Kontrata e re sociale – masterplani i ndërtimit të urës së besimit
Në të gjithë vendet europiane, qeveritë po ndërmarrin veprime për të mbrojtur qytetarët e tyre nga kriza e kostos së jetesës që tashmë ka shtyrë shumë njerëz në dëshpërim dhe varfëri. Kriza pandemike, ndikimi i konkurueshmërisë nga vendet e rajonit duke mos lënë hapësira për diversifikim të tregut të eksportit është i ndërthurur me plagët ekonomike prej pandemisë.
Sfida e jashtëzakonshme e pandemisë çoi në veprime të jashtëzakonshme që ndihmuan në çlirimin e inflacionit të sotëm, si: stimulime të pastudiuara të qeverisë në ndihmat e saj të disa aktiviteteve ekonomike dhe grupeve sociale, modele përkohësisht të shtrembëruara të kërkesës së konsumatorit dhe ngatërresa të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga bllokimi.
Në një ndryshim të madh nga kriza financiare e vendeve të zhvilluara në vitet 2010, ku Shqipëria arriti ta anashkalojë për shkak të lejimit të më shumë parave të pista/printuara në ekonomi, si dhe përdorimit të fondeve të buxhetit të shtetit në infrastrukturë, mbi një dekadë më vonë një rritje strukturore në shpenzimet dhe investimet e qeverisë është duke u zhvilluar.
Problemi më i madh që ka trokitur fort te dera e buxhetit të vendit janë qytetarët e moshuar, të cilët do të kenë nevojë për më shumë kujdes shëndetësor dhe fonde me shumicë për përballimin e skemave sociale të cilat duket sikur nuk janë më të mundura të përmbushen me skemat aktuale të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Shqipëria do të shpenzojë më shumë për mbrojtjen për t’iu kundërvënë kërcënimeve nga vendet që janë pozicionuar kundër saj dhe NATO-s.
Ndryshimet e tregut të energjisë (energjia elektrike dhe karburantet) do të nxisin investimet publike në energji, nga infrastruktura e rinovueshme deri te terminalet e gazit.
Ndërkohë, shpenzimet e kontraktuara për tu kryer edhe për të paktën 15 vite të ardhme në infrastrukturën shumëdrejtimëshe po e detyrojnë qeverinë të shpenzojë më shumë për politikën që duket se i ngjan shprehjes “i ka hyrë detit më këmbë”.
Megjithatë, edhe pse investimet po rriten, moshimi i popullsisë do të rëndojë gjithnjë e më shumë mbi ekonominë.
Po si mendohet se mund ti dilet matanë kësaj situate?
Qeveria duhet të veprojë tani për të rritur shërbimet publike bazë dhe qëndrueshmërinë, në fusha të tilla si kujdesi shëndetësor, arsimi, vijimësia e infrastrukturës fizike dhe rrjetet e sigurisë sociale. Këto investime shtesë duhet të përfshihen në strategjitë e reja sektoriale, si pjesë e Kuadrit Makroekonomik Fiskal dhe të zbardhen në programet buxhetore afatmesme.
Por tashmë, për shkak të pakënaqësive në rritje dhe mundësive për rritje të protestave ekonomike nevojitet që të ringrihet besimi i publikut. Për të arritur kohezionin social është thelbësore që qeveria të ofrojë dhe plotësojë kërkesën për shërbime publike bazë dhe politika më gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë, politika e mëtejshme e taksave të ulta dhe mbajtja e buxhetit peng të politikave fiskale të pastudiuara mirë dhe për nevoja afatshkurtra të mbushjes së thesarit do të ishin minuese të besimit të qytetarëve. Qytetarët-votues mund të jenë të gatshëm të paguajnë taksa si po bëjnë një pjesë e tyre, por në këmbim të një angazhimi të përgjegjshëm ndaj evazionit dhe në këmbim të atyre kategorive të shërbimeve publike që jepen me mjaft mangësi edhe sot.
Gjithnjë e më shumë, punëtorët përballen me rrezikun kur bëhet fjalë për të ardhurat e tyre, sa orë punojnë dhe si e përballojnë jetesën. Bilanci është anuar shumë në drejtim të fleksibilitetit për punëdhënësit në kurriz të sigurisë për punëtorët.
Kjo shoqëri në të cilën jetojmë ka nevojë të vendosë një nivel mbi të ardhurat nën të cilat askush nuk mund të bjerë. Kjo mund të arrihet përmes programeve të transferimit të parave direkte në fillimet e veta, për aq kohë sa buxheti i shtetit të fitojë fleksibilitetin që i mungon.
Së paku, qeverisja aktuale ja ka borxh qytetarëve përmbushjen e premtimit dhe programit politik për një paketë të kujdesit shëndetësor bazë dhe pensione të rritura (jo vetëm indeksim) për të parandaluar varfërinë e pensionistëve të vijojë edhe më tej.
Kjo do të thotë formalizimi i më shumë punonjësve në sektorin formal, që do të thotë detyrimi i punëdhënësve që të paguajnë paga më të larta për punëtorët duke zbatuar legjislacionin e punës një për një dhe duke inkurajuar dialogun kombëtar për rinovimin e kontratave të punës. Nga ana tjetër, tregu i punës duhet të zgjerohet për të përmbushur të gjitha nevojat dhe aspiratat me aftësi të reja të fuqisë së re të punës. Edukimi profesional dhe vlera e shtuar e punës do të parandalonte edhe emigracionin e ardhshëm në tregje pune më të mira, më të paguara, fleksibël dhe të sigurtë.
Shumë rreziqe në shoqërinë tonë përballohen nga individët, kur në fakt ato duhet të menaxhohen në mënyrë më efikase nga të tjerët ose kolektivisht. Rreziqet e goditjeve ekonomike duhet të ndahen nga punëdhënësit, buxheti dhe tregu privat në tërësi dhe jo të vendosen vetëm mbi individët.
Ky është diskutimi thelbësor rreth mënyrës sesi sistemi aktual mund të financojë vlerën e shtuar për pensionistët e ardhshëm. Siguria financiare për pleqërinë mund të financohet nëpërmjet përdorimit efikas të legjislacionit të shtyllës së dytë dhe të tretë të fondeve private të pensioneve dhe jo duke e lidhur atë me punësimin siç po ndodh aktualisht.
Është koha për të folur gjerësisht për kontratën e re shoqërore, e cila duhet të përfshijë në debatin e saj gjithçka që përmendet më lart dhe më poshtë.
Një kontratë e re sociale nuk ka të bëjë me taksa më të larta apo një shtet më të madh social. Modeli i ri duhet të riformatohet në rrugën e përfitimeve dhe ofrimit të skemave të garancive sociale, si mundësi dhe siguri që fondet aktuale të rishpërndahen në shoqërinë e ardhshme. Kjo do të rriste produktivitetin dhe do të ndante në mënyrë më efikase rreziqet rreth kujdesit ndaj fëmijëve, shëndetit, punës dhe pleqërisë që na shkaktojnë të gjithëve kaq shumë ankth.
Politika fiskale tani duhet të synojë të taksojë më shumë gjërat që na dëmtojnë më shumë, ose gjërat që duam më pak, si: ndotja dhe mbetjet në mjedis, alkooli dhe duhani, dhe të subvencionojë gjërat që duam më shumë, si: arsimi dhe kërkimi, një ekonomi më e larmishme, e orientuar drejt produktivitetit dhe e bazuar në teknologji dhe aftësi intelektuale.
Edhe aty ku pikënisja është besimi i ulët në qeveri, rialokimi i shpenzimeve për shërbimet që qytetarët vlerësojnë, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, mund të ndihmojë në ndërtimin e besimit.
E gjithë kjo qasje e modifikuar e vullnetit qeverisës duhet të synojë forcimin e llogaridhënies. Kjo do të thotë, që qysh nga momenti aktual i formulimit të projekt-buxhetit 2023 dhe politikës fiskale bashkëlidhur tij, por edhe në zbatimin e buxhetit 2022 për muajt e mbetur duhet që të komunikohet me publikun përmes standarteve të raportimit bazuar te auditimi fiskal, i cili flet me gjuhën e fakteve financiare dhe analizon përputhshmërinë e zbatimit të ligjit me veprimet e institucioneve.
Nëse kryhet ky akt mjaft i lartë qeverisës, ai na jep mesazhin e ndërtimit të urës së besimit dhe mund t’i sigurojë qytetarët se ata po marrin vlerën reale të shërbimeve dhe investimeve për taksat që paguajnë. Besueshmëria dhe efektiviteti i qeverisë me një përdorim të drejtë dhe transparent të burimeve publike është thelbësor tani, më shumë se kurrë më parë.
Kjo qasje aktuale ku qeveria bën sikur na dëgjon dhe vazhdon të jetë problematike me llogaridhënien, si dhe bën sikur zbaton ato që duan qytetarët duke na treguar se kriza do të na kishte “shkrumbuar” sikur qeveria të mos ishte kujtuar për Bordet dhe “ngrirjen” e çmimit të energjisë për familjarët janë pika fillestare e autokorigjimit dhe ndreqjes së gabimeve.
Nëse nuk fillon një qasje autokritike të fortë, atëherë ato që po bëhen prej shumë kohësh tani nuk mund të quhen më tej gabime në qeverisje, por vullnet i korruptuar dhe i kapur nga interesat personale politike dhe përfitimet e momentit.
Nëse i jepet të gjithëve mundësia për të përdorur talentin e tyre, kjo realisht do të vlente më shumë në ekonominë shqiptare, por do të reduktonte edhe nevojën për politika të pafrytshme të rishpërndarjes në vitet dhe dekadat që vijnë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.