Marrëveshjet për sigurimet shoqërore me vendet e ndryshme dhe firot nga puna joformale
Sigurimet shoqërore janë të lidhura kryesisht me legjislacionin kombëtar. Në skemat e sigurimeve shoqërore, shuma e përfitimeve, kushtet e dhënies dhe kohëzgjatja e derdhjeve përcaktohen nga legjislacioni kombëtar. Këto skema administrohen nga agjensi kombëtare mbi bazën e rregullave dhe normave kombëtare.
Fusha e zbatimit e skemave të sigurimeve shoqërore është kështu tradicionalisht e kufizuar brenda një shteti të veçantë, madje edhe të një rajoni të caktuar të një shteti. Ky aspekt territorialisht i kufizuar mund të shprehet nëpërmjet rregullash kombëtare që bëjnë shprehimisht të ditur se vetëm shtetasit e një vendi do kenë të drejta për përfitime apo që këto përfitime u derdhen vetëm atyre që banojnë brenda kufijve të një shteti.
Karakteri territorial i sigurimeve shoqërore shpjegon se skemat kombëtare apo rajonale të sigurimeve shoqërore janë zhvilluar secili në mënyrën e vet.
Këto skema pasqyrojnë në vetvete trashëgiminë ekonomike, politike, sociale, gjeografike dhe kulturore të çdo vendi. Pavarësisht nga fakti që një shtet i caktuar mund të ndikojë me shembullin e tij tek një tjetër, nuk mund të thuhet se gjenden dy shtete që të kenë një skemë të vetme sigurimi shoqëror tërësisht të ngjashëm.
Administrimi i migrimit të ligjshëm, ashtu sikurse edhe i atij të parregullt është bërë, si asnjëherë tjetër, një sfidë e madhe politike. Në përpjekje për të realizuar të drejtat e tyre për mbrojtje sociale, migruesit hasin pengesa të shumta. Pikërisht për këtë arsye, përherë e më shumë po bëhet e rëndësishme të përmirësohet koordinimi i sistemeve të sigurimeve shoqërore midis vendeve pritëse dhe vendeve të origjinës. Instrumentet e koordinimit të Këshillit të Evropës synojnë të mënjanojnë disa dobësi të migrimit, kur është fjala konkretisht për pagesa afatgjata, sikurse janë për shembull pensionet e pleqërisë.
Konventat e Këshillit të Evropës lidhur me koordinimin e sistemeve kombëtare të sigurimeve shoqërore bazohen mbi të Drejtat Sociale Themelore dhe ka azhornuar në dekadën e fundit edhe dy Rregullore të përkohshme evropiane.
E para ka të bëjë me skemat e sigurimeve shoqërore lidhur me pleqërinë, invaliditetin dhe të mbijetuarit, tjetra që ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurimet shoqërore, (por pa skemat lidhur me pleqërinë, invaliditetin dhe të mbijetuarit),
E dyta është Konventa evropiane e asistencës sociale e mjekësore dhe Konventa evropiane e sigurimeve shoqërore (si dhe Protokollet e saj).
Komitetet e ekspertëve për koordinimin në fushën e sigurimeve shoqërore kanë për detyrë të zhvillojnë pikërisht koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore duke u mbështetur në këto konventa.
Pikërisht ky kontekst politik dhe ekonomik i ka nxitur prej kohësh qeveritë shqiptare kryesisht në 15 vjetshin e fundit për të diskutuar në nivel teknik per zbatimin e konventave dhe me tej per te shprehur vullnetet politike nëpërmjet nënshkrimit mes qeverive dhe ratifikimit prej parlamenteve.
Formalizimi i marrëveshjeve midis Shqipërisë dhe vendeve te tjera mundëson koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore në përputhje me standardet e legjislacionit evropian, duke mundësuar gjithashtu përfitimet e papunësisë, pagesat e barrë lindjes, përfitime në para në rastin e aksidenteve në punë, etj.
