GJIROKASTËR: EDUKIMI I TË RINJVE DHE ZBATIMI I POLITIKAVE VENDORE NË KOORDINIM ME QEVERISJEN QËNDRORE
Sipas ligjit që rregullon sistemin e Arsimit dhe Formimit Profesional[1], i plotësuar nga një sërë ligjesh të tilla si: Ligji për nxitjen e punësimit 15/2019, Ligji 10247/2010 “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve” (KSHK-në), i ndryshuar[2], Ligji për Zejtarinë (70/2016), Ligji Nr. 69/2012 Për arsimin parauniversitar, i ndryshuar[3] dhe Kodi i Punës, 2015[4] shihet se kuadri rregullator konsiderohet i plotësuar edhe pse nevojiten azhornime dhe akte nënligjore te plote per zbatim nga institucionet qe kane fushe mbulimi.
Në monitorimin e investimeve të kryera për arsimin profesional përtej shpenzimeve të kryera nga vetë fondet e bashkisë, direkt nga buxheti i shtetit rezulton se është investuar vetëm për infrastrukturën arsimore. Përsa i përket edukimit të të rinjve lidhur me punën e denjë, duhet përmendur se industria dhe aktivitetet që lidhen direkt me drejtimet mësimore që jepen në shkollat profesionale kanë nevojë për një nivel më të kualifikuar se nxënësit që dalin direkt nga shkollat. Vetë të rinjtë që kanë zgjedhur arsimin profesional thonë se vendimin e kanë marrë për një të ardhme më të mirë, që më së pari një shkollë e tillë tu sigurojë mundësinë e punësimit. Ndonëse janë në hapat e parë të profesionit, që kanë zgjedhur, ata besojnë se do të vazhdojnë të ecin në këtë rrugë.
Vini re! Vitet e fundit dhe në vijim zhvillohen panaire të shkollave profesionale, me pjesëmarrje të ofertave dhe kërkesave mes punëdhënësve dhe punëmarrësve të rinj, si dhe me modele që synojnë të tregojnë, se strategjia për punësim dhe aftësi është në nivele zbatueshmërie që janë efektive, megjithë pengesat që ka punësimi në tregun vendas për arsye të mundësive të vogla për të ofruar punë të denjë dhe cilësore. Por, nevojat dhe kërkesat për arsimin profesional duhet të maten me investimet dhe orientimin sipas nevojave për zhvillim, duke përcjellë edhe vullnetin politik sipas programit, i cili shërben për matjen e besueshmërisë së përgjegjshmërisë së qeverisjes dhe perspektivës së pozicionimit përballë korrupsionit politik.
Objektivat e politikës edukimit profesional duhet të bazohet në aftësimin dhe përdorimin e novacionit digjital, por të bashkërenduar me kërkesat e biznesit vendor dhe kombëtar. Pikat e tjera kryesore, i cili do të rrisë mundësinë e arsimimit në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet pas në teknologji është edhe qasja politike vendore që në një komunikim me qeverisjen qendrore të kërkojë realisht projekte në programet e saj buxhetore dhe politika të veçanta që duhet të miratojë , që të kuptojë se çfarë roli do të luajë digjitalizimi në edukimin e brezit të ri, por edhe në stimulimin e investimeve fillestare duke kërkuar edhe ndryshimet e transfertës për këto raste. Pandemia ka theksuar thellimin e ndarjes digjitale në vend.
Nevojitet puna e vazhdueshme për të siguruar aksesin, pajisjet dhe infrastrukturën për të siguruar që çdo fëmijë dhe i ri mund të mësojë dhe të zhvillojë me sukses, qoftë në shtëpitë e tyre apo në shkollë. Në këtë qasje, ekspertiza dhe kontributi i OSHC-ve të specializuara mund të jetë nisja e parë e një projekti pilot, për gjallërimin e jetës së të rinjve, por mbi të gjitha për të formësuar karrierat digjitale për të ardhmen.
Për këtë programet që kanë filluar të investohen nga donatorë dhe buxhete vendore si ai i Tiranës, në koordinim me qeverinë shqiptare duhet të jenë shembull për tu fokusuar që të programohet dhe të kërkohet një nivel bazë i arsimimit dixhital për të jetuar dhe punuar në një botë dixhitale.
Vini re! Në këtë mes vlen të bëhen përpjekje partneriteti programesh me investitorë strategjikë vendas dhe të huaj, për të promovuar vlerat më të mira me sa më shumë vlera të shtuara, bazuar te përfshirja e profesionistëve vendas. Një ndërthurje edhe me bizneset vendore për këtë qëllim do të ishte një përdorim me vlerë i burimeve në dispozicion bazuar mbi programe të bashkërenduara dhe që kanë në themel të tyre interest mes palëve.
Bizneset janë pjesa që përkrahet nga bashkia nëpërmjet politikave nxitëse dhe stimuluese, ndërsa studentët janë pjesa që vlen për të parandaluar migrimin, por edhe për të garantuar që vlera e shtuar për të ardhmen të jetë më e garantuar.
Kujdes! Për të përmbushur misionin e tyre për arsimin dhe arritjen e një rinie të arsimuar, qeveria vendore duhet të integrojë aftësitë digjitale gjatë gjithë rrugëtimit të të mësuarit.
Integrimi i të rinjve dhe të rejave[5] në tregun e punës, sipas programeve sektoriale janë ende të papërmbushura përtej politikave institucionale në mbështetje të punësimit të të rinjve[6]. Në mungesë të të dhënave të disponueshme për Gjirokastrën, sipas publikimit për tregun e punës në Shqipëri në 2021, “në grupin e të rinjve dhe të rejave (15-29 vjeç), që nuk janë të punësuar dhe nuk janë as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, 35.1 % e tyre klasifikohen si të papunë” [7], ku të rinjtë që janë të papunë në nivelin 44.3% dhe të rejat në nivelin 27%.
Vini re! Në monitorimin dhe vlerësimit nga jashtë të ndikimit të Strategjisë për Punësim dhe Aftësi, 2019-2022, programeve buxhetore afatmesme dhe buxheteve në vitet 2017-2021, si dhe duke ju referuar edhe programit politik të Kryetarit të Bashkisë në vitet 2015-2019, vërehet se investimet e realizuara nga fondet e Bashkisë, por edhe ato të investuara nga buxheti i shtetit nuk kanë arritur të zbusin papunësinë, madje ajo rezulton me rritje në 2019 në nivelin 17.4% të forcave të punës aktive.
Por në programet buxhetore vendore, si dhe politikat zbatuese të Strategjisë për punësimin dhe integrimin e të rinjve nuk ka një ndërlidhje reale midis nivelit qendror dhe atij vendor.
Po kështu, Strategjia dhe politikat përshkruajnë në mënyrë optimiste realitetin dhe situatën dhe gjithashtu vendosin mbi këto baza edhe objektiva për tu arritur jashtë realitetit ku do të zbatohen[8].
Sipas dokumenteve kryesore ku bazohet zhvillimi ekonomik dhe social shihet se për integrimin e të rinjve dhe të rejave në tregun e punës ka pak prioritete/objektiva për nxitje të ekonomisë dhe hapësirave për rritje të investimeve që mund të krijojnë vende të reja pune dhe punësim edhe të të rinjve dhe të rejave. Nga investimi me fonde direkt nga buxheti i shtetit dhe nga miratimi i Marrëveshjeve me shtete dhe organizata të huaja për edukimin profesional ka projekte në nivel kombëtar[9], si dhe projekte investimi me shtrirje vendore.
Në nivelin e pjesëmarrjes, në arsimin e mesëm të përgjithshëm në raport me arsimin profesional Gjirokastra bazohet kryesisht në gjimnaze me 80% pjesëmarrje dhe 20% e nxënësve ndjekin shkollat profesionale. Numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar me nxënësit në shkollë të mesme është në një raport 3.2:1. Ky raport mundet të jetë një tregues për mosvijueshmëri të edukimit me të njëjtin ritëm si arsimi i detyrueshëm, i cili meriton një vëmendje për Ministrinë si rast për konsiderim nga ta.
Nga ana tjetër edhe numri i fëmijëve në kopshte publike është në një numër mjaft të ulët, që duhet të analizohet se sa është nevoja reale për investime për një lehtësim të barrës së familjeve të reja nga kostot për mbajtjen e fëmijëve jashtë sistemit të edukimit parashkollor.
Shpenzimet e buxhetit të Bashkisë për Arsimin parashkollor përfshirë arsimin bazë, Arsimin e mesëm të përgjithshëm, si dhe Arsimin professional në vitin 2022 janë parashikuar në nivele të njëjta dhe vijojnë të tilla. Në aspektin e realizimit të programit për rikonstruksionin dhe ndërtimin e shkollave është punuar në përmbushje të programit politik, por edhe programit buxhetor, megjithëse ecuria e ritmit të investimeve si në shumë raste lihet e papërmbushur deri në vitin e fundit të mbylljes së mandatit politik,
Kujdes! Ky moment është një tregues i nevojës së publikut për të kërkuar llogari direkte në dëgjesa dhe konsultime (duke kërkuar edhe ndihmë direkte nga rrjeti shoqërisë civile) për mungesën e konsistencës në arritjen e një performance sipas programit.
Niveli i shpenzimeve spjegon edhe faktin e përqindjes së lartë të pjesëmarrjes së nxënësve në arsimin publik duke konsideruar edhe argumentin e nivelit të ardhurave mbi mesataren kombëtare[10] tregon se për pjesën më të madhe të familjeve nuk e përballojnë koston e arsimit privat. Në këtë rast përgjegjësia e bashkisë është edhe më e madhe, në aspektin cilësor.
Të regjistruarit e arsimit të mesëm publik për vitin 2020 – 2021 përbëjnë 97% të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve në arsimin e mesëm në Gjirokastër. Ndërsa vetëm 3% janë të regjistruar në arsimin e mesëm privat duke u renditur në vend të tretë përsa lidhet me masivitetin e arsimit të mesëm publik në nivel vendi.
Ndërkohë, raporti nxënës për mësues është në nivel qarku është 8.2 nxënës për mësues, ndërsa për Bashkinë Gjirokastër është 11.6 nxënës për mësues, ku të gjitha bashkitë e tjera vërehen për nivele më të ulta. Këto raporte me diferenca të mëdha shpjegohen me faktin e migrimit dhe lëvizjes së popullsisë në zonat jo urbane drejt qendrave më të mëdha. Adresimi në këtë rast është i njëjtë me çfarë kemi përmendur në këtë raport.
[1] ligji për AFP-në, nr. 15/2017
[2] Me Ligjin 23/2018
[3] me Ligjin 48/2018
[4] https://www1.undp.org/content/dam/albania/NewPublications/Review_VET_Albanian.pdf
[5] https://www.crca.al/sites/default/files/publications/RAPORTI%20TE%20RINJTE%20NE%20SHQIPERI%202019-2020_0.pdf
[6] https://www.eurospeak.al/news/dritare-per-te-rinjte/20970-perspektiva-e-punesimit-te-te-rinjve-ne-shqiperi-realitet-dhe-sfida/
[7] http://www.instat.gov.al/media/8293/njoftim-per-media-tregu-i-punes-2020.pdf
[8] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2020/10/Publikim_AL_Strategjia-Kombëtare-për-Punësim-dhe-Aftësi-2019-2022.pdf
[9] https://skillsforjobs.al/sq/publications/nis-faza-e-re-e-projektit-aftesi-per-pune/
[10] http://www.instat.gov.al/media/8498/pagat_press_release-t1_-2021-altcom.pdf
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.