Publikohet dokumenti “A duhet të ndërhyjë Banka e Shqipërisë në rastin e Lekut të fortë?”
Pas një periudhe monitorimi dhe analizimi të tendencave dhe politikave të zbatuara nga Banka e Shqipërisë dhe qasjeve të politikës nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ALTAX ka përgatitur një dokument me komente lidhur me pjesën se si do të ishte një mënyrë reagimi në kontekstin politik dhe ekonomik shqiptar dhe duke konsideruar gjithë kuadrin teorik të disponuar për këtë temë.
Studimi bazohet mbi të dhënat e tregut aktual monetar duke u bazuar në treguesit e luhatur të kursit të këmbimit, ku aktualisht monedha jonë kombëtare, Leku paraqet një mbiçmim të tij krahasuar me monedhat e tjera të forta në tregun valutor. Nëpërmjet trajtimit që kërkon të shterojë disa nga pikëpyetjet më të mprehta kërkohet që të nxitet edhe një debat me bazë të gjerë midis ekspertëve dhe analistëve të politikave monetare dhe fiskale për të prezantuar gjetjet më të vlefshme për politikën dhe perspektivën e saj afatmesme.
Në analizën që duam të diskutojmë me publikun qasja jonë adresohet në lidhje me pyetjen që i kemi vendosur edhe te titulli duke tentuar të ezaurojmë sadoqoftë mbi rolin ligjor dhe atë që duhet të përshtatë BSH në kontekstin ekonomik shqiptar, ku realiteti aktual nuk përkon me rekomandimet që jepen për reagimet e bankave qendrore.
Për ta zgjeruar argumentin përtej citimeve teorike, në këtë analizë ne kemi huazuar një grup studimesh dhe dokumentesh politikash të cituara, që kanë ngjashmëri me rastin shqiptar. Me një ngjashmëri të vlefshme për efektet dhe ndikimet që shfaqi mbivlerësimi i frangut zviceran, ne kemi përshkruar rastin kur Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) ndërhyri para disa vitesh për të balancuar frangun zviceran të fortë me valutat e tjera të huaja.
Përpara se të përmendim këtë rast si një politikë që mundet të shërbejë për krahasimin me rastin e politikës monetare dhe fiskale në Shqipëri, po ndalemi për pak komente lidhur me arsyet nëse duhet realizuar një ndërhyrje direkte nga banka qendrore dhe roli që ajo duhet të mbajë lidhur me pasojat që vijnë në ekonomi dhe konsum.
Një ndërhyrje e Bankës Qendrore ndodh kur ajo blen (ose shet) monedhën e saj në tregun e këmbimit valutor për të rritur (ose ulur) vlerën e saj kundrejt një monedhe tjetër.
Ndërhyrja zakonisht ndodh kur monedha e një vendi është nën presion të tepruar në rënie ose në rritje nga lojtarët e tregut, zakonisht spekulatorët.
ALTAX bën thirrje gjithë organizatave me objekt të projekteve të tyre apo dhe qasjeve në drejtim të mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe fenomenit të shtuar kohët e fundit të pastrimit të parasë së zezë për të koordinuar gjetjet me qëllimin e organizimit të komunikimeve dhe diskutimeve në formate të ndryshme për ti kerkuar institucioneve zbatimin me përpikmëri dhe sipas detyrimit për veprim që kanë në fushën e tyre të mbulimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.