Ndryshimi relativ i ekonomisë kërkon bashkëpunim

Ndryshimi relativ i ekonomisë kërkon bashkëpunim

Panorama globale në këto muajt e parë të vitit nga sa shikohet në treguesit ekonomikë dhe fiskalë të vendeve më të mëdha dhe të zhvilluara po shfaq në vijimësi dobësitë që mbarti viti i kaluar. Ngadalësimi relativ i ekonomisë së Kinës, çmimet më të ulëta të mallrave, si dhe perspektiva e shtrëngimit financiar për shumë vende po i dobësojnë shpresat për një rimarrje aty ku e lanë edhe për ekonomitë në zhvillim.

Në Shtetet e Bashkuara, rritja është e vogël dhe një ndikim në këtë mes ka dollari i fortë. Në eurozonë niveli i investimeve, papunësia e lartë dhe deficiti buxhetor po e mbajnë ritmin e rritje ende nën mundësitë reale të saj. Po kështu, në Japoni rritja dhe inflacioni janë më të dobëta nga sa ishin pritshmëritë.

Tregjet në zhvillim janë një grup shtetesh shumë të ndryshëm nga njeri tjetri, por historinë e zhvillimit të tyre ekonomik e kanë mjaft të ngjashme. Tranzicioni i Kinës drejt një modeli, i cili tenton të jetë më i qëndrueshëm ekonomikisht, ndërsa është mirë për të dhe botën nuk është lajm i mirë për tregun, pasi rritja ekonomike nuk pritet që të ketë normë të lartë edhe për këtë vit. Rëniet e ekonomisë në Brazil dhe Rusi janë më të mëdha se sa priteshin.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Lindjen e Mesme, ku vendet që janë hambari i lëndës djegëse botërore janë të goditur rëndë nga rënia e çmimit të naftës. I vetmi vend që është një rast suksesi dhe një histori e ndryshme nga sa paraqitet deri tani është India, e cila ka një rritje te qëndrueshme dhe rritje të të ardhurave për frymë.

Pas periudhës së mjegulluar në fillim të këtij viti, tendenca ekonomike është përmirësuar nga lehtësimet e mëtejshëm nga Banka Qendrore Europiane, por edhe nga një ndryshim i dukshëm i ritmit më të ngadaltë të rritjes së normës nga ana e rezervës Federale në SHBA, që duket nga një konfirmim relativ i çmimeve të naftës, dhe daljet më të pakta të kapitalit nga Kina. E gjithë sa u përshkrua në lidhje me panoramën ekonomike botërore tregon se ritmet e ecjes së saj në pothuajse gjithë vendet është e rrethuar nga rrisqe prezente.

Ajo pjesë e botës e cila përbëhet nga ekonomitë e mëdha dhe të zhvilluara rrethohet ende nga pasojat e pas krizës, që përkthehet në borxh publik në nivele të larta, inflacion që gati të prekë deflacionin, produktivitet i ulët dhe në disa raste edhe me simptoma të rritjes së nivelit të papunësisë.

Ndërsa, pjesa tjetër e botës që përfshin brenda sak vendet në zhvillim kanë një qarkim nga rrisqet më elastik, por ende mbizotërojnë çmimet e ulura të mallrave, borxhe të larta të kompanive, fluks hyrës të kapitaleve në nivele jo brenda pritshmërive si dhe ka raste që ka filluar të shfaqet në formën e fenomenit performanca e dobët e huave bankare.

Dhe si qershia mbi tortë është treguesi i thellimit të mëtejshëm të hendekut midis të pasurve dhe të varfërve. Rritja e vazhdueshme e pabarazisë, e tepruar në sasinë e saj prezantohet këtë vit me një raport që thotë se vetëm 62 persona në botë zotërojnë të njëjtën pasuri sa zotërojnë 3.6 miliardë personat më të varfër të botës. Edhe në qoftë se pabarazia në nivel global, mund të ketë ardhur në rënie, nuk është lajm që gëzon apo jep shpresë jo vetëm për gjysmën e botës, por edhe për të paktën çerekun tjetër të botës që jetojnë në nivele jetese bazike apo pak më lart se nevojat bazë.

Këto lajme janë duke i orientuar njerëzit të pyesin nëse janë më të dobishme për ta institucionet dhe normat ndërkombëtare. Përgjigja e pyetjes është te rritja e bashkëpunimit midis vendeve dhe forcimi i normave që kanë egzistuar me ne dhe midis nesh deri më sot bashkë me institucionet e ngarkuara për ti çuar përpara dhe për ti mbrojtur ato.

Por, a po bashkëpunojnë sa duhet dhe si nevojitet vendet me njëra tjetrën?

Nëse vendet do të bien dakort të ndërmarrin veprimet për ta tejkaluar status quo-në aktuale ky është një lajm i mirë që u paraqitet njerëzve. Me këtë lajm kuptohet se vendet do të punojnë së bashku të zhvillojnë politikat e duhura për shpërndarjen e paketës së duhur të ndryshimit duke u bazuar te parimi universal, se bashkimi bën fuqinë. Ndryshimi i pritshëm duhet të kalojë së pari nga reformimi strukturor në secilin vend duke kuptuar diferencat dhe duke punuar për të plotësuar boshllëqet me vendet fqinje. Angazhimi i tyre me një qëllim të përbashkët është baza për fuqizimin e tregjeve dhe ekonomive të vendeve të botës, pavarësisht nivelit të zhvillimit të tyre.

Parashikimi i prezantuar nga vendet e G20 (vendet më të zhvilluara të botës) për një ritëm rritje prodhimin botëror me 3.2 përqind  në 2019 dhe 3.5 përqind në 2020 është një sfidë e fortë që nuk und të realizohet pa bashkëpunim. Është koha që reformat ekonomike dhe strukturore të qëllojnë sa më mirë në shenjë, pasi secili vend mundet të bëjë dicka më mirë se më përpara. Disa vende mund të përmirësojnë kushtet e punës dhe rritjen e punësimit duke forcuar sistemin tatimor dhe duke rritur pagën minimale, por edhe tatimin ndaj të ardhurave të individit.

Një grup vendesh me karakteristika dhe struktura ekonomike dhe sociale të përafërta mund të forcojnë nivelin e edukimit dhe forcimit të kapaciteteve nëpërmjet forcimit të politikave të punësimit të avancuar dhe ndihmës për të rritur efektin e teknologjisë në ekonomi. Ndërsa, ato grupe vendesh që kanë varësi ndaj eksporteve të burimeve natyrore dhe veçorive te produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë një performancë më e mirë mund të arrihej nëpërmjet rritjes së prezencës së tyre në tregje me politika të rritjes së gamës së produkteve dhe shërbimeve.

Por, duke qenë se politika monetare dhe fiskale janë pjesë e aritmetikës së jetës nuk mund të arrihen pjesa më e madhe e ndryshimeve strukturore nëse nuk do të kenë ndihmën e tyre. Dhe meqë mendja shkon te politika fiskale, sfida për shumicën e vendeve është pikërisht te dizenjimi i politikave që janë miqësore me rritjen ekonomike. Si mund të bëhen më miqësorë sistemet fiskale që njohim dhe i provojmë përditë mbi buxhetet tona personale dhe familjare? Një fillim i mirë do të ishte duke filluar me rikompozimin e të ardhurave dhe shpenzimeve.

P.sh. Në Shqipëri ka filluar prej vitit 2015 të reduktohen shpenzimet për mbulimin e kostos së furnizimit të energjisë. Kjo politikë e re ka ndikuar në vendimmarrje të vlefshme për infrastrukturën në zonat turistike dhe rritjen e prezencës së shërbimeve publike që kanë një qasje më të pranueshme për zhvillimin social dhe infrastrukturor të zonave bregdetare. Investimet edhe pse në nivele të ulta, por të kryera me efikasitet janë një nxitje që ofron potenciale të mëdha për zhvillimin e atyre zonave. Një shembull tjetër, është forcimi i kujdesit shëndetësor dhe rritja e ndihmës për gruan të integrohet në sektorë të ekonomisë ku prezenca e saj ndikon direkt në rritjen e produktivitetit.

Në Gjermani është duke u zbatuar plani për zgjerimin e investimeve publike duke ofruar edhe lehtësira tatimore për të ardhurat nga puna. Rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike është një faktor kyç, i cili përforcohet nga konkluzione të Fondit Monetar për këtë argument. Investitorët publikë efikasë përfitojnë dyfish produktivitet për investimet e tyre nëse do të krahasohen me ata që nuk janë aq efikasë sa ata.

Nëse investimet në fushën e kërkimit dhe zhvillimit do të rritej në nivele mbi 50%, atëherë prodhimi i brendshëm do të rritej me jo më pak se 5% për dy dekadat e ardhme. Kjo rritje ekonomike do të krijonte hapësirën për rritje të shpenzimeve sociale duke krijuar edhe mundësinë për riformatimin e skemave fiskale, të cilat kanë efekte sipas ekonomisë ku ato janë modeluar për tu përdorur. Ndërsa akomodimi i ekonomisë në shtratin e ri të përgatitur nga reformat strukturore dhe fiskale, nuk duhet harruar pa u ftuar edhe reforma monetare, pasi edhe politika për sektorin monetar ka nevojë të gjejë një rrugëdalje tjetër për të bërë përshtatjen me rikuperimin ekonomik dhe social të vendit.

Në këtë politikë, vendin kryesor e mban adresimi i zgjidhjeve për huatë me probleme rikuperimi, të cilat nëse nuk kanë një zgjidhje dhe trajtim të kujdesshëm do të pengojnë efektin pozitiv të normave të ulëta të interesave në treg.

Mbi të gjitha, janë të nevojshme masat e koordinuara makroekonomike dhe strukturore të politikës në secilin vend (i madh apo i vogël, i zhvilluar apo në zhvillim) për të forcuar stimujt për të investuar dhe për të kapërcyer sfidat e dyfishta të kërkesës së dobët afatshkurtër dhe perspektivave të brishta të rritjes në terma afatmesëm.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: