Qeveritë duhet të përgatiten për pasojat që vijnë nga popullsia në rënie

Qeveritë duhet të përgatiten për pasojat që vijnë nga popullsia në rënie

Nivelet e lindjeve kanë rënë ndjeshëm në shumë nga tregjet kryesore në zhvillim në botë. Ndërkohë, tregjet në zhvillim në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë disa nga nivelet më të ulëta të lindjeve në botë, ndërsa shumica e vendeve të Amerikës Latine kanë gjithashtu norma të lindjeve që tani janë nën nivelin e zëvendësimit. Vetëm tregjet më të varfra në zhvillim në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore vazhdojnë të kenë nivele jashtëzakonisht të larta të lindjeve, dhe ka shenja në rritje se nivelet e lindjeve në këto rajone gjithashtu ka të ngjarë të bien ndjeshëm në vitet e ardhshme[1].

Këto ndryshime dramatike në nivelet e lindjeve, disa prej të cilave filluan në vitet 1970, por të tjerat që janë zhvilluar me të vërtetë vetëm në dy dekadat e fundit, po çojnë në rregullime të mëdha të parashikimeve të popullsisë globale. Dikur, besohej se popullsia e botës do të vazhdonte të rritej me një ritëm shumë të shpejtë, me një miliardë njerëz të tjerë që do t’i shtoheshin planetit çdo 12 vjet ose më shumë.

Ndikimi i këtyre ritmeve në rënie të lindjeve dhe zhvendosja e qendrave të popullsisë po paraqet një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet ekonomia. Këtu më poshtë janë prezantuar si përmbledhje vetëm një pjesë e vogël e sfidave ekonomike që paraqet.

Sfida e rënies së numrit të lindjeve dhe shkallës së zëvendësimit të popullsisë ndikojnë ekonominë direkt lidhur me:

Më pak fuqi punëtore: Me rënien e lindjeve, edhe popullsia në moshë pune përfundimisht bie. Kjo çon në mungesë të fuqisë punëtore në vendet ku popullsia në moshë pune është në rënie, diçka që tashmë është e dukshme në ekonominë Shqiptare. Kjo ngadalëson rritjen në shumë industri kryesore dhe redukton konkurrencën ekonomike të një vendi.

Më pak konsumatorë dhe shpenzime konsumi: Niveli më i ulët i lindjeve dhe rënia e popullsisë në moshë pune do të thotë gjithashtu se ka më pak konsumatorë. Kjo zvogëlon mundësitë për të gjeneruar rritje në tregun e brendshëm, duke i lënë ato vende me lindje të ulëta më të ekspozuara ndaj goditjeve të jashtme. Kjo tashmë ka luajtur një rol kyç në betejat ekonomike në Evropë dhe pjesë të Amerikës Latine gjatë dekadës së fundit.

Më pak taksa nga konsumi: Kur ekonomia ka rënie apo edhe një rritje të pakët, çiftet shpesh e shtyjnë përkohësisht të kenë fëmijë. Por nëse shikojmë vitet e fundit, lindjet janë rikuperuar kurrë krahasuar me dekadën më parë.  Në vend të kësaj, lindshmëria ka vazhduar kryesisht të ndjekë një trajektore rënëse në të gjithë vendin, duke rënë në një nivel të ulët në vitin 2023[2]. Buxheti i shtetit ka filluar të ndjejë efektet e kësaj rënie afatgjatë në taksat e konsumit, por edhe në ato vendore. Ecuria e ardhshme e fertilitetit përfaqëson një burim kyç të pasigurisë fiskale për buxhetin, pasi popullsia më e vogël në moshë pune mund të kërcënojë përfundimisht bazat tatimore.

Rritja e popullsisë së moshuar: Rënia e nivelit të lindjeve, së bashku me rritjen e jetëgjatësisë, nënkupton gjithashtu se mosha mesatare e popullsisë së një vendi vazhdon të rritet. Mosha mesatare në 2023 ishte 38.8 vjeç, nga 38.2 vjeç që ishte në 2022. Nëse segmentet më të vjetra të popullsisë nuk lejohen dhe janë në gjendje të jenë ekonomikisht produktive, ato janë barrë për ekonominë. Me zvogëlimin e popullsisë në moshë pune, këto ngarkesa bëhen të paqëndrueshme, një kërcënim kyç për shumë nga ekonomitë kryesore.

Planifikimi ndryshe për investimet sociale dhe edukative: Shumë rajone të vendit po përjetojnë rënie të numrit të nxënësve në jetën shkollore me efekt direkt rënien e regjistrimeve. Megjithatë, në dekadat e ardhshme, qeveritë që do të vijnë mund të përballen me sfida burimesh, me një grup më të vogël nxënësish dhe natyrisht kjo duhet të konsiderohet në planifikimet e buxhetit. Një nga efektet fiskale afatmesme të fertilitetit është ulja e kostos së arsimit dhe kujdesit shëndetësor të fëmijëve.

