Qeverisja dhe taksimi i drejtë

Qeverisja dhe taksimi i drejtë

Prodhimi  i një të mire publike konsiderohet efektive nëse përfitimet e komunitetit janë më të mëdha se kostoja e saj.  Supozojmë se kjo e mirë mund të ndahet në pjesë të vogla. Nga ky moment, lind rreziku që çdo person mund të fitojë më shume të mira publike se sa i takojnë. Kjo do të thotë se furnizimi me të mira publike rrezikon të prishë ekuacionin midis pagesës së detyrimeve fiskale të taksave dhe tatimeve me përfitimet e të mirave dhe shërbimeve publike.

Edhe në një komunitet më të gjerë njerëzish, kostoja përballohet nëpërmjet zbatimit të të njëjtit ekuacion fiskal. Barra e detyrimeve për anëtarët e komunitetit është e përcaktuar nga vendimet e ligjvënësve të zgjedhur. Supozojmë sikur ligjvënësit vendosin që të prodhohet një sasi optimale të mirash publike. Barra fiskale që do të rezultojë nga ky vendim do të ndryshojë në krahun e përfitimeve, që do të jetë më i vogël dhe nuk do të jetë i barabartë me krahun tjetër që janë taksat e paguara. Këta njerëz do të jenë të pakënaqur dhe fillojnë ti bëjnë bisht pagimit të taksave të tyre. Por, mbetet fakti se të mirat publike do ti përfitojnë të gjithë, pavarësisht nga sasia dhe cilësia e përfitimit në raport me kontributin fiskal.

Në këtë kontekst ajo që shtroj si pyetje për diskutim është se nëse pjesëtarët e një komuniteti kërkojnë që të prodhohen më shumë të mira publike duke përdorur thjesht shumicën politike, a do të rezultonin efikase kërkesat e tyre në kuptimin ekonomik?

A do të jenë të kënaqur këta pjesëtarë të këtij komuniteti?

Propozimet alternative për t’ju përgjigjur sipas praktikës së jetës së përditshme përbën një problem kompleks për zgjidhje.

Më e mira është vetëm parashtrimi i disa propozimeve të thjeshta që kanë të bëjnë me dy pjesë të problemit: (1) sasinë e caktuar të një të mire publike me një cilësi të përcaktuar dhe (2) barrën fiskale përkatëse për këtë të mirë publike.

Të mirat publike variojnë në cilësinë e tyre. Si rrjedhojë, pjesëtarët e një komuniteti kanë një mori zgjedhjesh sipas cilësisë. Nisur nga kjo, nuk ka kufi për numrin e skemave fiskale që mund të përdoren për të financuar një të mirë publike. NË praktikën e politikave fiskale në këto dy dekada, propozimet për një të mirë publike janë trajtuar së bashku me propozimet për të mira publike të tjera.

Supozojmë, se secili prej anëtarëve të komunitetit ka kërkesa të ndryshme për të njëjtën të mirë publike. Çdo anëtar është dakord të paguajë një pjesë të kostos të të mirës publike, në sasinë dhe cilësinë që është rënë dakord më parë nga gjithë komuniteti. Duke patur kërkesa të ndryshme, disa pjesëtarë do të preferonin sasi të mëdha, ndërsa disa të tjerë sasi të vogla. Në këto kushte, vendimi për sasinë e shpërndarjes të të mirës publike në komunitet mund të jetë i lehtë për tu marrë nga mazhoranca.

Ndërkaq, rregullat për shpërndarjen e barrës fiskale, sipas parimit të barazisë përcaktojnë një faturë fiskale për secilin pjesëtar të komunitetit në rritje proporcionale të drejtë me rritjen e sasisë së shërbimeve të përfituara, pavarësisht nga preferencat e secilit. Kjo faturë do të kishte një vlerë sa  1/n  ( n është komuniteti) pjesë e gjithë faturës fiskale, apo thënë më qartë, sa raporti midis një pjesëtari dhe numrit gjithsej të pjesëtarëve të komunitetit. Fatura do të rritej me shtimin e numrit të të mirave publike, që do të furnizonin komunitetin, të ndara sipas preferencave te ndryshme. Efektiviteti dhe përmbushja e plotë e kërkesave të komunitetit do të mund të arrihej, nëse gjithë kërkesat do të ishin të ngjashme. Por në jetën jashtë letrave, kërkesat e njerëzve janë të ndryshme.

Për të vendosur një ekuilibër midis të mirave publike të përfituara dhe kontributit për uljen e kostos së këtyre të mirave publike, ligjvënësit dhe mazhoranca politike, ndër skemat direkte të shpërndarjes së barrës përdor edhe tatimin mbi të ardhurat personale, si një ndër elementët që ndikon në rishpërndarje.

Qëllimi universal i tatimit mbi të ardhurat personale është, individët, të cilët kanë fituar të ardhura të mëdha ti tatojë më shumë se sa individët, që kanë fituar të ardhura të vogla. Me fjalë të tjera, barra tatimore duhet të zbatohet në varësi të bazës së të ardhurave që ka fituar një individ. Sistemi tatimor deri më sot nuk ka mundur ta arrijë këtë qëllim ashtu si duhet, për shkak se individët i kanë dalë para kësaj të keqe duke gjetur mënyra për t’ju shmangur barrës së tatimit duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore bashkë me dobësitë e kapaciteteve administrative.

Problemi i parë është i varur nga politika fiskale, që ka të bëjë me përcaktimin e bazës së tatueshme. P.sh. Nëse përcaktohen si të ardhura të tatueshme vetëm të ardhurat monetare, disa individë do të përpiqen ti zhvendosin aktivitetet dhe fitimet e tyre në aktivitete fitimprurëse të bazuara mbi këmbimin barter (mall me mall apo me shërbim). Nëse e njeh fenomenin, qeveria mund ti kundërvërë kësaj tendence për evazion ndryshimin e bazës së të ardhurave që duhet të tatohen.  Duke zbatuar këtë politikë elastike duke patur një strategji dhe qëllime të qarta se kush do të tatohet për çfarë, për investitorët dhe individët do të ishte tashmë e qartë  se shënjestra fiskale është drejt ngushtimit të rrethit të atyre qe kërkojnë ti shmangen tatimit do te na rezultonte se çdo e ardhur do te ishte e tatueshme. Në nivelin administrativ, problemi që do të ndeshej nga administrata fiskale do të ishte zbatimi i strategjisë qeveritare për taksimin e shtresave dhe individëve sipas programit, por në një ekonomi informale është objekt zbulimi i te ardhurave te ndryshme e te mbajtura te fshehta dhe administrimi i këtyre rasteve duke vendosur dënime te përshtatshme për to.

Në realitetin demokratik që jetojmë në vendin tonë, qe është gjithashtu dukuri e ngjashme në të gjithë vendet e tjera që kanë instaluar sistemet demokratike vëmë re se objektivi i skemës tatimore për të tatuar individët mbi të ardhurat që ata fitojnë nuk arrihet dot, madje skemat mund të përdoren dhe për qëllime të tjera. Ligjvënësit, mund të vendosin shkallë tatimore më të ulet për biznesin e vogël të një kategorie të caktuar aktivitetesh, pasi votuesit e lidhur me këto biznese janë mbështetës të fuqishëm të forcës politike në pushtet apo partive pjesëmarrëse të koalicionit qeveritar. Ata mund të miratojnë dhe lehtësira të tjera tatimore për biznese dhe individë, që përdorin të ardhurat e tyre në favor të programeve politiko-ekonomike të qeverisë, që ndihmojnë krijimin e vendeve të punës, që bëjnë dhurime për bamirësi e kështu me radhë.

Por, duhet të kuptohet se tatimi mbi te ardhurat, i sheshtë apo me shkallë nuk mund te jete plotësisht i drejtë. Me fjalë të tjera, ai nuk mund ta përmbushë në mënyrë të plotë misionin e tij. Është sistemi ai që duhet të përmbushë objektivat politikë, ku tatimet dhe taksat që përfshihen në të përmbajnë gjithë përbërësit për të arritur barazinë e ekuacionit fiskal: të mira dhe shërbime publike = barrë fiskale/ n tatimpaguesë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: