Dita e Lirisë Fiskale në 2020 në Ballkanin Perëndimor
Llogaritja e lirisë fiskale është e përbërë nga tre faktorë:
Barra e taksave mbi të ardhurat individuale,
Barra e taksave mbi të ardhurat e bizneseve, si dhe
Barra totale e taksave si përqindje e PBB-së.
Në vitin 2020, Dita e Lirisë Fiskale për Ballkanin Perëndimor është dita e 111të e vitit.
Në këtë vit, liria fiskale vjen në të njëjtën ditë që erdhi dhe në vitin 2019. Në vitin 2020, në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut kjo ditë bie më herët, ndërsa Në Bosnjë – Hercegovinë, Malin e Zi dhe Serbi kjo ditë bie më vonë. Edhe në vitin 2019 kjo ditë ka ardhur respektivisht njësoj për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndryshimi i vetëm që ka ndodhur midis dy viteve gjendet në Shqipëri. Në vitin 2020 dita e lirisë fiskale është dy ditë më herët se në vitin 2019, për arsye të uljes së barrës fiskale në vitin 2019.
Dita e Lirisë Fiskale përfaqëson tatimpaguesit e një vendi përballë ngarkesës së tyre nga administrata fiskale për mbledhjen e detyrimeve fiskale për buxhetin. Kjo ditë është data treguese për tu njohur, se në çfarë dite të vitit barra ndaj buxhetit të shtetit është përmbushur apo për ti treguar tatimpaguesve se sa ditë u duhet të punojnë me qëllim që të paguajnë pjesën e tyre të detyrimeve tatimore për llogari të buxhetit. Pas kësaj dite të ardhurat e mbetura mbeten si logjikë në xhepin e biznesit apo individit, për të paguar shpenzimet individuale, familjare apo shpenzime për bizneset. Nga llogaritja e ditëve që konsumohen në secilin vend për të paguar tksat që përbëjnë barrën fiskale, sipas të dhënave që ka deklaruar secila nga administrata e të hyrave fiskale dhe të konfirmuara nga Ministria e Financave për secilin nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, rezulton se në varësi të nivelit barrës fiskale ndaj PBB-së, Dita e Lirisë Fiskale në 2020 ne Ballkanin Perëndimor vjen në 20 Prill 2020.
Liria Fiskale fillon udhëtimin nëpër rajon duke trokitur së pari në Kosovë në 28 Mars. Më pas shkon në Shqipëri në datën 3 Prill dhe një ditë më vonë në Maqedoninë e Veriut në 4 Prill. Për këtë muaj nuk ka më asnjë datë për tu festuar si ditë e Lirisë Fiskale. Në muajin Maj, Dita e Lirisë Fiskale arrin në Bosnjë-Hercegovinë dhe pesë ditë më vonë mbërrin në Serbi, në datën 9 Maj. Liria Fiskale festohet së fundmi edhe në Malin e Zi, në datën 11 Maj.
Këtë vit, Kosova konsiderohet se ka një avantazh në lehtësimin e barrës me Shqipërinë duke e arritur këtë ditë 5 ditë para dhe 22 ditë para BP-së. Pas kësaj date i gjithë rajoni i BP-së fillon të ndihet i gjithi i liruar nga barra fiskale që i detyrohej buxhetit. Nisur nga data kur festohet Liria Fiskale, secili kupton se sa i rëndon barra e buxhetit qytetarëve të vendit. Nga ana tjetër, Liria Fiskale është indeksi që tregon se sa ditë të lira kanë bizneset dhe individët përgjatë vitit për të punuar për veten dhe familjet e tyre.
Pse ndryshon çdo vit Dita e Lirisë Fiskale?
Për ta prurë këtë ditë sa më shpejt për dijeni të gjithë taksapaguesve, ALTAX prezanton për çdo vit në këtë dekadë të fundit Kalendarin e Lirisë Fiskale. Arsyeja pse ndryshon dita është e lidhur ngushtë me të ardhurat që mblidhen nga administrata fiskale dhe agjensitë që mbledhin kontributet sociale për buxhetin e shtetit. Sa më shumë të ardhura të mblidhen gjatë një viti, aq më vonë festohet Dita e Lirisë Fiskale për vitin pasardhës. Shqipëria e pati më vonë në 2019 këtë ditë, pasi u arritën të mblidhen më shumë të ardhura se një vit më parë në raport me PBB-në. Në vende të tjera të BP-së, kjo ditë nuk ka ndryshuar në vitin 2020, për arsye të mbledhjes së të ardhurave në të njëjtin raport me PBB-në si në vitin 2019. Këto të ardhura jo detyrimisht mund të jenë njësoj midis viteve, por mund të jenë në të njëjtin proporcion kur ato shikohen si nivel i arritur ndaj PBB-së.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.