Pjesëmarrja në votime në vendet e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e fundit
Pjesëmarrja në votime si përqindje e popullsisë në moshë për të votuar në Ballkanin Perëndimor ishte te një mesatare prej 54% në zgjedhjet e dhjetëvjeçarit të fundit[1]. Ndonëse pjesëmarrja ishte më e ulët në krahasim me zgjedhjet e tjera të fundit në Shqipëri, ajo mban vendin e dytë për pjesëmarrje të ulët të votuesve në mesin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (6BP) në raport me popullsinë në moshë votimit në këto vende. Vetëm Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Serbia kishin përqindje më të larta të pjesëmarrjes, mbi gjysmën e popullsisë në moshë votimi. Vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor janë nën 50% të pjesëmarrjes.
Nëse shikojmë tendencën e pjesëmarrjes gjatë dhjetë viteve të fundit, duket se Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova tregojnë rënie të shkallës së pjesëmarrjes së votuesve. Ndërkohë, në Malin e Zi, Serbi dhe Maqedoni Veriore shkalla e pjesëmarrjes është në tendencë rritëse.
Në Shqipëri[2] pas një niveli pjesëmarrjeje mbi 50% të votuesve në 2013, ku krahu i majtë i politikës nënshkroi fitoren e vet, 4 vite më vonë shikohet një rënie e pjesëmarrjes me 7% më pak. Zgjedhjet në përgjithësi mbahen në një ambient që karakterizohet nga një besim publik i ulët te politikanët në përgjithësi, i cili duket shumë qartë bazuar te shkalla e pjesëmarrjes, pasi rezulton një raport i ulët i paraqitjes për të votuar midis votuesve të regjistruar dhe atyre që kanë votuar. Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri kryhen kryesisht në bazë të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit “Për Partitë Politike”. Rezultatet e zgjedhjeve të 2017 e bënë Partinë Socialiste të fitojë një shumicë absolute, duke marrë 74 vende në parlamentin me 140 vende dhe opozita e bashkuar arriti vetëm 66 vende. Partia Socialiste formoi qeverinë e re pa nevojën e një koalicioni. Një nga situatat e fundit politike më problematike, që vështirëson punën e parlamentit është bojkoti i opozitës. Pas votimit të ligjeve të shumicës në funksion të reformës së drejtësisë (Vetting) Shqipëria po kalon një lëvizje të paprecedent politike me vendimin e opozitës, në fillim të këtij viti (2019) për largimin nga pozicionet e tyre parlamentare me objektivin për të lufutuar në rrugë dhe sheshe kundër qeverisë përmes protestave intensive dhe të ashpra. Shqipëria ka ende problematika lidhur me regjistrat zgjedhorë edhe pse ky problem është adresuar dhe pritet të jetë një situatë më e mirë se procesi i fundit zgjedhor. Por, duhet të theksohet se ky problem është kudo në 6 vendet e BP. Disa nga elementet më të rëndësishëm të qeverisjes së mirë që janë transparenca, llogaridhënia dhe konsultimi publik janë ende në hapat e parë të zbatimit dhe konsolidimit. Transparenca dhe konsultimet publike janë gjithashtu shtyllat kryesore të kuadrit ligjor të qeverisjes lokale. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të qeverisjes qendrore dhe vendore dhe shoqërisë civile ka hapësirë të mjaftueshme për përmirësime. Organizatat e shoqërisë Civile (OshC) si dhe Këshilli Kombëtar i shoqërisë Civile (jo aktiv) përpiqen të marrin pjesë rregullisht në proceset e konsultimit, megjithatë, ato kanë nevojë për mbështetje për të krijuar kapacitetet e nevojshme teknike për të qenë në gjendje të japin kontribut të rëndësishëm në sa më shumë sektorë teknikë që është e mundur.
