Në brendësi të projekt-ligjit të tatimit mbi të ardhurat
Në një analizë të përgatitur nga Departamenti i Taksave dhe Çështjeve Ligjore, shpjegohen ndryshimet kryesore që sjell ky Draft Ligj krahasuar me Ligjin aktual për tatimin mbi të ardhurat nr. 8438, datë 28.12.1998, i amenduar. Vlen të theksohet se ky është vetëm një draft dhe subjekt i diskutimeve dhe aprovimeve të mëtejshme. Përmbledhja e mëposhtme nuk përmban komente apo opinione të Deloitte Albania lidhur me këto ndryshime.
Përmbledhje e ndryshimeve kryesore të prezantuara nga Draft Ligji
Përkufizime
• Draft Ligji përditëson dhe/ose prezanton terma dhe përkufizime të reja si tatimpagues, biznes, xhiro/qarkullim, inkorporim, transferimi i një ose më shumë degëve të veprimtarisë, shkëmbim i aksioneve, shkrirje/bashkim, ndarje, etj.
Tatimi mbi të Ardhurat e korporatës
Selia e përhershme
• Draft Ligji prezanton një limit kohor prej 6 muajsh si kriter për ekzistencën e një Selie të përhershme (SP) të një shoqërie jo-rezidente në Shqipëri. Sipas tij, një shoqëri jo-rezidente do të konsiderohet se krijon një SP në Shqipëri nëse:
1. Ajo zhvillon aktivitete të lidhura me një shesh ndërtimi, një ndërtim, projekt montimi ose instalimi, apo aktivitete mbikëqyrjeje të lidhura me to, nëse ky shesh ndërtimi, projekt apo aktivitete zgjasin për më shumë se 6 muaj;
2. Ajo ofron shërbime, të ndryshme nga ato të përfshira në pikën a) më lart, por përfshirë shërbimet e konsulencës, përmes punonjësve të vet ose personelit tjetër të angazhuar për këtë qëllim, nëse këto aktivitete vazhdojnë brenda territorit të Shqipërisë për periudha që në total tejkalojnë 6 muaj brenda çdo periudhe 12-mujore.
• Ligji aktual për tatimin mbi të ardhurat nr. 8438, datë 28.12.1998, i amenduar (më poshtë referuar si ligji Aktual) nuk përcakton ndonjë limit kohor për qëllime të SP. Tatimpagues subjekt të TAK
• Draft Ligji përcakton si subjekt të TAK:
1. Çdo person të ndryshëm nga një person fizik;
2. Çdo entitet që ndërmerr ose është i aftë të ndërmarrë veprimtari biznesi në Shqipëri ose që gjeneron të ardhura nga burime në Shqipëri, përfshirë shoqëri kolektive, shoqëri komandite, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, shoqëria aksionare, shoqëri të thjeshta (bashkëpunimi) dhe çdo shoqatë ose bashkëpunim personash;
3. Çdo entitet i huaj, shoqatë ose bashkëpunim personash, të njëjta për nga natyra me një nga format e përmendura më lart dhe që është themeluar në përputhje më një ligj të huaj.
• Ligji Aktual përcakton si subjekte të TAK persona juridikë, ortakëri dhe çdo formë tjetër regjistrimi, nëse këta persona janë subjekt të TVSH-së në Shqipëri (përjashtuar këtu personat subjekt të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël). Të ardhura të përjashtuara
• Draft Ligji përcakton si të përjashtuara nga TAK të ardhurat nga dividendët dhe shpërndarjet e fitimit, nëse:
1. Tatimpaguesi marrës zotëron të paktën 10% të aksioneve ose të drejtave të votimit të entitetit shpërndarës, dhe
2. Ky minimum pjesëmarrjeje është mbajtur për një periudhë të pandërprerë prej së paku 24 muajsh. Në rast se nuk përmbushet ndonjëri prej dy kushteve, jepet një opsion për ti përjashtuar gjithsesi nga TAK të ardhurat nga shpërndarjet e fitimit, në qoftë se tatimpaguesi marrës i jep një garanci administratës Tatimore për shumën e tatimit që do të ishte pagueshme përndryshe dhe që mbulon periudhën deri kur minimumi i pjesëmarrjes të jetë mbajtur për 24 muaj rresht.
• Ligji Aktual i përjashton nga TAK të ardhurat nga dividendët dhe shpërndarjet e fitimit nëse entiteti shpërndarës është një tatimpagues i regjistruar për TAK në Shqipëri, pavarësisht përqindjes së pjesëmarrjes që përfituesi zotëron në atë entitet dhe periudhës përgjatë së cilës është mbajtur ajo pjesëmarrje.
Kapitalizimi i hollë
• Sipas Draft Ligjit, shpenzimet e interesit nuk lejohen si shpenzime të zbritshme nëse shpenzimi neto i interesit (d.m.th., pas zbritjes së të ardhurave nga interesi) tejkalon 30% të fitimit të tatueshëm përpara interesit dhe tatimit (d.m.th., të EBIT pas rregullimeve tatimore) sic përcaktohet në bazë të pasqyrave financiare.
• Ligji Aktual përcakton si të pazbritshme shpenzimet e interesit mbi pjesën e huasë që tejkalon 4-fishin e kapitalit neto (kapitalit të vet). Rezervat teknike/provizionet për institucionet financiare
• Sipas Draft Ligjit, do të lejohen si të zbritshme shumat për krijimin/rritjen dhe/ose pakësimin e:
• 1) Rezervave teknike të detyrueshme të krijuara në zbatim të Ligjit nr. 8081, date 7.03.1996 për veprimtarinë e sigurimit dhe të risigurimit; dhe
• 2) provizionevetë detyrueshme për bankat tregtare dhe institucionet e tjera financiare të krijuara sipas rregullave mbikëqyrëse të nxjerra nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim.
• Në bazë të Ligjit Aktual, rezervat teknike/provizionet e bankave njihen nëse përllogariten në përputhje me Standardet ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Raportimit Financiar (SNK/SNRF) dhe Çertifikohen pa vërejtje nga auditues të jashtëm. Ndërsa, për sa i përket institucioneve të tjera financiare, nuk ka aktualisht asnjë përcaktim të posaçëm.
Vlerësimi i shkëmbimit të aksioneve
• Draft Ligji jep mundësinë e zgjedhjes mes 2 alternativave rregullash të posaçme për vlerësimin e aksioneve të marra në lidhje me një inkorporim apo transferim të një dege/disa degëve të aktivitetit. Njëra prej alternativave konsiston në mundësinë e vlerësimit të tyre me vlerën e tregut, ose me Çmimin fillestar të blerjes së aksioneve të transferuara (në baze të një kërkese të përbashkët të drejtuar administratës Tatimore nga ana e palëve).
• Ligji Aktual nuk parashikon dispozita të ngjashme.
Transferimi i Çmimit
• Draft Ligji përfshin më shumë parashikime lidhur me Transferimin e Çmimit krahasuar me Ligjin Aktual. Megjithatë, këto parashikime shtesë janë të njëjta me ato që janë aktualisht të përfshira në udhëzimin nr. 16, datë 18.6.2014 mbi transferimin e Çmimit dhe udhëzimin nr. 9, datë 27.2.2015 mbi marrëveshjet e Çmimit në avancë. Dispozita kundër shmangies së taksave
• Draft Ligji përmban disa dispozita kundër shmangies së taksave të cilat e autorizojnë administratën Tatimore të mos marrë parasysh një marrëveshje (transaksion, kontratë, ngjarje, etj.) Në vlerësimin e fitimit të tatueshëm të tatimpaguesit, nëse asaj marrëveshjeje i mungon thelbi ekonomik dhe nëse ajo ndërmerret për qëllimin kryesor të marrjes së një përfitimi tatimor.
• Ligji Aktual nuk parashikon dispozita të ngjashme.
Kontratat afatgjata
• Draft Ligji përkufizon si kontrata afatgjata ato që lidhen për qëllime të prodhimit, instalimit, ndërtimit ose kryerjes së shërbimeve, që priten të zgjasin më shumë se 12 muaj. Ai lejon që të ardhurat nga kontratat afatgjata të njihen për qëllime të TAK në bazë të fazës së kompletimit që përcaktohet duke iu referuar:
1. Ose raportit kosto aktuale/kosto të përgjithshme të vlerësuara,
2. Ose vlerësimit të ekspertëve të fazës së përfundimit në fund të vitit.
• Ligji Aktual nuk parashikon dispozita të posaçme për kontratat afatgjata. Tatimi i fitimit kapital nga transferimi i aktiveve e pasiveve të biznesit
• Një nga alternativat e dhëna në Draft Ligj parashikon që fitimi kapital i realizuar nga transferimi i aktiveve dhe pasiveve të biznesit në lidhje me një inkorporim, transferim dege aktiviteti, bashkim apo ndarje, mund të mos tatohet menjëherë, por të shtyhet deri në shitjen e këtyre aktiveve e pasiveve nga shoqëria pritëse. Kjo shtyrje tatimore është e kushtëzuar nga një listë kriteresh për tu përmbushur.
• Ligji Aktual nuk parashikon dispozita të ngjashme.
Shpenzimet e pazbritshme
• Draft Ligji i shton/i ndryshon listës së shpenzimeve të pazbritshme krahasuar me Ligjin Aktual sa më poshtë:
• Shpenzime amortizimi sipas rregullave të kontabilitetit;
• Shpenzimet e kryera si konsum personal i aksionerëve, ortakëve, personave që ushtrojnë pushtet në menaxhimin e tatimpaguesit dhe familjeve të tyre;
• Shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit të faturuara nga jo-rezidentë nëse nuk paguhen nga tatimpaguesi brenda periudhes tatimore (në rast se këto shpenzime paguhen më vonë, ato janë të zbritshme në periudhën tatimor në të cilën janë paguar);
• Shpenzimet e lidhura me të ardhurat që nuk përfshihen në fitimin e tatueshëm;
Amortizimi
• Draft Ligji parashikon që në vitin e blerjes ose hyrjes në përdorim të një aktivi (cilado ndodh më vonë), zbritet amortizimi i një viti të plotë. Ndërsa në vitin e daljes, nuk zbritet amortizim.
• Në Ligjin Aktual, një aktiv amortizohet duke filluar nga data 1 e muajit që pason muajin e hyrjes së aktivit, e deri ne fund te muajit të daljes së tij.
• Draft Ligji parashikon këto metoda dhe përqindje amortizimi të lejuara për qëllime të TAK:
• Sipas Ligjit Aktual, kategoria e parë përfshin aktive me përdorim të parashikuar mbi 20 vjet (në vend të mbi 15) dhe norma përkatëse e amortizimit vjetor është 5% mbi vlerën kontabël neto (në vend të 3% mbi koston historike). Për kategorinë e tretë dhe të katërt, Ligji Aktual nuk e specifikon bazën e amortizimin si vlerëtë librit për qëllime tatimore.
Zbritjet e borxhit të keq
• Draft Ligji parashikon një shkallë progresive në njohjen e borxhit të keq si shpenzim i zbritshëm nëse tatimpaguesi ka ndërmarrë hapa të arsyeshme për të siguruar arkëtimin e tyre nga pala e palidhur.
• Ligji Aktual nuk parashikon ndonjë opsion të tillë.
Humbjet tatimore
• Sipas Draft Ligjit, humbjet tatimore mund të mbarten dhe të zbriten kundrejt fitimeve të tatueshme të 5 viteve pasardhëse, sipas parimit humbjet më të hershme përdoren të parat.
• Sipas Ligjit Aktual, humbjet mund të mbarten deri në 3 vjet dhe përdorimi i tyre ndjek të njëjtin parim.
• Draft Ligji specifikon se humbjet tatimore skadojnë në rast të një ndryshimi në pronësinë direkte ose indirekte të kapitalit apo të drejtave votuese të shoqërisë prej më shumë se 25% në vlerë ose në numër.
• Sipas Ligjit Aktual, ky rregull zbatohet për ndryshime mbi 50%. • Draft Ligji prezanton një mundësi të re për transferimin e humbjeve të mbartura nga shoqëria transferuese te shoqëria pritëse në rast të një inkorporimi, transferimi të një dege aktiviteti, një bashkimi apo ndarjeje.
Paradheniet e tatimit korporativ
• Sipas Draft Ligjit, paradhëniet e TAK paguhen brenda datës 20 të çdo muaji dhe llogariten si 1/12 e detyrimit TAK të vitit të mëparshëm (nëse ky ishte më i lartë se 30,000 lekë, ose 215 Euro).
• Nën Ligjin Aktual, paradhëniet paguhen mbi baza tremujore, por pagesat mujore janë gjithashtu të lejuara. Këstet mujore për 3 muajt e parë llogariten sa 1/12 e TAK të dy viteve më parë. Këstet e 9 muajve pasardhës janë të barabarta me 1/12 e TAK të vitit të mëparshëm.
• Tatimi i Mbajtur në burim
Agjenti i mbajtjes së tatimit në burim
• Sipas Draft Ligjit, Çdo tatimpagues i TAK dhe Çdo tatimpagues i TAP që përfton të ardhura biznesi, do të shërbejë si agjent i mbajtjes së tatimit në burim. Tatimi në burim do të paguhet deri në datën 20 të muajit që pason datën më të hershme mes:
1. Datës kur këto të ardhura janë paguar;
2. Datës kur agjenti i tatimit në burim ka kontabilizuar detyrimin përkatës. NË rastin e dividendëve, pavarësisht se kur ata paguhen, tatimi në burim duhet të paguhet brenda fundit të muajit të 3-të pas muajit në të cilin organi vendimmarrës i shoqërisë ka vendosur për shpërndarjen e fitimit.
• Sipas Ligjit Aktual, tatimi në burim paguhet brenda datës 20 të muajit që pason muajin e pagesës së detyrimit përkatës; ndërsa për dividendët, brenda 20 gushtit të vitit që pason vitin për të cilin është marrë vendimi për shpërndarje. TË ardhurat subjekt të tatimit në burim
• (NË ndryshim nga Ligjit Aktual), Draft Ligji i nënshtron tatimit në burim disa tipe të ardhurash që u paguhen tatimpaguesve rezidentë pavarësisht statusit të tyre, pra pavarësisht faktit nëse ata tatimgues janë subjekte të TAK apo jo.
• Një tatimpagues subjekt i TAK zbret në deklaratën vjetore të tij tatimin në burim të paguar për llogari të tij nga tatimpagues të tjerë përgjatë vitit.
• Ligji Aktual nuk e ka një rregull të tillë.
Tatimi mbi të Ardhurat Personale Rezidenca
• Sipas Draft Ligjit, një individ do të konsiderohet rezident për qëllime fiskale në Shqipëri në një vit tatimor të caktuar nëse ai/ajo është i/e pranishme në Shqipëri për një periudhë që tejkalon 182 ditë brenda çdo periudhë 12-mujore që përfundon në vitin tatimor në fjalë.
• Sipas Ligjit Aktual, një individ konsiderohet rezident në Shqipëri për qëllime fiskale nëse ai/ajo është i/e pranishme në Shqipëri për një periudhë që tejkalon 183 ditë në vitin tatimor në fjalë.
Të ardhurat e tatueshme
• Draft Ligji përcakton si të ardhura personale të tatueshme të ardhurat nga punësimi, të ardhurat nga biznesi, të ardhurat nga investimet dhe të ardhura të tjera, pavarësisht nëse paguhen në të holla ose në natyrë. Sipas tij, të ardhurat në natyrë maten me vlerën e tregut.
• Ligji Aktual nuk jep ndonjë specifikim të lidhur me tatimin dhe matjen e të ardhurave në natyrë
Të ardhurat nga punësimi
• Draft Ligji përmban një nen të plotë e të gjatë dedikuar të ardhurave nga punësimi. Ky nen parashikon llojet e shpërblimeve që do të konsiderohen si të ardhura nga punësimi, varësisht nga paguesi i tyre (punëdhënësi apo persona të tjerë), forma e tyre (në të holla ose në natyrë) dhe momenti i përftimit të tyre. Ka një përkufizim më të qartë të punëdhënësit dhe një dispozitë të re të lidhur me të ardhurat nga punësimi që i paguhen një të punësuari nëpërmjet një agjenti të fuqisë punëtore jo-rezident në Shqipëri.
Përdorimi i makinës së shoqërisë për qëllime private (pavarësisht numrit të ditëve të përdorimit përgjatë muajit) konsiderohet si e ardhur në natyrë dhe llogaritet në 1% të kostos së makinës për Çdo muaj përdorimi. Ka një listë më të qartë të të ardhurave që nuk do të jenë të ardhura nga punësimi të tatueshme si:
1. Vaktet e ngrënies, pajisjet e punës, trajtimi mjekësor dhe benefite të tjera që jepen në ambientet e punëdhënësit dhe që janë të disponueshme për të gjithë punonjësit në mënyrë të barabartë;
2. Rimbursimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit si dhe të dietave të udhëtimit;
3. Kontributet për jetën dhe të tjera përveç sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të bëra nga punëdhënësi deri në 5% të të ardhurave bruto nga punësimi të punonjësit; etj.
Të ardhurat dhe shpenzimet e biznesit
• Draft Ligji përcakton listën e të ardhurave që do të konsiderohen si të ardhura nga biznesi për individin e që përfshin: 1.
Të ardhurat nga biznesi i çarëdo lloji;
2. Të ardhura nga aktivitete të pavarura; si dhe
3. Të ardhura nga të drejtat e autorit, patenta, marka tregtare, pajisje dhe njohuri industriale, komerciale apo shkencore; etj.
