Kalvari i ligjit të investimeve strategjike dhe efekti në ekonomi

Kalvari i ligjit të investimeve strategjike dhe efekti në ekonomi

Në vitin 2015, qeveria “Rama 1”, miratoi me shumicë edhe në bashkëpunim me aleatët e saj politikë ligjin “Për investimet strategjike”.

Në relacionin e miratimit të ligjit, fokusi vihej pikërisht në faktin se Qeveria po synonte të tërhiqte në Shqipëri investitorë të huaj, të cilët do të gjenin lehtësi për të shpenzuar para në sektorë të rëndësishëm, në energji, infrastrukturë, miniera, bujqësi, peshkim, turizëm e të tjerë[1].

Tetë vite pas miratimit të këtij ligji, “investitorët strategjikë” janë orientuar kryesisht për turizmin në zonën jugore të vendit dhe pakicë e tyre në zona të tjera jobregdetare, në bujqësi. Shumica e tyre janë biznesmenë vendas, të njohur për afërsinë me qeveritë e dekadës së fundit, por edhe një pjesë e madhe janë përfituesit kryesorë të fondeve publike për infrastrukturën e transportit dhe infrastruktura të lidhura me programin e tre qeverive të drejtuara nga Edi Rama[2], por edhe biznese që e kanë pronarin përfitues me origjinë nga zonat e parajsave fiskale apo ndryshe “offshore”.

Kjo hartë e pronarëve përfituesë që janë direkt të lidhur me përfitimet që jep pa konkurencë dhe me lehtësi jashtë kornizave të barazisë fiskale shihet se ka problem të madh me transparencën, e cila është një nga kolonat më të fuqishme që duhet të mbajë në funksion të interesit publik.

Sipas të dhënave të prezantuara së fundmi në relacionin[3] për ndryshimin e ligjit, përmendet se nga viti 2016 e deri tani jane trajtuar 88 projekte investimi, prej te cilave:

– 40 kane përfituar status strategjik

– 14 projekte jane refuzuar

– 34 projekte jane ne faze vlerësimi

Pjesa me e madhe eke tyre projekteve jane ne sektorin e turizmit ose turizëm i integruar.

Sipas të dhënave më të fundit nga AIDA[4], vlera e investimeve është 4.4 miliard Euro duke rritur me 77% të ardhurat e turizmit dhe një shtesë punonjësish prej 25.040 individë. Por, treguesit e AIDA nuk sqarojnë realisht nëse kjo është vlera e llogaritur e investimeve apo vlera faktike e tyre.
Ndërkohë, pyetja jonë ende pa përgjigje është sa vjen nga ndikimi direkt vetëm nga investitorët strategjikë dhe për aktivitetet e lidhura me investimin e lejuar dhe jo gjithë aktivitetin e shoqërive “strategjike” që kryesisht operojnë në infrastrukturë?

Nga përcaktimet e ligjit, shihet se ai i ka dhënë statusin e investitorit strategjik në turizëm çdo projekti që ka investuar më shumë se 5 milionë euro dhe ka punësuar 80 punëtorë.

Nisur nga të dhënat e relacionit të ligjit në fund janar 2024, një llogaritje paraprake prezanton treguesin mesatar të 110 milionë Euro për investim dhe 625 punonjësve për investim. Për 7 vitet e fundit duket se investimi mesatar vjetor është deri 630 milionë euro në vit dhe një prurje në treg të mbi 3.570 punonjësish të rinj për çdo vit.

Por, nëse nisemi nga analiza sektoriale te Bankës Botërore te efektit qe kane investimet ne krijimin e vendeve te reja te punës rezulton se per çdo 10 milion Euro investime ne turizëm krijohen deri 130 vende pune direkte dhe 60 indirekte. Nëse këtë llogaritje e përqasim me Shqipërinë, atëherë sikur realisht të jenë investuar 4.4 miliard Euro investime deri me sot, prej tyre ekonomia do te përfitonte te paktën 57 mijë vende pune të reja direkt nga investimet dhe 36 mijë vende pune indirekt nga sektorë që lidhen me turizmin (bujqësi, transport, kulturë etj.) Normalisht ky test duhet te jetë i pari për të pranuar investitorë strategjike në favor të interesit të përgjithshëm.

Ndërkohë, efekti në të ardhurat tatimore është ende i padeshifrueshëm, pasi mungon totalisht analiza nga MFE lidhur me efektivitetin fiskal prek investimeve të lehtësuara nga taksat dhe ndikimi që ka dhënë në taksa shtesë. Nga llogaritjet tona ai nuk është më shumë se 100 milionë lekë në vit, ndërsa lehtësitë janë në të njëjtën masë përfituese sa kontributet fiskale të shoqërive investitore.

Po çfarë kushtëzohet nga investitorët që kanë kaluar filtrat e ligjit për investimet strategjike?

Kufiri minimal i garancive financiare të kërkuara për investitorët është në masën jo më pak se 10 % të vlerës totale të investimit[5].

Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), në varësi të karakteristikave, përmasave dhe kompleksitetit të projektit, eksperiencës dhe kapaciteteve të investitorit si dhe në varësi të interesit publik, në fakt duhet të kërkonte nivele më të larta të përqindjes së kapaciteteve financiare të kërkuara, deri në 20 % të vlerës totale të investimit, pasi lehtësirat që ju jep direkt dhe indirekt i mundëson aplikantëve për investitorë mundësi të mëdha zhvillimi dhe jashtë çdo gare konkurence.

Në lidhje me këtë kusht mjaft të rëndësishëm për publikun dhe për gjithë interesin publik ka një mungesë totale të transparencës, pasi nuk gjejmë dot asnjë raport të institucioneve (AIDA, MF) etj. që të konfirmojë se kushtet financiare janë provuar. Kjo qasje është e detyrueshme në rrethanat kur raportet e KLSH për investimet strategjike kanë ngritur shqetësime që mund të konsiderohen si “flamur i kuq” për rrisqet që paraqesin, por edhe për arsye se vetë pasqyrat financiare të shoqërive shqiptare janë ende nën presionin e ekonomisë informale dhe parasë informale, e cila herë pas here duket edhe nga kontrolle të institucioneve.

Nga ana tjetër, mungon në tërësi për secilin nga investitorët që kanë aplikuar të investojnë në sektorë strategjikë raporti i fizibilitetit, që është dokumenti që na tregon se sa para dhe burime do të kërkojë ky biznes apo projekt për të qenë i suksesshëm. Duke kuptuar kostot dhe burimet e nevojshme për të ekzekutuar këto projekte, natyrisht që mbeten pak hapësira për dështime dhe justifikime duke i shërbyer një vendimi më të pjekur në emër të qytetarëve dhe duke ja u bërë të qartë atyre se ja vlen apo jo për ta dhënia e shumë favoreve që jepen nga pasuria kombëtare e trashëguar dhe disa miliarda lekë të tjera që ndjekin destinacionet nëpërmjet burimeve të buxhetit.

Gjithsesi, sipas vendimeve të miratuara nga KIS, i drejtuar nga kryeministri Rama, qeveria u ka ofruar investitorëve mbi 5.8 km² tokë bujqësore dhe truall kryesisht në zonën e çmuar bregdetare jugore, ashtu si dhe investitorëve vendas në zona dhe objekte brenda vendit përmes kontratave të qirasë 1 euro.

Investitorët që janë kualifikuar se po bëjnë investime në sektorët strategjikë për zhvillimin e ekonomisë së vendit nuk kanë përfituar vetëm tokën në zonat bregdetare, por qeveria ju ka garantuar edhe dhënien e fondeve të buxhetit për infrastrukturë direkte në destinacionet si dhe infrastrukturë ndihmëse, si furnizim me ujë dhe kanalizime, investime në leje prodhimi energjie dhe investime në shpërndarjen e energjisë duke përshtatur rrjetin e amortizuar, si dhe përfitime të tjera[6]

Nga llogaritjet e ekspertëve tanë konstatohet se çdo vit në dekadën e fundit është investuar direkt deri 400 milion Euro nga buxheti i shtetit (me fondet e brendshme) për të lehtësuar kostot dhe bizneset e investitorëve të sektorit të resorteve në zonat turistike.

Mirëpo nëse këtë nivel të investimeve strategjike e krahasojmë me vlerën e shtuar apo nivelin e PBB-së në zonën e jugut të vendit, shihet se në vitin 2016 PBB është 426.4 miliardë lekë[7] dhe në vitin 2021 është 504.56 miliardë lekë[8], apo një rritje e ekonomisë së jugut për 6 vite me 78.2 miliardë lekë.

Kjo rritje e ekonomisë së zonës së jugut vjen kryesisht nga bujqësia, ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe në vend të katërt për kontribut janë edhe hotelet dhe baret e restorantet. Në vitin 2021 sektori i tregtisë, hotelerisë dhe restoranteve ka një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2016.

Nisur nga të dhënat më lart dhe në funksion të qartësimit për publikun shihet se ndikimi i zhvillimit të këtyre investimeve në përditshmërinë e tyre është ende në nivele të ulta, ku edhe pse nën statusin e investitorit strategjik një pjesë e mirë e lejeve të dhëna nuk provojnë për ndikim të fortë në turizmin shqiptar pasi duket se forma e organizimit të bizneseve vlen më shumë për fitimin e bizneseve dhe individëve që kanë blerë pronat e paluajtshme duke mbajtur të ngurtësuar efektin që duhet të kenë këto leje që kanë marrë statusin e investitorit.

Pra, shihet se mbajtja e një ligji, ku një investitor që nuk garanton në mënyrë shteruese pastërtinë dhe mjaftueshmërinë e fondeve për investimin, po ashtu edhe modelin e biznesit që deklaron se do të kryejë ka një ndikim negativ edhe në mirëqenien e banorëve të zonës që mund të jenë pronarë realë apo përfitues nga ligji Nr.7501[9] për përdorimin e tokave ku është lejuar investimi strategjik.  Ndikimi negativ në të ardhurat e banorëve të zonës është humbja e vlerave të konsiderueshme monetare që ju bëhet shpronësimi i tokës me ndërhyrjen e qeverisë (deri 500 milionë Euro), i cili ja u blen me çmim reference, që favorizon shoqërinë apo grupin e shoqërive investitore.

Mirëpo, kjo logjikë përveç degradimit ekonomik të rezidentëve të zonave ku investohet në emër të sektorit strategjik “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj.”, ashtu si shprehet Departamenti i Shtetit në raportin e përvitshëm për investimet e huaja në Shqipëri[10].

Pavarësisht legjislacionit mbështetës, shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi “Investitor Strategjik” dhe pothuajse të gjitha projektet u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit

Nisur nga ky ndikim edhe në investimet e huaja, shihet se në vitet e fundit janë shtuar deri në mbi 1/3 e totalit të tyre nga zonat e parajsave fiskale dhe që në fakt nuk adresohen në turizëm, por në pasuritë e paluajtshme që me gjasa ndodhen edhe në zonat e resorteve që janë ndërtuar sipas modelit të investimit strategjik.

E gjithë kjo klimë e zbatimit të ligjit të investimeve strategjike ka prishur parimet e konkurencës së lirë dhe ligji vendosur në kushte të pabarabarta de facto qytetarët shqiptarë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit

Por, pse është shtyrë afati i zbatimit të ligjit të investimeve strategjike kur ai nuk e përmbushi objektivin politik 3-vjeçar?

Prej vitit 2018, në relacionet e propozimeve për shtyrje të afatit të funksionimit të lehtësimeve për investimet në sektorë strategjikë përmendet nga ligjvënësit e mazhorancës me këmbëngulje se ka filluar në vitin 2017 puna nga MFE për hartimin e një ligji të ri “Për investimet”[11], që do të zëvendësonte ligjin e investimeve strategjike dhe ligje të tjera që lidhen me strategjinë e investimeve të qëndrueshme dhe barazinë e garës së investimeve edhe për investitorët vendas.

