Propozimi i opozitës për reduktimin e TVSH në 6% për produktet e shportës ushqimore dhe opozitarizmi
Opozita ka deklaruar se në aksionin e saj politik, ndër të tjera veprime politike do të ndërmarrë një nismë të re politike në Kuvendin e Shqipërisë për uljen e TVSH-së në 6% për mallrat e shportës së ushqimeve bazë për jetesë. Realisht për gjithë ekspertët nuk konsiderohet si masë e keqe një propozim tillë. Problemi është i lidhur me qasjen që kërkohen rrugë për të përfunduar në shtigje.
Në fakt, së pari duket se ky propozim do të ketë kundërshti politike, politikën fiskale që tashmë është në zbatim prej Janarit 2021, për përjashtimin nga TVSH, të gjithë bizneseve me qarkullim deri në 10 milion lekë, në vit. Ndërkohë, propozimi nuk synon përjashtimin sipas qarkullimit (pra për gjithë aktivitetet ekonomike), por do të synojë nëpërmjet disa produkteve ushqimore të ndikojë për uljen me 14 pikë përqind të TVSH-së në import dhe në qarkullimin e brendshëm.
Ndikimi ka lidhje direkt me buxhetin dhe ruajtjen e stabilitetit të tij, pas një borxhi publik në nivelet 75.67% deri në fund të Qershorit 2021, si dhe një tentative për të bërë politikë sociale (lehtësim të çmimeve për shtresat më të prekura nga inflacioni), kur në fakt nga kjo politikë përfitojnë edhe shtresat e pasura, pasi blejnë të njëjtët produkte si të varfërit.
Nuk e di se sa është analizuar dhe i është bërë “fizibiliteti” kësaj nisme politike, por diskutimi nuk lidhet me këtë, por me nevojën për një qasje ndryshe përballë pozitës.
Nëse do te shikonim thjesht propozimin e opozitës për reduktim TVSH për mallrat e konsumit, atëherë kjo na jep mesazhin, se ajo nuk ka reflektuar nga e kaluara dhe e tashmja.
Mirëpo, një opozitë e cila nuk e fitoi dot votën e shumicës se votuesve duhet te kishte filluar me ndryshimin e qasjes ne komunikimin me votuesit dhe dialogun me shoqërinë.
Opozita duhet ti përgjigjet flakë për flakë premtimeve të shumicës me program te plote, te detajuar dhe me kostimin përkatës.
Nevojitet një forum i sinqertë, i hapur me ekspertet, shoqërinë civile kritike dhe të orientuar nga analiza, organizatat e biznesit, sindikatat, qe te arrihen disa qëndrime realiste dhe te argumentuara, qe realisht arrijnë te përmbledhin zërin kritik qytetar.
Ato pika qe mungojnë te programi i qeverise duhet te jene pika referimi për opozitën qe te ndërtojë strategjinë opozitare. Nuk mund te vazhdohet opozite bazuar mbi ngjarje dite, te cilat ne një pjese te tyre duken se serviren për konsum ditor nga pozita.
Dhe tema të tilla duhet të kthehen në kauza bazuar në objektivat strategjike të opozitës.
Nuk janë pak temat që kanë peshë të madhe.
P.sh.
Minimumi jetik dhe paga minimale
Lufta ndaj evazionit dhe pastrimi i parave
Antikorrupsioni
Reformat e rëndësishme (administrimi i ujrave, naftës, gazit natyror, mineraleve, energjisë elektrike, pensionet, territoriale etj.)
Kostot e premtimeve dhe buxheti aktual bazuar mbi vlerën e drejtë
Shqipëria 2030 sipas opozitës
Politika e përballjes opozitare është dukshëm e bazuar te konflikti/kundërshtia me pozitën për gjithçka dhe për zero rezultat, më shumë me ngjarje ditore dhe pak në interes të publikut. Në fakt auditori ka nevojë për garë dhe konkurrencë vizioni.
P.sh. çfarë opsioni ka ndryshe në qasjen e saj opozita për “Shqipërinë 2030”, apo vit tjetër, pak rëndësi ka kjo?
Qëndrimi dhe veprimi politik për të luftuar në nivele mikro ndaj pozitës ( beteja ditore e TVSH 6% që nuk përgjithësojnë kauzat e votuesve dhe vizionit) ka injoruar realitetin, kur realisht mjaftonte që vetëm koordinimi i departamenteve modeste opozitare bashkë me shoqërinë civile të pakapur mund të kishte ndaluar me kohë vendimet e një pas njëshme të pozitës të merrnin pozita dominuese në çdo aspekt të jetës
Ekonomia sipas vizionit tonë kërkon platforme te plote dhe jo masa dhe veprime te konsumuara politikisht. Dhe ky vizion nevojitet që të kërkohet me forcë nga opozita të ndikojë në Kuvend, që strategjitë sektoriale dhe ndërsektoriale, të mos jenë objekt i vendimit të qeverisë, por të Kuvendit të Shqipërisë, pasi janë parashikime afatmesme/afatgjata të zhvillimit të vendit, përtej mandatit qeverisës.
Thënë këtë, opozita është punë dhe jo fjalë të thëna nëpër foltore të ndryshme. Puna e opozitës është puna me njerëzit e duhur, për vizionin e duhur.
Duke u kthyer te deklarata për uljen e TVSH, duket se është një mase qe ne ekonominë informale nuk zë vend. Nga ana tjetër nuk behet politike sociale me taksat.
Problemi i politikës fiskale populiste ka shkatërruar politikat fiskale për shëndoshjen e buxhetit.
Nëse analizojmë peshën që mban politika fiskale (propozime te ngjashme ne vitet 2015-2021), duket se ato kanë ndikuar në dobësimin e disiplinës fiskale të buxhetit shumë më tepër se niveli i administrimit dhe vullnetarizmit me ligjin. Kështu, humbjet nga përjashtimet dhe lehtësitë e TVSH-së arrijnë në 91.3 miliardë lekë, ndërsa humbjet e TVSH-së nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë së tatimpaguesve me ligjin është 8.2 miliard lekë.
Në tërësinë e llogaritjeve të pjesës që i përket boshllëkut tatimor nga politika fiskale shqiptare rezulton se 91.7% e TVSH-së së munguar, si boshllëk në buxhet vjen prej politikës së përjashtimeve dhe lehtësirave fiskale, nëpërmjet miratimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Boshllëku tatimor nga përjashtimet dhe lehtësirat fiskale ka një madhësi sa 59% e të ardhurave bruto të TVSH-së në vitin 2019.
Në tërësinë e llogaritjeve të pjesës që i përket boshllëkut tatimor nga zbatimi i politikës fiskale shqiptare rezulton se 8.3% e TVSH-së së munguar, si boshllëk në buxhet vjen prej moszbatimit të ligjit në mënyrë vullnetare dhe performancës së administrimit fiskal.
Boshllëku tatimor nga niveli i administrimit dhe pajtueshmërisë me ligjin ka një madhësi sa 5.2% e të ardhurave bruto të TVSH-së në vitin 2019.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.