Një model për kryerjen e kontrollit fiskal në Bare dhe Restorante
Për të kryer kontrolle në baret kryesore të kryeqytetit, por edhe ne qendrat kryesore turistike dhe të qyteteve të vendit nevojitet një standartizim ligjor e procedurial, ashtu si sugjeron përvoja e vendeve që tashmë janë pjesa e zhvilluar e administrimit, por edhe duke dashur një zbatim korrekt dhe me kosto të ulët të legjislacionit rregullator shqiptar.
Gjithë puna e administratave fiskale duhet të mbizotërohet nga koncepti se përmbushja vullnetare e detyrimeve fiskale është para së gjithash qëllimi kryesor i veprimeve të tyre të përditshme. Ndërkohë, kontrolli duhet të ketë një shënjestër të saktë dhe duhet të drejtohet vetëm nga instrumentet e metodologjisë së menaxhimit të rriskut. Kontrolli duhet të veprojë sipas parimit mat 7 herë e prit një herë. Ja pse një procedure kontrolli ka nevojë për disa faza përpara se të arrihet deri te rezultati.
Kush do të ishin hapat paraprake përpara fillimit të kontrollit te taksapaguesi?
Nevojiten të kryhen veprime dhe përpunime të dhënash para kryerjes së kontrollit. Një kontroll me parapërgatitje është një fillim i mbarë dhe gjysma e punës.
Së pari, paraprakisht do të nevojitej:
– komunikim publik nga DPT për qëllimet e kontrollit
– përcaktimi i shtrirjes në kohë të kontrollit, zona gjeografike, kush tatim do të kontrollohet, afati i kryerjes së kontrollit, nëse është bari apo restoranti pjesë e listës së rriskut të drejtorisë së kontrollit, historiku i kontrolleve të mëparshme dhe vlerësimet tatimore.
Së dyti, procesi vijon me verifikimin e pronësisë së aktivitetit dhe ambientit (sipërfaqes) dhe lidhjet e mundshme midis personave (një familje apo persona të lidhur zotërojnë disa bare). Faktet evidentohen nga informacionet te regjistri i QKB dhe të dhënë operative nga DPT. Qëllimi në këtë drejtim është fokusi më i qartë drejt objektivit të kontrollit dhe përshtatjes së formës së kontrollit;
Së treti, kryhet evidentimi i faturave tatimore me numër serial, për konfirmimin e faturës së fundit të furnizimit me mallra. Këtë detyrë e zbaton punonjësi i kontrollit në DRT, tiranë në kryqëzim me të dhënat që ka punonjësi i dosjes së tatimpaguesit.
Së katërti, kryhet edhe evidentimi i shpërndarjes së mallrave me akcizë (kafe, pije alkoolike, pije energjike) në baret e ish-bllokut në kryeqytet. Këtë informacion mund ta përmbledhë DPT duke marrë nga çdo Drejtori Rajonale të dhënat e librave të shitjes të shoqërive që tregtojnë mallra akcize me shumicë. Koordinimi midis DPT dhe DPD është i këshillueshëm për vlerën e akcizës dhe rregullsinë e autorizimeve për mallrat e akcizës.
Së pesti, bëhet nga zyra verifikimi i detyrimeve tatimore dhe borxheve (situata financiare);
Së gjashti, evidentimi i xhiros që kanë realizuar baret, nëpërmjet përdorimit të kasës fiskale dhe krahasimi midis tyre duke patur parasysh vendndodhjen dhe sipërfaqen e shërbimit.
Së shtati, verifikohet lista e numrit të punonjësve të deklaruar nga punëdhënësi dhe krahasimi i tyre për gjithë baret e zonës duke u nisur nga pozicionet e nevojshme të punës për kryerjen e shërbimit;
Së teti, punonjësit duhet te njihen me normativat/njësi të produkteve që përziejnë disa mallra (p.sh. Kafe, kapuçino, kokteje etj.)
Hapi i fundit i parapërgatitjeve lidhet me inventarin dhe faturat e fundit të shitjes edhe të shpërndarësit, që rezultojnë të jenë furnitorët e bareve e restoranteve, me qëllim kryqëzimin e shitjeve nga shpërndarësit me shumicë me blerjet që kanë deklaruar baret dhe restorantet.
Tanimë kontrolli paraprak është kompletuar me informacionin e duhur për të kryer detyrën e tij në terren, ku mendohet se ka të bëjë edhe me elementë të evazionit fiskal. Kjo procedure vlen edhe për te pare koston dhe përfitimin nga kryerja e kontrollit.
1. Fillimi kontrollit Fillimi i kontrollit është momenti, që duhet të shërbejë për të vendosur urën e komunikimit me taksapaguesin. Kontakti i kontrollorit me taksapaguesin duhet të përdoret në radhë të parë për të prezantuar normat e etikës dhe sjelljes ndaj biznesit. Pa një sjellje etike nuk mund të ketë një kontroll efektiv, pavarësisht sesa mendon kontrolli se ka të drejtë në kërkesat e tij.
Hapi i parë i kontrollit ne vend është kryerja e inventarit te mallrave dhe punonjësve.
Hapi i dytë është evidentimi i faturës së fundit të blerjes (furnizimit), të shitjes (faturë tatimore dhe kupon kase), gjendjes së arkës (deklarimi nga administrator);
Hapi i tretë është evidentimi në një regjistër i situatave të veçanta, si raste për sqarim, raste që kërkojnë interpretime që nuk i bën dot kontrollori etj. Qëllimi për këtë masë është shpejtësia e reagimit dhe konkludimit të rasteve që dalin nga rutina e kontrollit.
Hapi i katërt janë konkluzionet paraprake dhe analiza e situatës së konstatuar duke i paraqitur taksapaguesit gjithë pretendimet te cilat duhet te kenë te detyrueshme edhe bazën ligjore qe konstaton kundërvajtjen qe konsideron kontrolli si gjetje.
Hapi i pestë është një hap shume interesant dhe mjaft me vlere, pasi është dialogu me taksapaguesin apo edhe dëgjesa e objeksioneve dhe kundërshtimeve ndaj kontrollit. Ky hap është një para kualifikim i kontrollit për te arritur ne finale.
Hapi i gjashtë është veprimi i parafundit procedural për kontrollin e barit apo restorantit. Ka ardhur momenti i reflektimit i gjithë sa është vepruar deri më tani dhe ka ardhur ora e mbylljes se kontrollit.
Por kujdes!
Ky hap vlen vetëm pasi është marrë reagimi i administratorëve të bareve dhe restoranteve. Hapi i fundit është edhe hapi i të vërtetës së kontrollit fiskal, por edhe për pronarin e barit dhe restorantit vjen fundi i pritjes. Tashmë, kontrollorët fiskalë kanë mbyllur Konkluzionet për kontrollin e kryer. Ky moment kërkon edhe komunikimin me pronarin e barit/ restorantit. Ky moment, për pronarin e barit dhe restorantit është njësoj si ai moment kur kamarierët e tyre presin faturën për klientin.
Nëse ndodh që klientët në Shqipëri në masën e tyre më të madhe paguajnë pa e diskutuar, ka nga ata që edhe diskutojnë me kamarierin pasi pretendojnë për gabime në faturë. Nese kontrolli do te anoje nga saktësia dhe korrektesa etike, atëherë debati mes pronarit te barit/ restorantit duhej të ishte i mbyllur pa ardhur fatura nga kontrollori fiskal.
Tashmë, nëse pronari ka pretendime duhet ti drejtohet rrugës së apelimit administrativ dhe gjyqësor. Të shpresojmë që gabimet të jenë të pakta dhe pretendimet për abuzime dhe korrupsion sa më të vogla.
Nëse secili zbaton detyrimet e tij nuk ka vend për hapa të tjerë pas kontrollit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.