Zhbalancimin e rishpërndarjes së të ardhurave: Shumica e niveleve më të ulëta të lindjeve në botë sot gjenden në ato që janë përgjithësisht më të pasura. Në këto vende, kjo po çon në një përqendrim më të madh të pasurisë në duart e segmenteve të vogla të popullsisë së tyre pasi mundësitë për rritje bëhen më të përqendruara. Ndërkohë, mundësitë e eksportit për ekonomitë më të varfra reduktohen pasi rritja në tregjet e pasura ngadalësohet.

Nxitja e fortë për automatizim: Ndërsa mungesa e fuqisë punëtore përkeqësohet dhe grupi i punës zvogëlohet, nevoja për automatizim do të rritet në përputhje me rrethanat. Tashmë, shumë sektorë industrialë dhe të shërbimeve po investojnë shumë në automatizim, duke parashikuar këtë nevojë. Në fakt, ndërsa rritja e popullsisë vazhdon të ngadalësohet, produktiviteti do të duhet të rritet mjaftueshëm për të kompensuar ndikimin e rritjes më të ngadaltë të popullsisë në mënyrë që të ruhet rritja ekonomike.

Deri më sot, qeveria nuk po deklarohet mbi atë që perceptohet si rënie demografike, qoftë për shkak të shqetësimit për të ardhmen e ekonomisë, por po ashtu edhe për shkak të ndikimit që do të ketë rënia e niveleve të popullsisë në pozicionin e tyre brenda vendit, si dhe atë gjeopolitik në rajon. Megjithatë, për këtë fakt statistikor do të duhet të presim rezultatet e Censusit 2023.

Por duke analizuar në thellësi problemin e rënies së lindjeve do të duhet që Shqipëria të ndjekë shembullin e disa vendeve që po ofrojnë lehtësime tatimore (jo vetëm subvencione me pikatore si deri më sot) për gratë që kanë mbi një numër të caktuar fëmijësh, kujdes falas për fëmijët.

Një shembull tjetër për tu ndjekur është krijimi i një fryme të përgjithshme ndikuese te qasja aktuale tejet liberale  kryesisht e të rinjve, të cilët po e sfidojnë formatin familjar, përsa lidhet me krijimin dhe integritetin e familjes bazuar tek justifikime ekonomike dhe profesionale.

Në fakt riformatimi social bazuar te familja mund të ndikohet edhe nga morali që duhet të përhapet nga media dhe segmente të jetës civile, si dhe nga veprimi institucioneve që janë në një rehati institucionale në këtë diskutim.

Por, reagimi dhe morali i përditshëm i prindërve duhet të ndikojë me shembullin personal për fëmijët e tyre, në mënyrë që në radhë të parë të përçohet koncepti i familjes si një qelizë shoqërore dhe ekonomike, që nuk i ka ardhur ende koha të zëvendësohet me forma të tjera marëdhëniesh, si dhe në radhë të dytë prindërimi është edhe mundësia kryesore për një mirëqenie dhe ambjent të përshtatshëm për fëmijët për vijimësinë e formatit të jetës familjare.

Pavarësisht përpjekjeve të fundit të mazhorancës politike për dënimin me ligj të tradhtisë bashkëshortore, duket se nuk mjafton vetëm kjo masë penalizuese pa u marrë me shkakun. Pasi arsyet kryesore janë më shumë ekonomike dhe vazhdon të jetë një motiv i njerëzve që të mos angazhohen në marëdhënie familjare dhe si rrjedhim të tentojnë gjithnjë e më pak të kenë fëmijë. Kjo tregon se, pavarësisht se çfarë tentojnë qeveritë, ndikimi në ndryshimin demografik është jashtëzakonisht i vështirë vetëm me disa politika dhe masa të shkëputura.

Në vend të kësaj, qeveritë duhet të përgatiten me politika të plota dhe të analizuara mr gjithë aktorët për pasojat që vijnë nga popullsia rezidente në rënie, që po rritet më ngadalë dhe po plaket më shumë.

Ajo qeveri që është në gjendje të përgatitet më mirë për përballimin e sfidës së popullsisë në rënie do të jetë në pozitat më të mira për t’u marrë me realitetin e ri demografik të këtij shekulli.

[1] https://www.isa-world.com/news/?tx_ttnews%5BbackPid%5D=1&tx_ttnews%5Btt_news%5D=485&cHash=8066cd77ac69cb1e4a967f1e527fafdd

[2] https://www.instat.gov.al/media/13005/treguesit-demografik-t4-2023-dt-12022024.pdf

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: