Reformat strukturore dhe të fituarit prej tyre

Reformat strukturore dhe të fituarit prej tyre

Kriza që kaloi Evropa i dha efektet e saj në Shqipëri menjëherë pasi preku edhe vendet e tjera të rajonit. Ndërkaq, buxheti po sforcohej vit pas viti dhe në vitin 2010 shpëtimi erdhi nga shitja e 298 milionë euro bono në tregun ndërkombëtar. Edhe pse nuk u deklarua në kohë vlera reale e deficitit buxhetor, si dhe rritja e borxhit publik kryesisht prej borxheve të brendshme, qeveria duhet të kishte filluar reformat strukturore që në momentet e para të sinjaleve që po përcillte ekonomia. Implikimet e para të rënies së kurbës ekonomike u dhanë në vitin 2009, kur rritja ekonomike ra me 56% krahasuar me një vit më parë (-4.2 pikë përqind).

Përsëri nuk u reagua për të zgjeruar tregjet funksionale të punës dhe produkteve, por dhe të përmirësoheshin kushtet ekonomike, si pjesë e përmirësimit të kuadrit makroekonomik. Mungesa e reagimit me masat konkrete të cilat po zbatoheshin në shumë vende të tjera përkeqësoi treguesit fiskalë dhe buxheti nuk do të mund të duronte më tej por do t’i duhej të shpallte falimentin, ashtu si ndodhi në vendin fqinj.

Por, deri në cfarë niveli arriti përkeqësimi i treguesve?

Elementët kryesorë që lidheshin me borxhin publik, pas shkundjes së zërave të shpenzimeve dhe pagesave të pakryera rezultoi paraprakisht me një ndikim sa 5% e prodhimit të brendshëm. Por, në fakt borxhe të padeklaruara ende nga gjithë ekonomia vijojnë në proces evidentimi dhe arrijnë të shtojnë peshën e borxhit publik edhe me të paktën sa 1% e prodhimit të brendshëm.

Pra, megjithë fondet që po paguhen për likuidime të faturave dhe detyrimeve të të gjitha llojeve nuk arrijnë dot ende të rikuperojnë kurbën e stabilizimit të borxhit, por të paktën kanë ndalur rritjen e tij me qëllim të likuidimit të borxheve të vjetra.

Gjithë investimet e kryera, të cilat ishin pesha e padukshme e ajsbergut që mbante buxhetin shqiptar të zhytur kanë patur një tjetër ndikim në ekonomi. Mungesat në përfundimin e investimeve të filluara nuk kanë ndihmuar në nivelet e pritshme për të rritur efektivitetin e ekonomise. P.sh. Rrugët e papërfunduara në kushtet që u morën në dorëzim kishin probleme që nuk ndikonin në kontributin, që duhet ti jepnin zhvillimit ekonomik të zonave, përveçse kryenin funksionin e rrugës së kalimit.

Ndërkohë, edhe pse një pjesë e reformave të nisura nga qeveria aktuale mund të mos kenë patur efekte pozitive në afatin kohor të mbi 2 viteve, vërehet se ato kanë prodhuar efekte pozitive në variablat makroekonomikë në të njëjtën kohë.

Çdonjeri mundet që të presë nivel punësimi të lartë nga reformat strukturore nëpërmjet kanaleve të ndryshme të cilat ecin ato. P.sh. Reforma për pensionet apo për ndihmën sociale dhe personat me aftësi të kufizuar dhe shumë programe për aktivizimin e tregut të punës janë duke ndikuar në rritjen e kërkesës së orientuar dhe pjesëmarrje në tregun e organizuar duke rritur potencialin e rritjes së punësimit. Edhe pjesëmarrjet dhe trajnimet që kryejnë janë një asistencë e nevojshme për të arritur në strukturimin e kërkesës për punë në tregun shqiptar.

Efekti i reformave të filluara mund të marrë disa vite për tu materializuar dhe plotësuar në dimensionet që ato shtrihen kur janë të plotësuara. NË disa raste, procesi i modifikimeve që shoqërojnë një reformë mund të kërkojë edhe kosto të tjera duke qenë se efekti që vjen nga zbatimi i reformës në një drejtim krijon problematika të reja në drejtime të tjera.

P.sh. Reforma në sektorin elektro energjetik kërkon alokim fondesh të reja përsa i përket hyrjes së shoqërive prodhuese dhe tregtuese të energjisë elektrike në tregun e hapur duke rrezikuar në këtë mënyrë produktivitetin e tyre dhe standartin e produktit apo shërbimit të tyre.

Nisur nga konkluzionet që vijnë nga përvoja e vendeve që kanë ecur më përpara se Shqipëria me reformat nevojitet që të mos neglizhohen kostot afat shkurtra, por të zhvendosen dhe monitorohen me një kujdes të caktuar për vetë rëndësinë që marrin lidhur me brishtësinë e ecurisë së reformës në vitet e para të saj.

P.sh. Reforma në shoqërinë e shpërndarjes së energjisë, përtej arritjes së stopimit të treguesve që po e shndërronin aktivitetin e shpërndarjes në një rrezik të sigurisë energjetike, në vijimin e vitit të tretë të saj ka nevojë jo vetëm për fonde të reja investimesh për teknologjinë. Është njësoj e rëndësishme zhvendosje e fondeve në forcimin e kapaciteteve për të qëndruar përkrah nivelit të investimeve, si dhe për ndryshimin e modelit te qeverisjes së shoqërisë.

Këto fakte të reformave me karakteristikat shqiptare të zhvillimit të tyre janë të lidhura me faktin se kostot e tyre varen thellësisht nga tipi i reformës dhe gjendja e ekonomisë. Nisur nga kjo situatë, investimet dhe forcimi i kapaciteteve në një kohë normale do të ecnin më shpejt duke patur parasysh faktin se ekonomia do të kishte një tjetër nivel konsumi dhe punësimi do të ishte më efektiv. NË kushtet e ekonomisë shqiptare, ku buxheti ka shumë prioritete për të qenë i pranishëm mbetet që zhvendosja e kostove të zhvillimit të ketë një orientim shumë më të saktë duke shfrytëzuar menaxhimin e rrisqeve në zgjedhjen e prioriteteve më efektive.

Por një ndikim në reformat e nisura ka niveli i kapaciteteve administrative të institucioneve shqiptare. P.sh. Reforma për formalizimin e ekonomisë do të ishte më shumë efektive nëse tregu do të ishte më shumë i strukturuar dhe niveli i zbatimit të ligjeve do të kishte një nivel tjetër përgjegjësie në institucionet që lidhen direkt apo indirekt me tregun.

Si rrjedhojë, do të ketë përhapje të efektit prej reformave të avancuara në reformat që janë në stadet e tyre fillestare. Kjo vlen për të kuptuar pengesat dhe efektet negative të ambjentit insitucional, si dhe ndërmarrjen e hapave paraprake për strukturime dhe sistemim të ambjentit ekonomik aty ku ai nuk përshtatet me pritshmëritë e reformës. P.sh. Në rastin e reformës së ujit, nevojitet që paraprakisht të testohet niveli i zhvillimit institucional që kanë lidhje me këtë reformë duke mësuar nga ato çfarë nuk ecën si dhe kur duhej në reformën e energjisë.

Studimet në të vërtetë tregojnë se fitimi nga paketa reformuese gjithëpërfshirëse, në të cilat përfshihen disa elementë makroekonomikë, si punësimi, tregu janë më të vlefshme nga ato që bëhen duke ecur me hapa të ngadaltë dhe me shtrirje të ngushtë në ekonomi. NË këtë mënyrë, efektet pozitive të një reforme duhet të shërbejnë si nxitje për fillimin e një reforme tjetër dhe ashtu si valëzimet në një liqen kur hidhet një gur duhet të fillojnë të përhapen papushuar.

Reformat strukturore kanë treguar se janë me përfitime të mëdha dhe të thella në kohë, veçanërisht për ekonomi të tipit shqiptar. Megjithë progresin që është vënë re në këto pak vite, ka ende shumë hapësirë për tu mbushur me qëllime dhe reforma të tjera për të përmirësuar funksionimin e ekonomisë dhe me këtë zhvillim që do të bien do të ndihmojnë rritjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

P.sh. Në momentin që reforma e ujit do të fillojë, ajo do të krijojë më shumë mundësi për afrimin e investimeve dhe rritjen e efikasitetit të tregut që gjeneron ky sektor duke dhënë ndikim si në treg, po ashtu edhe në rritje të punësimit. Por, nëse lihet në stadin ashtu si ndodhet, kuptohet që niveli i rrënimit do të sjellë pakësim të mundësive për investime dhe kreditime, por edhe pakësim të punësimit në këtë sektor.

Përfitimi nga reforma është qartësisht më i madh nëse reformat janë të shoqëruara nga objektiva ambiciozë dhe kur ato zbatohen të lidhura me reformat e tjera. Nga njëra anë ato do të sjellin në dritë atë pjesë të ekonomisë që më përpara ishte në hije, nga ana tjetër do të arrijnë të rritin edhe standartet ekonomike dhe industriale nisur nga modifikimet rregullatore që kërkon një reformë.

Nëse reformat strukturore do të shoqërohen edhe nga reforma e tregut të punës, atëherë do të ishte një ndihmë në reduktimin e papunësisë pasi do të lidhej ngushtësisht me nevojat që lindin nga ecuria e reformave.

Kornizat rregullatore dhe financiare duhet të jenë paketa që duhet ti bashkëlidhen secilës reformë në veçanti dhe gjithë procesit të reformave në tërësi. Produkti i reformave do të jetë në fund të fundit rishpërndarja e ristrukturimi i përfitimeve të tregut midis aktorëve ekonomikë të sektorit privat dhe publik duke krijuar përkohësisht gjatë ecurisë së saj fitues dhe humbës.

Megjithatë, në termat e plotë të reformës ekonomia do të ketë në shumicë të fituar prej saj.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: