Informaliteti dhe Financimi i hapur monetar

Informaliteti dhe Financimi i hapur monetar

A ka ndonjë ndikim pozitiv sektori informal në zhvillimin e ekonomisë?

Apo ndikimi është vetëm negativ në çdo drejtim?

Në konkluzione të mjaft studimeve dhe nga eksperienca të ndryshme është theksuar se efekti i ekonomisë informale është i rëndësishëm për dimensionimin e ekonomisë formale, por e kundërta është me më tepër efekt.

Është fakt që pranohet se sektori informal, për shkak të mos mbartjes së një barre fiskale është më konkurrues dhe më efektiv në treg.

Por, një pengesë e madhe për bizneset e sektorit informal është mundësia mjaft e kufizuar për tu zgjeruar dhe rritur si biznese të mëdha. Atyre u duhet që ta mbajnë nivelin e veprimtarisë në nivele statike, apo ta kufizojnë aktivitetin për të mos u diktuar nga radarët e qeverisë. Në të njëjtën kohë fuqia punëtore që kontribuon në sektorin informal nuk arrin të jetë gjithë kohën produktive dhe konkuruese në raport me fuqinë punëtore të sektorit formal.

Në këtë mes hyn korrupsioni dhe ndërgjegjja e politikës që toleron këtë mundësi.

Një arsye më shumë për të diskutuar për të është periudha kur politikat fiskale ndryshojnë dhe përpiqen të marrin administrimin në konsideratë. Në këtë drejtim modeli që po përçon qeveria e re është një fillim për konsolidimin e vëmendjes ndaj administrimit në politikë bërjen e sistemit fiskal.

Në gjithë këtë periudhë të dekadës së fundit evazioni ka rrënjë të përforcuara. Edhe politika fiskale, e cila është me një vijueshmëri modernizimi për administrimin, të paktën nga 2008 deri më sot ende nuk e ka konsoliduar bazën tatimore të secilit tatim kryesor (TVSH, Tatim fitimi, TAP).

Rritja e ekonomisë informale është parë se ka qenë e shoqëruar gjatë gjithë periudhave nga një barrë e rëndë për tatimpaguesit e regjistruar, si dhe nga një ndërrim i shpeshtë i rregullave dhe ligjeve të administrimit. Gjithashtu, për autoritetet fiskale ka qenë e vështirë zgjerimi i bazës tatimore, gjë e cila është politika më e vlefshme për tu filluar menjëherë, nisur nga fakti që duhej të ishte bërë kohë më parë.

Por, logjikën e politikës fiskale duhet ta shikojmë si një harmonizim të interesave të individit, me specifikat e tij të të ardhurave që fiton, si dhe buxhetit me nevojat në rritje duke qenë se kërkesat për shërbime dhe investime duhet vetëm të rriten.

Kështu, p.sh. Nëse nuk arrijmë të harmonizojmë shkallët e tatimit mbi të ardhurat nga paga me tatimin mbi kapitalin, atëherë me kalimin e kohës politika fiskale ka privilegjuar një grup individësh duke i taksuar më shumë se grupi tjetër, për të njëjtat shkallë tatimore të ardhurash.

Por, si ndodh në realitet?

Një individ merr pagë për punën që bën, ndërsa një individ tjetër blen një aset (shtëpi, magazinë, dyqan, auto) dhe nëpërmjet shitjes së tij krijon një fitim nga kapitali i shitur. TË dy individët edhe pse kanë të njëjtin fitim bëjnë pjesë në grupe të ndryshme taksimi, për të ardhurat e fituara. Ky shembull përpiqet të tregojë se nëse njëri individ nuk mbart të njëjtën barrë si individi tjetër, atëherë politikë bërësit duhet të gjejnë një përgjigje për secilin rast, edhe pse kjo nuk është një detyrë e lehtë dhe që kërkon përgjegjësi të lartë.

Në këto kushte, vendosja e një sistemi progresiv taksimi bëhet mjaft i vështirë për zbatim, pasi gjen një bazë të paqëndrueshme tatimpaguesish, por edhe një presion në rritje për të ardhura buxhetore. Por, ndërsa deficiti fiskal është rritur, ajo që konfirmohet nga viti i fundit 2015 është fakti se nuk janë tej rritur shpenzimet buxhetore, por janë rritur jo sa u planifikuan te ardhurat e buxhetit, qe janë po aq obliguese, sa edhe kushtetuta e vendit për tu realizuar.

Në rastin e Shqipërisë, e cila ka evazion në nivele të larta (si gjithë Ballkani), vazhdimësia e tregut “informal” te tatimeve është një «vdekje e butë» e buxhetit, që mund te degradohet nga pak dhe përvit. Nga ana tjetër, politika e zbatuar me diferencime ndaj segmenteve të tatimpaguesve ndikon edhe mbi ata që paguajnë dhe janë të rregullt, duke u ulur nxitjen për të qenë në pajtueshmëri me ligjet, pasi ata janë në një konkurencë të pabarabartë.

NË një analizim të korrelacionit midis deficitit buxhetor ne nivelin e 1.7%, normës së inflacionit deri ne 2%, si dhe normave te interesit ne nivelin e 1.7% nevojitet që të gjenden mënyra të jashtëzakonshme për rritjen e investimeve dhe konsumit.  Financimi i deficitit nga qeveritë ashtu si është zbatuar deri më sot nuk ka bërë gjë tjetër vetëm sa ka ndikuar në çekuilibrimin e nivelit të borxhit publik dhe afektimin e buxhetit ndaj rrisqeve të brendshme dhe të jashtme.

Ndërkohë, kombinimi i politikave fiskale (financim nëpërmjet taksimit) me politikat e financimit te hapur monetar[1] për të hequr barrat sociale dhe problemin e pronës (politike agresive monetare) do të ishin rekomandimi i duhur për rigjallërimin e buxhetit dhe ndikimin në ekonomi dhe në të ardhurat për frymë.

Kjo politikë e kombinuar monetare dhe fiskale është në momente të vështira për buxhetin dhe ekonominë dhe natyrisht që nuk mund të planifikohet për periudha më të gjata se afatmesme.

Nëse nuk do të kishte evazion tatimor nuk do të kishte ndoshta edhe një deficit buxhetor, pasi vetëm nëse shikojmë se sa taksa të pambledhura i mungojnë buxhetit mjaftojnë për  të mos marrë hua për disa vite rresht. Kufizimi i hendekut tatimor është një nga rrugët më të vlefshme për të kufizuar mundësinë për deficitin buxhetor.

[1] Financimi direkt monetar për Shqipërinë

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: