Efektet sociale nga zbatimi i TVSH
Në dallim nga tatimi mbi të ardhurat, TVSH-ja nuk influencon në formën dhe mënyrën e biznesit. Një TVSH e përshtatur mbi kushtet specifike ekonomike kombëtare siguron gjithashtu një neutralitet në fushën e tregtisë se jashtme nëpërmjet mostaksimit të eksporteve dhe trajtimit të importeve mbi një mesatare te prodhimeve brenda vendit.
Nga një studim i bërë nga FMN mbi efektin qe vjen nga aplikimi i përqindjes se shkalleve të TVSH-se është vërejtur se mund të grumbullohen mesatarisht rreth 0.4 % të PBB-se të ardhura tatimore për çdo 1% shkalle tatimore. NË vendet e industrializuara pjesa e të ardhurave nga TVSH-ja kap 15% – 20% të totalit të të ardhurave tatimore apo 5% – 8% të PBB-se. Ndërsa në vendet në zhvillim edhe pse ajo nuk është në këto nivele përqindje zë një peshe të konsiderueshme të të ardhurave tatimore.
Ka një mendim të përbashkët se një TVSH është bërë e mirë kur ajo mbulon një numër sa me të gjere tatimpaguesish dhe aktivitetesh apo thënë ndryshe është një piramide me baze sa me te gjere. Me thjesht, kjo do të thotë që prodhuesit, shitësit me shumice dhe shitësit me pakice duhet të jenë në pjesën dërrmuese të tyre aplikues të ligjit të TVSH-se.
Duke hedhur një vështrim historik ne vendin tonë, zbatimi i TVSH-se nisi kryesisht për subjektet prodhuese te mëdhenj, si dhe importuesit dhe tregtuesit e mallrave me shumice.
Përpjekjet e mëtejshme të administratës tatimore kanë vite që tentojnë të shtrihen drejt zgjerimit të bazës se subjekteve që duhet të regjistroheshin në TVSH nga përmbushja e kriterit te realizimit të xhiros nga 2 ne 5 milionë leke e me vone ne një qarkullim mbi 8 milion leke brenda një viti fiskal e nga njëherë edhe drejt nje baze TVSH pa prag fare.
Ky prag xhiro prej me shume se 4 vitesh është zëvendësuar me pragun 5 milion leke dhe zbatueshëm për shumicën e aktiviteteve që nga prodhuesit deri te shitjet me pakice. Disa aktivitetet profesionale ndërkohe nuk kane prag xhiro.
Shumë vende të tjera që e kanë nisur me zbatimin e TVSH-se si në rastin shqiptar duke tentuar në zgjerimin e bazës për aplikimin e TVSH dhe në shitjet me pakice. Arsyeja qëndronte te fakti, se aplikimi i TVSH-se vetëm tek tatimpaguesit me aktivitete prodhuese shtrembëronte politiken e neutralitetit tatimor dhe favorizonte aktivitete të tilla si: produktet e luksit dhe akcizës, importuesit dhe furnizuesit e mëdhenj të shërbimeve të ndryshme. Kjo shkaktonte një shpërndarje të pabarabarte të barrës fiskale dhe efekte regresive të TVSH-se në lidhje me konsumin. Si pasoje, krijoheshin dhe probleme të mprehta (kur prodhuesit shisnin direkt të shitësit me pakice apo te konsumatorët përfundimtarë ose krijonin kanalet direkte te tyre të shpërndarjes).
NË dallim nga kjo shtrirje e zbatimit të TVSH-se, kur ajo përfshin dhe shitjet me pakice, probleme si ato të mësipërmet minimizohen. Neutraliteti fiton terren, pasi taksa në këtë mënyrë zhvendoset sa me afër konsumatorit përfundimtar. Prodhuesit apo shpërndarësit nuk mund të jenë të përcaktuar dhe vlerat e tatueshme janë gjithnjë të njëjta me çmimet aktuale. NË këtë mënyrë nuk është shkalla në të cilën TVSH-ja është vendosur ajo që përcakton numrin e tatimpaguesve, por masa e përjashtimit të subjekteve të biznesit të vogël. Për me tepër, ky përjashtim nuk është i kushtueshëm për buxhetin, pasi bizneset e vogla të përjashtuara do të vazhdojnë të paguajnë TVSH-në për blerjet që kryejnë.
Shumë vende nuk i taksojnë aktivitetet që kryejnë institucionet e shtetit me mendimin se nuk ka kuptim të ngarkohen me TVSH aktivitete të tilla (të përjashtuara nga pagesa e TVSH-se) kur kjo do të kërkojë vetëm rritje fondesh, pra rritje të shpenzimeve buxhetore. Por, praktika për ato vende që nuk i përjashtojnë nga pagesa e TVSH-se këto lloj furnizimesh ka qene e shoqëruar me rritje të përgjegjësisë dhe transparencës se veprimeve të organizmave shtetërore.
Kohet e fundit në disa nga vendet europiane ka nisur një praktike e re e taksimit të sektorëve të shërbimit publik. Një sektor që po zbatohet një politike ndryshe janë shërbimet postare, të cilat në fund të fundit futen në konkurrencën e përditshme si konsumatorë të letrës, gazetave apo periodiket e blerë nga private apo kur kryejnë shpërndarjet e postes me transportues që vijnë po nga sektori privat.
Aplikimi i TVSH-se në sektorin publik (i ndërthurur me subvencione) ka avantazhin e konfrontimit të politikëbërësve më drejtpërdrejt me koston e ndërhyrjes së shtetit.
Ndërsa flasim për një TVSH me një baze sa më të gjere ka qene vështirë të përfshihen në skemën e administrimit disa sektorë te ekonomisë.
Kështu, nuk ka qene i lehte taksimi i shërbimeve ndërtimore, shërbimeve financiare, tregtimit te mallrave te akcizës, prodhimeve agroindustriale.
Po të përmendim rastet e blerjeve të pasurive të patundshme për qëllime biznesi, në teori nuk janë të ndryshme nga blerjet e mallrave ushqimore, industriale, shërbime etj., që janë të taksueshme.
Por, derisa vlera e blerjes së një ndërtimi përfaqëson vlerën e kapitalizuar për shërbime në të ardhmen, taksimi i kësaj vlere përfaqëson taksën, që duhet të ishte vendosur për shërbimet që i janë kryer ndërtimit para blerjes.
Për qiradhënien e pasurive të patundshme deri në momentin që nuk vendoset pagesa e TVSH-se do te vijoje te ketë rrjedhje të saj. Gjithsesi në kuadrin e një zbatimi sa me të drejte kërkohet në radhe të pare krijim te tregut te vlerës se ndërtimeve dhe transparencë të tregut të pasurive të paluajtshme.
Aplikimi i qëndrueshëm dhe neutral i TVSH-se mbi pasuritë e paluajtshme, kërkon gjithashtu, që gjithë materialet ndërtimore, shërbimet ndërtimore dhe format e leasing-ut duhet të jenë të taksueshme në një tarife standarte. E vërteta është se kjo politike përpiqet te zbatohet në Shqipëri, por nuk mund te thuhet se ka qene neutrale. Kjo vjen nga periudhat e të kaluarës, për shkak të shtrembërimeve që vinin nga mënyra e administrimit të të ardhurave të taksueshme.
Në rastin e përjashtimit të shërbimeve financiare (bankat, bursa e të ngjashme) institucionet financiare bëjnë blerje me TVSH, por nuk ngarkojnë dot me TVSH shërbimet e tyre që shesin, ndoshta për pamundësi reale të ndarjes se pjesës se shërbimit bankar, sigurues etj.
Shumë vende (ashtu si Shqipëria) nuk kanë një shpjegim të qarte se nga se nisen që e bëjnë këtë përjashtim. Shumë shërbime plotësuese, si pjese brenda shërbimit financiar, të tilla si: këshillimet ligjore, fiskale, të ndara janë të taksueshme. Ndërkaq, përjashtimi i tyre nga TVSH-ja shmang gjithashtu problemin kaskadë.
Një mënyrë interesante taksimi te bankave është rasti taksimit te tyre prej shtetit te Izraelit. Metoda që përdoret konsiston në atë se vlerën e shtuar e llogarit si shumë të të ardhurës nga puna dhe mbi përfitimet normale. Vende të tjera përdorin rruge e metoda të ndryshme, të cilat kanë në baze të tyre mënyrën e ndarjes se vlerës se shtuar në mënyrë që të mund të jete baze për taksim.
Agroindustria është një tjetër fushe problematike për TVSH-në. NË vendin tonë ajo përbën aktualisht 19% të PBB-se.
Derisa vlera me e madhe shtohet pas gardhit të fermës, shpenzimet për krijimin e produkteve janë të pazbërthyeshme kollaj. Por, këto produkte përbëjnë dhe një baze të madhe për eksport.
Nisur nga kjo roli i këtij sektori behet akoma me i rëndësishëm për administratën tatimore, pavarësisht nga kushtëzimet politike dhe kostot administrative të problemit në fjale. Shume vende i kanë lehtësuar fermerët nga TVSH-ja e blerjeve për disa lende te para te nevojshme për ta si: farërat, pesticidet, plehrat, makinat dhe pajisjet bujqësore.
Por, çdo përjashtim ka shërbyer dhe si një mundësi për shmangie tatimore. Dhe këtu te ne, rreziku i abuzimit tatimor është egzistent, sidomos për rastin e përdorimit të makinave bujqësore dhe për shërbime të tjera jashtë fushës se bujqësisë, p.sh. traktorët, që mund të përdoren vërtet në bujqësi, por gjithashtu mund të përdoren dhe për të kryer pune private.
Megjithëse, këto përjashtime bëhen gjithmonë për të ruajtur prodhimin vendas ndaj konkurrencës nga importi për të mos shkaktuar gërvishtje sociale sidomos përsa i përket krahut të punës në këtë sektor, gjithsesi lehtësirat sjellin shtrembërime të politikes se neutralitetit të TVSH-se.
Nëse TVSH-ja nuk administrohet e plote dhe me gjithë përfshirje te çdo vlere te shtuar te ekonomisë, ajo do të vijoje te dëmtojë neutralitetin duke renduar te mallrat dhe shërbimet qe taksohen.
Ne formën qe ende zbatohet edhe pas 19 vitesh historik, ajo është një takse që po ndikon ne deformimin e shtyllave te administrimit te sistemit tatimor, me efekte frenues ne rritjen e ekonomisë dhe specializimin e sektorëve të saj duke u kthyer në një peshe mbi xhiron e disa sektorëve në zinxhirin e qarkullimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.