Inflacioni dhe mbiçmimi i lekut drejt një ekuilibri të ri në treg
Ndikimi në inflacion po varet nga shkalla në të cilën vendi është i varur nga lëndët e para të importuara dhe furnizimet me karburante dhe energji.
Niveli tregues i inflacionit shqiptar duke qenë më i ulët se në vendet partnere tregtare nuk arriti ta ulë në përmasa të mëdha fuqinë blerëse të Lekut, si dhe nuk e dobësoi atë ndaj monedhave të tjera të forta.
Në të vërtetë, krahas tendencës së inflacionit është edhe tendenca e forcimit të lekut, duke funksionuar si kanali përmes të cilit goditjet e jashtme dhe të brendshme u transmetuan në ekonomi.
Ndërsa Euro është dobësuar nga Janari 2023 me 10.2%, duket se ndikimi në inflacionin mesatar për të njëjtën periudhë është ulur me 2.5%, kryesisht përmes uljes së çmimeve të importit. Kjo ulje vjen, pasi shumica e mallrave janë me çmim në Euro dhe monedha të tjera të forta. Tashmë që Leku po mbivlerësohet kundrejt Euros, atëherë çmimet e energjisë dhe lëndëve të para dhe mallrave të importuara kanë regjistruar kosto më të ulët në blerjen nga importi.
Si rezultat, duhet të kishim një zhvendosje të jashtme të ofertës agregate afatshkurtër (SRAS). Për rrjedhojë, kjo duhet të krijonte presion në rënie në nivelin e përgjithshëm të çmimeve me një ritëm më të lartë se niveli aktual.
Pengesa kryesore të një frenimi të uljes së mëtejshme të inflacionit janë kryesisht jo të natyrës ekonomike. Më së shumti arsyet janë të lidhura me informalitetin dhe spekulimin e tregut nga importi dhe tregut të prodhimeve vendase. Informaliteti nuk ndikohet nga oferta dhe kërkesa e tregut, pasi zbaton rregullat e tij. Kjo pengon transmetimin në tregun shqiptar të gjithë vlerës së plotë të kostove të ulura nga zhvlerësimi i Euros, dollarit etj. Po ashtu tregu formal tenton të spekulojë me çmimet duke përfituar nga ekuilibri i prishur i ofertës dhe kërkesës së tregut.
E gjithë kjo situatë do të vijojë në këto tendenca për aq kohë sa nuk do të vendoset një ekuilibër tregu i ri bazuar mbi atë që vetërregullimi i tregut do të sjellë, por që kërkon edhe ndërhyrje fiskale nga qeveria lidhur me kontrollin e informalitetit, qarkullimit të parasë së pistë dhe politikës së taksimeve me norma elastike dhe të përkohshme për bizneset që janë korrekte me zbatimin e ligjit dhe që janë ndikuar nga faktorët objektivë dhe subjektivë të ekonomisë shqiptare.
Ndërkohë, teksa ky ekuilibër ende kërkon kohën e vet të vendoset, një Lek më i fortë po i bën eksportet më pak konkurruese me çmimet në tregjet jashtë vendit. Nëse vëllimet e eksporteve do të tkurren, pasojat do të jenë një hendek negativ i prodhimit dhe një rënie e presioneve inflacioniste që tërheqin kërkesën. Buxheti do të fillojë të ketë “firo” në taksat e planifikuara, pasi ndikimi në ekonomi dhe konsum do të vijojë me efekt domino.
Në ekonominë shqiptare ku tregu është i lirë dhe nuk zbatohet asnjë marrëveshje paraprake, kursi i këmbimit përcaktohet në mënyrë të pavarur nga norma e rritjes ekonomike. Por, kursi i këmbimit do të ndikojë në rritjen ekonomike. Ndërkohë edhe norma e rritjes ekonomike do të ndikohet nga kursi i këmbimit. Megjithatë, me shumë variabla të tjerë në zbatim, të dy treguesit nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë, por efektin ndikues gravitacional ndaj njëra-tjetrës e ndjejnë gjithsesi.
