Ndikimi i rritjes së investimeve nga konkurueshmëria dhe jo vetëm taksat
Vendet pritëse të IHD-ve në Ballkanin Perëndimor kanë aplikuar për mbi një dekadë norma të ulëta të tatimit mbi fitimin. Megjithatë, përsëri shihet se tërheqja e investimeve nuk ka patur prirje të ketë rritje të dukshme, madje edhe në shtetet kur kjo ulje ka qenë ndër më të ulëtat në Ballkan.
Kur analizojmë efektin e barrës fiskale sipas statistikave të investimeve neto në përqindje të prodhimit të brendshëm, vërehet se vendet me IHD më të lartë nuk kanë të njëjtën tendencë me barrën fiskale. Arsyeja e mospërkimit të barrës fiskale dhe investimeve të huaja është treguesi më i fortë i rolit që ka në radhë të parë klima për investime në një vend të caktuar.
Politika fiskale ka efekt për të nxitur investimet, por kjo ndodh pasi kushtet dhe rregullat për tregun perceptohen nga investitorët sipas indekseve për investim me situata pozitive dhe mbi nivelet mesatare të tyre. Nga ana tjetër, nevoja për sisteme të zhvilluara të tregjeve financiare, infrastrukturës rrugore dhe energjetike, kapaciteteve dhe aftësive të mangëta të tregut të punës bashkë me nivelin e korrupsionit kanë një tjetër efekt me ndikim në tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e tregut të brendshëm.
Pas reagimit nga indekset përfaqësuese të treguesve më lart, në përputhje me planifikimin për thithjen e investimeve të huaja vlen të hartohet politika fiskale që përshtat normat e taksimit të kapitalit dhe punës sipas nivelit të tregut dhe vizionit për kapitalin dhe tregun e ardhëm.
Perceptimi se vetëm normat e ulta të tatimeve mund të tërheqin IHD-të ka ndikuar jo pak politikëbërjen në Ballkanin Perëndimor në dekadën e fundit. Në teori, nëse një vend aplikon norma të ulta të tatimit mbi fitimin dhe përgjithësisht mbi kapitalin bëhet më tërheqës për tu zhvendosur fitimet e kompanive investitore, pasi ndikon mbi dividentin që mbetet si fitim pas tatimit.
Shqipëria dhe Kosova janë të krahasueshme në politikat e tyre me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Por, problematikat e korrupsionit dhe kapaciteteve jo të përshtatshme administrative, mungesa e transparencës, si dhe mekanizmat që përdoren në sisteme me tatime të ulta me dobësitë që mbartin i bëjnë këto dy shtete ende larg investimeve cilësore dhe afatgjata.
Gjithsesi, nga kryqëzimi i treguesve të investimeve, me normat tatimore mbetet e paqartë nëse duhet ulur realisht një normë tatimore me qëllimin për të tërhequr vëmendjen e investitorëve, pasi treguesit e barrës fiskale në këto dy shtete tregon se janë shumë më poshtë se vendet e tjera fqinje me to.
Nga historiku i konkurencës midis shteteve të Ballkanit Perëndimor për norma tatimore sa më të ulta faktet e investimeve të realizuara në vite tregojnë, se nuk është e qartë nëse reduktimi i barrës së tatimit mbi fitimin është në gjendje si instrument i vetëm që të tërheqë investitorë të mëdhenj, por edhe ata të mesëm.
Por, ajo që mbetet e pa adresuar deri në zgjidhje janë pengesat kryesore strukturore të konkurrencës, që përfshijnë një mjedis relativisht të dobët të të bërit biznes , tregje jokonkurruese dhe të ngurta për industritë që kanë ndërlidhje me tregjet e tjera, mjedis rregullator i vështirë dhe i paparashikueshëm, qasje e dobët në tregun financiar, stok i lartë të IHD-ve në sektorët jo eksportues, si dhe një sektor i madh joformal.
Konkurenca e normave tatimore për IHD është një realitet në mjedisin e sotëm global, si dhe atë ballkanik. Është e vërtetë, që investitorët në mënyrë rutinore krahasojnë barrën e taksave direkte në vende të ndryshme, ashtu siç bëjnë hartuesit e politikave në mënyrë tipike për vende që janë të ngjashme në lidhje me vendndodhjen dhe madhësinë e tregut.
Një pikëpamje gjerësisht e përhapur është se taksat kanë gjasa të kenë më shumë rëndësi në zgjedhjen e një vendi pritës investimesh, nëse barrierat jo-tatimore hiqen dhe nëse ekonomitë kombëtare konvergojnë me kërkesat për rimarrjen e investimit në formën dhe mënyrën më konkurruese midis vendeve. Ndërsa tatimi mbi fitimin njihet si një faktor i rëndësishëm në vendimet për të investuar, në fakt praktika tregon se nuk është përcaktuesi kryesor.
