Drejt një ekonomie të re që mund ta shikojmë në sy!
Rënia ekonomike në Shqipëri këtë vit erdhi si efekti i uraganit të paralajmëruar. Shqipëria nuk mund të dilte më mirë apo më keq nga kjo rënie ekonomike, pasi arsyeja e tërmetit para pandemisë, por sidomos kjo e dyta i kaloi difektet e performancës së ekonomisë në plan të fundit. Tamam si pas një uragani ku nuk flitet më për jetë të qetë e të patrazuar edhe ne tani flasim të gjithë me fjalorin e mbijetesës.
Ndërsa ekonomitë kanë hyrë në fazën e një rikuperimi, gjithsesi po shihen boshllëqe midis performancës së ekonomisë sonë dhe atyre të rajonit. E vetmja pjesë e ekonomisë sonë, e cila ende mund të flasë me siguri për vijimësinë është pjesa për rindërtimin e zonave të shkatërruara ngs tërmeti.
Por në fakt, përtej vështirësive që vijojnë duhet folur me qytetarët për rendin ekonomik që do ndryshojë nga pandemia, i cili do të ndikojë mbi gjithshka dhe mbi gjthkënd.
Ndërsa ekonomitë rihapen paraprakisht, ende mbetet pasiguria në lidhje me rrjedhën e pandemisë. Qeveria duhet të tregojë me veprimet ligjore, që mbështetja fiskale për bizneset dhe individët duhet të shndërrohet në një përmirësim të klimës së përgjithshme për të bërë biznesin më të përshtatur me nevojat e kohës dhe me kërkesat e të ardhmes.
Mbështetja fiskale duhet të zhvendoset në tregje që janë një nivel më lart se deri më sot. Heqja dorë nga programet buxhetore rutinë, të cilat kanë konsumuar fonde dhe nuk kanë krijuar efektet e pritshme për tregun e punës duhet të riformatohen duke u përshtatur me kërkesat e tregut të punës për punonjës me aftësi të reja në drejtim të teknologjisë dhe aftësive për të konkuruar në tregjet përreth Shqipërisë.
Rritja e investimeve publike duke filluar me mirëmbajtjen dhe rritjen e projekteve që kanë normën e kthimit të investimeve më të lartë se të trjerat mund të krijojë vende pune dhe të nxisë rritjen ekonomike.
Por, për të krijuar këtë hapësirë fiskale që mundëson programet buxhetore nevojitet që të paktën për vitin 2021 të përmirësohet de facto modeli i pajtueshmërisë së taksapaguesve me tatimet duke filluar me një panel të ri drejtuesish të aftë dhe në lartësinë e sfidës për këtë model tatimor. Ndërkohë, politika tatimore kur është ende në kohë për ndryshimet në ligjin e buxhetit 2021 duhet të marrin në konsideratë tatime më të larta për individët dhe familjet më të pasura, por dhe për bizneset me shumë fitim.
Progresiviteti tashmë duhet të fillojë të zbatohet mbi kapitalin, pasi deri më sot taksimi progresiv ka përfituar në kurriz të shtresës së mesme. Të ardhurat nga të pasurit që fitojnë nga kapitalet që zotërojnë do të ndihmonin në pagimin e shërbimeve shëndetësore dhe në arsim, të cilat janë të goditura nga kriza dhe kanë dëmtime që tregojnë dukshëm se cilësia e tyre është në rënie. Pandemia nuk ka mbaruar dhe të flasësh për deficitin fiskal dhe nivelin e lartë të borxhit publik nuk adreson asgjë që ndihmon në këtë vit.
Ajo çfarë na vlen është të mendojmë se si të krijohet sadopak hapësira fiskale për të dalë nga ndikimi i krizës, që do të thotë se si të shmangim papunësinë për periudha edhe mbas 2020, por edhe si të sigurojmë që kriza të mos ulet këmbëkryq duke na kujtuar për nga ngjashmëria vitet që pasuan 1997. Në këtë qasje, vijimësia me investimet publike dhe ndihmat për familjet me të ardhura më të ulëta duhet të jenë një vazhdimësi që nuk duhet të ndikohet nga plani buxhetor 2021.
Qeveria duhet të ndryshojë modelimin e ekonomisë duke filluar të mendojë sesi do të dilet nga tranzicioni i ri drejt një ekonomie të re që mund ta shikojmë në sy dhe të ndihemi se është ashtu si ngjan dhe jo ashtu si na e përshkruajnë. Ndërsa qeveria do të rritë investimet publike dhe do të aplikojë masat fiskale për të nxitur rimëkëmbjen, politika e re duhet ta bëjë ekonominë më përfshirëse dhe me hapësira për të gjithë kategoritë e bizneseve dhe të punësuarve.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.