Në Vlorë në takimin e dialogimit të auditimit social me performancën e qeverisjes vendore
Takimi në qytetin e Vlorës erdhi me veçorinë e zonës, ku nuk ka munguar debati as në dy takimet e mëparshme në vitin 2022. Prania e moshes së re dhe ekspertëve me njohje të mirë të ekonomisë së qytetit e bënë dialogun në Vlorë më të pasur me argumentet dhe këndvështrimet e secilës palë.
Raporti i prezantuar nga ekspertët e ALTAX u kthye edhe në një platformë diskutimi dhe debati lidhur me qasjen më të vlefshme për Vlorën dhe mbi nevojën që nismat dhe reformat duhet të nisin nga poshtë – lart dhe jo si deri me tani.
Në takimin e zhvilluar në Vlorë, komentet e Kryetares së Këshillit Bashkiak gjithashtu patën një zhvillim që ekspertët e ALTAX e mirëpritën në kuadër të një qasje sa më bashkëpunuese dhe të bazuar mbi fakte mes qytetarëve me këndvështrimin e tyre dhe bashkisë me programet dhe aktivitetin e saj.
Nga përfaqësuesja më e lartë e qeverisjes vendore të Vlorës u kërkua që të mos jetë një ndarje e tillë, e opinionit të shoqërisë civile në krahasim me programet e bashkisë, pasi vetë drejtuesit e departamenteve të Bashkisë, programet i hartojnë bazuar mbi kërkesat e qytetarëve.
Ndërkohë, nga paneli i ekspertëve u prezantua fakti se kërkesat mund të mos jenë të pasqyruara sipas qytetarëve, pasi përfshirja e mendimit të tyre në programet vendore varet edhe nga kapacitetet e nëpunësve vendorë, por edhe nga kufizimet që lejon buxheti vendor.
Nga ekspertët e ALTAX u theksua fakti se performanca në Ekonominë vendore ka prezantuar luhatje në pesë vitet e fundit. Kjo ndikohet si nga mungesa e diversifikimit të ekonomisë në sektorë dhe biznese më dinamike, por edhe nga niveli i ulët i kreditimit, shkurtimi i ofertës së punonjësve, aftësitë e punonjësve të papërputhura si duhet me kërkesat e tregut, si edhe nga cilësia rregullatore, që përbën sfidat për qeverisjen në të dy nivelet.
Ndërkohë, qasja dhe aftësimi me teknologjinë, përfshirë edhe Bashkinë Vlorë e bëjnë Shqipërinë të ketë konkurueshmëri të ulët duke e renditur në vend të fundit në rajon, bashkë me vlerën e ulët të produktivitetit nga eksportet.
Investimet e realizuara në vitet e fundit janë të orientuara sipas programeve të zhvillimit drejt mjedisit urban, infrastrukturës rrugore dhe UK dhe në mënyrë të moderuar drejt bujqësisë, por jo drejt nxitjes së tregut, orientimit të aktiviteteve të reja dhe një qasje për të zbutur faktorët ndikuesë në migrim dhe emigracion.
Kjo situatë e segmentimit të bizneseve, ku hapësira për punësime është mjaft e vogël, ku problemi i migrimit po ndihet edhe më shumë në bizneset vendore në vitin 2022, ashtu si në gjithë vendin, për arsye të largimit të specialistëve të ndryshëm në sektorin privat që kërkojnë një pagesë të lartë të aftësive të tyre në tregun e huaj ndikon në zbehjen e politikave dhe uljen e tempit të performancës ekonomike.
Një nga temat që ALTAX ka hapur si debat për diskutim dhe analizë është efekti dhe ndikimi i investimeve në ekonomi dhe punësim.
Megjithëse plani i zhvillimit të territorit është në proces, rivendosja dhe përshpejtimi i progresit të sektorëve që kanë më shumë vlerë të shtuar se bujqësia duhet të analizohet për tu integruar në programet e ardhme, duke përfshirë më të varfrit dhe më të cenuarit, si një prioritet kryesor i planeve të rimëkëmbjes dhe reformave në sistemin financiar të zhvillimit rajonal.
Në komentet gjatë zhvillimit të aktivitetit nga ekspertët e shoqërisë civile të Vlorës u theksua nevoja për një orientim më të madh të fondeve të Bashkisë drejt investimeve, në krahasim me ato çfarë ata konstatojnë se shkojnë për shpenzimet e personelit.
Një temë dialogimi me mjaft interes, pasi është edhe në funksion të objektivave të projektit që zbatohet nga ALTAX është Politika vendore për konsultimin publik. Ekspertët në monitorimin e kryer, si dhe bazuar te Anketimi konstatuan se është zbatuar kalendari i konsultimeve, si një obligim për qeverisjen e hapur dhe u vërejt se janë kryer procese diskutimi të buxhetit me pjesëmarrjen e publikut.
Por, në etapat e konsultimit mungon ekspertiza civile dhe nuk konstatohet një oponencë apo përforcim analitik i zërit dhe shqetësimeve qytetare, situatë që konstatohet e mangët edhe te stafi i bashkisë. ALTAX dhe organizata të tjera kanë kërkuar një konsultim bazuar mbi parametra më të lartë të diskutimit dhe një proces edhe më gjithëpërfshirës, por nuk ka patur edhe nga këshilli Bashkiak asnjë thirrje për një mundësi ndryshe. Pjesëmarrja e qytetarëve të pyetur nga ALTAX rezulton se ka pak konsiderim të propozimit të qytetarëve.
Përgjegjshmërisë financiare dhe në përgjithësi mbajtjes së zotimeve gjatë procesit zgjedhor, por edhe sipas programit politik, që transformohet në program qeverisës i nevojitet një mekanizëm i plotë i llogaridhënies bazuar te transparenca. Miratimi i akteve të reja për të modifikuar një praktikë ligjore të pazbatuar është një arsye e fortë që ligji i korigjuar të mos arrijë asnjëherë të jetë i zbatueshëm deri në fund duke anashkaluar edhe llogaridhënien për nivelin e performancës dhe përmbushjen e programit para qytetarëve.
Edukimi dhe investimet ne ciklin parashkollor dhe atë 9-vjeçar ishin një tjetër teme që u trajtua si nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak, por edhe nga gjetjet e raportit u përmendën si bazë dialogu, ku u pranua fakti se edhe qytetarët janë shprehur në shumicë pozitivisht performancës së bashkisë lidhur me programet për edukimin, si një detyrë permanente e bashkisë.
Në konkluzionet e takimit, i cili zgjati përtej orarit te programuar rezultoi se raporti është një vlerë e shtuar për Bashkinë, por edhe për qytetarët duke shërbyer edhe si një guidë rekomanduese për organet e reja që do të krijohen pas zgjedhjeve vendore, por edhe duke u parë se tërësia e fakteve i jep më shumë argumente qytetarëve për të zgjedhur me kujdes mbi të ardhmen e tyre.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.