Në Indeksin e Konkurueshmerise 2019 shikohet se pikët më të ulta (tregojnë pozicion më të avancuar) në krahasim me mesataren e BP-së e mbajnë Serbia me 9 kolona, Mali i Zi me 8 kolona, Shqipëria me 6 kolona, Maqedonia e Veriut me 5 kolona dhe Bosnjë-Hercegovina me 2 kolona.
Dimensionet e ekonomisë kanë rëndësi për të parë edhe peshën që mban politika fiskale në raport me maturimin e saj në zbatim, pasi sa më e madhe ekonomia, aq më ngadalë është ecuria e një reforme/politike fiskale. Nga ana tjetër, dimensionet e një ekonomie kanë lidhje direkte me bazën e taksimit duke përcaktuar edhe trendin e zgjerimit të saj. Në rastin e një ekonomie të vogël ky zgjerim është më i vështirë të ndodhë, për arsye të konfliktit që ka baza e taksimit me politikën e diferencuar të taksimit sipas segmenteve.
IHD janë orientuar nga sa duket në vendet që kanë ofruar qasje në tregje dhe mundësi fitimi; një kornizë ligjore dhe rregullatore të parashikueshme dhe jo diskriminuese; stabilitet makroekonomik; tregje pune të aftë dhe të përgjegjshëm; infrastrukturë të mirëzhvilluar dhe inovacion; sistem financiar të zhvilluar dhe ndërlidhur me rrjetin botëror, meritokracia dhe kultura e sipërmarrjes dhe një nivel i avancuar i qeverisjes korporatave dhe investime në rritje të kërkim – zhvillimit.
Vendet e Ballkanit pjesë e BE-së edhe pse kanë një barrë më të lartë të tatimit mbi fitimin, fakti që janë pjesë e një tregu me rregulla të tjera, por edhe nisur nga garancia e një infrastrukture të zhvilluar, shërbime publike dhe ambjent mikpritës dhe tërheqës për biznesin, kosto transporti të arsyeshme, duke përfshirë edhe madhësinë e tregut, atëherë është e kotë të kërkohet të konkurrohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm me norma tatimore të ulëta, pa mos ofruar edhe avantazhe të ngjashme si ato të vendeve ballkanike anëtare të BE-së.
Një barrë fiskale e ulët nuk mund të kompensojë një mjedis përgjithësisht të dobët ose jo tërheqës për IHD-të. Gjithashtu, ndërkohë që vëmendja shpesh përqendrohet në tatimin mbi të ardhurat e korporatave, rëndësia e taksave të tjera duhet të njihet.
Disa biznese zbulojnë se ato mund të zvogëlojnë ngarkesat e taksave duke ndryshuar nga një formë regjistrimi biznesi në një tjetër. Kjo zgjedhje eliminon taksat e të ardhurave të korporatave të paguara në nivelin e biznesit të mesëm e të madh. Ndërkohë, qeveritë shpesh ndryshojnë ligjet fiskale për të adresuar këtë shmangie apo edhe evazion me synimin për të mos patur erozion të bazës tatimore dhe të ardhurave fiskale. Në fakt, problemi më i madh për të ardhurat dhe deformimin e barazisë para ligjit është më shumë i lidhur me mangësitë në luftën ndaj evazionit tatimor dhe informalitetit.
Kjo hapësirë fiskale gri krijon premisa që bizneset të mund të fshehin statusin e tyre real të biznesit duke kryer transaksione të padeklaruara me deklarimin dhe pozicionimin në këtë kategori. Në këto kushte dhe ambjent fiskal do të ishte politikë e nxituar të bëheshin modifikime për të sistemuar dhe adresuar atë problem me instrumenta politikë, që në fakt duhet të adresohen nga administrata fiskale dhe jo politika.
Një faktor tjetër është se sa miqësore është me biznesin administrata tatimore dhe doganore, qendore dhe lokale. Nga anketimet dhe raportet e shumta të organizatave ne mbrojtje të të drejtave të biznesit shihet si një konkluzion i përbashkët, se në ato vende të rajonit ku investitorët gjejnë sigurinë, parashikueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe afatet kohore në zbatimin e rregullave tatimore, si dhe një normë efektive tatimore, atëherë ai mjedis konsiderohet si miqësor me biznesin.
Qeveritë ballkanike duhet të përpiqen të përmirësojnë vullnetarizmin e biznesit për pagimin e detyrimeve të tyre ndaj buxhetit, duke përmirësuar transparencën dhe sigurinë për një trajtim korrekt tatimor. Duke parë vetëm përpara, kufijtë e konkurrencës tatimore mund të testohen më tej, me ulje të mëtejshme të barrës së tatimeve korporative për investimet e huaja, por edhe duke mos rënë pré e modës së uljes së taksave, kur shihen nga hartuesit e politikave si të panevojshme për të tërhequr investime, për shkak të cilësive të papërmbushura për tërheqje investimesh nga vendi pritës dhe mungesës së një kuptimi të kontekstit lokal për investime të suksesshme të huaja.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.