Në fakt investitorët vendas janë ata që kanë përfituar lejet në 97% të gjithë lejeve të dhëna. Megjithatë, ligji është ndryshuar 5 herë, ku 4 herë është bërë për zgjatje të afatit dhe një herë për të përjashtuar nga përfitimi i lejeve personat e dënuar, të inkriminuar dhe në përgjithësi gjithë të padëshiruarit prej legjislacionit në fuqi. Në një analizë fillestare të kalvarit 7 vjeçar të ndryshimeve të ligjit të krijohet mendimi se kësaj nisme politike i ka munguar analiza e thelluar dhe lidhja me realitetin ekonomik dhe social shqiptar. Nga ana tjetër duket se i kanë munguar edhe instrumentet e integritetit, përderisa detyrohet të miratojë një ndryshim vetëm që të pengojë direkt tendencat e pastrimit të parasë së krimit të organizuar dhe në përgjithësi parasë së pistë dhe kriminale, ndoshta nga informacionet e inteligjencës.

Dëmi nga mungesa e konsultimit dhe pregatitja e ligjit me nxitim duket në amendimin në tetor 2018[12]:

“Në bazë të legjislacionit për investimet strategjike në fuqi, çdo investues që kërkon të fitojë statusin e subjektit investues strategjik, duke përfituar mbështetje dhe lehtësi, në kuptim të ligjit, duhet të plotësojë, paraprakisht, disa kushte të cilat ndahen në kushte ligjore, ekonomiko-financiare dhe teknike.

Duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e qeverisë për të luftuar kriminalitetin në vend, duke shmangur në çdo rast dhe me çdo mjet dhënien e mbështetjes dhe krijimin e lehtësirave për subjekte investuese të dënuar penalisht, u ndërmor kjo nismë ligjore.

Një parashikim i tillë, ku përjashtohet nga mundësia e dhënies së mbështetjes dhe krijimit të lehtësirave, jo vetëm subjektit investues që ka një dënim penal si subjekt juridik por edhe kur individët përfaqësues të subjektit kanë një dënim të tillë, do të shmangë çdo mundësi që të fitojnë mbështetje dhe lehtësira, në kuptim të këtij ligji. Ky rregullim i posaçëm do ta bëjë jo vetëm më serioze por edhe më konkrete luftën, me të gjitha mënyrat, kundër krimit në Shqipëri.”

Megjithatë, nëse shikojmë më poshtë shkurtimisht arsyet e përmendura në raportet e relatorëve të mazhorancës për ndryshimin e ligjit duket se nuk kanë të bëjnë me zhvillime masive investimesh, pasi mungojnë totalisht arsyet ekonomike dhe faktet që duhet të shoqëronin raportet për të angazhuar Kuvendin e Shqipërisë për ndryshime të ligjit

Relacioni për ndryshim ligji i vitit 2018[13]

“Me anën e këtij ndryshimi synohet zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, në zbatim të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2019.

Nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është menduar hartimi i projektligjit “Për investimet”, i cili ka lindur si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë u jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike. Në këto kushte u mendua që hartimi i një ligji të unifikuar të investimeve që mbron njësoj si investimet vendase, por edhe ato të huaja, e me një trajtim si pjesë më vete në të për investimet strategjike, duke u përshkuar i gjithë ligji nga parimet e transparencës, barazisë dhe të trajtimit pa diskriminim të investitorëve, do të rriste garancinë e investitorëve. Miratimi i këtij ligji do të bëhet brenda vitit 2019[14].”

Ndërkohë, Komisioni Ekonomisë dhe Financave relaton se[15]:

“Dua të vë theksin në faktin se ishte pikërisht ky ligj, i vitit 2015, i cili bazuar në parimin e transparencës, barazisë dhe mos diskriminimit, mundësoi përmes një kuadri të plotë ligjor mbrojtje të njëjtë si për investimet e huaja ashtu edhe për investimet vendase, të cilat më parë nuk ishin të mbrojtura.”

Pra shihet dukshëm kundërshtia e arsyes kryesore për një ligj të ri për investimet.

Projekt ligj i ri per investimet prej vitit 2018 dhe ende nuk ka përfunduar dhe është kërkuar shtyrja e afatit nga 2019 deri ne 2020[16] nga deputeti I. Beqja.

Në vitin 2020 kërkohet tjetër shtyrje deri në fund të vitit 2021 nga M. Ekonomi dhe E. Bushati, për arsye të mosfunksionimit të ekonomisë prej pandemisë[17].

