Performanca e buxhetit shqiptar 1996 – 2016
Në analizën e treguesve kryesorë buxhetorë të të ardhurave dhe shpenzimeve për gjithë periudhën 1996-2016 zgjerimi i PBB-së është me 3.3 herë. Inflacioni për gjithë periudhën është brenda normës së pranuar nga Banka e Shqipërisë (nën 3 %).
Ndërsa, të ardhurat buxhetore janë rritur 6.9 herë, shpenzimet buxhetore janë rritur me 4.95 herë. Në krahasimin e tendencave të tyre rritjen më të madhe e kanë të ardhurat buxhetore. Peshën dhe ndikimin më të madh në të ardhurat buxhetore e kanë të ardhurat nga tatimet dhe doganat me 70 përqind. Rritja për periudhën 1996 – 2016 është me 7.6 herë. Peshën dhe ndikimin më të madh në shpenzimet buxhetore e kanë shpenzimet administrative dhe operative me 54 përqind. Rritja për periudhën 1996-2016 është me 4.9 herë. Nga krahasimi i vitit 2016 me vitin 2006, pesha e shpenzimeve operative në strukturë është ulur me 11.2% dhe rritur shpenzimet sociale me 42%. Ndërsa, nga krahasimi i vitit 2005 me vitin 1996, shpenzimet operative në strukturë janë rritur me 6.7% dhe ulur shpenzimet sociale me 4%.
Politika fiskale e shprehur në masë të madhe nëpërmjet miratimit të shkallëve tatimore është për çdo qeveri “leva e Arkimedit” për të lëvizur ekonominë e vendit dhe stimuluar zhvillimin e saj nëpërmjet thithjes së investimeve nga vendasit dhe investitorët e huaj. Nëse e komentojmë këtë pjesë të politikës fiskale nëpërmjet efektit në peshën që kanë mbajtur tatimet në vend shikohet se këto paketa fiskale kanë tregues që nuk kanë arritur objektivat buxhetorë dhe socialë.
Në vitin 1998 shkalla e TVSH-së u rrit me 7.5 përqind. Pesha e tatimeve mbi konsumin në PBB u rrit me 3.6 përqind. Kjo rritje nuk u shoqërua me të njëjtin nivel në vitet më pas, pavarësisht se efekti pritej të ishte me një rritje të paktën 1 përqind çdo vit. Në vitin 2007 shkalla e kontributeve të sigurimeve u ul me 9 përqind dhe në vitin 2010 u ul më tej edhe me 5 përqind, në total 14 përqind. Kësaj politike i bashkëlidhim edhe uljen e shkallës së tatimit mbi të ardhurat duke unifikuar shkallët e ulta (0.5, 1, 2, 3, 5) me shkallët e larta (15, 20) në vitin 2008. Nga ballafaqimi i peshës që mbajnë tatimet e punës në PBB rritja në vitin 2007 është 0.2 përqind dhe në vitin 2008 rritja është me 0.5 përqind.
Në këtë analizë, ku përballen treguesit buxhetorë me politikën fiskale rezulton se një politikë fiskale e lidhur me shkallët e taksimit nuk duhet parë si një politikë e vetmuar në funksion të ekonomisë dhe politikave sociale. Politika fiskale duhet ndërlidhur ngushtësisht me zbatimin korrekt të parimeve të administrimit publik dhe fiskal, si dhe të jetë një garanci në zbatimin e kontratave sociale dhe rritjen e indeksit të besueshmërisë të qytetarëve te qeveria dhe politika.
Niveli i shpenzimeve të administrimit publik ka ardhur në kurbë rënie nga viti 1996 deri në vitin 2016 duke u shprehur në një kosto të administrimit publik në rënie, ku në vitin 2016 është sa 48.8 përqind e të ardhurave buxhetore. Kjo kosto tregon se në vitin 2016 shpenzohen 48.8 lekë për administrimin dhe shpenzime operative për 100 lekë të ardhura buxhetore. Ky nivel i kostos konsiderohet i lartë dhe duhet të ulet me të paktën 20 përqind në 5 vitet në vijim, duke (a) rritur cilësinë e kapaciteteve administrative, (b) reduktimin e strukturave joefektive dhe rudimentare, si dhe (c) duke orientuar shpenzimet nga prioritetet e ekonomisë së vendit për rritje të shpenzimeve për investime dhe shpenzime për politikat sociale.
Pavarësisht se rritja e të ardhurave buxhetore e krahasuar me rritjen e shpenzimeve publike është 2.9 herë më shumë, shihet se bilanci buxhetor nuk ka arritur ende të rezultojë me tregues pozitiv. Viti më i fundit i analizës është përsëri me një rezultat negativ prej 26.7 miliard lekë. Kjo përkon me konkluzionin e kësaj analize për një ulje të shpenzimeve të administrimit dhe operative, por edhe për një rritje të të ardhurave buxhetore nga tatimet dhe doganat me më shume se 7 përqind çdo vit.
Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore të planifikuara në buxhet duhet të kenë destinacione krejtësisht transparente dhe të orientohen në mbulimin e shpenzimeve sipas emërtimit të tatimit apo taksës, si një politikë e natyrës vetë financuese dhe me sa më pak hua.
Pesha e shpenzimeve publike është sa 28.9 përqind e PBB-së. Ndërkohë, në vitin e fundit të shqyrtuar pesha e shpenzimeve për investime në veprat dhe shërbimet publike është sa 4 përqind e PBB-së, që është ndër nivelet më të ulta në historikun 20 vjeçar (ka ndodhur vetëm në 1997).
Ndërkohë pesha e investimeve të huaja direkte për vitin 2016 është sa 8.7 përqind e PBB-së. Të dyja fondet e investimeve, publike dhe private zënë afër 12.7 përqind të PBB-së. Kjo peshë duhet të jetë mbi ¼ e PBB-së[1] për të optimalizuar zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Duke u bazuar te raporti i Bankës Botërore lidhur me nivelet optimale të investimeve në raport me PBB, duket se niveli aktual i investimeve është larg efektit ndikues për gjallërimin pr periudha afatgjata ekonominë shqiptare.
Një diskutim tjetër është i lidhur me cilësinë e investimeve dhe nivelin e korrupsionit në vend, që kanë po aq vlerë në orientimet e strategjive të zhvillimit ekonomik. Nëse efektit të shpenzimeve publike do ti shtojmë edhe efektet që vijnë prej rolit rregullator të qeverisë, si edhe përcaktues të barrës fiskale për sektorin privat, atëherë ekonomia është e varur ende prej administrimit publik dhe mbajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe fiskal afatgjatë për të përballuar sfidat e hapjes së ekonomisë me jashtë.
Kjo ndërvarësi ndikohet nga simbioza e nevojës për realizim të investimeve, publike dhe private, si ofertë ndaj kërkesës së sektorit privat, si dhe nga shpërndarja e barrës fiskale sipas gjeografisë dhe historisë të të ardhurave të gjeneruara në vend. Nga ana tjetër në këtë bashkëjetesë të sektorit publik me atë privat, sinqeriteti dhe transparenca publike në monitorimin e industrive strategjike të ekonomisë është një tjetër garanci për këtë simbiozë.
Studimin e plotë shkarkojeni duke klikuar KETU.
[1] Raport i Bankës Botërore për optimalizimin e investimeve në ekonomitë në zhvillim, 2012
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.