Një arsye prezente lidhet me faktin se monedhat vlerësohen kundrejt njëra-tjetrës për një sërë arsyesh, duke përfshirë politikën fiskale, normat e interesit, bilancet tregtare dhe ciklet e biznesit.
Një kurs i fortë këmbimi shpesh konsiderohet të jetë një shenjë e fuqisë ekonomike. Madje mund të bëhet simbol i krenarisë kombëtare. Shpesh politikanët në ekonomitë e avancuara shqetësohen nëse shohin një “dobësim” të kursit të këmbimit. Ata duan ta tregojnë një kurs të fortë këmbimi si një simbol të suksesit ekonomik.
Në terma afatgjatë (disa vjeçarë), një kurs këmbimi i fortë (vlerësues) priret të ndodhë në vendet me inflacion të ulët, duke përmirësuar konkurrencën dhe një performancë të fortë ekonomike. Por, kjo situatë nuk po vlen për ekonominë shqiptare që i ka të dy këta elementë në funksion, pasi ekonomia shqiptare nuk spikat ende për nivel të lartë konkurueshmërie dhe nuk ka ndikim domethënës në zinxhirin e qarkullimit të produkteve rajonale dhe europiane.
Në terma afat të shkurtër (disa mujorë), pra situata në të cilën operon ekonomia shqiptare aktualisht, një kurs i fortë këmbimi mund të jetë për shkak të një sërë faktorësh të tjerë. Lëvizjet afatshkurtra në kursin e këmbimit mund të jenë mashtruese për situatën e përgjithshme ekonomike, sepse mund të nxitet nga spekulimet dhe jo nga përmirësimi ekonomik afatgjatë, por krijojnë pasiguri që transmetojnë paqëndrueshmëri në konsum dhe në eksporte, përfshirë turistët e huaj dhe vendas.
Në këtë trajektore, një kurs këmbimi i mbivlerësuar shkakton rritje më të ulët ekonomike për shkak se eksportet kthehen në jokonkurruese dhe konsumi tronditet. Kjo me gjasa, nëse agjencitë fiskale nuk reagojnë me intensitet të forcuar, mund të ndikojë në dobësimin e pozitave favorizuese për të ardhurat tatimore.
Edhe pse në mjedisin monetar shqiptar një kurs këmbimi i lartë duket se mund të jetë një mjet anti-inflacioni kjo është e mirë e vogël në krahasim me të këqiat e renditura më lart. Në masën që lidhja është e besueshme për trekëndëshin normë e rritur e interesave të kreditimit, ndikimin mbi inflacionin dhe kursin e këmbimit, duket se ekziston një gatishmëri më e fortë për të mbajtur lart vlerën e Lekut, gjë që redukton pasojat inflacioniste të një zgjerimi të dhënë të ofertës monetare.
Në këtë situatë, mendojmë se është e mundur që një mbiçmim i kursit të këmbimit mund ta bëjë Bankën Qendrore më të gatshme për të ulur normat e interesit, e cila nga ana tjetër mund të rrisë presionet inflacioniste për tërheqjen e kërkesës.
Ndërsa, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në koordinim dhe azhornim të Marrëveshjeve për tregtinë e lirë dhe të hapur duhet të rishikojë tashmë mundësinë e një skenari anti dumping për mallra dhe juridiksione që ndikojnë në konkurencën ndaj eksportuesve dhe prodhimeve shqiptare.
Aktualisht, pas disa muajsh mbiçmimi të Lekut, ky kurs këmbimi është duke u bërë një çështje kritike shqetësuese duke pasur parasysh performancën e dobët reale të Lekut ndaj monedhave kryesore tregtare si dollari amerikan, euro dhe paundi britanik. Më tej, biznesi dhe konsumatorët po besojnë se kursi i këmbimit ka fuqinë të ndikojë në politikat e brendshme të tregut, pasi performanca e kursit të këmbimit mund të përkthehet në paqëndrueshmëri çmimesh në ekonominë shqiptare, veçanërisht e varur nga importi për shpenzimet e përditshme.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.