Politikë fiskale sipas kushteve të ekonomisë
Në të vërtetë, administratat fiskale dhe çështja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve sipas ligjit janë përcaktuese në ristrukturimin e politikave fiskale nga paqartësitë dhe mungesa e fokusit, por edhe ne orientimin e sistemit fiskal drejt evolucionit të tij.
Historia moderne evropiane e sistemeve tatimore në shekullin e fundit është një model i qartë i transformimit të tyre nga qasja e taksave doganore dhe tatimit mbi pronën drejt orientimit ndaj të ardhurave korporative dhe taksimit individual progresiv. Ky orientim i sistemit drejt reflektimit të modeleve ekonomike sipas stadeve evolutive është argumentuar me zbehjen e peshës së sektorit bujqësor në ekonomi, përqendrimin e fuqisë punëtore në bizneset e shërbimit dhe tregtisë, apo në shoqëritë e mëdha, por, edhe te rritja e kulturës fiskale të individëve dekadë pas dekade.
Ndërkohë, sistemet tatimore moderne në vitet e fundit, në rrugën drejt përmirësimit të marrëdhënieve me tatimpaguesit dhe në shërbim të politikës ekonomike të qeverisjes kanë avancuar më tej në politikat fiskale në vendet e tyre.
Politika në këto vende ka evoluar drejt një modeli të ri taksimi. Nga tatimi mbi të ardhurat korporative dhe tatimi progresiv mbi të ardhurat individuale drejt një sistemi tatimor, i cili mbështetet më shumë sa te tatimet mbi konsumin me një bazë të gjerë tatimpaguesish (TVSH me disa shkallë tatimore më të ulëta), po aq edhe i harmonizuar me shkallë tatimore progresive mbi vlerën e punës të përshtatura me tatimin në shkallë tatimore të sheshtë mbi vlerën e kapitalit.
Kjo politikë ka logjikën qe e ndjek nga pas.
Nga njëra anë, modeli përshtatet në raport me përfshirjen e ekonomisë vendase në ekonominë globale dhe zhvillimet e tregjeve financiare dhe nga ana tjetër merr në konsideratë pamundësinë e kapaciteteve te administratave tatimore të zhvillohen në të njëjtin nivel me këto zhvillime. Pra, është njësoj si të kërkosh të arrish rekorde, kur nuk ke patur aftësi as të kualifikohesh në gara. Kjo do të thotë, që politika dhe administrimi duhet të jenë në simbiozë mes njëra tjetrës, për të qenë realiste dhe të përgjegjshme me rolin që kanë ndaj buxhetit dhe ekonomisë.
Egoizmi i politikës fiskale ka treguar nëpër vite, se në rastet e nxitimit apo miratimit të politikave të pa studiuara dhe të modeluara jo në përshtatje me strukturën e ekonomisë sonë kanë mbetur të pazbatuara nga administrimi tatimor. Treguesit fiskalë kanë provuar në praktike se dëshirat e politikanëve të papjekur dhe me mungesë të plotë të diagnostikës së kushteve ekonomike e kanë paracaktuar dështimin në zbatimin e ligjeve apo tatimeve të caktuara. P.sh. Tatimin mbi të ardhurat nga qarkullimi i kapitaleve, të drejtave të autorit, të tatimit individual etj.
Edhe pse në të kaluarën mund të kenë ndodhur dështime apo mosarritje të targeteve buxhetore nuk ka vend për kthim prapa. Dështimi i administrimit nuk mund të jetë justifikim për politikën fiskale. Me vend do të ishte që të përgatitej një përgjigje e sofistikuar e politikave fiskale ndaj problemeve që lidhen me elementët pse dështojnë këto praktika.
Pse?
Sepse nuk ka qenë asnjëherë e lehtë të mbledhësh tatimet nga gjithë ekonomitë, që shumicën e të ardhurave i qarkullojnë jashtë kanaleve bankare.
Sepse nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë të mbledhësh tatimet nga kategori tatimpaguesish që kanë historik me probleme mos pajtueshmërie me ligjin.
Akoma më e vështirë është të mblidhen tatimet nga individët që i kanë krijuar të ardhurat e tyre nga veprimtari antiligjore dhe kriminale, të cilat i zotërojnë në pronësi të tyre, apo i kanë investuar në kundërshtim me ligjet nëpër aktivitete të ligjshme.
Nëse këto forma tradicionale të evazionit tatimor nuk janë luftuar në kohën e duhur dhe minimizuar vit pas viti, atëherë gjasat për të mos mbledhur tatime nga këto kategori rriten në përmasa të mëdha nëse merret parasysh efekti që vjen nga kombinimi i përdorimit të teknologjisë informatike me transaksionet në ekonominë globale.
Në kohën që jetojmë, ekonomia është bërë më e hapur dhe më e përfshirë në ekonominë globale. Individi nuk është i lidhur si më parë me juridiksionin kombëtar.
P.sh. në kohën e sotme, ai përfiton të ardhura edhe nga investime dhe transaksione kapitalesh jashtë vendit. Çdokush tashmë mund të ketë akses në banka jashtë vendit duke mos u nevojitur prania fizike e tij dhe mund të kryejë një transaksion nëpërmjet kompjuterit. Të ardhurat nga pronësia intelektuale, industriale dhe artistike janë në ekspansion dhe të vështira për t’u lokalizuar sipas juridiksioneve që duhet t’u përkasin. Secili nga këto zhvillime, por edhe shumë të tjera duhet t’i japin alarmin qeverisë në ushtrimin e pushtetit ekskluziv që ka për të tatuar të ardhurat e individëve dhe kompanive, sipas parimit të barazisë për t’u tatuar të gjithë për atë që kanë detyrim.
Reformat administrative të ndërmarra deri më sot kanë arritur të përmbushin thjesht arritjen e stabilitetit makroekonomik.
Nuk ka një zgjidhje të shpejtë apo formulë magjike për të rritur ndërgjegjësimin fiskal në funksion të përmbushjes vullnetare të detyrimeve për tatimet e shtetit.
Rruga drejt zgjidhjes fillon me hartimin e një strategjie afatgjatë, të koordinuar me zhvillimet ekonomike dhe sociale. Ndërsa, zbatimi i strategjisë të përmbushjes vullnetare sa më efektivisht është mjeti për të arritur te zgjidhja. Gërshetimi i të dyjave bëjnë të tërën dhe kompletojnë administrimin në praktikë.
Por, kujdes!
Në kushtet e një ekonomie që ecën me ritme të luhatshme nevojitet që të formatohet një administratë tatimore, e cila mund t’u përgjigjet kërkesave të saj.
Ndoshta, ky stad aktual kërkon një administratë tatimore të pavarur, me integritet të legjitimuar dhe të pacenueshëm. Neglizhimi pa arsye nga qeveritë ka dhënë efekte negative, që kanë cenuar ligjshmërinë e administratës në ushtrimin e misionit të saj.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.