Problemet e administrimit fiskal për zgjidhje

Problemet e administrimit fiskal për zgjidhje

Nga një sistem fragmentar i administrimit tatimor drejt një sistemi modern, transparent dhe efikas.

Progresi është fjalëkalimi i administrimit, të paktën për pesë vitet e fundit.

Janë arritur tashmë që deklarimet e bizneseve të jenë elektronike të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në uljen e korrupsionit gjatë kontakteve me tatimpaguesit/inspektorët tatimor, por kanë ulur edhe përmasat në sektorin informal dhe kanë arritur të ardhura më të larta në çdo vit edhe pse poshtë kapaciteteve maksimale që mundet të arrijë një administrim modern.

Gjithashtu është shënuar progres në kalimin nga një sistem i kontrolleve arbitrare tatimore në një sistem të përzgjedhjes; megjithatë korrupsioni në këtë fushë në të vërtetë nuk është ulur ende.

Funksioni i mbledhjes tatimore është reformuar dhe kjo ka kontribuar edhe në rritjen e normës së mbledhjes. Por, nuk është ende një sistem që efektivitetin e ka kryefjalën e tij. Shërbimi i tatimpaguesit ka ndryshuar dhe është ashtu sic e vlerësojnë vetë tatimpaguesit këtë shërbim. Por funksioni i shërbimi për tatimpaguesit mbetet ende të jetë më efektiv dhe efikas në përgjigjet e dhëna ndaj kërkesave të taksapaguesve në lidhje me llogaritë e tyre tatimore dhe shërbimet që u nevojiten në lidhje me institucione të tjera

Avokati i Tatimpaguesit dhe këshilli Konsultativ, tashmë janë duke prodhuar më shumë efikasitet. Megjithatë, këshilli Konsultativ i Tatimpaguesit ende nuk funksionon si një kanal efektiv për marrjen e mendimeve të tatimpaguesëve për ndërtimin e politikave tatimore.

NË përgjithësi, sistemi i ankesave nga tatimpaguesit duket mjaft konfuz për ta, edhe pse kjo pritej të ndryshonte me krijimin e gjykatës Administrative.

Pavarësisht nga këto përmirësime shumë të rëndësishme në administratën tatimore, renditja që i ka dhënë Shqipërisë Banka e botërore me anë të raportit Doing Business  për pagesën e taksave është përkeqësuar lehtshëm, pasi taksapaguesit kanë raportuar se shpenzojnë më shumë ditë në vit që për pagesën e taksave. Provat e mbledhura nga organizata te vlerësimit tregojnë se perceptimi i korrupsionit në sistemin tatimor është ende i lartë dhe ende pak i ndryshuar, sidomos duke konsideruar përpjekjet e bëra për deklarimin elektronik. Gjithashtu, provat tregojnë se korrupsioni më i lartë mbetet i përqëndruar tek kontrollet tatimore.

Mungesa e koordinimit është një tjetër çështje e rëndësishme, duke qenë se bizneset janë subjekt i një sërë inspektimeve nga agjenci apo institucione të ndryshme që kërkojnë informacion të ngjashëm, si p.sh. Inspektoriati i punës, AKBN, të cilët kërkojnë numrin dhe listën e të punësuarve si dhe kontrollet tatimore të bashkisë për biznesin e vogël për të kontrolluar tatimin mbi fitimin dhe taksat  lokale.

Mbivendosja e funksioneve të DPT-së me ato të bashkisë për biznesin e vogël krijon inefiçenca duke rritur ryshfetin tatimor për biznesin e vogël dhe duke ndikuar kështu edhe në mbledhjen e taksave.

Trendi i rritjes së të ardhurave tatimore si përqindje e PBB-së ka pësuar rënie duke filluar nga viti 2009 me nje rritje te lehte ne dy vitet e fundit. Nevoja për reforma te mëtejshme strukturore dhe konsolidim fiskal është e padiskutueshme, siç është edhe nevoja për të reduktuar evazionin fiskal, por jo duke rritur numrin e kontrolleve tatimore. Përpjekje të tilla si përdorimi i kasave fiskale apo teknika të veçanta dhe të avancuara të hetimit  përbëjnë një ndryshim të madh në zgjerimin e taksave neto. Disa analiza e kanë vlerësuar se përafërsisht 30-50 % e PBB-së është jashtë skemës së taksimit, edhe pse tatimpaguesit e mëdhenj vazhdojnë të auditohen vazhdimisht.

Për të rritur qëndrueshmërinë e rezultateve të administrimit, duhet të merren masa te thella si në politikat fiskale, po ashtu edhe në ato të forcimit të kapaciteteve lidhur me reformën e përgjithshme të shërbimit civil për të ulur lëvizjet e larta të stafit dhe për të patur një mekanizëm të qëndrueshëm për trajnimin e punonjësve dhe drejtuesve dhe rikualifikim e tyre.

Ndryshimet e vazhdueshme të stafit menaxherial kanë ndikuar negativisht në performancë edhe pse reklamohet se lëvizjet janë pjesë e reformës së filluar.

Sistemi fiskal ka nevojë për lidership dhe memorie institucionale për te drejtuar një administrate efikase të një vendit të vogël. Aftësia e çdo menaxhimi duket nga produkti qe ai nxjerr ne ambientin ku vepron. Nga lidershipi i sistemit fiskal kërkohet një organizim i burimeve njerëzore dhe motivim sipas meritave, qe bazohen mbi një kriter: produktivitetin e gjithsecilit sipas detyrës që ka marrë përsipër.

Është e nevojshme te punohet ende që te ndihet respekti i shtetit për punonjësit e tij dhe taksapaguesit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: