Referencat doganore dhe menaxhimi sipas rriskut

Referencat doganore dhe menaxhimi sipas rriskut

Çdo mekanizëm procedurash për referencat doganore përbëhet nga dy komponentë kryesorë: praktika ligjore dhe përvojat më të mira të zbatuara, si dhe sistemi që zbatohet realisht nga administrata.

Por, nisur nga zbatimi korrekt i procedurave doganore duhet që jo vetëm të përdorin metodën e vlerësimit, por ajo të jetë një mekanizëm i drejtë mbështetur mbi informacionin përkatës dhe jo një përgjithësim për çdo praktikë doganore.

Thënë ndryshe, doganat duhet të bazojnë praktikën e tyre të vlerësimit vetëm mbi instrumentin e menaxhimit të riskut. Në këtë rast, nëse gjithë veprimet doganore janë të automatizuara dhe nuk ka ndërhyrje nga jashtë sistemit informatik, mund të thuhet se ky instrument funksionon duke reduktuar kohën dhe koston që u është imponuar importuesve.

Doganat shqiptare llogaritin vlerën e importeve bazuar mbi:

  • Vlerën e faturës së paraqitur nga importuesit;
  • Vlerësimin e vlerës së faturës të llogaritur nga dogana.

Dokumente shtesë me kalimin e kohës janë kërkuar për plotësimin e formularëve.

Me kalimin e viteve, perceptimi është se importuesit janë nxitur me këtë mënyrë që të rritin vlerat e faturave të transaksioneve, pra të mos lenë hapësira për interpretime të kodit doganor në lidhje me faturat e tyre të importit.

Praktika e vlerësimeve doganore na sugjeron se vlerësimi i detyrimeve doganore është përdorur në atë mënyrë që të vendosen detyrimet më të larta të mallit.

Problematika e lidhur me vlerësimet doganore ka qenë një ndër pengesat më të mëdha për tregti midis Shqipërisë dhe vendeve aziatike. Udhëzime administrative prioritizojnë kriteret për të përdorur vlerësimin e faturave të importit sipas referencës së çmimeve të disa buletineve dhe faqeve të internetit që përfaqësojnë një grup të ngushtë të diversitetit të çmimeve të mallrave.

Vlerësimi doganor ka qenë një problem i hapur për debat dhe në dëm të interesave të mbi 50% të aktiviteteve të regjistruara në vend. Edhe pse ka patur përpjekje për të rritur nivelin e objektivitetit në përcaktimin e burimeve të informacionit për referencë, si dhe freskimin e listës së referencave problemi i vlerësimit doganor nuk është adresuar asnjëherë si duhet nga qeveria.

Ndërsa, më shumë përfitim ekonomik do të mund të gjenerohet nga transparenca, uniformiteti, përgjegjshmëria e ardhur nga ndryshimet në vlerësimin e çmimeve të importit sipas referencave, duke rrjedhur edhe përfitime kaskadë në administrimin tatimor brenda vendit.

Le ta shikojmë këtë logjike te ilustruar ne rastin me poshtë.

Supozojmë, se importohen dy produkte në të njëjtin grup, por njeri është prodhuar në një shtet që ka kosto të lirë dhe poshtë nivelit të çmimit të referencës. Vlera doganore, pas aplikimit të vlerësimit doganor bëhet realisht vlera efektive për llogaritjen e detyrimeve në doganë. Nisur nga fakti se kemi dy shoqëri që kanë plan biznese të ndryshme për të njëjtin mall, atëherë kostoja e shtuar nga vlerësimi doganor për mallin e vlerësuar është një kosto që importuesi përpiqet ta rikuperojë brenda zinxhirit të qarkullimit në tregun e brendshëm. Ndërsa, importuesi që ka planifikuar që mallin që nuk vlerësohet në doganë ta tregtojë te një segment i klientëve me kërkesa cilësie të lartë, në dallim nga ai importuesi që mallin e vlerësuar në strategjinë e tij ka orientim segmentin e klientëve me kërkesa cilësie relative dhe kryesisht të orientuar nga çmimi final i ulët. Nisur nga destinacioni i mallit në dy segmente tregu të ndryshëm është krijuar edhe deformimi në strukturën e zinxhirit të shitjeve, si dhe një konkurrencë jo në drejtim të cilësisë, por në drejtim të menaxhimit të evazionit.

Përveç perceptimit se doganat bëjnë një trajtim të pabarabartë të importuesve, instrumenti i vlerësimit të çmimit të faturës krijon një shpërndarje të çrregullt të barrës fiskale mbi tregtarët duke zvogëluar efektivitetin e veprimtarive të tyre dhe një nxitje për të zgjedhur rrugë dhe mënyra për shmangie dhe evazion tatimor, si dhe pranim të informalitetit brenda aktiviteteve të tyre.

Efektiviteti ekonomik përkthehet në rastin konkret si një sasi tatimesh që shteti shqiptar nuk i merr, por ndërkohë konsumatorët shqiptarë arrijnë të marrin mallra përgjithësisht me çmime më të larta, për mallra jocilësore.

Kjo dukuri është një fenomen i mbartur në ekonominë shqiptare. Por, nëse e krahasojmë me shtetet që nuk përdorin referencën, spekulimi është shumë më pak i ndeshur dhe çmimet pranë cilësisë së mallrave.

NË reagim të kësaj politike të pandryshuar në mbi 12 vite, edhe orientimi i konsumit të mallrave (kryesisht industriale) është në një krizë besimi konsumatore dhe me hapjen e kufijve dhe zgjerimit të tregjeve online ka filluar ta ndjejë efektin duke u ngushtuar edhe sektori tregtisë.

NË kundërshtim me këtë politikë, heqja e referencave doganore është një heqje barriere, duke rritur volumin e qarkullimit të importeve me tendencë rritjen e konsumit brenda vendit, si dhe e shoqëruar me uljen e kohës së përpunimit doganor, si dhe reduktimin e dokumentacionit për import.

Por pse nuk hiqen ende referencat doganore?

Shqetësimi në rastin e reformës për heqjen e referencave të vlerësimit doganor është iâ lidhur me rënien e të ardhurave doganore.

NË momentin, kur të hiqen referencat e çmimeve për vlerësimet doganore mendohet se do të ndodhë rënia e të ardhurave nisur nga pranimi i çmimeve me vlerë të ulët për shumë mallra që vijnë nga shtetet e Azisë, Lindjes së largët, vendeve arabe, Amerikës Latine, zonave të lira ekonomike.

Por, ndryshimet e të ardhurave mund të jenë edhe në rritje nëse rritet volumi i importeve nga këto vende, si efekt i mos aplikimit të referencave të çmimeve në import.

Pa një sistem të automatizuar dhe të centralizuar, importuesit do të vuajnë të njëjtën mungesë uniformiteti dhe paqartësie në zbatimin e procedurave të vlerësimit doganor dhe rritjen e kostos për importuesit duke u kthyer në barrierë për tregtarët.

Futja e një sistemi menaxhimi të riskut do të ndikojë në heqjen e procedurave të kontrolleve për çdo ngarkesë dhe në uljen e kostos së doganave dhe tregtarëve, rritjen e nivelit të vullnetarizmit në deklarim, si dhe rritjen e të ardhurave doganore.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: