Pragu i TVSH-së, politika e pamatur dhe sjellja e administratës ndikojnë në rritjen e bizneseve të vogla
Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) në Shqipëri, sipas statistikave tatimore në 2023 përmbledh brenda skemës 34,767 tatimpagues, nga te cilët 9,450 janë tatimpaguesë të regjistruar si biznes i vogël.
Numri i tatimpaguesve me TVSH garantuan burimin kryesor të madh të të ardhurave të buxhetit të shtetit në 2023 në shumën 192,3 miliard lekë apo sa 32% të gjithë të ardhurave tatimore. Por, të paktën prej mbi dy dekada TVSH është burimi i parë i të ardhurave të buxhetit të shtetit, kryesisht nga importi dhe më pak nga transaksionet brenda vendit.
Në krahasim me 10 vite më parë TVSH-ja u ul me 6.4 përqind të peshës së saj ndaj totalit të të ardhurave.
TVSH-ja aplikohet për shumicën e mallrave dhe shërbimeve vendase, si dhe për mallrat e importuara dhe shërbimet me disa përjashtime që janë të përcaktuara në ligjin e TVSH-së[1].
Të gjitha bizneset duhet të regjistrohen për TVSH nëse qarkullimi i tyre i tatueshëm është mbi një prag të vendosur sipas vendimit të qeverisë. Por ato mund të zgjedhin të regjistrohen vullnetarisht nëse qarkullimi i tyre i tatueshëm është nën pragun e përcaktuar nga qeveria.
Pragu aktual i regjistrimit është 10 milion lekë (96.000 Euro) dhe ndryshimi i pragjeve gjatë periudhës që analizojmë janë paraqitur në tabelën më poshtë.
TVSH | 2008¹ | 2009 | 2010² | 2011² | 2012 | 2013 | 2014³ | 2015 | 2016 | 2017 | 2018⁴ | 2019 | 2020 | 2021⁵ | 2022 | 2023 | |
Norma tatimore (%) | Standart | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 | 20 |
Reduktuar | 10 | 10 | 10 | 10 | 6 | 6 | 6 | 6 | 6 | 6 | 6 | ||||||
Pragu tatimor (m. Lekë) | 8 | 8 | 5; 2 | 5; 0 | 5; 0 | 5; 0 | 5; 0 | 5; 0 | 5; 0 | 5; 0 | 2 | 2 | 2 | 10 | 10 | 10 | |
¹ Vendoset norma e kompensimit të fermerëve me 6% | |||||||||||||||||
² Në Mars 2010 pragu për profesionet bëhet 2 milion lekë. Ne Shkurt 2011 hiqet pragu profesioneve | |||||||||||||||||
³ Norma e kompensimit te fermerëve behet nga 6% ne 20% | |||||||||||||||||
⁴ Nga 1 Prilli 2018 ulet pragu për TVSH në 2 milion lekë | |||||||||||||||||
⁵ Nga 1 Janari 2021 pragu për TVSH është 10 milion lekë |
Pragu në Shqipëri gjatë periudhës 2008 -2023 është ulur apo rritur 4 herë dhe përgjithësisht ndryshimi nuk ka patur parasysh as elementë ndikuesë si inflacioni, por është përdorur si një instrument i politikave tatimore për të rritur bazën e tatueshme apo për të luftuar informalitetin.
- Nga statistika të mbledhura nga administrata tatimore për vitet 2008-2009[2], ku pragu është 8 milion lekë/vit, vërehet një bazë tatimore e vogël prej 26.600 tatimpaguesë në TVSH.
- Sipas prezantimit të statistikave të përpunuara nga ALTAX[3], vërehet se në vitet 2012 – 2013 me uljen e pragut nga 8 milionë lekë/vit në 5 milionë lekë/vit baza e TVSH-së është rritur në 32.000.
- Në vitin 2017, përpara uljes së pragut të TVSH nga 5 milionë në 2 milionë, numri i tatimpaguesve me TVSH është 37.616 tatimpaguesë, nga të cilët 16.998 janë tatimpagues të biznesit të vogël[4]
- Në vitin 2019, pasi u ul pragu i TVSH-së vërehet se numri i tatimpaguesve me TVSH është 55.243 tatimpagues, nga të cilët 32,509 janë tatimpaguesë të biznesit të vogël[5].
- Në vitin 2021, pasi u rrit pragu i TVSH-së nga 2 milionë lekë/vit në 10 milionë lekë/vit, vërehet se numri i tatimpaguesve me TVSH është 28.945 tatimpaguesë, nga të cilët 8.814 janë tatimpaguesë të biznesit të vogël[6].
- Në fund të vitit 2023, me pragun e pandryshuar prej 10 milionë lekë/vit, vërehet se numri i tatimpaguesve me TVSH është 34.767 tatimpagues, nga të cilët 9.450 janë tatimpaguesë të biznesit të vogël[7].
Në statistikat që ne prezantuam duket se iniciativat e qeverisë me ulje e pragut tatimor kanë synuar të stimulonin rritjen e hyrjes në skemën e TVSH-së të bizneseve të vogla. Në të dy rastet, kur ka ndodhur ulja e pragut të TVSH-së është shoqëruar me rritje të numrit të tatimpaguesve (bazës së TVSH-së). Në vitin 2010 rritja e bazës së TVSH-së është me të paktën 20% më shumë dhe po ashtu në vitin 2018 rritja e bazës së TVSH-së me 47% më shumë. Madje edhe rritja e pjesëmarrjes së bizneseve të vogla është shtuar duke përbërë deri në gjysmën e bazës së TVSH-së.
Por, me rritjen e pragut të TVSH-së në 2021, numri i tatimpaguesve është ulur me 48%, ku largimi i bizneseve të vogla prej skemës së TVSH-së është me 3 herë më pak.
Ndërkohë, gjatë vitit 2022 – 2023 ka një rritje të bazës së TVSH-së me 20% edhe pse pragu vijon të jetë 10 milionë lekë/vit.
Një çështje kyçe për të sensibilizuar politikëbërjen është diskutimi i hapur se si TVSH-ja dhe në veçanti pragu i regjistrimit do të ndikojnë në sjelljen e bizneseve të vogla.
Ne nga ana jonë po përpiqemi të kuptojmë efikasitetin dhe kostot e TVSH-së duke analizuar tre pjesë të rëndësishme të sjelljes ndaj pragut të regjistrimit: regjistrimi vullnetar, kostot ndikuese për pjesëmarrjen në skemën e TVSH-së dhe efektet e rritjes në treg.
Regjistrimi vullnetar e bën TVSH-në unike midis të gjitha tatimeve kryesore. Kjo i referohet një situate ku një biznes regjistrohet për TVSH duke përfituar nga skema, gjithmonë nëse zbatohet korrektësisht, pa përjashtime dhe lehtësime diskriminuese dhe rimbursimi në kohë duke u bazuar te menaxhimi i rriskut dhe jo kontrolle dhe presione korruptive. Kjo sjellje e administratës ka të ngjarë të ndodhë në kontrast me eleminimin e një qasje të tillë, për arsye të patronazhimit politik dhe mungesës asfiksuese të meritokracisë dhe prezencës në rritje të korrupsionit në të gjitha nivelet e administrimit.
Në një ambjent të tillë, administrimi edhe pse mund të jetë fitimprurëse që bizneset të regjistrohen vullnetarisht për TVSH-në në mënyrë që të mund të kërkojnë rimbursimin e TVSH-së në blerje, në realitet një pjesë ose pjesa më e madhe e bizneseve do të synojnë me të gjitha mënyrat ta shmangin barrën e TVSH-së bashkë me barrën e administratës duke transferuar gjithsesi te blerësit koston e fshehur në çmimet e rritura duke përfituar nga administrimi i korruptuar dhe prania e informalitetit.
Në tentativën për shmangie apo edhe evazion, një biznes i vogël që operon në treg e mban xhiron e tij të tatueshme të raportuar nën pragun e regjistrimit ose kufizon shkallën e operacioneve formale në treg, duke raportuar shitje sa të mund të mos e kalojë pragun.
Efektet e rritjes në këtë rast ndikohen nga kostot ligjore dhe ekstraligjore, ku bizneset kufizojnë me dashje rritjen e tyre, në mënyrë që të mbajnë xhiron nën pragun e tatueshëm dhe mundësisht të kenë gjithashtu një normë më të lartë të fitimit, që gjithsesi të krijojnë rezerva nëse detyrohen të regjistrohen me forcë nga administrata apo nga politikat e nxituara fiskale për pragun e regjistrimit.
Pra, është e rëndësishme që të investigohet nëse rrudhja e bazës së TVSH-së ka ndodhur për arsye se disa biznese janë më shumë të prekur se të tjerët, apo për arsye se aplikimi i shumë lehtësive dhe përjashtimeve nga TVSH-ja të sektorëve dhe aktiviteteve ndikon në moralin tatimor dhe ndikon në sjelljen e tatimpaguesve për t’ju shmangur skemës së TVSH-së duke përfituar edhe nga pragu i lartë për regjistrimin në të.
Duke qenë se të gjitha firmat në Shqipëri i nënshtrohen të njëjtit regjim të TVSH-së, nuk ka asnjë kontroll të dukshëm për grupe tatimpaguesish, që mund të përdoret për të identifikuar efektin e pragut. Pra, sfida e parë për Ministrinë e Financave është që të zhvillojnë një analizë të thelluar dhe ta përdorin për politikat afatmesme për identifikimin e efektit të pragut të segmentet e ndryshme të tatimpaguesve.
