Procesi i Berlinit: Sfida për të fituar anëtarësimin përmes “Planit të Rritjes”

Procesi i Berlinit: Sfida për të fituar anëtarësimin përmes “Planit të Rritjes”

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të BP në Bashkimin Evropian. Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga ish-Kancelarja Gjermane Angela Merkel.

Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën Përfundimtare nga Kryesia Gjerman: “Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe të rrisim “bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të hedhim bazat për një rritje të qëndrueshme” [1].

Procesi i Berlinit ka katër objektiva të deklaruara:

  • zgjidhjen e problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor,
  • pajtimin brenda dhe ndërmjet shoqërive në rajon,
  • përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe
  • krijimin e një baze për rritje të qëndrueshme.

Procesi i Berlinit zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces – Austri, Kroaci, Francë, Gjermani, Itali, Slloveni dhe Mbretëria e Bashkuar së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.  Ai është ndihmë shtesë e procesit institucional të integrimit në BE të shteteve, bazuar në miratimin e acquis-communautaire.

Në kuadër të procesit të Berlinit janë krijuar: Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO), Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WBCIF), Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor, bashkë me nisma organizative sektoriale (në transport, energji, tregti) si struktura me ndikim në funksion të ecjes para të Procesit të Berlinit.

Nga Samiti i Procesit të Berlinit korrik 2021 u miratua në parim krijimi i Korridoreve të Gjelbra dhe Marrëveshja Roaming (nga Korrik 2021) për uljen e tarifave roaming. Të dyja këto rezultate janë arritje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të Berlinit.

Disa nga rezultatet që kanë fituar të drejtën për tu financiar dhe për të krijuar më shumë vlera të shtuara sipas parimeve të procesit të Berlinit janë:

  • Krijimi strukturës së Tregut të Përbashkët Rajonal (TPT/CRM)[2], si pjesë plotësuese e CEFTA
  • 37 projekte transporti, 8 projekte energjetike, 2 programe të qëndrueshmërisë (energjia, energjitë e rinovueshme)
  • Investime në infrastrukturën e brezit të gjerë (dixhital),
  • Masat e buta në energji dhe transport,
  • Forumi i investimeve i dhomave të Ballkani Perëndimor,
  • Fondi i Sfidës Rajonale KfW,
  • Zona ekonomike rajonale,
  • Tregu i përbashkët rajonal,
  • Komuniteti i transportit,
  • Marrëveshja për roaming rajonal,
  • Mbështetje për SME-të përmes WDIF të Bankës Botërore,
  • Fondacioni Kërkimor për Bankën Botërore,
  • Instituti Ndërkombëtar për Teknologji të Qëndrueshme (Ndërmarrjet Shtetërore),
  • Projekt pilot për nëpunësit e rinj civilë,
  • Projektet e bashkëpunimit social
  • Bashkëpunimi në tranzicionin ekologjik

Ndërsa janë angazhuar vullnetet e qeverive edhe për tu angazhuar për një varg dokumentesh për çështje dypalëshe, deklarata të përbashkëta për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, përfshirë edhe integrimin e romëve, deklarata për personat e zhdukur dhe krimet e luftës, udhërrëfyes për zgjidhjen e çështjes së armëve të vogla dhe të lehta ilegale dhe përhapjes së tyre të paligjshme, angazhime kundër korrupsionit, si dhe Angazhime në fushën e sigurisë.

Në këto 10 vite[3], grantet e dhëna[4] për Shqipërinë janë orientuar si për investime për të përmirësuar cilësinë e ambjentit në zona turistike, për sektorin energjetik ndërkufitar me Maqedoninë e Veriut (interkonseksioni)[5], lidhja hekurudhore ndërkufitare me Malin e Zi, Vorë- Hani i Hotit, (pjesë e korridorit të Mesdheut)[6], projekte për efiçencën e energjisë, rehabilitimin e HEC Fierzës, plantacioni lundrues fotovoltaik në basenin e HEC Vau i Dejës, ndërtimin e bypass-it të Tiranës (pjesë e korridorit të Mesdheut), si dhe ndërtimin e laboratorëve të teknologjisë.

Por, megjithëse arritjet më lart i numëruam si suksese të këtij procesi 10 vjeçar duhet përmendur se në të paktën 4 vitet e fundit pati një mbivendosje me idenë e hedhur fillimisht nga Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi për krijimin e “Mini Shengenit[7] dhe më tej në vitin u emërtua në nismën “Ballkani i Hapur”, për të cilën ne jemi shprehur rezervat tona të bazuara në argumente ekonomike[8].

Megjithatë, të dy nismat nuk arritën të kishin mbështetje të gjerë. Madje mospjesëmarrja e tre shteteve ballkanike dhe sidomos mosmarrëveshjet e thella Serbi – Kosovë ishin pjesa më e fortë e kundërshtimit të kësaj nisme e konsideruar gjithmonë si një zëvendësuese e keqe e procesit të Berlinit për zgjerimin e BE-së.

Është një qasje shumë e fortë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, që e kanë perceptuar nismat e imponuara nga jashtë, si projekte paternaliste, në të cilat aktorët vendas thjesht ndjekin udhëzimet. Një qasje e tillë dubluese me “Ballkanin e hapur” frenoi dhe e ktheu në një proces të ngadalshëm edhe “Procesin e Berlinit”.

Në vitet e fundit, Procesi Berlinit dukej se nuk vinte nga thellësia e kërkesave dhe proceseve të brendshme të shteteve ballkanike, por më shumë si një proces me imazhe të bukura, që nuk pasqyronte realitetet e vendeve të varfëra të Ballkanit Perëndimor.

Mënyra e vetme që ata prisnin prej gjithë kësaj nisme madhore ishte mbështetja për të zgjidhur problemet ekonomike dhe sociale nëpërmjet rritjes së investimeve publike. Por Procesi i Berlinit nuk bëri mjaftueshëm për të mobilizuar një shtytje më të madhe për infrastrukturën[9].

Nëse i shtojmë kësaj situate edhe nivelin e rritur të varfërisë dhe pabarazisë sociale që u ndikuan fort nga pandemia dhe më tej rritja e çmimeve dhe specifika të tjera vendore si rasti i zhvlerësimit të Euros në Shqipëri, duket se ka ardhur moment i ri me impulse dhe mendësi të re.

Në këtë takim që organizohet në Tiranë (16 Tetor 2023), pikërisht për të treguar një tjetërsim të roleve të shteteve ballkanike, si një projekt me bashkautorësi me BE-në, vjen risia e një propozimi të ri i quajtur Plani i Rritjes[10], i cili i alokon projektet në katër drejtime.

Së pari, ai synon të afrojë Ballkanin Perëndimor me Tregun Unik të BE-së, duke i lejuar ata të bashkohen me Tregun Unik Dixhital në fusha të tilla si tregtia elektronike dhe siguria kibernetike. Kjo do të lehtësonte tregtinë e mallrave dhe pagesat. Presidentja von der Leyen theksoi se Tregu Unik duhet të jetë një shtytës i ndryshimit jo vetëm për vendet anëtare aktuale të BE-së, por edhe për ata që janë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit.
Së dyti, plani synon të thellojë integrimin ekonomik rajonal nëpërmjet krijimit të një tregu të përbashkët rajonal. Ky treg është vendimtar për zhbllokimin e potencialit ekonomik të rajonit dhe për ta bërë atë më tërheqës për investitorët evropianë. Respektimi i rregullave dhe standardeve të BE-së brenda këtij tregu të përbashkët rajonal mund të përshpejtojë gjithashtu procesin e anëtarësimit.
Drejtimi i tretë është përshpejtimi i reformave themelore në Ballkanin Perëndimor. Këto reforma, të tilla si ndërtimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas, sigurimi i prokurimeve publike të shëndosha dhe intensifikimi i luftës kundër korrupsionit, janë thelbësore për rritjen e besimit të investitorëve.
Së katërti, zgjerohet gatishmëria e BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor me rritjen e financimit të para-anëtarësimit.

Duke e njohur nevojën për investime në rajon, plani i rritjes duket se me anë të këtyre investimeve jo vetëm që do të përmirësohet jeta e njerëzve, por edhe do të lehtësohet rruga drejt anëtarësimit në BE.
Plani i rritjes ofron një qasje gjithëpërfshirëse për të mbështetur Ballkanin Perëndimor dhe tregon më qartë përkushtimin e BE-së për t’i sjellë këto vende më afër Bashkimit.

Kjo qartësi duket në faktin se, nëse zbatohet sipas zotimeve që do të miratohen në dokumente dhe marrëveshje mes palëve do të ofrojë akses në tregun e vetëm,

  • duke inkurajuar integrimin ekonomik rajonal,
  • duke promovuar reformat e nevojshme dhe
  • duke rritur fondet e para-anëtarësimit.

Kjo qasje e re synon të përshpejtojë udhëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

P.S. Megjithatë, edhe në këtë takim të Procesit të Berlinit, u pa se rregullat për shoqërinë civile vazhdojnë të bëhen nga të njëjtët individë dhe organizata si më parë. Pjesëmarrja nuk duket se mblodhi përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të mendimit kritik në takimin që i parapriu samitit të liderëve të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Le të shpresojmë për më të mirën!

[1] https://punetejashtme.gov.al/procesi-i-berlinit/

[2] TPR/CPR operon si i) zonë tregtare rajonale (lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve), ii) zonë rajonale e investimeve, iii) zonë dixhitale rajonale, dhe iv) zonë rajonale industriale dhe inovative

[3] Vendi ka përfituar nga 62 grante për 355.6 milionë euro në asistencë teknike dhe bashkëfinancim investimesh. Mbështetja e grantit IPA të BE-së, e kanalizuar përmes WBIF, kap vlerën prej 337.6 milionë euro dhe mbulon si asistencën teknike ashtu edhe punët e investimeve. Edhe donatorë të tjerë kanë kontribuar me 18 milionë euro.

[4] https://www.wbif.eu/investment-grants

[5] https://www.wbif.eu/investmentgrants//WB-IG00-ALB-ENE-01

[6] https://www.wbif.eu/investmentgrants//WB-IG01-ALB-TRA-01

[7] https://euronews.al/si-u-transformua-mini-shengeni-ballkanik-ne-open-balkan/

[8] https://altax.al/open-balkan-te-humbur-dhe-te-fituar/

https://altax.al/investimet-e-huaja-direkte-te-lidhura-me-barren-tatimore-ne-ballkanin-perendimor/

[9] https://wiiw.ac.at/the-berlin-process-for-the-western-balkans-four-recommendations-to-achieve-progress-n-582.html

[10] https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/news/president-von-der-leyen-travels-tirana-discusses-accession-process-new-growth-plan-western-balkans-2023-10-13_en

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: