000) është dominuar nga një përdorim i të gjithë faktorëve, por të pakoordinuar në kohë dhe hapësirë me njëri-tjetrin. Mungesa e kapitalit vijonte të ishte arsyeja kryesore e varfërisë së vendit.
Është periudha, kur burimet natyrore minerare nuk patën më investime e teknologji të re, në bujqësi nuk vijuan më investimet edhe për aq kohë sa të zëvendësohej roli i saj lider në ekonomi.
Liria e pronës u deklarua, por filloi të kthehej në një liri që vret. Prona private nuk u bë dot e shenjtë për ekonominë. Në këtë mënyrë nuk u arrit dot inkurajimi i individëve dhe investitorëve për të investuar para për të maksimalizuar fitimet e tyre në ekonominë e re dhe të gjallëronin ekonominë për të hapur perspektiva afatgjata të zhvillimit bazuar mbi pronën private.
Por, orientimi mjaft i gabuar ekonomik nga lidershipi politik dhe ekonomik i kohës u pasqyrua qartë në lejimin e lulëzimit të skemave piramidale. Kjo tregoi papjekurinë e lidershipit për të udhëhequr vendin drejt zhvillimit ekonomik.
Por, a e mësoi mësimin e ekonomisë lidershipi apo të nxjerrë ndokush përgjegjësinë? Tashmë duhet të jemi të qetë?
Investimet në industri, që do të modelonin sadopak ekonominë ishin sporadike dhe të orientuara nga politika e momentit, pa vizionin që kërkon një ekonomi e hapur. Bashkëshoqëruese e situatës ekonomike dhe sociale ishte edhe mungesa e një orientimi të rritjes së kapaciteteve njerëzore për tu aftësuar drejt një industrie të caktuar, përjashto iniciativa me peshë të vogël për ekonominë nëpërmjet përpunimit të lëndës së parë të importuar për tregjet europiane (kontrata fason).
Për pjesën e tretë të periudhës (dekada e fundit) ka patur një rritje të interesit për burimet natyrore, por patronazhi politik në rritje ndaj burimeve ekonomike, në funksion të interesit privat të lidershipit, sot të vjetër nuk krijoi asnjë mundësi për organizimin dhe fuqizimin e investimeve për industrinë nxjerrëse dhe agroindustrinë.
Edhe pse faktorët kanë patur një implikim të tyre në mënyrë të shkëputur, ku statistika të BE-së, si dhe të institucioneve shqiptare tregojnë për investime që kanë arritur deri në nivelin e 9% të PBB-së ekonomia nuk ka marrë atë energji për të patur zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, të bazuar mbi koordinimin e të katër faktorëve. Kështu, nëse do të ishte ndryshe atëherë, ekonomia do të kishte një tendencë rritje të vijueshme.
Në fakt ndodhi rënia e rritjes për të paktën në katër vitet e fundit. Rritja më e madhe është në vitin 2008 (rritje 7.5%) dhe menjeherë në vitin pasardhës rritja u ngadalësua dhe ishte më pak se gjysma (rritje 3.3%), pa ndryshuar as faktorët e jashtëm, por edhe ata të brendshëm. E vetmja që nuk ndodhi më ishte efekti i menjëhershëm në ekonomi nga moskordinimi i faktorëve. Në industri dhe segmente të qeverisjes, fondet dhe idetë u keqpërdorën në favor të interesave privatë të një elite ekonomike fiktive.
Klinton ka deklaruar se “teknologjia është motorri i zhvillimit ekonomik”.
Me futjen e shpejtë të teknologjisë në ekonomi lehtësohet krijimi i vendeve të reja të punës, ndërtohen (ristrukturohen) sektorë industrialë për të mbajtur kolonat përkatëse për zhvillimin ekonomik afatgjatë. Por, ajo edhe ndihmon qeverisjen e vendit nëpërmjet harmonizimit të teknologjisë me objektivat për ruajtjen pastër të ambjentit dhe zgjerimin e interesit për qytetarët e huaj. Pasi përcaktohen industritë që do të promovohen për zhvillimin ekonomik afatgjatë do të orientohet edhe rritja e aftësive dhe cilësisë së fuqisë punëtore nëpërmjet sistemit të edukimit në vend, por edhe duke konkuruar me tregjet rajonale.
Edhe pse analiza nuk mund të konsiderohet e plotësuar brenda këtij formati, mendoj se e sotmja e ekonomisë, ashtu si është përmendur në raportet e FMN-së, lidhur me politikën buxhetore, si dhe në rekomandimet e zyrës së bankës botërore përkojnë me idenë e koordinimit të një politike të zhvillimit ekonomik, të strukturuar sipas faktorëve të përmendur më lart. Nuk duhet harruar asnjëherë struktura e ekonomisë dhe transformimi saj pas përmbysjes politike.
Ekonomia shqiptare në masën 70% dominohet sot nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, duhet theksuar se ai akumulim kapitali nga zhvillimi ekonomik u përqëndrua për arsye të korrupsionit në pak duar. Akumulimi i kapitalit në pak individë dhe kompani është një arsye kryesore e ngadalësimit të dukshëm të rritjes ekonomike në vitet e fundit.
Është ky strukturim, që duhet të fillojë t’i japë një trajtë modelit ekonomik të sotëm. Ky vit duhet të shërbejë si një parathënie për fillimin e projektit të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm afatgjatë (politika ekonomike) të nesërm të Shqipërisë bazuar mbi modelin që kalon nëpër katër pikat, si një teoremë që e zbatojnë gjithë shtetet që kërkojnë zhvillimin nëpërmjet modelit.
Por, qeverinë si ta kuptojmë nëse do të kryejë detyrat e saj dhe do të jetë një faktor zhvillues i rritjes ekonomike?
Mjafton të monitorojmë cilësinë e qeverisjes, e cila matet nëpërmjet përgjegjshmërisë, stabilitetit politik dhe efektivitetit së prioriteteve, forcimit te kuadrit institucional dhe zbatimit të ligjeve me kapacitet të plotë, kontrollit të korrupsionit.
Kaq e thjeshtë është!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.