Regjistrimi në TVSH kur një individ ka aktivitete në dy dyqane
Rasti për sqarim
Kryefamiljari i një familje është biznesmen i hershëm i regjistruar në tatime. Ai ka hapur dy liçensa pasi ka dy aktivitete të ndryshme. Njeri është Bar-kafe dhe tjetri një Minimarket ushqimor. Veç e veç, të dy njësitë nuk e kalojnë xhiron 8 milion lekë. Por, një kontroll i bërë nga inspektorët tatimorë pak ditë më parë i thotë se ai duhet të regjistrohet si biznes i madh pasi të dy aktivitetet së bashku e kalojnë xhiron 8 milion leke duke parë furnizimet dhe kështu duhet që të regjistrohet në TVSH.
Pyetja
Në cilën nga zyrat duhet të regjistrohet ky person ?
Në atë të biznesit të vogël?
Në atë të TVSh-së apo në të dyja zyrat njëkohësisht?
Sqarimi
Në qoftë se një person ka disa veprimtari në të njëjtin vend ose në disa vende, qarkullimi për qellim te kufirit të regjistrimit përfshin qarkullimin e të gjitha veprimtarive, në të gjitha vendet ku zhvillohen ato, cilido qoftë emri i degëve apo forma e tyre juridike. Është personi dhe jo veprimtaria ekonomike që regjistrohet për TVSH dhe çdo regjistrim mbulon të gjitha veprimtaritë ekonomike të personit të regjistruar.
Në rastin e përmendur ne pyetje kjo është përgjigja korrekte.
Çdo person fizik apo juridik që zhvillon veprimtari ekonomike, qarkullimi i të cilit tejkalon apo pritet të tejkalojë 8 milionë lekë për një vit kalendarik detyrohet të kërkojë të regjistrohet ne TVSH. Ky qarkullim përfshin çdo lloj subjekti që kryen një veprimtari ekonomike pavarësisht nga forma juridike e organizimit të tij. Qarkullimi që duhet të merret parasysh është qarkullimi gjithsej i bërë nga i njëjti person.
Qarkullimi llogaritet me çmimin gjithsej që paguan blerësi.
Çmimi përfshin edhe tatimet, dënimet dhe çdo detyrim tjetër.
Vendi i vetëm ku mund të bëhet regjistrimi është zyra përkatëse e TVSH pranë zyrës së Tatimeve të njësisë administrative ku ka qendrën e aktivitetit kryesor, sipas ndarjes territoriale administrative në vend.
Personi duhet të plotësojë formularin e kërkesës për Regjistrim të TVSH. Formulari i vetëm që përdoret për regjistrim është ai që ka miratuar Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve. Ai përmban të gjithë informacionin e nevojshëm për identifikimin e personit të tatueshëm (emrin, adresën, veprimtarinë ekonomike dhe gjithë informacionin e kërkuar nga formulari për regjistrim).
Zyra përkatëse e TVSH pranë, pas marrjes së kërkesës për regjistrim, pasi verifikon plotesimin e kushteve te përcaktuara, plotëson çertifikatën e Regjistrimit, e cila përmban emrin e personit të tatueshëm, emrin tregtar (nëse ka), Numrin e Identifikimit të Personit të tatueshëm dhe datën kur regjistrimi hyn në fuqi dhe ia jep atë personit të tatueshëm.
Numri i Identifikimit të Personit të tatueshëm është unik. Personi i tatueshëm ka një numër të vetëm, sado që të jetë numri i degëve apo i veprimtarive ekonomike të tij.
Një numër i njëjtë identifikimi nuk mund t`i lëshohet disa personave të tatueshëm, edhe nëqoftëse numri i identifikimit tatimor nuk përdoret më nga një person i tatueshëm.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.