Në bazë të secilës marrëveshje me vendin ku ka qytetarë shqiptarë (emigrantë të rinj dhe rezidentë të vjetër), të cilët janë të regjistruar dhe të njohur prej sistemeve të sigurimeve të vendeve ku kanë emigruar do të mund të përfitojnë nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet.
Pra, lehtësohen akoma më tej procedurat, njeh periudhat e sigurimit të tyre, me qëllim që qytetarët nga të dy vendet të mund të përfitojnë.
Ato bazohen në disa parime bazë si trajtimi i barabartë, ruajtja e të drejtave të arritura, bashkimi i periudhave të sigurimit, si dhe ofrimi i përfitimeve, brenda dhe jashtë shtetit të origjinës.
Shqipëria zbaton marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me Turqinë, Hungarinë, Çekinë, Kanadanë, Gjermaninë, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun, Kosovën, Austrinë dhe Belgjikën.
Më 1 tetor 2023, ka hyrë në fuqi marrëveshja me Zvicrën.
Janë në proces ratifikimi nga palët e huaja marrëveshja me Rumaninë, Bullgarinë, Malin e Zi dhe Kroacinë.
Ndërkohë marrëveshjet me Greqinë dhe Italinë kane përparuar ne drejtim te mbylljes se diskutimeve teknike nga drejtuesit e sigurimeve shoqërore të shteteve për t’i hapur rrugë nënshkrimit prej qeverive, ndoshta edhe brenda vitit 2023.
Janë në proces diskutimesh në grupe teknike në faza të ndryshme draft marrëveshjet me SH.B.A, Danimarkë, Holandë, Poloni, Serbi, Spanjë, Mbretëria e Bashkuar, Moldavi, Slloveni, Australi, Francë, Suedi, Norvegji, Finlandë, Islandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Keto marrëveshje, shprehin një vullnet politik drejt njohjes së viteve të punës së emigrantëve shqiptarë në Greqi, si një prej komuniteteve më të mëdha të diasporës shqiptare.
Falë marrëveshjeve për mbrojtjen shoqërore, te cila do të nisin të zbatohen pas nënshkrimit midis qeverive dhe me tej pas ratifikimit nga parlamentet e vendeve nënshkruese, qytetarët nuk do të humbasin kontributet e paguara, pavarësisht se ku kanë punuar.
Marrëveshjet bashkojnë të gjithë periudhat e punës, pavarësisht se ku kanë punuar individët dhe i konsiderojnë si të ishin kryer në Shqipëri.
Përfitues deri me tani jane disa dhjetëra mije qytetare shqiptare, por edhe te huaj. Ndërkohë që nga marrëveshjet me Greqinë dhe Italinë pritshmëria është te përfitojnë respektivisht 700 mije qytetare shqiptare, rezidente ne Greqi dhe deri 500 mije qytetare shqiptare, rezidente ne Itali. Ky numër përfituesish është i lidhur me numrin e qytetareve qe kane punuar dhe paguar sigurime ne shtetet fqinje dhe nuk korrespondon me numrin real te emigranteve shqiptare ne keto vende.
Marrëveshjet për sigurimet shoqërore natyrisht që do të nxitin forcimin e sigurimeve shoqërore për të luftuar informalitetin, pasi ky instrument i kombinimit të vjetërsisë në punë i shërben direkt punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre.
Por, marrëveshjet nuk janë një formulë çudibërës, nëse Shqipëria nuk arrin të adresojë të gjitha aspektet e çështjes komplekse të rritjes së kontribuesve për garantimin e mbrojtjes sociale të punëtorëve vendas. Në thelb, marrëveshjet në përgjithësi ndihmojnë vetëm punëtorët migrantë të rregullt në sektorin formal dhe kjo duhet sqaruar në vijimi dhe propaganda e qeverisë në këtë drejtim duhet të punojë fort.
Përtej meritave se kush qeveri e firmosi marrëveshjen aktuale dhe kush do ti firmosë 18 marrëveshje të ardhme, kërkohen një sërë përgjigjesh të ndryshme dhe marrëveshjet e sigurimeve shoqërore janë një pjesë e një pakete më të madhe mjetesh.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.