Në Malin e Zi është regjistruar një rritje e besueshmërisë në votime e shprehur nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin zgjedhor. Gjatë procesit zgjedhor në lidhje me shqetësimet kryesore përfshihet influenca e medias, e cila konsiderohet të jetë shumë e polarizuar brenda fushatës zgjedhore, me qëndrim të qartë pro-qeveritar dhe pro-opozitar. Një shqetësim i madh ka të bëjë me problemet e rëndësishme dhe të pazgjidhur ende për regjistrat zgjedhorë. Në Malin e Zi, sistemi partiak është i zhvilluar duke ju përshtatur ndarjes etnike, ku me Partinë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi (DPS) përfaqësohen kryesisht malazezët dhe me partitë kryesore të opozitës përfaqësohen serbët në Malin e Zi. Problemi rajonal i bojkotit të opozitës është shumë “popullor” edhe në Malin e Zi. Transparenca e financimit të fushatës mbetet një problem, por siç u tha më lart, kjo është një problem për të gjitha vendet e rajonit të 6 vendeve të BP. Sipas hulumtimit nga Qendra për Tranzicion Demokratik (CDT), parlamenti malazez ka një nivel transparence prej 85%, kur është fjala për hapjen e tij ndaj publikut, e cila është dukshëm mbi mesataren prej 63% për Ballkanin Perëndimor, duke e bërë atë parlamentin më të hapur në rajon. Rezultati tregon nivelin e transparencës, hapjes dhe llogaridhënies së parlamenteve në rajon. Mali i Zi ka një kuadër të fortë ligjor për pjesëmarrjen e publikut në procesin e vendimmarrjes. Megjithatë, zbatimi i rregulloreve që mbulojnë konsultimet publike po ballafaqohet me vështirësi dhe ndikimi i organizatave të shoqërisë civile mbetet ende i kufizuar. Korniza legjislative për pjesëmarrjen e qytetarëve në hartimin e politikave nënkupton detyrimin e autoriteteve shtetërore për të zhvilluar një debat publik për të gjitha ligjet, përveç atyre në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe të buxhetit vjetor. Problemet më të rëndësishme kanë të bëjnë me mospërputhjen e hapave ligjore, që autoritetet shtetërore janë të detyruara të kryejnë, si dhe me refuzimin e sugjerimeve të palëve të interesuara pa një shpjegim të vlefshëm. Si rezultat, komentet dhe ndryshimet më të pranuara janë teknike, pa u konsideruar si të shteruar procesin konsultativ. Gjithsesi, kjo situatë është një sëmundje e përhapur edhe në vendet fqinje me Malin e Zi.
Dominimi i partive etnike paraqet tiparin kyç më të spikatur për sistemet politike etnike, kryesisht në ish vendet sllave në Ballkanin Perëndimor. Për shkak se këto shtete nuk janë të konsoliduara dhe mbeten të kontestuara nga brenda dhe jashtë, politika mbetet e fokusuar në çështjet ndëretnike dhe shihet si një lojë që fillon gjithnjë nga pika zero.
Në Bosnje-Hercegovinë, ndonëse duket se pjesëmarrja në votime ka një rënie të lehtë, nisur nga të dhënat shikohet se nuk është e dukshme për të treguar humbje të besimit të qytetarëve, që ende besojnë në procesin zgjedhor. Sistemi partiak boshnjak mbetet i dominuar nga partitë nacionaliste, që ekskluzivisht përfaqësojnë boshnjakët, serbët dhe kroatët. Këto parti nacionaliste shpesh janë më të fokusuara në përfitime për veten e tyre dhe klanin që i mbështet, se sa mendojnë për qytetarët që duhet të përfaqësojnë.
Bosnjë – Hercegovina është një shtet shumëpalësh, i cili ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme ndërton institucionet e veta dhe kapërcen me vështirësi dallimet ndëretnike që bashkëshoqërojnë sistemin politik në vendet ish-jugosllave. Dallimi midis problemeve në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe problemeve në disa vende të tjera të BP-së, siç është ekonomia ose ruajtja dhe siguria e rendit të qeverisë nga faktorët e jashtëm nacionalistë është se elitat politike shpesh kanë një interes shumë të qartë për mos zgjidhjen e tyre, por në vend të kësaj synojnë për të jetuar me problemet e pazgjidhura për më shumë se dy dekada. Krijimi i një sistemi gjyqësor efikas dhe të pavarur, si dhe mundësimi i një dialogu të drejtë për qeverinë dhe opozitën mund të jetë në interes të qytetarëve, por shpesh është “problem” i drejtpërdrejtë kundër interesave të elitave politike dhe qeverisjes së partive politike.
Në Kosovë, sipas pjesëmarrjes në vitin e parë të votimeve si shtet i pavarur në 2010 shikohet një shkallë pjesëmarrjeje nën 50% të popullsisë në moshë votimi në procesin zgjedhor, gjë që tregon problemet e partive politike te të cilat qytetarët nuk kanë besimin e mjaftueshëm. Në Kosovë tensionet mbeten të larta në veri, ku serbët lokalë përdorin gjithë mjetet dhe veprimet e mundshme për të shmangur çdo përfaqësues të qeverisë së Kosovës, shërbimeve të sigurisë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të hyrë në këtë rajon. Serbët në veri të Kosovës kërkojnë riintegrimin e tyre në Serbi dhe nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Ata janë të mbështetur nga Serbia, e cila gjithashtu kundërshton pavarësinë e Kosovës. Në Kosovë, si në çdo vend të BB-së, është shqetësimi i boshllëqeve të legjislacionit jo të përputhur më së miri me normat ligjore evropiane, si dhe mosfunksionimi i duhur i institucioneve kyçe dhe shpesh mosrespektimi i elitave politike kundër institucioneve themelore demokratike dhe vlerave. Ekziston nevoja për reforma ligjore dhe institucionale dhe për ndërtimin e një shoqërie demokratike me një kulturë politike universale të pranuar nga palët politike.
Nëse do t’i shohim të dy vendet me popullsi shqiptare (Shqipëria dhe Kosova), të cilat janë të angazhuara në nivele të ndryshme që të krijojnë politika lidhur me negociatat e pranimit, do të shohim dallime të mëdha midis një Kosove të polarizuar dhe një regjimi më të qëndrueshëm qeverisës në Shqipëri me një opozitë të dobët. Të dyja, megjithatë, kanë probleme të ngjashme në lidhje me legjitimitetin e zgjedhjeve dhe financimin e medias, dhe të dyja këto fusha duket se po përjetojnë një situatë status quo të pandryshuar.
Në Maqedoninë e Veriut, me një rritje të përqindjes së pjesëmarrjes në procesin zgjedhor shikohet një shenjë e mirë e përforcimit të besimit të qytetarëve në tendencën e re politike edhe pse procesi i referendumit në vitin 2018 shënoi një shkallë shumë të ulët të pjesëmarrjes ndonjëherë në epokën postkomuniste të këtij shteti. Fushata e fundit elektorale, megjithëse konkurruese, u zhvillua në një mjedis të karakterizuar nga mosbesimi i publikut në institucionet qeveritare dhe institucionet politike, me akuza serioze për shtrëngimin e votuesve të zbatonin gjuhën e dhunës ndaj palës tjetër politike. Shqetësimi kryesor lidhur me procesin zgjedhor është politizimi dhe presioni mbi administratën publike. Nga ana tjetër, çdo zgjedhës duhet të ketë të drejtën të zgjedhë lirisht përfaqësuesit e tij / saj. Për më tepër, nevojitet përmirësimi i procedurave të regjistrimit të votuesve dhe të Listës së Votuesve me qëllimin e përmirësimit të kredibilitetit dhe besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor. Edhe zhvillimet e fundit në lidhje me betejën midis forcave politike, ajo që duhet të adresojë Parlamenti i Maqedonisë Veriut është rritja e nivelit të kulturës politike, sidomos nga zyrtarët e zgjedhur dhe duke zëvendësuar sulmet fizike dhe verbale me debat të mbështetur drejt zbutjes së problemeve ditore të qytetarët. Gjatë periudhës së fundit, organet e pavarura të cilat duhet të jenë përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore nuk arritën ta zbatojnë në praktikë mandatin e tyre për të cilin janë zgjedhur.
Serbia shfaq një situatë status quo në raport me nivelin e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime dhe pothuajse nuk ka dallime të dukshme të nivelit të pjesëmarrjes gjatë procesit zgjedhor të dhjetë viteve të fundit. Asambleja Kombëtare e Serbisë, organi më i lartë ligjvënës në këtë shtet përbëhet nga 250 anëtarë të zgjedhur drejtpërsëdrejti duke përdorur përfaqësimin proporcional të sistemit zgjedhor. Në Serbi, ekziston një kontrast i madh ndërmjet forcave radikale-konservatore dhe partive më të moderuara.
Përbërja e tanishme e parlamentit u zgjodh nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në prill të vitit 2016. Problemet kryesore të procesit zgjedhor qëndrojnë te fakti se duke qenë në detyrë, partia qeverisëse gjithmonë përbën shqetësim për t’u dhënë mbështetësve të vet një avantazh shumë të fortë kundër kundërshtarëve të tyre, sidomos kur është fjala për mbulimin mediatik të fushatës, e cila nuk kryhet në mënyrë të barabartë për të dyja palët. Një problem tjetër ka të bëjë me mosfunksionimin me kapacitet të plotë gjatë procesit zgjedhor të organeve të pavarura rregullatore. Nga ana tjetër, bashkëpunimi midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare, veçanërisht atyre të përfshirë në negociatat e pranimit në BE shoqërohet me marëdhënie të tendosura dhe larg frymës së promovuar nga nismat e institucioneve të BE.
Në gjithë këtë kontekst rajonal mbi procesin zgjedhor dhe marrëdhëniesh ndërmjet partive politike mbetet një shqetësim i vazhdueshëm bashkëpunimi rajonal i OShC-ve në 6 vendet e BP, gjë që mund të kërkojë një lëvizje strategjike për të ardhmen, që mund të lehtësojë kufizimet e masës kritike të votuesve. Nga ana tjetër, qeverisja demokratike në shoqëritë shumëpalëshe kërkon një gatishmëri për të jetuar së bashku dhe për të ardhur para qytetarëve të vet me vendime konsensuale.
Megjithatë, për shkak të një historie të dhunës ndëretnike dhe rezultateve të luftërave të fundit në rajon, ky vullnet nuk ekziston. Rrjedhimisht, në shumë vende të Ballkanit Perëndimor ka një mungesë të kulturës politike demokratike, që ka nevojë për shumë punë nga OshC-të dhe gjithë spektri politik ballkanik dhe me mbështetje nga spektri euro – aziatiko – amerikan.
[1] http://www.electionguide.org
[2] ODIHR reports on parliamentary elections, 2009-2018
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.