ELBASANI: STRATEGJIA E ZHVILLIMIT, MUNDËSITË E BUXHETIT TË BASHKISËDHE EFEKTI NË EKONOMINË VENDORE

ELBASANI: STRATEGJIA E ZHVILLIMIT, MUNDËSITË E BUXHETIT TË BASHKISËDHE EFEKTI NË EKONOMINË VENDORE

Strategjia e Zhvillimit dhe mundësitë e buxhetit të Bashkisë dhe ato nga FSHZH dhe institucionet dhe donatorët nuk duket se do të përmbushin objektivat e përmbushjes në afate.

Nga verifikimi i secilit nga 58 programet për arritjen e tyre na rezulton një situatë e tillë:

– Janë realizuar 13 programe (22% e totalit të programeve), por pa përmbushur asnjë nga 5 objektivat strategjikë të Planit plotësisht (te SHTOJCA). Gjysma e këtyre programeve kanë tejkaluar afatin e zbatimit (0-3 vite);

– Janë në proces për tu realizuar (në nivele të ndryshme të zbatimit) 32 programe zhvillimi infrastrukture rrugore, UK, arsimore, shëndetësore, bujqësore, urbane (55% e totalit të programeve), duke synuar përmbushjen e të paktën 3 objektivave strategjikë (Objektivat 1, 3 dhe 5). Me përjashtim të dy programeve që kanë të përcaktuar një kohëzgjatje afat gjatë (deri 15 vite nga fillimi programit), pjesa tjetër janë në tejkalim të afateve të përcaktuara;

– Nuk kanë filluar apo nuk ka informacion për performancën e 13 programeve (22% e totalit të programeve), që janë të gjithë në tejkalim të afateve të përcaktuara në Plan.

1. Strategjia e zhvillimit prej 5 vitesh është në zbatim, por me ritme më të ngadalta performance nga objektivat e përcaktuara për vënien në funksion të zhvillimit të investimeve dhe programeve.

Nga llogaritjet e kostos fillestare gjithsej të gjithë objektivave të Planit llogaritja fillestare arrin në 3.14 miliard lekë. Kjo kosto që duhet të alokohet nga Buxheti i Shtetit, Buxheti i Bashkisë, Donatorët dhe Institucione financiare e investitorë strategjikë (TAP) për përmbushjen e plotë të Planit është e barazvlefshme sa 64% e buxhetit gjithsej vjetor të Bashkisë, sipas të dhënave për 5 vitet e fundit (2016-2021), dhe sa 5 fonde investimesh kapitale gjithsej, që programon mesatarisht çdo vit kjo Bashki.

Nëse bazohemi vetëm te buxheti faktik i Bashkisë në 10 vitet e fundit (bashkë me transfertat e pakushtëzuara dhe të kushtëzuara), edhe sikur gjithë buxheti të shkonte për Strategjinë ne Zhvillimit Vendor, përsëri ky fond nuk do të mjaftonte të arrinte përmbushjen e objektivave afatgjatë.

Ndërkohë, Buxheti i shtetit ka programuar për gjithë periudhën 2017-2021 fondin prej 2.84 miliard lekë (sa 90% e totalit të kostos gjithsej të Planit), ku mbi 85% e tyre tashmë janë në funksionim dhe i shërbejnë komunitetit.

Nisur nga ritmet e financimit, nevojitet që në funksion të përmbushjes në afate të investohet çdo vit sipas performancës së zbatuar bazuar te gjithë burimet e financimit së bashku, të përmendura më lart.

2. Struktura e shpërndarjes së programeve të investimeve dhe politikave sipas Planit është më e fokusuar te Urbanizimit, infrastruktura rrugore, UK dhe hartimi i politikave dhe planeve rregullatore.

Sipas të dhënave, që autorët e Raportit disponojnë nga PPV Elbasan, të përpunuara sipas Planit Vendor të Zhvillimit shikohet se shpërndarja e programeve sipas drejtimeve të zbatimit janë të fokusuara kryesisht te Urbanizimi për Turizmin (11% të totalit të programeve), Infrastruktura rrugore (13% të totalit të programeve), UK (7% të totalit të programeve), Bujqësi, Artizanat (11% të totalit të programeve) dhe Art, Kulturë, Arkeologji(11% të totalit të programeve).

Më pak hapësirë kanë programet për Infrastrukturën e Arsimit (5% të totalit të programeve), Infrastrukturën e Shëndetit (4% të totalit të programeve), Mjedisi, Mbetjet dhe Energjia (5% të totalit të programeve).

3. Plani i Zhvillimit të Territorit ka ndikime të vogla dhe të pjesshme sipas objektivave strategjikë për Elbasanin dhe duhet të analizohet përditësimi me realitetin ekonomik bazuar te deviancat.

Në krahasimin midis strukturës së Prodhimit të brendshëm rajonal të Elbasanit në vitin 2017 dhe në vitin fillim të vitit 2021 vërehet nga ekspertët, se në fillim të vitit 2021:

Ndryshime pozitive të tendencës së sektorëve të ekonomisë

– Bujqësia dhe Blegtoria, Ndërtimi dhe Industria janë mbizotëruese me 62.6% të ekonomisë së Elbasanit (6 bashkitë) me një rritje të përbashkët prej 0.3 përqind më shumë nga 2017. Rritjen më të madhe në grup e ka Industria me 1.6% më shumë pjesëmarrje në PBB, e cila është ndihmuar nga tregu i eksportit dhe i brendshëm (lëndë ndërtimi etj.);

– Aktivitetet e pasurisë së paluajtshme janë rritur me 0.4% në pjesëmarrjen në PBB, si rrjedhojë e rritjes së vlerës së aseteve dhe nxitjes së blerësve për të blerë në një treg që konsiderohet në zhvillim të mëtejshëm;

Ndryshime negative të tendencës së sektorëve të ekonomisë

– Tregtia, Transporti dhe Hoteleria janë tkurrur në pjesëmarrjen në PBB me – 1.5 përqind nga 2017. Ndikimi kryesor vjen nga situata e bllokimit të aktiviteteve të akomodimit nga pandemia e Covid-19, por edhe konkurueshmëria e dobët dhe informaliteti në treg. Ky ndikim vihet re nga niveli i të tjera të cilat përveç administratës publike dhe arsimit, që ka rritje 1.4% në PBB konsiderohen me një rënie me -0.1% deri – 0.6% nga 2017 në 2020

Duke konsideruar se përmbushja e objektivave strategjike është mbrapa në afate dhe në vlerat e investuara sipas programeve, shpenzimet për investime publike nuk kanë çuar në një efekt stimulues të dëshiruar në komponentët e shpenzimeve private të PBB-së dhe kanë një ndikim më të madh në PBB nëpërmjet efektit të pjesëmarrjes të një pjese të fermerëve dhe bizneseve tregtare në skemat e propozuara të lehtësive fiskale dhe granteve ndihmëse sesa llojet e tjera të shpenzimeve.

4. Për të realizuar rritjen e pritshme të shpenzimeve për infrastrukturën, Bashkia (por jo vetëm kjo bashki) do të duhet të ofrojnë qeverisjes qendrore përzierjen e duhur të analizës së faktorëve ekonomikë, socialë dhe mjedisorë, të referuar ndonjëherë si mjedisi i favorshëm.

Bashkia me kapacitete e veta dhe në bashkëpunim me faktorët ndikuesë dhe potencialet e pashfrytëzuara (OSHC, organizata biznesi, ekspertë të spikatur, sindikata, institute dhe think-tanke vendase dhe të huaja) do të duhet gjithashtu të krijojnë një mjedis biznesi më të favorshëm për investitorët, firmat inxhinierike dhe të ndërtimit duke kapërcyer apo transferuar si rrisk pengesa të tilla si rregulloret e paparashikueshme, vonesat burokratike dhe përpjekjet për të siguruar të drejtat e tokës.

– Urbanizimi në rritje kërkon shpenzime për sektorë të tillë të infrastrukturës jetike, si: uji, energjia dhe transporti.
– Rritja e prosperitetit në Bashki do të nxisë financimin e infrastrukturës drejt sektorëve të konsumit, duke përfshirë transportin dhe sektorët e prodhimit që ofrojnë dhe shpërndajnë lëndë të para për mallrat e konsumit.
– Ndryshimet demografike do të ndryshojnë, duke ndikuar si në sasinë ashtu edhe në llojin e shpenzimeve për infrastrukturën.
– Popullata në plakje (në zonat rurale) do të kërkojë investime shtesë të kujdesit shëndetësor, ndërsa popullata e re dhe rikthimet e mundshme të emigrantëve shqiptarë nëpër botë, por edhe nga vende të tjera do të kenë nevojë për më shumë shkolla dhe vende pune në sektorët e rinj të ekonomisë.

5. Hartimi i kalendarit të dialogut të lidershipit qytetar për temat për debat midis shoqërisë civile dhe iniciativave qytetare me pushtetin vendor, si pjesë më e gjerë se konsultimi publik për vlerat qytetare.

Në bazë të momentit në të cilin OSHC në Shqipëri po kërkojnë të evolojnë drejt fokusimit në çështjet që përbëjnë interes të shtuar publik, si dhe për të qenë pjesë e tregut të ekspertizës në funksion të qytetarit, ekspertët tanë mendojnë se duhet futur si një instrument i freskët në komunikimin mes qytetarëve dhe qeverisjes vendore Dialogu Deliberativ .

Dialogët kërkojnë të gjejnë një bazë të përbashkët midis pjesëmarrësve, të gjejnë vende ku njerëzit bien dakord dhe të përdorin marrëveshjen për të gjetur një zgjidhje për problemin. Dialogët gjithashtu do të trajtojnë me respekt dallimet midis pjesëmarrësve, pa fyerje apo lëndime, dhe nuk do të ketë ndarje të palëve me emërtimet e konsumuara nga retorika boshe prej 3 dekadash, në “i majtë” ose “i djathtë”.

Ky dialog, i cili do të bazohet mbi një njohje të një regjistri egzistues të azhornuar nga AMSHC dhe pjestarë të tjerë të OSHC do të instrumentalizojë hartimin e një Kalendari të sinkronizuar sipas kalendarit të qeverisë vendore për vendimarrje mbi çështjet më të rëndësishme, si: draft projektet gjatë hartimit të strategjive, vendime për fatin e më shumë se një grupi të ngushtë qytetarësh, vendime për politikat fiskale vendore, vendimet për buxhetin vjetor dhe PBA etj.
#Elbasan #BashkiaElbasan #keshillibashkiak #punesimi #ekonomia #bizneset #buxheti2022 #konsultimipublik #shpenzimet #auditsocial #altax #anketim #buxhetimimepjesemarrje #infrastruktura #zhvillimurban #strategjiaezhvillimit #mjedisi #urbanizimi

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: