A duhet të ndërhyjë Banka e Shqipërisë në rastin e Lekut të fortë?

Në analizën që duam të diskutojmë me publikun qasja jonë adresohet në lidhje me pyetjen që i kemi vendosur edhe te titulli duke tentuar të ezaurojmë sadoqoftë mbi rolin ligjor dhe atë që duhet të përshtatë BSH në kontekstin ekonomik shqiptar, ku realiteti aktual nuk përkon me rekomandimet që jepen për reagimet e bankave qendrore.

Për ta zgjeruar argumentin përtej citimeve teorike, në këtë analizë ne kemi huazuar një grup studimesh dhe dokumentesh politikash të cituara, që kanë ngjashmëri me rastin shqiptar. Me një ngjashmëri të vlefshme për efektet dhe ndikimet që shfaqi mbivlerësimi i frangut zviceran, ne kemi përshkruar rastin kur Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) ndërhyri para disa vitesh për të balancuar frangun zviceran të fortë me valutat e tjera të huaja.

Përpara se të përmendim këtë rast si një politikë që mundet të shërbejë për krahasimin me rastin e politikës monetare dhe fiskale në Shqipëri, po ndalemi për pak komente lidhur me arsyet nëse duhet realizuar një ndërhyrje direkte nga banka qendrore dhe roli që ajo duhet të mbajë lidhur me pasojat që vijnë në ekonomi dhe konsum.

Një ndërhyrje e Bankës Qendrore ndodh kur ajo blen (ose shet) monedhën e saj në tregun e këmbimit valutor për të rritur (ose ulur) vlerën e saj kundrejt një monedhe tjetër.

Ndërhyrja zakonisht ndodh kur monedha e një vendi është nën presion të tepruar në rënie ose në rritje nga lojtarët e tregut, zakonisht spekulatorët.

Një rritje e konsiderueshme në vlerën e një monedhe jep efektet e mëposhtme:

  • Ul çmimin e mallrave dhe shërbimeve të importuara dhe frenon inflacionin. Kjo duhet ta shtyjë bankën qendrore të rishikojë në ulje normat e interesit, gjë që konsiderohet se i rijep tregut të aktiveve racionet e munguara të likujditetit, por kjo i rrit ekonomisë mundësitë për tu rigjallëruar. Kjo gjithashtu mund të çojë në rritje shtesë në monedhën kombëtare.
  • Një vend me një deficit të madh të llogarisë korente (blen më shumë mallra dhe shërbime sesa shet) që varet nga flukset hyrëse të kapitalit të huaj mund të ndahet nga ngadalësimi i ritmeve të investimeve dhe rritjen e mundësisë në financimin e deficitit të tij. Kjo do të kërkojë uljen e normave të interesit për të ruajtur vlerën monedhës dhe mund të ndikojë efekte potenciale në balancimin e vlerës së saj me kërkesën në treg.
  • Ajo rrit vlerën e monedhës të partnerëve tregtarë të vendit dhe ndikon në uljen e çmimit të eksporteve në tregun e jashtëm. Kjo do të shkaktojë gjithashtu një gjallim serioz ekonomik, veçanërisht kur potencialet për eksporte agrobujqësore, turistike, lëndë të para dhe energji janë në proritetet për të ardhmen.

Bankat qendrore shpesh blejnë valutë të huaj dhe shesin monedhën vendase nëse monedha vendase vlerësohet në një nivel që i bën eksportet e brendshme më të shtrenjta për vendet e huaja.

Prandaj, bankat qendrore ndryshojnë qëllimisht kursin e këmbimit për të përfituar ekonominë vendase.

Përshkrim

Banka e Shqipërisë është politikisht autonome dhe ka një ekskluzivitet ligjor që i jep asaj autoritetin dhe detyrimin për të nxjerrë para dhe për të monitoruar fluksin e tij në qarkullim.

Megjithëse Banka e Shqipërisë (BSH) nuk kontrollon drejtpërdrejt tregun e valutës së huaj, ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në inflacionin dhe kursin e këmbimit duke rritur ose ulur normën kryesore të interesit si dhe instrumentat monetare direkte dhe indirekte për ndërhyrjet në tregun monetar vendas.

Arsyeja e parë që bankat qendrore ndërhyjnë është stabilizimi i luhatjeve në kursin e këmbimit. Vendimet për tregtinë ndërkombëtare dhe investimet janë shumë më të vështira për t’u marrë nëse vlera e kursit të këmbimit po ndryshon me shpejtësi. Nëse një marrëveshje tregtare ose një investim ndërkombëtar është i mirë apo i keq, shpesh varet nga vlera e kursit të këmbimit që do të mbizotërojë në një moment në të ardhmen.

Nëse kursi i këmbimit ndryshon me shpejtësi, si lart, por dhe poshtë, atëherë tregtarët dhe investitorët do të bëhen më të pasigurt për përfitimin e tregtisë dhe investimeve dhe ka të ngjarë të përshtatin (ulin/rritin) aktivitetet e tyre kombëtare/ ndërkombëtare.

Si pasojë, tregtarët dhe investitorët ndërkombëtarë priren të preferojnë kurse këmbimi më të qëndrueshme dhe shpesh do t’i bëjnë presion qeverive dhe Bankës Qendrore që të ndërhyjnë në tregun valutor, sa herë që kursi i këmbimit ndryshon shumë shpejt.

Arsyeja e dytë që bankat qendrore ndërhyjnë është për të ngushtuar rritjen e deficitit tregtar të vendit. Deficitet tregtare (ose deficitet e llogarisë korente) mund të rriten me shpejtësi nëse kursi i këmbimit të një vendi rritet ndjeshëm.

Një vlerë më e lartë e monedhës do t’i bëjë mallrat dhe shërbimet e huaja relativisht më të lira, duke stimuluar importet. Ndërsa mallrat vendase do të duken relativisht më të shtrenjta për të huajt, duke ulur kështu eksportet.

Kjo do të thotë se rritja e vlerës së monedhës mund të çojë në një deficit tregtar në rritje. Nëse deficiti tregtar shihet si problem për ekonominë, Banka Qendrore mund të jetë nën presion për të ndërhyrë për të ulur vlerën e monedhës në tregun e këmbimit valutor (Forex)[3] dhe në këtë mënyrë për të ngushtuar deficitin tregtar në rritje.