Importet dhe eksportet e vitit 2023, efekti në ekonomi dhe treguesit që kanë ndikuar mbivlerësimin e Lekut
Në ekonominë tonë, importet e mallrave në 2023 janë 1.98 herë më të larta se eksportet[1]. Ky raport është rritur me 3 % në krahasim me vitin 2022. Konsumatorët shqiptarë janë mësuar të shohin produkte nga çdo cep i botës në dyqanet e tyre ushqimore dhe industriale. Këto produkte të ardhura nga jashtë ofrojnë më shumë zgjedhje për konsumatorët. Nisur nga logjika e tregut, ato prodhohen më lirë se çdo ekuivalent i prodhuar në vend, dhe si rregull importet i ndihmojnë konsumatorët të menaxhojnë buxhetet e sforcuara familjare nga rritja e çmimeve dhe nga ulja e të ardhurave reale.
Vlera prej 872.7 miliardë lekë (8 miliardë Euro) importe që erdhën në vitin 2023 në lidhje me 440.4 miliardë lekë (4 miliardë Euro) eksporte e shtrembërojnë ekuilibrin tregtar në 2023 me një kërkesë monetare në tregun e brendshëm për Lekë për të paktën ekuivalentin e 4 miliardë Euro. Kjo disbalancë tregtare apo deficiti tregtar (importe – eksporte) duhet që të zhvlerësonte monedhën vendase, Lekun[2].
Në fakt monedha vendase u mbivlerësua, pra nuk pyeti shumë për këtë efekt të tregut që ndikon në të njëtën mënyrë në mbarë vendet e botës. Megjithëse duhen konsideruar edhe ndikime të tjera, ekonomia jonë nuk ngjan me vendet e tjera të botës, nga sa duket nga tendenca e kundërt që ka ndjekur sipas treguesve të statistikave.
Si është efekti në ekonomi i importeve dhe eksporteve gjatë vitit 2023?
Prodhimi i brendshëm i vendit, në formulën e tij sipas metodës së shpenzimeve ka një pjesë të qenësishme edhe bilancin tregtar[3]. Nisur, nga kjo llogaritje shikojmë se nëse nuk do të kishim deficit tregtar, por në vend të tij do të kishim suficit (eksporte më shumë se importe), atëherë ky realitet i ekonomisë do të kontribuonte në rritjen ekonomike të Shqipërisë. Kjo do të thotë se do të kishte një nivel të lartë prodhimi nga objektet prodhuese, si dhe një numër më të madh të njerëzve që do të punësoheshin për të mbajtur këto prodhime në funksion. Për kompanitë eksportuese, kjo do të thotë një nivel të lartë mallrash të prodhuara, pra një fluks fondesh në vend, i cili stimulon shpenzimet konsumatore dhe kontribuon në rritjen ekonomike.
Nëse kthehemi tashmë në realitetin ekonomik që është projektuar si model funksional në këto tre dekada, modeli jonë duket se është bazuar te importet më shumë se tek eksportet. Niveli i lartë i importeve tregon një kërkesë të fortë të brendshme dhe një ekonomi në rritje në drejtim të rritjes së konsumit.
Nëse këto importe janë kryesisht asete prodhuese, si makineri dhe pajisje, ashtu si e shikojmë në statistikat e importeve të vitit 2023, kjo është e favorshme për të ardhmen pasi asetet prodhuese do të përmirësojnë produktivitetin e ekonomisë në afat të gjatë. Por, nëse këto makineri dhe paisje nuk shkojnë për prodhim, por për infrastrukturë dhe shpenzime që nuk kontribuojnë direkt në prodhimet për eksport, atëherë vlera e tyre përfituese humbet në kohë dhe ky avantazh si më lart nuk jep ndikim dhe në rastin, kur koordinimi është i dobët edhe mund të rezultojë në investime jo efektive.
Shqipëria në këtë rast është duke e përdorur të gjithë këtë qasje jo në funksionalitet të plotë. Natyrisht, që nuk janë përfituar edhe avantazhet në drejtim të rritjes së mirëqenies, pasi informaliteti i lartë, ndikon në konkurueshmëritë dhe produktivitet të ulët, dhe korrupsioni ndikon në rritjen e kostove të biznesit dhe frenimin e nismave për zhvillim dhe natyrshëm duke u kombinuar edhe me konkurencën rajonale dhe ndikime të tjera që vijnë nga situata gjeopolitike. Pra, duket se situata e ekonomisë mund të rezultojë në rastin më të mirë në një rritje ekonomike të dobët apo drejt një stanjacioni të sektorëve prodhuesë.
Kush e ndikoi atëherë mbivlerësimin e Lekut shqiptar?
Nga argumentet e përmbledhura nga intepretimet e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, në vijimësi është pretenduar se forcimi/mbivlerësimi i Lekut në raport me Euron dhe monedhat e tjera të forta ka ardhur për shkak të fluksit të lartë të valutës në tregun vendas ndikuar nga turizmi, investimet e huaja e remitancat, por edhe nga rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në fakt në këto prurje të euros duhet përfshirë edhe hyrjet nga borxhet e marra gjatë vitit 2023 (Eurobondi dhe të tjera)[4].
Le t’i analizojmë në detaje faktorët ndikuesë në ofertën e madhe të Euros në tregun shqiptar.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë[5], Ministrisë së Financave[6] dhe INSTAT dhe deklaratave të zyrtarëve të lartë, vërehet se gjatë vitit 2023 ka një hyrje:
- të Euros dhe monedhave të tjera të huaja në nivelin e konvertuar 4 miliardë Euro dhe një dalje të saj prej vizitorëve shqiptarë në vendet e huaja në një nivel sa 55% e kësaj vlere, që do të thotë se kanë dalë nga tregu shqiptar.
- të remitancave që tentojnë të shkojnë në nivelin e 1.3 miliard Euro (duke përfshirë në këtë shumë edhe dërgesat në Paund Britanik, Dollarë dhe monedha të tjera)
- të investimeve të huaja, priten të rezultojnë në vlerën deri 1.2 miliard Euro
- të marrjes së borxhit të ri, ku për vitin 2023 shkon deri në 1.2 miliardë Euro
- investimet publike në 2023 kanë pritshmëri realizimi mbi 120 miliardë Lekë, që nxit ofertën e lekut dhe ndikon në dobësimin e tij
- rritja e normës bazë të interesit me 0.5% përgjatë gjithë vitit
Nga renditja e faktorëve ndikuesë më lart, rezulton një ofertë monetare në Euro dhe monedha të tjera neto deri në 1.2 miliardë Euro sipas ndikimeve në tregun shqiptar. Të gjithë këta faktorë kanë ndikim në kahun e zhvlerësimit të Euros, pasi janë ata që ndikojnë në ofertën e madhe monetare në treg.
Por, në analizë përfshijmë edhe efektin e llogaritur më sipër si rrjedhojë e deficitit tregtar, ku vlera e përllogaritur prej 4 miliardë Euro (përfshirë edhe monedhat e tjera të forta) ka ndikim në kahun e dobësimit të Lekut, e ndikuar edhe nga investimet me fonde publike, që zakonisht kryhen me shumicë në fund të vitit duket se oferta monetare e Euros nga ekonomia formale ka një ndikim jo të fortë në kahun e forcimit të Lekut.
Në një vendosje të dy grupeve të faktorëve ndikuesë në funksion të shpjegimit të dobësimit të Euros, shihet se balanca midis dy faktorëve me 1.2 miliardë Euro ofertë monetare më shumë nuk mundet të bëjë ndryshimin e madh në kursin e këmbimit me një zhvlerësim të Euros me 12.6% përgjatë vitit 2023.
Për ta bërë më të besueshëm këtë konkluzion, ne shikojmë vitin 2022 për të krahasuar edhe tendencat për të njëjtët faktorë ndikuesë të këtij viti.
Gjatë vitit 2022:
- deficiti tregtar është 463.6 miliardë lekë ( 4 miliardë Euro)
- hyrjet e valutave nga turizmi (Euro dhe monedhat e tjera të huaja) ishin 2.84 miliardë Euro dhe dalje të valutave sa 62% e shumës së hyrë (1.7 miliardë Euro)
- remitancat ishin në vlerën 834 milion Euro
- investimet e huaja ishin në vlerën 1.37 miliardë Euro
- borxhi i ri ishte 617 milionë Euro
- investimet publike ishin 112 miliard lekë
- rritja e normës së interesit 2.25%
Nga gjithë faktorët më lart, rezulton një ofertë monetare në Euro dhe monedha të tjera neto në 1.17 miliardë Euro për ndikimet e tyre në kahun e zhvlerësimit të Euros.
Kur përfshijmë edhe efektin e llogaritur më sipër si rrjedhojë e deficitit tregtar, ku vlera e përllogaritur prej 4 miliardë Euro (përfshirë edhe monedhat e tjera të forta) me ndikim në kahun e zhvlerësimit të Lekut, si dhe investimet publike, atëherë dukshëm oferta e Euros në treg është më e ulët se oferta e Lekut. Zhvlerësimi i Euros në vitin 2022 është 5.1%.
Në rastin e rritjes së normës së interesit, si rregull bazik shërben për të tërhequr më shumë investime të huaja, kryesisht në investime në bursa monetare. Nga krahasimi midis viteve 2023 dhe 2022 kjo tërheqje më e madhe e kapitaleve të huaja nuk duket se ka ndodhur, ku kjo tregon një tjetër difekt të tregut shqiptar, të cilit i mungojnë instrumentet për të zbatuar këtë parim të tregut të hapur dhe të zhvilluar.
[1] https://www.instat.gov.al/media/12949/tj-dhjetor-2023.pdf
[2] Nëse një vend importon më shumë sesa eksporton (i njohur si deficit tregtar) ka relativisht më pak kërkesë për monedhën e tij, kështu që çmimet duhet të bien. Në rastin e monedhës vendase, ajo zhvlerësohet ose humbet vlerën.
[3] PBB=C+I+G+(X−M), ku C=Konsumi mallrave, I=Investimet, G=Shpenzimet e qeverisë, X=eksportet,M=importet
[4] https://financa.gov.al/plani-vjetor-i-huamarrjes-2023/
[5] https://www.bankofalbania.org/?crd=0,8,1,1,0,17830&uni=20240118160751141101105959557495&ln=1&mode=alone
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.