Dixhitalizimi apo e-qeverisja dhe ndikimi te lufta ndaj korrupsionit

Dixhitalizimi apo e-qeverisja dhe ndikimi te lufta ndaj korrupsionit

Një nga instrumentat për të rritur potencialet ndaj korrupsionit është e-qeverisja, apo ndryshe dixhitalizimi i shërbimeve publike. Për këtë mekanizëm është investuar mesatarisht çdo vit me 2% të vlerës së investimeve publike në 5-6 vitet e fundit.

Sektori publik në vitet e fundit, ku ai qendror më shumë dhe ai vendor më pak kanë avancuar në shfrytëzimin e potencialit dixhital në rigjallërimin e reagimit të tyre ndaj nevojave në ndryshim të qytetarëve. Por një shqetësim në rritje është efikasiteti i përdorimit të burimeve të kufizuara publike, ku ekspertiza civile dhe media investigative kanë prezantuar nevojën e menaxhimit më të mirë të fondeve të buxhetit.

Potenciali transformues i TIK-ut në të dy nivelet e administratës publike, po ndikon sadopak në rritjen e transparencës dhe angazhimin e qytetarëve, nga ku ne konstatojmë se po ulen disa barriera informimi dhe po lehtësohen shërbime edhe pse jo të plota.

Më e rëndësishmja në këtë avancim është qasja edhe pse e papërfunduar për qeverisje më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, pse jo edhe për një demokraci pjesëmarrëse.

Procesi i dixhitalizimit po ndikon përditë me dashje apo jo për të prezantuar konceptin e qeverisjes së hapur bazuar tek e-qeverisja. Pra, duket se ka ndryshim pozitiv lidhur me përhapjen e kulturës së informimit dhe ndërtimit të një modeli komunikimi midis qytetarit dhe institucioneve bazuar te mendësia dixhitale.

Nisur nga hapat e hedhura në drejtim të reformimit të shërbimeve krahasuar me përpara disa vitesh, shikojmë se kombinimi i ndërveprimeve të sektorit publik me atë privat po edukon dhe nxit politikëbërësit të hartojnë programe dhe shërbime publike me kosto efikase për të reduktuar korrupsionin në administrim dhe në përdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit.

Ndërkohë, qytetarët vërehet se janë bërë më të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre dhe më kërkues se më parë. Kjo frymë e përhapur e ndërgjegjësimit qytetar dhe publik është duke bërë presionin civil mbi këdo drejtues që mendon se e ka institucionin si tokë në përdorim. Një konsolidim i tillë në frontin antikorrupsion po përdor vlerat e sistemit të ri digjital për të konsoliduar transparencën cilësore që të avancohet më tej te presioni në rritje për llogaridhënien problematike.

E gjitha kjo atmosferë e bazuar në ndërthurjen e instrumentit dixhital me forcimin e zërit qytetar nëpërmjet argumenteve të ekspertizës civile është pararendja e veprimit të ri qytetar.

Pritshmëria jonë është se një qeverisje elektronike, kur të ndërtohet dhe futet e plotë në përdorim, me gjasa do të ndryshojë edhe logjikën e kërkesave të qytetarëve dhe grupeve të interesit në modelin që bazohet te kërkesa e llogarisë për institucionet sipas kostos dhe përfitueshmërisë.

Qeverisja elektronike pritet të orientojë qeverisjen e ardhme jo më drejt organizimit të programeve dhe shërbimeve bazuar te racionaliteti funksional dhe hierarkia vertikale, por duke u bazuar te hierarkia horizontale, ndërveprimit në rrjet bazuar te shkëmbimi i informacionit.

Strukturimi ndryshe pritet të diktojë edhe ndryshimin e modelit të administrimit të institucioneve, ku nga situata e sotme që zbatohet bazuar te rregulloret dhe mandatet kohore drejt një administrimi fleksibël, bazuar te ndërveprimi i detyruar sektorial dhe puna ekipore me koordinim qendror.

Në këtë ndryshim të administrimit është e natyrshme që edhe modeli i drejtuesve apo stili i drejtimit do të ndryshojë nga qasja aktuale e bazuar te komanda dhe kontrolli drejt një stili lidershipi që lehtëson dhe koordinon, duke u bazuar te novacioni.

Me qëllim që skema e drejtimit të funksionojë sipas premisave si më lart një qeverisje elektronike mundëson edhe përsosjen e komunikimit të brendshëm nga lart-poshtë që zbatohet aktualisht, drejt një rrjeti hierarkik me disa drejtuesë me koordinim qendror dhe komunikim të drejtpërdrejtë.

E gjithë ajo që përshkruam deri më tani lidhet me ndryshimet e brendshme në modelin e administrimit, drejtimit dhe ndërveprimit të institucioneve, por që e gjitha për ne publikun vlen në momentin se si do të komunikohet me qytetarët.

Deri më sot ne e provojmë dhe shikojmë e dëgjojmë nga përvoja të ndryshme të qytetarëve se komunikimi për publikun është modeli i padobishëm, pasi është i centralizuar, formal si dhe me një kanale komunikimi të kufizuara. Edhe pse duket shumë e vështirë për të ndodhur, qeverisja elektronike po tenton të thyejë këtë mendësi duke tentuar edhe nga presioni i publikut jashtë institucioneve publike që komunikimi të bëhet sa më i vlefshëm, i drejtpërdrejtë dhe i shpejtë në reagim, bazuar në kanale të shumta komunikimi.

Një arritje në këtë drejtim, por edhe në lidhje me marrjen e shërbimeve tashmë është bërë fakt.
Mënyra e ofrimit të shërbimit prej pak muajsh është shndërruar nga modeli i bazuar te letrat dhe komunikime fizike me punonjësit e institucioneve në një hkëmbim elektronik, si dhe jo më ballë për ballë dhe humbje kohe për tu përfituar një shërbim.

Finalja e gjithë kësaj arritje të bazuar te qeverisja elektronike është se duke u nisur nga kultura e ulët e ofrimit të shërbimeve publike do të arrijë pak nga pak të ndryshohet mendësia për mënyrën e ofrimit të shërbimit duke detyruar që produktiviteti i institucioneve të bazohet te standardizimi dhe përshtatja me kërkesat e qytetarëve duke arritur në një të ardhme në personalizimin e shërbimit (Tat‐Kei Ho 2002, 437).

Vëzhgimi jonë mbi shërbimet elektronike të qeverisë elektronike na tregon se zhvillimi i qeverisjes elektronike nuk ndjek domosdoshmërisht fazat e pjekurisë së qeverisjes teorike dixhitale sipas modelit me lart, pasi vullneti i qeverisë dhe politikës në tërësi është vendimtar për të mos e ndërtuar sistemin për qëllime të ngushta politike, por për atë interes publik që ai ja vlen të ndërtohet7.
Shërbimet ekzistuese qeveritare janë në faza të ndryshme zhvillimi, duke filluar nga fazat informative deri te transaksionet dhe ndërveprimi aktiv.

Por, ka një trend që praktikat më të mira të qeverisjes elektronike po përshtaten dhe ndiqen me ritme të shpejta. Megjithatë, mbizotërimi i një sërë sfidash, duke përfshirë ato institucionale dhe spevifikisht ato infrastrukturore, duke konsideruar edhe mungesën e përvojës në gjenerimin e shërbimeve publike online me vlerë të lartë për përdoruesit fundorë, si dhe sfida të tjera bazë, siç janë struktura e ekonomisë dhe niveli i përgjithshëm i të ardhurave, apo korrupsioni sistemik dhe situata politike dhe demografike, po ndikojnë mbi performancën e reformës dixhitale në sektorin publik.

Nga këto sfida duhet konsideruar nga të gjithë aktorët, se dixhitalizimi nuk duhet të jetë synimi i vetëm i reformimit të shërbimeve publike. Implikime më të gjera, të tilla si zgjerimi i vlerave publike të shërbimeve dhe lënia e hapësirës për qytetarët apo subjektet private të paraqesin zërin e tyre është sfida aktuale për lidershipin e reformës së administratës publike.

Kjo mënyrë dialogimi është baza e garantimit të një sistemi funksional të qeverisjes për të siguruar ato që mungojnë: drejtësi dhe barazi, të cilat duhet të jenë garantët thelbësore të nismës së qeverisjes dixhitale.

Pjesa e pare e studimit me titull “Dixhitalizimi, vlerësimi i performancës i administratës qendrore dhe vendore, rritja e pagave dhe marrëdhënia me korrupsionin”

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: