Emri i mirë i Shqipërisë në botë varet nga ecuria e sotme e vendit

emri mire

Emri i mirë i Shqipërisë në botë varet nga ecuria e sotme e vendit

Kjo në fakt sapo është bërë më e vështirë dhe jo vetëm sepse menaxhimi i situates së shkaktuar nga Covid-19 ka dëmtuar reputacionin e saj, por ka zbuluar realitetin ekonomik, politik dhe social – arsimor.

Diskutimi i parë është ekonomik.

Performanca ekonomike në raport me premtimet e mbi 20 viteve të fundit ka qenë e dobët dhe politikat e miratuara në çdo rast kanë qenë një pengesë ndaj bazës ekonomike ende të pakonsoliduar.  Ekonomia e të paktën dy dekadave të fundit ka qenë kap çfarë të kapësh, pa patur asnjë sektor që krijon qëndrueshmëri dhe siguri në terma afatgjatë. Sektori energjisë, që mbahet si një ndër sektorët kyç në ekonomi (por jo në punësim) është shumë i paqëndrueshëm pasi është i varur nga moti. Ndërtimi edhe pse nuk dihet se çfarë financimesh përdor nuk mundet dot ta mbajë ekonominë produktive dhe konkuruese përtej kufijve të vendit. Tregtia dhe shërbimet janë pjesa më e madhe e ekonomisë, por me probleme të mëdha fragmentarizimi dhe të ndikuara thellësisht nga informaliteti dhe konkurenca e zhdrejtë.

Një pjesë e ekonomisë eshte gjendur në periudha të shpeshta ciklike pa ritëm dhe pa mundur dot të jetë pjesë e zhvillimeve rajonale. Nga analizimi i treguesve dhe projekteve kryesore ekonomike të lançuara dhe filluara duket se qeveria/të nuk i kanë rezistuar tundimit për të hapur shumë projekte dhe punë brenda një mandati. Kryesisht ato kanë preferuar ato projekte që konsiderohen të mëdha, apo reformuese duke harruar detajet që përbëjnë projektin dhe krijojnë problemet e mëdha që i lihen sistematikisht si barrë për ta mbajtur qeverisë që merr mandatin.

Nisur nga kjo eksperiencë e politikës së pas viteve ’90 kupton se për qeveritë ka qenë e lehtë të hartonin një listë të gjatë për të bërë punë, por shumë më e ndërlikuar ka qenë për të vendosur se çfarë të mos bënin.

Për ta ilustruar me disa fakte, le të marrim ecurinë e kapitalit bruto në këtë dekadë të fundit.

Formimi i kapitalit bruto[1], sipas Bankës Botërore në 2010 ishte sa 35.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në 2018 ishte sa 24.1% e PBB-së, me një ulje të peshës së tij me 11.6 pikë përqind. Ndërkohë, në një krahasim me vendin fqinj të Maqedonisë së Veriut formimi i kapitalit bruto në 2008 ishte sa 27.9% e PBB-së, ndërsa në 2018 ishte 32.5% të PBB-së, me një rritje të peshës së tij me 4.6 pikë përqind.

Në rastin e rritjes së tij në raport me PBB është një realitet që tregon se janë rritur investimet, të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik (a) duke rritur të ardhurat për frymë dhe si rrjedhojë rritet fuqia blerëse, e cila, nga ana tjetër, krijon kërkesë më efektive dhe (b) rritja e investimeve çon në një rritje të prodhimit.

Megjithatë, edhe ne rastin e investimeve, edhe pse treguesi i kapitalit mund te mos jete aty ku do te donim jo të gjitha investimet e kryera mund të konsiderohen të mençura.

Në 2019, nga një llogaritje e vlerave të investuara në infrastrukturën rrugore nga dy burimet e buxhetit (Ministria e Transportit dhe pas 2017 Ministria e Infrastruktures, si dhe Fondi i Zhvillimit) u vërejt se shuma e investimeve në infrastrukturë zënë 60% të kostos së borxhit publik si mesatare 10 vjeçare.  Ndërkohë, për të parë kufijtë e ndikimit në rritjen e ekonomisë duke analizuar raportin midis vlerës së investimeve rrugore ndaj rritjes së PBB-së, shikohet një korrelacion jo simetrik. Ekonomia ka patur rritje më të vogël se vlera e investimeve në disa vite ( 2010, 2013), që tregon se në këto vite vlera e investimeve ka qenë në kurriz të vetë rritjes vjetore. Duke marrë si mesatare që norma mesatare e rimarrjes së investimeve në infrastrukturën rrugore nuk kalon më shumë se 15-20% në vit, atëherë analiza tregon se shumë nga këto investime në rrugë kanë gjeneruar më pak të ardhura sesa kostoja e tyre e huamarrjes, duke lënë humbje të mëdha.

Investimet e buxhetit të shtetit për infrastrukturen rrugore, 2009 -2019     mld. Leke
Emërtimi20092010201120122013201420152016201720182019Total
Shpenzimet kapitale ne infrastrukture rrugore*53.638.442.734.644.732.327.117.139.538.436.8405.2
Sherbimi borxhit publik42.148.148.752.156.157.7100.358.257.688.164.9673.9
Ndryshimi PBB (vit me vit)63.2695.760.932.217.245.339.038.278.285.142.7597.7
Rritja e PBB / Investimet rrugore118%249%143%93%39%140%144%223%198%222%116%147%
Investimet rrugore/ Pagesa borxheve127%80%88%66%80%56%27%29%69%44%57%60%
Burimi: Ministria e Financave
* Vlera perfshin investimet kapitale ne transportin rrugor, sipas Ministrise së linjës dhe Fondi Shqiptar të Zhvillimit. Llogaritjet nga ALTAX

Nisur nga kjo llogaritje e thjeshtë vetë qeveria duhet të konsiderojë edhe njëherë prioritetet e investimeve nisur nga përvoja dhe vlerat ekonomike të fituara deri më sot.

Një tjetër diskutim për ecjen e vendit përpara është politik.

Shqetësimi për mos përdorimin e hapësirave politike që egzistojnë në Ballkan kanë ndikimin e madh lidhur me marrjen seriozisht të botës me Shqipërinë. Ajo nuk do të merret seriozisht jashtë vendit nëse nuk arrin dot të  krijojnë dialogun normal politik brenda vendit dhe përreth tij.

Në demokracitë e pakonsoliduara nevoja për të zhbllokuar fonde publike, ose për të stimuluar kapitalin privat do të thotë që qeveritë duhet të drejtojnë procese transparente, shumëvjeçare, të cilat duhet të vendosen për disa cikle zgjedhore.

Në vijimësi të diskutimit mbi ndikimin e politikes, qeveria aktuale duke u ndodhur para faktit se buxhetit nuk i ka mbetur hapesire fiskale per te investuar shume projekte me fondet e veta, prej disa vitesh tashme eshte duke konsumuar mjaft hapesire debati politik dhe energji qeverisese për të vazhduar projekte investimesh të partneritetit privat – publik (PPP). Per te perdorur formulen e PPP, qe ne Shqiperi ka nje historik perpara kesaj qeverie është e vërtetë që nuk ka nevojë për më shumë se disa  dhjetëra mijëra mbështetës, por jane ata disa qindra njerëz qe mund ta transformojnë këtë politikë në një histori negative për buxhetin e vendit.

Duke mos dashur për të vijuar më tej me diskutimin rreth politikës në vendin tonë per kete argument, një vëmendje të shtuar ne fakt vlen më shumë duke diskutuar për edukimin. Diskutimi i gjerë publikut është çelësi për të hapur dyert për të konkuruar shqiptarisht me ide novatore dhe me një arsimim sa më pranë nevojave të tregut rajonal, për të investuar për të ardhmen me mundësitë e të tashmes.

Edukimi dhe krijimi i kulturës së punës me standarte është në fakt çelësi për prosperitetin e ardhshëm të Shqipërisë.

Sado e vështirë të jetë kriza aktuale ekonomike, është e rëndësishme të mos humbasim përqendrimin në rëndësinë e edukimit dhe të fillojmë adresimin e disa prej problemeve që kanë pllakosur prej kohësh sistemin kulturor dhe edukativ të kombit. Reformat e kryera në vitet e kaluar duhet të vlerësohen siç duhet nga publiku brenda dhe jashtë vendit.

Disa rezultate edhe kanë filluar të shfaqen, por sistemi edukativ ende vuan nga mungesa e konsolidimit të zinxhirit të edukimit dhe cilësisë së tij. Suksesi nuk mund të varet vetëm nga reformat e vazhdueshme, por nga zbatimi i plotë. Kjo është e vërtetë dhe thelbësore për reformat në arsim.

Nga ana tjetër, ky model edukimi edhe pse përmendet shpesh se shihet i lidhur me tregun e punës, rezultatet nuk e tregojnë se pritet një produkt i duhur për tu patur si potencial.

Gurët e themelit të një kornize politike për zhvillimin e një fuqie punëtore të aftë të përshtatshme janë duke u hedhur. Por mungon disponueshmëria e gjerë e edukimit me cilësi të mirë si bazë për trajnimin në të ardhmen.

Problem që ende vazhdon është mos përputhja e aftësive me nevojat e bizneseve vendase dhe atyre të huaja, duke mos ndihmuar dot edhe tregun e punës.  Natyrisht që krijimi i mundësive për të aftësuar fuqinë punëtore për tu përshtatur me ndryshimet në teknologji kërkon shumë më tepër se një mandat qeverisës, por kjo nuk është një garë midis partive apo grupeve politike, por një kërkesë kombëtare që lidhet me nevojat për emrin e mirë të vendit tonë në të ardhmen.

Rritja dhe prosperiteti kërkojnë veprime të koordinuara nga të gjithë sektorët.

Çdo proçes do të kërkojë ndihmë nga e gjithë qeveria, për të filluar përsëri ribalancimin e ekonomisë. Sidoqoftë, ne duhet ta pranojmë që bizneset dhe fuqia punëtore mbeten faktorët kryesorë të rritjes së ekonomisë, veçanërisht me presionin e vazhdueshëm që ambjenti ndikon mbi konsumatorin dhe tregun e vogël shqiptar

[1] Formimi i kapitalit bruto, në terma të thjeshtë është ekuivalent me investimin e bërë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: