Për një sistem taksash të drejtë, efikas, të thjeshtë dhe më transparent

Për një sistem taksash të drejtë, efikas, të thjeshtë dhe më transparent

Ndërsa normat për të gjitha taksat kryesore janë në përputhje me ato rajonale, raporti i përgjithshëm i taksave ndaj PBB-së mbetet prapa vendeve krahasuese. Kjo mund të rezultojë nga baza e ngushtë tatimore dhe/ose zbatimi dhe mbledhja joefikase. Bie në sy edhe varësia e lartë nga taksat indirekte, veçanërisht nga TVSH-ja, ndërkohë që të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë më të ulëta se mesatarja e rajonit. Sistemi aktual i taksave është kompleks dhe i fragmentuar, dhe ndryshimet e shpeshta ad hoc kanë dëmtuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit.

Taksat mbi pronën dhe mjedisin janë burime efikase të ardhurash, të cilat janë të pashfrytëzuara në sistemin tatimor shqiptar.

Janë këto disa nga komentet e raportit të asistencës teknike të Fondit Monetar “Opsionet e reformimit të politikës tatimore në funksion të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave”.

TVSH-ja kontribuon rreth gjysmën e të ardhurave tatimore, me një normë standarde relativisht të lartë (20 për qind), por efikasiteti i saj është i ulët në krahasim me të tjerat në rajon. Akcizat dhe taksat kombëtare japin gjithashtu një pjesë të madhe të të ardhurave. Të dyja rregullat e TVSH-së dhe të akcizës janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, por një gamë shumë e gjerë mallrash, shërbimesh dhe tatimpaguesish janë të përjashtuar nga taksat indirekte, duke dëmtuar efikasitetin e mbledhjes.

Tatimet direkte mbi të ardhurat sjellin më pak të ardhura në Shqipëri sesa në vendet e krahasueshme. Ato kontribuojnë rreth 20 për qind të të ardhurave totale tatimore, duke u rritur gradualisht nga 3.7 në 4.4 për qind të PBB-së ndërmjet 2014 dhe 2018.

Kontributet sociale të bazuara shkojnë rreth 6 për qind të PBB-së dhe kontributet sociale dhe të ardhurat nga taksat së bashku arrijnë rreth 26 për qind të PBB-së që nga viti 2018. Ndërsa Shqipëria ka përbërësit e një sistemi modern të tatimit mbi të ardhurat, hartimi i disa politikave specifike, për shembull, një taksë progresive mbi të ardhurat personale (TAP), një taksë e përgjithshme e graduar mbi fitimet e biznesit, një taksë e thjeshtuar mbi fitimet dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe mënyra se si ato ndërveprojnë, e bëjnë atë tepër komplekse, duke gjeneruar shtrembërime dhe joneutralitet.

Sistemi aktual ofron stimuj për individët që kryejnë aktivitete të njëjta ekonomike që të zgjedhin vetëpunësimin (sipas tatimit mbi fitimin e biznesit) në vend të punësimit (nën TAP).

Një sistem taksash më i drejtë, më efikas, më i thjeshtë dhe më transparent mund ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, duke fuqizuar njëkohësisht aktivitetin e brendshëm ekonomik duke futur stimujt e duhur ekonomikë dhe duke u përballur me nivelin e lartë aktual të informalitetit.

Raporti i plotë në anglisht gjendet këtu!

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: