Investimet e Huaja Direkte të lidhura me barrën tatimore në Ballkanin Perëndimor
Ne studimin e përfshirë ne Raportin BT 2022, Investimet e huaja direkte mesatare në BP në 2022 janë 8.8 miliard US. Dollarë, me një rritje të lartë të Serbisë dhe Shqipërisë, të cilat respektivisht kanë një pjesë sa 50.1% dhe 15.5% e IHD në BP6.
Në totalin e IHD-ve shikohet se, vetëm Republika e Serbisë numëron gjysmën e stokut total të tyre në rajon, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë midis pesë vendeve të tjera, që afërsisht korrespondon me madhësinë e tregut dhe ekonomive të tyre.
Nga përbërja strukturore e IHD-ve ka ende mbizotërim të sektorit të shërbimeve dhe investimeve në ekonominë e gjelbër . Ndërkohë, mbeten edhe në 2022 shtetet e mëdha evropiane dhe aziatike (Kina dhe India), ato që janë pjesë e programeve për investimet dhe territore të kompanive të mëdha të huaja. Por, IHD-të nuk varen vetëm nga politikat e brendshme, por edhe politikat rajonale në tërësi. Çështje të tilla si ndërlidhja përmes transportit dhe energjisë, mosmarrëveshjet midis vendeve, vendimet arbitrare për detyrime doganore ndikojnë direkt dhe sipas rasteve që ndërlidhen me njëri-tjetrin mund të mos krijojnë nxitje për investitorët e huaj.
Një panel diskutimi i kohëve të fundit midis kryeministrave të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe formimi i një nisme të përbashkët për promovimin e investimeve përmes Platformës politike të Ballkanit të Hapur[1], me synimin për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet anëtarëve të saj, ku nënshkruan marrëveshje në vitin 2019 fillimisht me emrin “Mini-Shengen” dhe që nga viti 2021 nën “Ballkanin e Hapur”, por pa patur pranimin dhe pjesëmarrjen e Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, të cilat e kanë refuzuar këtë nismë si një iniciativë politike dhe ekonomike që dublon nismat për hyrjen në tregun e BE-së.
Megjithatë, për të qenë konkurrues në tregun e Ballkanit dhe atë Europian me synimin, pavarësisht iniciativave për bashkëpunim rajonal, që të tërhiqen një sasi e vlefshme investimesh është e pashmangshme që të realizohen reformat e nevojshme. Më kryesoret janë: të reduktohet korrupsioni, të përmirësohet efikasiteti i administratës për të ulur kostot indirekte dhe krijimin e ambjenteve mikpritëse për investimet e huaja.
Nga ana tjetër, edhe pse janë ndërtuar strategji efektive për tërheqjen e drejtpërdrejtë dhe të personalizuar të investimeve që kanë gjasa të ndodhin, dmth. të krijojnë një mjedis tërheqës dhe familjar biznesi për investime.
IHD-të në rajonin e BP6 duhet të rriten për të forcuar mbështetjen e ekonomisë. Stoku mesatar i IHD-ve për frymë në BP6 (512 US.D/banor) është afër vlerës së IHD-ve për frymë së BE-së[2] (585 Euro/banor edhe pse në vlerë është vetëm sa 3.3% e IHD së BE-së.
Në sektorin e shërbimeve, mbizotëron sektori i shërbimit financiar, si dhe sektori i tregtisë dhe prodhimit, nga të cilat llogariten se përbëjnë rreth 1/5 e stokut të IHD-ve industria kimike, ushqimore dhe pijeve, si dhe produkteve për industrinë e automjeteve. Përpjekjet e rajonit duket se kanë nevojë të përqendrohen në investime që kërkojnë efikasitet. IHD-të në industri me orientim eksportin kanë nevojë për nxitje të konkurueshmërisë dhe efikasitetit, të cilat në fakt varen nga bashkëveprimi i huaj me të brendshëm lidhur me përfitimin e njohurive dhe teknologjisë inovative për tu bërë pjesë e ekonomisë së ardhme për tregun vendor.
