Rishikimi i buxhetit në mes të vitit është gjithmonë një praktikë e mirë, por duhet transparencë dhe llogaridhënie
Rishikimet e buxhetit mund të jenë të nevojshme nëse shpenzimet e planifikuara ndryshojnë nga buxheti origjinal. Arsyet për rishikimin e një buxheti përfshijnë rritje (ose ulje) në shumat e financimit ose rialokimin e fondeve të buxhetuara midis kategorive të ndryshme të sektorëve.
Në aktin normativ të qeverisë në 18 Tetor 2023[1] për ndryshime në Buxhetin e vitit 2023, ka një alokim të ri të fondeve për 46 miliardë lekë (435 milion Euro)[2] bazuar edhe te një rritje të pritshme të të ardhurave tatimore me 7.5 miliard lekë më shumë se planifikimi fillestar.
Në buxhetin fillestar 2023, planifikimi për të ardhurat tatimore[3] u llogarit në vlerën absolute prej 431.2 miliard lekë (sa 19.8% e PBB-së).
Shtesa e barrës tatimore që konsiston në rritje të të ardhurave tatimore me 7.5 miliardë lekë deri në fund të vitit 2023 është një vlerë që parashikohet të vijë nga tatimet dhe taksat mbi sektorin e ndërtimit, të energjetikës dhe karburanteve, si dhe prej tregtisë (TVSH nga importet e mallrave dhe nga shitjet e brendshme), por po ashtu edhe nga shërbimet e akomodimit, të restoranteve dhe shërbimet e tjera.
Barra e shtuar tatimore është shumë e vogël, apo 0.002% më e lartë se parashikimi i buxhetit fillestar 2023.
Çfarë na thotë shqyrtimi treguesve tatimore?
Të ardhurat tatimore të hyra në Thesarin e shtetit në 9-muajt e vitit 2023 janë në vlerën 440.4 miliard lekë, apo sa 102% e planit vjetor sipas buxhetit fillestar 2023.
Të ardhurat e larta janë ndikuar nga tatimi mbi fitimin (26.5% më i lartë nga plani), tatimi mbi të ardhurat personale (17.7% më i lartë se plani) dhe kontributet e sigurimeve (11.9% më të larta se plani)[4].
Të gjitha tatimet e paguara në 9-muajt e vitit 2023 në nivele shumë më të larta se periudhat respektive të viteve të kaluara e kanë burimin e tyre nga rezultatet e larta me fitim në vitet 2021-2022, kryesisht prej bizneseve të mesme dhe më pak prej bizneseve të mëdha apo shumë të mëdha, si dhe nga rritja e nivelit të pagave në administratën publike (7.4 miliard lekë apo 15.7% paga më shumë se viti 2022) dhe pagave në sektorin privat duke dhënë ndikim direkt edhe në rritjen e kontributeve të sigurimeve (14.3% më shumë sigurime nga sektori publik në krahasim me 2022).
Ndërkohë, TVSH është me rënie në raport me planin fillestar 9-mujor të buxhetit 2023, për arsye të uljes së kërkesës konsumatore të brendshme, të nivelit më të ulët të investimeve publike dhe rindërtimi (7.6 miliard lekë më pak se planifikimi në buxhetin fillestar 2023), si dhe për arsye të rënies së vlerës së importeve, ku edhe pse taksa doganore është me rritje, ajo ndikohet nga hyrjet e automjeteve.
Një nivel shqetësues për mosecurinë e mirë të akcizës duhet të ishte tema kryesore e një analize të detajuar nga doganat dhe nga Ministria e Financave, ashtu si edhe niveli i ulët i të hyrave nga renta minerare dhe taksat e tjera nacionale.
Sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë, nga akti normativ do të rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
Nga kjo rishpërndarje vërehet se 96% e fondeve (44.2 miliardë lekë) do të financojnë projektet e infrastrukturës së rindërtimit (12 miliard lekë) dhe infrastrukturën rrugore, për ujësjellës dhe kanalizime, apo edhe në drejtime të tjera ende të paspecifikuare për publikun (32.2 miliard lekë). Vetëm 4% do të shkojnë për bujqësinë, pavarësisht se zë 21% të ekonomisë.
Edhe në këtë ndryshim të buxhetit nuk po reflektohet ende për stimulimin e konsumit përmes shtimit të fondeve për mbështetjen sociale dhe nisjen e disa reformave lidhur me kërkesat për minimumin jetik dhe një rritje të cilësisë së shërbimeve.
Fondet nuk duhen shtuar edhe më tej me të njëjtat përmasa drejt infrastrukturës[5]. Asnjë buxhet i vogël nuk mbulon dot boshllëqet e infrastrukturës me fondet që i takojnë shtresave në nevojë.
Nga ana tjetër, orientimi i fondeve në infrastrukturë, pra në sektorin e ndërtimit publik mund të mbajë statistika të mira për të treguar rritje ekonomike. Por ndërtimi është i mundur pasi është garantuar rritja cilësore e ekonomisë prodhuese dhe eksporteve, si dhe mirëqenia e popullsisë. Pasi edhe në buxhete shumë më të mëdhenj ndërtimi nuk ndihmon realisht zhvillimin cilësor e aq më pak teknologjinë për bujqësinë e zhvilluar që duam, nuk ndihmon prodhuesit për eksport dhe vendas dhe nuk ndihmon as në gjenerimin e vendeve të punës sipas kërkesave të të rinjve.
Mungesa e një ekonomie diverse dhe që duhet të ishte dizenjuar, si një model i ngjashëm me tregjet aspiruese europiane do të vijojë të mos i mbajë dot njerëzit brenda vendit. Kërkesat e tyre nuk mund të përthithen dot vetëm nga infrastruktura në proces, sado paga të mira që të ofrohen.
Sipas raportit të realizimit të buxhetit për periudhën 5-mujore lidhur me mosrealizimet për investimet përmendet se “një pjesë e mirë e shpenzimeve për projekte investimi është akorduar për projekte të reja të cilat fillojnë gjatë vitit 2023 dhe për të cilat janë duke u kryer procedurat e prokurimit. Nga ministritë e linjës pavarësisht realizimit të deritanishëm është raportuar se deri në fund të vitit do të kryhen të gjitha procedurat e prokurimit dhe do të vijohet normalisht me realizimin e fondeve për projektet e investimeve për financimin e brendshëm. Ndërkohë Financimi i Huaj mund të paraqesë disa problematika mosrealizimi, kryesisht për ato me burim financimi grante.”[6]
Në gjithë informacionin që lidhet me performancën e buxhetit në 9-muajt e vitit mungon një periudhë më e afërt analize. Natyrisht që për ekspertizën civile bëhet mision i vështirë të analizojë në mënyrë më të qartë ndarjen e fondeve nga qeveria në projektin dhe politikën më të përshtatshme te zbatuar, sipas prioriteteve të politikave. Problemi më i madh që pranohet edhe nga relacionet e qeverisë në çdo miratim të buxheteve të zbatuara është zvarritja e projekteve dhe mungesa e kapaciteteve për realizimin në kohë të tyre. E gjitha çfarë kërkohet nga publiku është analiza me syrin e këndvështrimit qytetar për të verifikuar efikasitetin buxhetor dhe demokracinë fiskale.
Mungesa e transparencës së vendimeve të qeverisë në kohë reale është një moment ende i dobët i qeverisjes në kuadër të zotimeve për qeverisje të hapur, transparencë dhe llogaridhënie.
[1] https://financa.gov.al/miratohet-akti-normativ-per-ndryshime-ne-buxhetin-2023-deklarata-e-ministrit-te-financave-dhe-ekonomise-ervin-mete/
[2] https://www.bankofalbania.org/Tregjet/Kursi_zyrtar_i_kembimit/
[3] Përfshihen të ardhurat nga tatimet, nga doganat, nga pushteti vendor, nga kontributet e sigurimeve
[4] https://financa.gov.al/ëp-content/uploads/2023/10/Treguesit-analitik-fiskal-GUSHT-2023-11.10.23-1.pdf
[5] https://altax.al/reformimi-i-infrastruktures-per-njerezit-do-te-vleje-per-te-ardhmen-dhe-per-qeverisjen-vlen-per-te-tashmen/
[6] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/07/Raporti-i-Mesvitit-2023-Vleresimi-i-situates-Makroekonomike-Fiskale-dhe-Buxhetore-per-5M-2023-dhe-Pritshmeria-per-12M-2023.docx
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.