Rishikimi i buxhetit duhet të përmbante vëmendje sociale
Rishikimet e buxhetit të të ardhurave dhe shpenzimeve në mes të vitit janë pjesë e një cikli më të shpeshtë të rishikimit financiar për të siguruar që paratë të shpenzohen në mënyrë strategjike dhe për të analizuar dhe përshtatur alokimet sipas performancës së projekteve buxhetore sipas ministrive. Fatkeqësisht, shumë ministri dështojnë të kryejnë rishikime të rregullta financiare sepse procesi shpesh kërkon kohë, kapacitete dhe përkushtim.
Ky nuk duket të jetë rasti në këtë rishikim të buxhetit në fundviti.
Me rekomandimet e përshkruara në aktin normativ, shikohen ndryshime në disa zëra që shkojnë në drejtim të kundërt me interesin e publikut dhe politikat sociale.
Në një akt normativ apo dokument të rishikimit të buxhetit duhet të ketë gjithmonë një sqarim shterues, të qartë dhe që e lidh cdo pozicion të buxhetit me ndryshimet politike, objektivat fiskale, realizimin e shpenzimeve dhe pozicionin buxhetor me kontekstin ekonomik.
Ndërkohë, një dokument ndryshimi buxheti që nuk ka një raport mbi matjet e kryera dhe realizimin e politikave sektoriale, sipas ministrive dhe sipas agjensive në varësi të ministrive konsiderohet si i mangët dhe i mungon përgjegjshmëria politike për llogaridhënie dhe transparencë.
Për të sqaruar se këto kërkesa nuk janë të tepërta, por janë realitete që kryhen nga institucionet homologe në botë mjafton të shikojmë dokumentin e ndryshimit të buxhetit në Australi[1], i cili mendojmë se mund të përdoret si një format edhe për rastin tonë duke e përshtatur sipas kontekstit shqiptar.
Në drejtim të transparencës për llogaridhënie, në aktin normativ të datës 18 tetor[2] të duhet të punosh në Ministrinë e Financave dhe në sektorin e Buxhetit që të kuptosh se çfarë ka ndryshuar, pasi për të kuptuar se përse ka ndryshuar kjo nuk është e mundur.
Megjithatë për të sqaruar tendencën e këtyre ndryshimeve, në ballafaqimin krahasues të buxheteve fillestare me buxhetin e ndryshuar sipas aktit normativ të tetorit 2023, në linjë horizontale për çdo ministri dhe institucion, kupton se:
- Fondet për shërbimet e kujdesit parësor janë ulur me 1.79 miliard lekë, por ulje ka patur edhe shërbimet e kujdesit dytësor me 499 milion lekë.
- Shpenzimet për sigurimin shoqëror janë ulur me 15.57 miliard lekë dhe ulje shikohet edhe në arsimin profesional me 130 milion lekë.
- Edhe në programin e mbështetjes për energjinë shihen ulje me 500 milion lekë.
- Krahas uljeve të fondeve shikojmë që ka rritje në transportin rrugor të menaxhueshme nga Ministria e Infrastrukturës me 8.31 miliard lekë
- Rritje ka edhe FSHZH për projektet e infrastrukturës rurale me 2.13 miliard lekë
- Rritje shikohet edhe në bujqësi me 1.38 miliard lekë
Në një analizë të uljes së fondeve për disa institucione dhe rritjes së tyre për disa institucione të tjera krijohet një mendim se për vitin 2023 kanë performuar mirë dhe kanë nevojë për fonde shtesë vetëm infrastruktura e transportit.
Ndërkohë, uljet e fondeve për kujdesin shëndetësor, për sigurimet shoqërore, për arsimin profesional dhe për mbështetjen për energjinë duket se nuk kanë performuar sipas objektivave dhe kjo i ka penalizuar duke u ndërprerë fondet e parashikuara në fillim viti.
Por, buxhetit i mungon mbështetja më e madhe dhe shume e nevojshme për gjithë nënsektorët e bujqësisë, ashtu si mungon edhe mbështetja për prodhuesit e tjerë dhe veçanërisht prodhuesit për eksport.
Në këto alokime të fundvitit, në mungesë të informacionit mbi realizimet dhe mosreailzimet nevojitet që ndryshimi që mund të bëhet deri në fund të vitit 2023 të konsiderojë luftën ndaj varfërisë, frenimin e efekteve të goditjeve inflacioniste duke dhënë më shumë subvencione, por duke shpërndarë pak pjesë nga tatim fitimi që u merret bizneseve për subvencionin e domosdoshëm që ata e kanë të nevojshëm sot, jo nesër.
Kujdes, investimet në infrastrukturë nuk janë më shumë të rëndësishme se forcimi i kapaciteteve profesionale dhe forcimi i kapaciteteve të institucioneve.
[1] https://www.treasury.sa.gov.au/budget/current-budget/22-23-state-budget/Mid-Year-Budget-Review-2022-23.pdf
[2] https://qbz.gov.al/eli/akt-normativ/2023/10/18/5/dad8e920-357b-4eec-adb9-555a154e61f3
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.