Rëndësia gjeostrategjike e rajonit në kontekstin aktual të rigjallërimit ekonomik dhe tërheqja e kapitalit të orientuar sipas nevojave të investitorëve, në vend të nevojave për zhvillim ekonomik që kërkojnë qytetarët e BP6 është duke u parë konkurenca e shtuar e investimeve nga Kina, me një rritje të interesit edhe të investitorëve nga SHBA, që po bëhen gjithnjë e më prezent në arritjen e rajonit me ndihmën e infrastrukturës, politikë e cila edhe nga autorët e këtij raporti shihet si një konkurencë dhe zënie tregu në vend të pjesës që i përket Evropës.
Në mbështetje të qëllimit ekonomik, vendet e BP6 kanë aplikuar skema nxitëse tatimore edhe duke rritur në nivele disproporcionale fondet për Kërkim & Zhvillim (R&D). Edhe pse stimujt tatimorë nuk dallojnë nga stimujt për politikat e zhvillimit ekonomik, ato janë larg nga strategjia për një sistem kërkimor dhe zhvillimi.
Stimujt tatimorë nuk kanë arritur të jenë të lidhur në mënyrë uniforme me tregun dhe inovacionin. Aktualisht, vetëm disa vende të BP-së kanë në zbatim ende stimuj tatimore të lidhura ngushtësisht me R&D specifike. Zakonisht sot stimujt mbështeten mbi një model të kombinuar midis skemës specifike të shpenzimeve kërkimore me skemën e bazuar te volumi i tyre. Nxitja e IHD-ve prej politikës së taksave konkurruese me norma të ulëta është më efektive nëse tërhiqen IHD-të, që synojnë efikasitet të bazuar te kostot e ulëta të prodhimit, që do të thotë barrë fiskale e ulët mbi punën.
Shpenzimet e zbritshme nga të ardhurat e tatueshme janë politika më popullore aktuale për nxitjen e R&D, të ndjekura nga njohja për pjesën më të madhe të tyre, si shpenzime të njohura. Politika stimuluese të tjera, nxitin një normë amortizimi të shpenzimeve për R&D më të lartë se normat e zakonshme.
Shumica dërrmuese e stimujve tatimorë janë të bazuara në tatimin mbi fitimin korporativ, ndërsa disa vende kanë stimuj (shtesë) që zbatohen për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe / ose tatimin e pagave. Tatimi mbi individin do të ishte me bazë më të gjerë, për sa kohë individët do preferonin ti financonin kërkimet e tyre me burimet e veta, ose të ndihmuar me fonde nga organizatat dhe investitorët privatë. Përfitimet tatimore që aplikohen për të ardhurat nga inovacionet (kryesisht patentat) janë duke u rritur si në numër, por edhe në tipet e patentave që regjistrohen. Në dy vitet e fundit, njëmbëdhjetë shtete anëtare të BE-së kanë ofruar ulje të tatimit mbi fitimin korporativ, për të ardhura që rezultojnë nga pronësia intelektuale, si dhe ulje për tatimin mbi të ardhurat personale për rastet e të vetëpunësuarve.
Ndërsa IHD-të janë thelbësore për të nxitur rritjen ekonomike si dhe transferimin e aftësive dhe teknologjisë, qeveritë duhet të kontrollojnë me maturi për ndikime të mundshme negative në shoqëritë dhe mjedisin ekonomik rajonal. Tashmë duhet të ndryshojë strategjia e avantazheve që u ofrohen investitorëve të huaj. Politikëbërësit dhe institucionet e promovimit të investimeve duhet të përdorin kosto më të larta të punës, por duke e koordinuar këtë ofertë të tregut me aftësi të rritura dhe të përshtatura me kërkesat e investitorëve. Ndërkohë, autorët e këtij studimi mendojnë se regjimet e favorshme tatimore tashmë e kanë arritur kulmin e tyre dhe nuk nevojiten më tej politika lehtësuese, në vend të forcimit të kapaciteteve të brendshme dhe riorganizimit të barrës burokratike dhe problemeve të tjera që hasin investitorët.
Disa pika të forta për tërheqjen e IHD-ve në rajon përfshijnë integrimin e mëtejshëm me BE-në në respekt të sundimit të ligjit, uljes së korrupsionit dhe frenimin nëpërmjet votës të rritjes së tendencave autokratike, që nuk i shërbejnë klimës pozitive për investime të vlefshme.
Përtej kostos së ulët të fuqisë punëtore dhe barrës fiskale relativisht jo të lartë nevojitet që në BP6 të ketë një ekonomi të ekuilibruar, administratë me kosto të ulët korrupsioni dhe politikë transparente në një treg financiar të zhvilluar dhe të lidhur me tregjet botërore.
Zgjerimi i pabarazive të tregtisë së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjithsesi gjatë 2022, ashtu si dhe në 2021 u financuan nga rritja e hyrjeve të kapitalit të huaj.
Por, kur shikojmë investimet e huaja, e nevojshme është edhe produktiviteti i tyre në vendet mikpritëse duke analizuar tendencën e të ardhurave për frymë apo mirëqenien e banorëve të BP6.
Për më tepër, flukset hyrëse të IHD-ve u orientuan për investime në sektorë si, shërbimet financiare, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi, të cilët nuk gjenerojnë performancë të fortë për eksportin dhe rritjen e konkurueshmërisë së ekonomisë, por edhe të ardhurat për frymë për banorët e fshatit dhe ata në sektorët e turizmit dhe shërbimeve të tjera jo financiare.
Tab. 10 BP6:IHD për frymë, 2021-2022 | EUR/Frymë | ||
2021 | 2022 | Ndryshimi | |
Mali i Zi | 955 | 1,348 | 41.2% |
Serbia | 569 | 650 | 14.4% |
Maqedonia e Veriut | 313 | 440 | 40.4% |
Bosnjë-Hercegovina | 153 | 180 | 17.6% |
Shqipëria | 367 | 496 | 35.3% |
Kosova | 236 | 435 | 84.7% |
BALLKANI PERËNDIMOR | 432 | 592 | 38.9% |
Ashtu si duket në Tabelën 10 dhe grafikun në krah, vendin e parë në 2022 për nivelin e stokut të IHD-ve për banor e mban Kosova, me një rritje prej 84.7% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut renditen në vendin e dytë dhe të tretë, me respektivisht 41.2% dhe 40.4% rritje krahasuar me vitin e mëparshëm.
Shqipëria dhe Serbia edhe pse kanë nivel të lartë në vlerë të stokut të investimeve të huaja kanë një rritje që tregon një tendencë të qëndrueshme, megjithëse Shqipëria ka rritje që tregon se ka shfrytëzuar më mirë tërheqjen e kapitaleve të huaja.
Bosnjë-Hercegovina, me një pozicion të rëndësishëm për mban vendin e fundit për stokun e IHD për frymë, ka një rritje të ulët në 2022 krahasuar me vitin e mëparshëm.
Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si një program ndihme financiare prej 9 miliardë eurosh[3] që mbështet zhvillimin ekonomik në gjashtë vendet, duke përparuar kështu integrimin e tyre në BE dhe anëtarësimin eventual duhet që përgjithësisht të mos mjaftohet me analizat e deritanishme, të cilave u mungon pjesa e fizibilitetit vendor që mund të kryhet nga ekspertët vendas.
Fondi i investimeve për periudhë disavjeçare është në vlerë aq sa investohet pothuajse në një vit fiskal në vendet e BP6.
Hyrjet e IHD-ve, ndërkohë që shfaqin një trend pozitiv janë ende nën nivelin e tyre për të arritur në objektivin ambicioz të dyfishimit të IHD-ve deri në fund të dekadës aktuale. Përveç kanalit tradicional të privatizimit nëpërmjet bashkimeve dhe blerjeve të bizneseve vendase për hyrjet e IHD-ve, investitorët gjithashtu po kthehen gjithnjë e më shumë drejt investimeve të energjisë së rinovueshme. Ky interes gjenerohet pjesërisht nga stimuj investimesh që ofrohen aktualisht dhe përhapja e zonave të veçanta ekonomike në rajon.
Ndërkohë, tërheqja nga populizmi elektoral duke kërkuar politika të tërheqjes së vëmendjes nëpërmjet politikës së rritjes së pagave, të rritjes së shpenzimeve për infrastrukturën, si dhe krijimit të një zone logjistike duke investuar te energjia e gjelbër dhe korridoret e transportit që ndërlidhin zonat ekonomike me interesat për investime nga të huajt dhe vendasit shihet si një risi në tregun politik ballkanik. Në këtë mes, përmenden me raste edhe politika që në tendencën e tyre për të çliruar kapitalet synojnë tërheqjen e kapitaleve pa investime direkte duke çorientuar politikat e derisotshme dhe duke krijuar precedentë të rrezikshëm për pastrimin e kapitaleve të krimit dhe korrupsionit.
Këto tendenca tashmë janë kundërshtuar nga BE dhe nga vendet e BP6 kërkohet plotësimi i kritereve që janë më së shumti të arritura në numrin më të madh të vendeve anëtare të OECD, që edhe pse kanë një barrë të lartë fiskale, ata janë shumë më efektivë në tërheqjen e investimeve të huaja. Një barrë e ulët tatimore nuk mund të kompensojë nga ana tjetër një ambjent ekonomik jo tërheqës për investitorët. Nxitjet tatimore mund të përdoren në një mënyrë më të orientuar drejt dhe që të jenë me kosto efektive për shpenzimet që do të kryejnë investitorët, por dhe për të përmbushur nevojat e buxhetit.
Taksat janë vetëm njëri nga elementet që edhe në kushtet e një oferte me norma të ulëta nuk arrin dot të kompensojë infrastrukturën e dobët, aksesin e dobët në treg si dhe kushte të tjera mbi të cilat bazohet në vendimmarrjen e tij një investitor, si p.sh. hapësira për të lëvizur lirisht në tregun financiar. Nëse bizneset (sidomos SME)[4] nuk do të kenë kreditim të mjaftueshëm dhe me kosto të ulët, atëherë rritja e tyre do të vijojë të jetë e dobët dhe natyrisht që do të cënohen investimet dhe tregu i punës.
Qeveritë ballkanike u janë përgjigjur këtyre presioneve të konkurencës dhe problemeve të reja të tendencave të tregut në mënyra te ndryshme. Shumë nga vendet kanë ulur normat e tatimit mbi fitimin, si rruga më e shkurtër dhe e monitorueshme lehtësisht për të arritur objektivat për investimet.
Problem i madh që po rritet për çdo vit tashmë është edhe oferta konkuruese për punonjës nga vendet e zhvilluara të BE-së, si dhe në tërësi rritja e nivelit të emigracionit, si një zgjidhje për ti ikur realitetit ekonomik që po ndryshon ngadalë dhe me shumë kosto. Më shumë se një në pesë të popullsisë së lindur në vendet e BP6 jeton jashtë vendit të vet[5]. Kjo ikje masive e [punonjësve ndikon në shkurtimin e kërkesës së tregut të punës dhe ka diktuar rritjen e kostove për bizneset vendore dhe investitorët e huaj.
Në fakt, në këtë kohë ndryshimesh vendet e BP6 duhet të bashkëpunojnë jo vetëm për pjesën e harmonizimit tatimor mes tyre. Bashkëveprimi dhe koordinimi i politikave nxitëse fiskale, por edhe të lëvizjes së punonjësve duhet të jetë objektivi më i madh nga marrëveshjet aktuale mes vendeve. Marëdhënia duhet të konceptohet për tu zbatuar brenda kufijve të Ballkanit Perëndimor, pa ju rikthyer politikës përzgjedhëse dhe diferencuese duke vendosur në plan të parë historinë e të kaluarës dhe në [plan të dytë shfrytëzimin e dobësive të fqinjit.
Nëse shtetet do të tentojnë të ndërtojnë politikat të jenë pjesë e tregut të madh duke ndërtuar politika mbrojtëse për sektorët e ndjeshëm, ato do të kishin mundësi reale për të konkuruar edhe me politikën e uljes së normave tatimore. Konkurenca mes njeri-tjetrit ndihmon shtete dhe kompani të fuqishme të hyjnë lehtësisht nëpërmjet politikës së përçarjes së shteteve Ballkanike.
[1] https://www.swp-berlin.org/en/publication/the-open-balkan-initiative-complements-the-berlin-process
[2] https://www.ceicdata.com/en/indicator/european-union/foreign-direct-investment
[3] https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/STUD/2022/702561/EXPO_STU(2022)702561_EN.pdf
[4] https://www.oecd.org/south-east-europe/programme/FINAL_SMEPI-pocketbook-2022-online.pdf
[5] https://www.oecd.org/south-east-europe/programme/Labour-Migration-report.pdf
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.