Për tatimin e kalimit të të drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme
UDHËZIMI I PËRBASHKËT* Nr. 29, datë 30.7.2018 “PËR TATIMIN E KALIMIT TË SË DREJTËS SË PRONËSISË SË PASURISË SË PALUAJTSHME”
është një publikim qartësues dhe më i kompletuar me raste lidhur me trajtimin tatimor sipas ligjit të tatimit mbi të ardhurat në fuqi të transaksioneve të kalimit të pronësisë.
Ky udhëzim synon të bëjë dhe kategorizojë qartë detyrimet që lindin për një sipërmarrës të biznesit të madh apo të vogël, si dhe detyrimet që lindin për transaksionet mes individëve të paregjistruar në tatime, si dhe disa raste të veçanta që janë më të detajuara në formatin e prezantuar nga specialistët e Financave.
Në çdo rast vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme, përcaktohet në kontratën noteriale të shitjes, e cila është nënshkruar nga dy palët (shitësi dhe blerësi).
Rastet dhe situatat më gjithpërfshirëse janë prezantuar si më poshtë:
Rasti 1. Investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si persona juridikë, (shoqëri tregtare) me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë subjekt pagues vetëm të “taksës” vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme;
Rasti 2. Investitorët në biznesin e ndërtimeve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si subjekte me status “person fizik tregtar”, janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Ata janë gjithashtu subjekt pagues të “taksës vendore” mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.
Rasti 3. Shitësi individ ka në pronësi të tij një ndërtesë, brenda të njëjtës sipërfaqe trualli, të cilën ia shet blerësit me kontratën e shitjes. Detyrimi tatimor që duhet të paguajë shitësi, llogaritet vetëm për ndërtesën, pasi pasuria e paluajtshme që ai do të shesë nuk ka sipërfaqe të lirë trualli rreth ndërtesës (sipërfaqe truallit është e barabartë me atë të ndërtesës). Duke qenë se në kontratën e shitjes vlera i përket ndërtesës dhe truallit nën ndërtesë, për të vazhduar me llogaritjen e tatimit për ndërtesën, duhet të zbresim vlerën e truallit.
Raste në situata të caktuara. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit, ose heqjes dorë nga e drejta e pronësisë në dobi të një të treti apo të bashkëpronarëve të tjerë, transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes. Raporti i vlerësimit për pasurinë e dhuruar apo hequr dorë prej saj nuk është detyrues për t’u paraqitur në dokumentacionin për kalimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme nëpërmjet dhurimit, apo heqjes dorë. Vlera e pasurive e pasqyruar në këto raporte, si dhe në kontratat e dhurimit apo shkëmbimit, nuk është referuese për llogaritjen e fitimit kapital të realizuar.
Në rastin e shitjes së pasurisë së paluajtshme, tokë dhe/ose ndërtesë, të fituar me trashëgimi, dhe vendime gjyqësore, si vlerë në blerje do të konsiderohet: a) Kur ndërtesa dhe/ose toka kanë vlerë sipas akteve noteriale ose të rivlerësimit të regjistruar në ZVRPP, para ose pas regjistrimit të dëshmisë së trashëgimisë, si vlerë në blerje (vlerë e zbritshme) do të merret vlera e ndërtesës dhe/ose tokës sipas këtyre akteve, të regjistruar në ZVRPP.
Një qartësim i vlefshëm është për rastet e rishitjes se pronës. Kur pronësia e pasurisë së paluajtshme kalohet për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes së fundit dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse të kësaj pasurie.
Taksat që paguhen në momentin e shitblerjes së një pasurie të paluajtshme janë:
Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme.
Tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i të drejtës së pronësisë së paluajtshme
Agjenti i taksës dhe i tatimit mbi të drejtën e kalimit të pronësisë është zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, e cila kalon të ardhurat e mbledhura në llogari të njësisë administrative të administratës tatimore brenda afateve të përcaktuara në ligjin e tatimit mbi taksat vendore.
Udhëzimi i plotë mund të klikohet në linkun Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme
* Përgatitur nga MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË dhe MINISTRIA e DREJTËSISË
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.