Treguesit e rritjes ekonomike dhe varfërisë së shqiptarëve flasin “Live”

Sipas Anketimit të kryer së fundmi nga ALTAX mbi temën e ndjeshmërisë së votuesve lidhur me vendimin për votën e tyre të bazuar mbi situatën ekonomike dhe menaxhimin e situatës nga qeverisja, rezultoi se:

  • 3/4 e të pyeturve thonë se ekonomia do të jetë “shumë e rëndësishme” për vendimet e tyre të votimit në zgjedhjet vendore të 2023 edhe pse është ende shpejt, përpara se viti elektoral të vijë.
  • 2/3 e të pyeturve janë “shumë të shqetësuar” për çmimet e ushqimeve dhe mallrave të konsumit, përfshirë edhe frikën për një rritje të çmimit të energjisë për familjarët.

Një analizë krahasuese me këto vende që lidh inputet me rezultatet sugjeron se ka vend për të përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin në arsim dhe shëndetësi. Mjaft që qasja në këtë drejtim të mos jetë e mbyllur dhe me transparencën e duhur.

Nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse dhe koherente për të nxitur rritjen gjithëpërfshirëse dhe për të adresuar sfidat kryesore (p.sh., informaliteti i lartë, pabarazitë e rajoneve në vend). Shpenzimet më të larta për programet sociale, arsimin dhe shëndetin do të ndihmonin në reduktimin e boshllëqeve socio-ekonomike, në zbutjen e plagëve të shkaktuara nga pandemia dhe qeverisjet e dobëta dhe do të nxisnin një rimëkëmbje gjithëpërfshirëse.

Megjithëse ka të ngjarë të nevojiten më shumë burime për të bërë rritje që mundet të fillojë mbushjen e gropave sociale dhe ekonomike, rritja e shpenzimeve me rreth 3 për qind të PBB-së në një periudhë afatmesme për programet sociale, arsimin dhe shëndetësinë do të përbënte një fillim kuptimplotë dhe pragmatik për një shpresë të re në ecjen përpara të shoqërisë dhe ekonomisë.

Ky shpenzim më i lartë duhet të jetë pjesë e paketës që jo vetëm përmirëson efikasitetin duke adresuar sfida të ndryshme (p.sh., boshllëqet, mbivendosjet dhe fragmentimi në programet sociale, informaliteti i lartë i tregut të punës), por gjithashtu rrit të ardhurat nëpërmjet një reforme tatimore afatmesme që rrit në mënyrë të qëndrueshme arkëtimet ndërsa ekonomia forcohet.

Duke pasur parasysh ndryshimin e madh midis rajoneve në arsim dhe shëndetësi, aksesi duhet të thellohet në zonat me mbulim të ulët dhe në popullsinë e pafavorizuar.

Sa i përket shpenzimeve për arsim, përpjekjet më të mëdha për të rritur efikasitetin e shpenzimeve mund të sjellin kthime të rëndësishme në periudhën afatmesme. Në veçanti, shpenzimet mund të ribalancohen drejt investimeve në pajisje dhe objekte.

Investimi në pajisje, objekte, teknologji informacioni dhe infrastrukturë moderne do të ndihmonte për të përballuar kërkesat në zhvillim të punës dhe një adresim më i fokusuar duhet të bëhet në ato zona ku tendenca e migrimit është më  e madhe.

Duhet t’i kushtohet vëmendje synimit më të mirë të investimeve në zonat e varfra por edhe me popullsi të moshuar, me akses të mangët në shërbime, krahas masave për të ulur kostot administrative dhe të sigurimit dhe për të reduktuar dyfishimin e përfituesve.

Përshkrim

Shqipëria për periudhën 2004-2013 paraqitet me një ritëm mesatar rritje vjetor në nivelin 4.2%, pak më lart se mesatarja e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, për periudhën 2014-2022 ky ritëm rritje është ulur në 2.9% duke rënën në nivelin mesatar vjetor të Ballkanit Perëndimor.

Por, problemi shqetësues është parashikueshmëria e zhvillimit ekonomik në ulje edhe për vitet 2023-2025 që nuk kalon më tej se niveli mesatar vjetor i rritjes prej 2.4%.

Ndërkohë, duke qenë se ritmi i rritjes është i ulët analiza kërkon edhe përfshirjen e borxhit publik, i cili është një argument që i shërben efektivitetit të përdorimit të tij në funksion të rritjes ekonomike.

Borxhi publik ka qenë mbi 60% të PBB-së prej vitit 2012, ku në vitet 2014-2017 ishte mbi 70% të PBB-së dhe në vitet 2020-2021 arriti nivele afër 80% të PBB-së. Në vitin 2022 është afër nivelit sa 67.7% e PBB-së dhe deri në fund të vitit 2023 pritet të jetë sa 65.5% e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë.

Për ta shtrirë analizën përtej lidhjes zhvillim ekonomik dhe borxh publik, po e krahasojmë me Malin e Zi. Nëse marrim për krahasim nivelin e rritjes ekonomike dhe nivelit të borxhit publik, ashtu si shihet edhe në tabelë duket se Mali i Zi (një vend i vogël dhe pa burimet dhe mundësitë e Shqipërisë) parashikon një rritje mesatare vjetore për periudhën 2023-2025 me 3.3%, por me një borxh publik më të lartë. Pra, duket se borxhi publik edhe pse nuk ka gjetur një përdorim efektiv në Malin e Zi, përsëri ka patur një efektivitet më të mirë se në Shqipëri, edhe pse ekonomia e këtij vendi nuk ofron oportunitetet e burimeve natyrore që ka Shqipëria.

Në kushtet kur politika e huamarrjes nuk ka justifikuar si duhet nivelin e zhvillimit, arrihet në një konkluzion paraprak se ky ritëm mesatar vjetor rritje tregon se politikat e menduara jo mirë për aftësitë e ekonomisë dhe përfshirjen e njerëzve, si dhe investimet, pra dy nga “platformat” e mëdha për rritjen ekonomike nuk janë përfshirë efektivisht që të mund të bënin një ndryshim të vërtetë.