Në këtë analizë duhet të studiohen si një qasje paralele e efektit të TVSH-së edhe bizneset që ofrojnë kryesisht mallra dhe shërbime me normë zero ose të përjashtuara nga TVSH-ja, pasi pragu i TVSH-së nuk është një pengesë për rritjen e qarkullimit për biznese të tilla.
Në mënyrë të veçantë, një biznes i vogël që furnizon vetëm mallra apo shërbime të përjashtuara nuk ka asnjë kërkesë ligjore të regjistrohet pasi asgjë nuk përfitohet nga regjistrimi i tij. Po ashtu, një biznes që shet mallra dhe shërbime kryesisht me vlerë zero ka një avantazh të qartë tatimor nga ato biznese që janë të regjistruara edhe pse nuk janë konkurente direkte me njeri-tjetrin, pasi operojnë në sektorë të ndryshëm.
Mirëpo, në analizën tonë duke u nisur nga kampionet e treguesve më lart konstatojmë para së gjithash, se kalimi i pragut në përgjithësi rrit qarkullimin bruto për bizneset, pasi ato duhet të ngarkojnë TVSH-në në shitjet e tyre, por në të njëjtën kohë rrit edhe nivelin e pagesës së TVSH-së për arsye të shtrembërimeve të tregut dhe ndikimit nga informaliteti dhe konkurenca e pandershme.
Ndërkohë për bizneset e vogla ka një kosto të pajtueshmërisë për to, një herë për regjistrimin fillimisht për TVSH-në, dhe më pas një kosto periodike pajtueshmërie për plotësimin e deklaratave të TVSH-së. Kostot e pajtueshmërisë janë relativisht të ulëta nga standardet ndërkombëtare, por ama nuk janë të papërfillshme. Ndërkohë, problematike mbetet rritja e kostove administrative ku përfshihet edhe kontrolli tatimor dhe taksa e korrupsionit që e shoqëron atë dhe është kosto e lartë për bizneset e vogla.
Kështu, sipas një analize të ekspertëve të FMN-së për Mbretërinë e Bashkuar konstatohet se regjistrimi për TVSH-në mund ta bëjë më të mundshëm një kontroll tatimor, sepse u jep autoriteteve tatimore më shumë informacion [8].
Një ndikim në rritjen e bizneseve të vogla është edhe ndikimi nga shkalla standarte e TVSH-së 20%, e cila është e lartë. Nisur nga shkalla tatimiore në vendet fqinje me Shqipërinë, si dhe nga nevoja për të rritur qarkullimin dhe zgjerimin e bazës nëpërmjet rritjes së pajtuesmërisë shtrohet si nevojë emergjente për politikën fiskale diskutimi për një ulje të shkallës standarte me qëllim rritjen e pajtueshmërisë tatimore dhe uljen e konkurencës tatimore të pandershme e ndikuar direkt si nga pragu i lartë, por edhe nga niveli ende i lartë i informalitetit.
Për më tepër, kur ka edhe të tjera ndryshime në taksimin e biznesit si rasti i tatimit 15% për profesionet e lira dhe taksimi i dypunësimit është mjaft e besueshme që bizneset e vogla do të përpiqen qëllimisht të qëndrojnë nën pragun e TVSH-së përkohësisht ose edhe përgjithmonë.
Sigurisht, një ndrydhje e tillë e rritjes së bizneseve të vogla mund të ketë një kosto sociale dhe të jetë në konflikt me bizneset e tjera.
Rritja vjetore e qarkullimit do të ngadalësohet gjatë vitit 2024 e në vijim (nëse vijon politika fiskale e pandryshuar) pasi shumica e bizneseve të vogla të ngarkuara me më shumë tatime se vitin e mëparshëm do të frenojnë deklarimin e shitjeve me faturë elektronike për të mos ju afruar pragut të TVSH-së.
Rritja në kostot e bizneseve na tregon përsëritjen e të kaluarës, duke treguar se reagimi i tyre ka të ngjarë të jetë një përgjigje reale për mbijetesë dhe jo një përgjigje për të bërë evazion.
[1] https://www.tatime.gov.al/eng/shkarko.php?id=36
[2] https://altax.al/product/tatimet-ne-shqiperi-2008-2010/
[3] https://altax.al/pragu-i-tatueshem-i-tvsh-normat-tatimore-dhe-te-hyrat-ne-buxhet-1996-2020/
[4] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=2694
[5] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=7511
[6] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=12083
[7] https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=14228
[8] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2024/English/wpiea2024033-print-pdf.ashx
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.