• Nëse qarkullimi vjetor i tatimpaguesit nuk tejkalon 8 milionë lekë (57,100 Euro), ai ka të drejtë të zbresë shpenzimet në një shumë fikse nga të ardhurat e biznesit të tij (në vend që të pretendojë shpenzime të dokumentuara) në vlerën prej (a) 40% në rastin e aktiviteteve të biznesit të prodhimit, dhe (b) 15% në raste të tjera.
Të ardhurat nga investimet
• Draft Ligji përkufizon si të ardhura nga investimet të ardhurat nga dividendët, interesat, nga tjetërsimi i aksioneve dhe kuotave (jo pjesë të aktiveve të biznesit), tjetërsimi i pasurisë (jo pjesë e aktiveve të biznesit), etj. Ai cakton gjithashtu disa lloje të ardhurash që nuk do të jenë të ardhura të tatueshme nga investimet. Baza tatimore për TAP
• Në bazë të Draft Ligjit, baza tatimore për TAP përcaktohet si shumë e të ardhurave vjetore të punësimit, të biznesit, të investimeve dhe të ardhura të tjera, të pakësuara me lejime dhe zbritje të parashikuara.
• Tatimpaguesit rezidentë të të ardhurave personale kanë të drejtë të zbresin nga baza tatimore:
1. Një lejim personal prej 180,000 lekë (1,280 Euro),
2. Një zbritje për fëmijë në varësi prej 48,000 lekë (340 Euro), 3. Shpenzime për arsimin dhe ilaçet/kujdesin shëndetësor të fëmijëve në varësi, deri në njëfarë niveli, për tatimpaguesit me të ardhura total vjetore më pak se 2 milionë lekë (14,280 Euro). Një alternativë e mundshme ndaj tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për bizneset e vogla
• Draft Ligji propozon një alternativë ndaj tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për bizneset e vogla (nëse do të anullohet tatimi aktual prej 7.5% mbi fitimin e tatueshëm por jo më pak se 250,000 lekë/vit), sipas së cilës:
1. Tatimpaguesit me qarkullim vjetor të biznesit mbi 2 milionë lekë(14,280 Euro) por më pak se 8 milionë lekë (57,100 Euro), do ti lejohet të zbresë 30% të të ardhurave vjetore të tatueshme të biznesit;
2. Tatimpaguesit me qarkullim vjetor të biznesit nën 2 milionë lekë do ti lejohet të zbresë 50% të të ardhurave vjetore të tatueshme të biznesit.
Normat tatimore për TAP
• Draft Ligji cakton normën tatimore prej 15% si të zbatueshme mbi të ardhurat personale nga investimi. Shënim: Bazuar mbi komentet e konsulentëve të FMN që kanë asistuar në përgatitjen e këtij Drafti (shënime të lëna në versionin anglisht të Draftit), vlerat dhe normat e treguara janë thjesht ilustrative dhe nuk reflektojnë asnjë vendimmarrje nga ana e qeverisë për të ndryshuar normat e tatimit mbi të ardhurat personale.
• Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi do të mbahet mbi baza mujore nga punëdhënësi dhe do ti paguhet administratës Tatimore brenda datës 20 të muajit pasardhës. Punëdhënësi me të cilin individi ka nënshkruar deklaratën mbi Statusin Personal (para pagesës së parë të të ardhurave nga ai punëdhënës) do të llogarisë tatimin bazuar mbi tabelën progresive më lart. Të gjithë punëdhënësit e tjerë brenda të njëjtit muaj (nëse ka më shumë se një), do të llogarisin tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi me normën 15%. Punëdhënësi i parë gjithashtu zbret mbi baza mujore 1/12 e lejimit personal të individit prej 180,000 lekë (1,280 Euro) përpara se të llogarisë tatimin për të.
• Nën Ligjin Aktual, të gjitha të ardhurat personale me përjashtim të të ardhurave nga punësimi, tatohen me 15%. Të ardhurat nga punësimi tatohen mbi një baze tatimore mujore (jo vjetore) sipas normave progresive. Deklarata vjetore e të ardhurave personale
• Draft Ligji kërkon që tatimpaguesit e TAP të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave personale nëse gjatë vitit ata përfituan më shumë se: 1. 1,5 milionë lekë (10,710 Euro) të ardhura nga punësimi, dhe 2. 50,000 lekë (350 Euro) të ardhurash të tjera që nuk i nënshtrohen tatimit në burim.
• Sipas Ligjit Aktual, ky detyrim shtrihet mbi individët që përfitojnë më shumë se 2 milionë lekë (14,280 Euro) të ardhura (të të gjitha llojeve).
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.