Në fund të vitit 2021[18] kërkohet tjetër shtyrje nga A. Pëllumbi deri në fund të vitit 2023, por me të njëjtat argumenta të të kaluarës. Kjo tregon minimalisht arsye të pamjaftueshme dhe shpenzime të pajustifikuara për të angazhuar mekanizmin legjislativ për tu përfshirë në një ndryshim. Arsyet e përmendura në relacion janë këto më poshtë:

“Shtyrja e këtij afati është miratuar edhe më parë pasi nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është në proces hartimi i një projektligji “Për investimet”, i cili ka lindur si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë i jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo

atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike. Për shkak të pandemisë COVID 19, ka qenë i pamundur finalizimi i këtij projektligji të ri “Për investimet”.

Në fund të vitit 2022, kërkohet nga deputetja e opozitës, zj. J.Tabaku[19] që afati zbatues i ligjit të mbyllet për aplikimet e reja deri në 1 Janar 2023, si një cënim i konkurencës dhe nenit 71 dhe 74 të MSA[20]. Argumentet e saj politike janë si më poshtë:

“Qëllimi i ligjit ka qenë për të promovuar disa sektorë të veçantë, nga analizat që unë kam mbledhur nga AIDA dhe nga Komiteti i Investimeve Strategjike, të gjitha vendimet për investitorët strategjikë, në masën 95%, kanë qenë në fushën e turizmit; vetëm dy në fushën e bujqësisë, 2 në fushën e energjisë dhe të gjitha të tjerat kanë qenë në fushën e turizmit. Në pjesën më të madhe vendimet për investitorët strategjikë kanë qenë abuzive dhe korruptive.

Ligji, që në momentin kur është krijuar, në vitin 2015, ka pasur një afat trevjeçar. Në relacion shkruhej se ligji për investimet strategjike do të ishte i përkohshëm, sepse qeveria shqiptare po punonte për një ligj kuadër për investimet, një ligj, i cili do t’i rregullonte të gjitha investimet e huaja dhe vendase, dhe se ky ligj nuk do të përdorej përjetësisht.

Ndërkohë, sot jemi në vitin 2023, dhe që nga viti 2015 kanë kaluar të paktën 8 vjet, dhe ligji për investimet strategjike, që duhet të ishte një përjashtim nga rregulli, është kthyer në rregull. Ligji është shtyrë të paktën 3 herë.

Në gjykimin tonë, ky ligj, përveç faktit që jep asete publike pa garë, në mënyrë selektive, nuk ka pasur ndikimin që duhet të kishte në zonat e caktuara.

Ne kemi nxjerrë një analizë të kompanive dhe unë ju siguroj se, nga 35 vendimet për investimet strategjike, janë të paktën 10 persona që kanë përfituar, ndërkohë që ky nuk duhet të jetë një privilegj që u ofrohet vetëm 10 personave.

Ligji për investimet strategjike, nga ana tjetër, bën të mundur që investitori strategjik të bëjë edhe shpronësimin e pronës dhe shteti të ndërhyjë pa të drejtë në një marrëdhënie ndërmjet pronarit ligjor të pronës dhe investitorit, duke imponuar çmime, të cilat janë çmime tregu (vendim i Këshillit të Ministrave), ndërkohë që pronari ligjor mund ta shpronësojë këtë pronë për investitorin strategjik me çmime tregu. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, që prek edhe të drejtën e pronës, e cila, për mua dhe për Partinë Demokratike është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Kjo ka dëmtuar rëndë procesin e hapur të garës, konkurrencën. Është shprehur të paktën në dy raporte ndërkombëtare, në raportin e DASH-it dhe në progres raportin e BE-së, që ky ligj cenon të drejtën e kompanive për të operuar në treg.

Pse një kompani shqiptare të mos ketë të drejtën për të qenë “investitor strategjik”?

Pse një kompani në një garë të hapur të mos ketë të drejtën për të mos qenë “investitor strategjik”?

Në gjykimin tim, por besoj se edhe kolegët e tjerë mund të bien dakord, në vetëm shumë pak raste mund të ketë realisht investime strategjike, të cilat kanë ndikuar në ekonomi; në pjesën më të madhe të rasteve kanë qenë dhënie lejesh abuzive, ndoshta edhe një Jug të vendit, në zona ku nuk duhet ndërtuar, në zona ku ka pronarë të vjetër ligjorë, të cilët janë favorizuar nga qeveria me pa të drejtë.

Ligji i përkohshëm është bërë ligj i përhershëm, dhe unë besoj se duhet t’i ndalojmë efektet e këtij ligji, duhet të ndalojmë njëkohësisht edhe përfitimet që kanë kompanitë nga dhënia e statusit “investitor strategjik”.

Unë mund t’ju marr rastin e portit të Durrësit, ku në vetë relacionin e paraqitur nga qeveria, një herë thuhej se statusi i investitorit strategjik do të jepej për 3 vjet, pastaj u shty në 7 vjet, pastaj në 15 vjet pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim; një e drejtë dhe një favor që i jepet një kompanie thjesht me një vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, me një të rënë të lapsit, pa bërë asnjë llogari, ndërkohë që gara, konkurrenca mund t’i bënte më mirë edhe sektorit.

Mendoj se në situatën ku ndodhen biznesi dhe ekonomia, nuk bën asnjë të keqe po të ketë garë, konkurrencë të lirë dhe po të hapet tregu për shumë kompani.”

MFE shprehet për këto argumentime politike të opozitës se:

“Aktualisht kemi një projektigj të ri në proces hartimi. Propozimi i bërë nga zonja Tabaku është në kundërkohë, pra është një proces që po zhvillohet, ndaj është i panevojshëm.

Po ta zhveshim nga pjesa politike, besoj se ligji i investimeve strategjike ka qenë efikas. Sa u takon investimeve me kapital të huaj, vetëm para një muaji kemi diskutuar në këtë komision, kur investimi i fundit strategjik ishte 2 miliardë euro.

Në rast se ne do të biem dakord për faktin se thithja e investimeve të huaja është shumë e vështirë, është vërtetuar se ky ligj u ka dhënë siguri ligjore disa investitorëve në lidhje me problematikat e trashëguara që kanë institucionet e pronës në Shqipëri, e po ashtu ka dhënë incentivën e duhur për të investuar.

Ligjin e ardhshëm, ose po i shkrij të dyja, si ligjin “Për mbrojtjen e investitorëve të huaj” ashtu edhe ligjin “Për investimet strategjike”, besoj se do të kemi mundësi ta diskutojmë në komision. Pra, sipas këndvështrimit tonë është i panevojshëm propozimi për pezullim nga 1 janar 2023 deri në fund të këtij viti, pasi ligji i ri është në proces hartimi, gjë për të cilën do t’ju vëmë në dijeni shumë shpejt.”

Në fund të Janarit 2024, deputeti dhe Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, z. E. Shalsi[21] relaton kërkesën me argumentet për shtyrje të funksionimit të ligjit deri ne 2027, që realisht është në kundërshti kohore me argumentet e mësipërme me vetëm 1 viti më parë nga qeveria.

“Duke qene se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore dhe fluksi e stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10 vjeçarin e fundit, me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor, si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 31 dhjetor 2027”

Megjithatë, tashmë ligji pothuajse pa asnjë konsultim me publikun si dhe debatit politik të munguar u miratua në fillimi të Marsit 2024 që të shtyhet deri ne fund te 2024. Kjo tërheqje nga propozimi fillestar motivohet politikisht me faktin se:

“Ligji për investimet strategjike do të shtyhet deri në fund të viti 2024. Propozimet e deputetit socialist Eduard Shalsi janë rrëzuar nga komisionet parlamentare, duke kaluar vetëm neni që lidhet me shtyrjen e afatit jo deri në fund të vitit 2027, por deri në fund të këtij viti për shkak se po përgatitet një ligj i ri integral për investimet strategjike.“

Në gjithë argumentet për të motivuar politikisht ndryshimet për zgjatje të funksionimit të ligjit kanë një qasje të perbashket si paragrafi më poshtë:

“Duke qenë se rezulton se një numër projektesh janë ende në fazë vlerësimi nga institucionet dhe ndërkohë që vërehet se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore, me qëllim shmangien e krijimit të një boshllëku ligjor dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, propozohet zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën …”

Në mbyllje të gjithë përmbledhjes sonë lidhur me investimet strategjike, si dhe në ilustrim të efektivitetit të investimeve të huaja në Shqipëri[22] analiza na orienton te argumenti, se investimet e vlefshme dhe të qëndrueshme për qytetarët dhe në favor të interesit publik janë ato që kalojnë në proces të qartë transparence, të plotësuar me gjithë kërkesat e nevojshme dhe për tu vlerësuar se vlen për interesin publik. Mungesa e raporteve të monitorimit na jep një analizë të mangët rreth faktit se si dhe sa janë zbatuar investimet sipas asaj çfarë kërkohet nga leja. Mungesa e korrektesës në zbatimin e lejeve është argument i fortë edhe për klientelizëm ashtu si është konstatuar edhe nga raportet e viteve të fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe nga gjithë raportet anti korrupsion.

[1] Nisma prej 2015 synon nxitjen dhe tërheqjen e investimeve strategjike, në sektorë kyç të ekonomisë, nëpërmjet procedurave favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve.

Statusi i investitorit strategjik mund ti jepet çdo projekti në energji, transport, turizëm dhe bujqësi që investon 30 milionë euro, apo 50 milionë euro për projekte me procedurë të veçantë.

Statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” e përfitojnë edhe projektet në sektorë që nuk janë të përcaktuar në ligj me kusht që vlera e investimit të ishte 100 milionë euro.

[2] https://boldnews.al/2022/03/28/investime-strategjike-rama-premtoi-te-huaj-por-thithi-samirin-dulaket-carapulin-e-gaz-pajen-lista/

[3]  https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/202401241421454828Relacion.pdf

[4] https://aida.gov.al/

[5] Vlera e kapaciteteve financiare të kërkuara për realizimin e investimit, mund të dëshmohet nëpërmjet kapaciteteve financiare të vetë investitorit, të provuara dhe siç rezultojnë nga pasqyrat financiare të audituara dhe të depozituara pranë administratës tatimore të 3 viteve të fundit.

[6] https://www.reporter.al/2024/01/08/balluku-pranon-se-ligji-i-investimeve-strategjike-ka-pasur-edhe-efekte-negative/

[7] https://www.instat.gov.al/media/4342/pbb-rajonale-2016-shqip-njoftim-për-media.pdf

[8] https://www.instat.gov.al/media/11570/pbb-rajonale-2021-shqip_njoftim-për-media.pdf

[9] https://www.scribd.com/doc/56014162/Ligji-nr-7501

[10] https://dosja.al/investitoret-strategjike/

[11]https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_160_Relacion%20i%20projektligjit%20per%20%20investimet_30_Prill_2019.doc

[12] https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/20181030104557RELACION%20-%20SHTESA%2055-2015.pdf

[13] https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/20180831100140RELACION%20-%20NDRYSHIM%2055-2015%20-%20INVESTIMET%20STRATEGJIKE.pdf

[14] Ky ligj ende në fillim të 2024 nuk është pjesë e kalendarit të Kuvendit

[15]https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/20181001112354Raporti%20i%20Komisionit%20për%20Ekonominë%20dhe%20Financat.pdf

[16] https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/20191115140855relacion%20shpjegues%20ilir%20beqja.pdf

[17]https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/20201015092619Relacioni%20Investimet%20strategjike%2C%20nisma%20M%20Ekonomi%20dhe%20E%20Bushati.pdf

[18]https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/20211214142325ndryshim%20relacioni%20shoqerues%20per%20projektligjin%20e%20investimeve%20strategjike.pdf

[19]https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/202301241339456589Projektligj%20dhe%20relacione.pdf

[20]https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/202307130825310342Raport%20KEF%20_%20DH.M%20-%20Investimet%20Strategjike-Jorida%20Tabaku%202023.pdf

[21] https://kuvendiwebfiles.blob.core.windows.net/webfiles/202401241421454828Relacion.pdf

[22] https://altax.al/ekonomia-qe-kemi-sot-e-cenuar-nga-investimet-joproduktive-dhe-politika-e-demshme/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: