Rritja e pagës minimale dhe çmimet e konsumit
Në vitin 2016, fondi i pagave në Shqipëri ishte 1.9 – 2 miliard Euro, duke përfshirë edhe taksat mbi punën. Vetëm 29% e këtij fondi page i përket kategorisë së pagave minimale.
Është koha që paga minimale duhet të rritet. Ndoshta koha efektive për të dhënë efekt në konsum dhe ekonomi nuk është në kulmin e vet, por e rëndësishme është të mos shtyhet më tej.
Rritja e pagës minimale do të ndryshojë edhe standardin kombëtar të jetesës. Edhe pse në Shqipëri nuk ka një minimum të standardit të jetesës (dhe kjo është një çështje tjetër), ne po flasim për standardin jo zyrtar të jetesës.
Ndryshimet e pagës minimale duhet të jenë realiteti i ri, pas mbi 3 vite debati kombëtar në lidhje me nevojën për të rritur pagën, kështu që familjet mund të përfitojnë një rritje të nivelit të jetesës. Sipas vlerësimeve të administratës, kjo do të rritë pagat e rreth 100 mijë njerëzve. Gratë në veçanti ka të ngjarë të përfitojnë në mënyrë të veçantë, pas rritjes së pranisë së tyre në tregun e punës vitet e fundit në vend.
Pra, çfarë ndodh kur paga minimale rritet?
Me rritjen e pagës minimale, bizneset që përballen me kosto më të lartë nuk mund të mbajnë të njëjtin nivel fitimi thjesht duke rritur çmimet, pavarësisht kërkesës për prodhimet e tyre. Ndërsa rritja e pagës minimale do të rritë kërkesën për këto produkte që do të blihen nga njerëzit me të ardhura të ulëta, në vetvete ajo nuk do të ndikojë një rritje të barabartë të kërkesës për të gjitha produktet e shërbimet.
Një çështje e rëndësishme në lidhje me rritjen e pagës minimale është argumentimi se si duhet të rritet ajo?
Arsyetimi i përgjithshëm në literaturë është se një pagë minimale në një nivel më të lartë se 60% e pagës mesatare shkakton efekte serioze negative në aspektin e rritjes së çmimeve dhe shkurtimet e vendeve të punës.
Sipas një analize nga agjencia e vlerësimit të kreditit Moody’s, kjo rritje në pagën bazë është një kosto më shumë për shitësit me pakicë, restorantet, hotelet për shkak të kostos së rritur që duhet të paguajnë për qindra mijëra punëtorë që ata punësojnë.
Çmimet do të rriten, por të ardhurat e punonjësve do të rriten më shumë se rritja e çmimeve. Në përgjithësi, rritjet e çmimeve janë modeste. Për shembull, një rritje prej 10% e pagës minimale do të rrisë çmimet e ushqimeve me jo më shumë se 2% dhe çmimet e përgjithshme me jo më shumë se 0.15%, që do të thotë se kjo rritje është në mënyrë të konsiderueshme më e vogël se rritja minimale pagave.
Në debatin shqiptar mbi pagat minimale, supozimet dhe interpretimet e modeleve të rritjes së pabarazisë midis pagave marrin rëndësi të madhe. Edhe pse nuk ka dyshim se pabarazia është rritur në Shqipëri (edhe pse jo në të njëjtat përmasa si në vendet e industrializuara) gjatë dekadës së kaluar, studimet që mund të gjenden për këtë temë mbështetin pozicionet e të dyja anëve të diskutimit mbi pagat minimale. Megjithatë, mbetet për t’u dhënë përgjigje të plota pyetjeve mbi dinamikat e pabarazisë.
Efikasiteti i politikave të pagave minimale, si një iniciativë anti varfëri varet nga fakti, se cilat familje janë përfituese nga rritja e të ardhurave dhe cilat familje duhet të paguajnë për këto të ardhura më të larta. Por, ndikimet e përjetuara nga punonjësit me paga minimale janë të papërfillshme dhe për këtë arsye ata nuk janë kategoria e punonjësve që u duhet të paguajnë. Por janë konsumatorët që paguajnë për rritjen e kostove të punës përmes rritjes së padukshme të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara nga punëtorët me paga të ulta.
Paga minimale është një instrument i dobishëm, në qoftë se qeveria e ka të përfshirë në programin e rishpërndarjes së të ardhurave për punonjësit me paga të ulëta. Megjithatë, në kushte të caktuara të tregut të punës, mund të jetë më mirë që qeveria të subvencionojë punonjësit me paga minimale dhe t’a mbajë nivelin e saj relativisht të ulët. Por, gjithsesi kjo nuk është një formulë e zbatueshme apriori.
Në të njëjtën kohë, për arsye se puna ka një dimension social dhe nuk është thjesht një ndërmarrje ekonomike, shumë të punësuar mund t’i mbajnë vendet e tyre të punës me paga më të larta për shkak të besnikërisë ndaj punëdhënësit apo besimit që ai ka krijuar për ta, apo duke u nisur nga arsyeja e vetë bizneseve për të shmangur ndërlikimet e operacioneve të ristrukturimit biznesit duke patur më pak punonjës.
Për pagat minimale të rritura, madje edhe kur kostot e larta të punës kalojnë te konsumatorët nëpërmjet çmimeve të mallrave ushqimore etj., rritjet e çmimeve janë të vogla. Kështu, nuk ka gjasa që kostot e larta do të konsumojnë plotësisht përfitimet prej rritjes së pagave minimale të punonjësve.
Paga minimale aktuale me atë çfarë quhet si kosto minimale e jetesës janë mjaft afër me njëra-tjetrën. Por duhet përmendur që nga kjo pagë minimale kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore marrin të paktën 11% çdo muaj, ndërkohë paga minimale nuk tatohet pasi është e përjashtuar me ligj.
Diskutimi në lidhje me rritjen e pagës minimale është specifik në Shqipëri, për shkak të informalitetit dhe evazionit të përhapur masivisht. Një pjesë e analistëve e diskuton çështjen e pagës minimale pa bërë lidhje me këtë situatë specifike dhe pjesa tjetër e merr situatën në konsideratë, por ende argumentojnë nevojën e rritjes së pagave minimale për hatër të ekonomisë duke e harruar për një moment informalitetin.
Studimet nga Banka botërore tregojnë se informaliteti në tregun e punës është sa 48% e tregut në tërësi. Ky vlerësim është argumenti më i madh që vendoset përballë diskutimit të rritjes së pagës minimale.
Rritja e pagave minimale në terma reale ka qenë shumë i ulët në periudhën midis viteve 2000 – 2016, me qëllim për të mos nxitur efekte negative në treguesin e punësimit. Punëdhënësit kanë përdorur mekanizma rregulluese në vend të angazhimit për rritjen e kostos së punës.
Kur kostoja e plotë e rritjes së pagës minimale transferohet indirekt në çmimet e konsumit të produkteve dhe shërbimeve, një rritje prej 5% e saj (një rritje prej 1.000 lekë / muaj) nuk do të japë efekte në rritjen e çmimeve për shkak se aktualisht tregu ka një lidhje jo të drejtpërdrejtë me koston e punës, qëkurse informaliteti shtrembëron sistematikisht efektin e kostos nga tregu i punës të paktën për njëzet vitet e fundit.
Ky konfirmim ka argumentet e veta, nëse shihen treguesit e kohëve të fundit. Nëse shohim pagën minimale, ajo është rritur më shumë se 2 herë gjatë periudhës kohore 2000 – 2016, por nuk është e njëjtë norma e rritjes për çmimet e konsumit. Çmimet e konsumit janë rritur me vetëm 41.4% gjatë kësaj kohe. Ky raport në mes të rritjes së pagës minimale dhe ndryshimit të çmimeve konsumit konfirmon se rritja e pagave nuk ka efekt të drejtpërdrejtë në normën e inflacionit.
Gjithsesi, kontributi relativisht i vogël i rritjes reale të pagës minimale të sektorit formal tregon se pagat minimale nuk mund të merren si element i fortë për rritjen e ekonomisë apo të investimeve.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.