Bashkia, pas vitit 2016 u gjend e përfshirë në projektet zhvillimore të territorit, të cilat i ndikuan edhe në hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor dhe Vendimarrjeve të Këshillit të Bashkisë, si një zhvillim i organizuar në një formë të koordinuar mes dy niveleve të qeverisjeve. Për të arritur këtë koordinim, produktiviteti i ekonomisë dhe punësimi i denjë dhe cilësor janë pjesa sfiduese e Strategjisë sektoriale për punësimin, por edhe ajo e edukimit profesional dhe e ndërthurur edhe me politika të posaçme për grupmoshat e reja sociale vulnerabile .
Vini Re!
Plane të tilla që janë për tu promovuar si nisma të mira të shoqërisë civile duhet që të rrjeti ende i paorganizuar dhe pambështetur i shoqërisë civile ti propozojë dhe bëjë pjesë të planit të veprimit të Strategjisë së Zhvillimit të Dibrës.
1. Sipas të dhënave statistikore të faqes online të INSTAT, argumentohet fakti kombëtar se Papunësia në nivel kombëtar me ndikim edhe në Dibër tregon rritje në vitin 2021 krahasuar me periudha të mëparshme. Niveli i papunësisë në rang kombëtar është 11.4% në fund të vitit 2021, si një nivel me ulje prej 2 pikë përqind krahasuar me fundin e vitit 2017.
Nga ky tregues kombëtar duke e krahasuar me tendencat e performancës ekonomike, të niveleve të punësimit dhe papunësisë në vitet 2017 dhe 2019 në Dibër, llogaritet se efekti indirekt te niveli i papunësisë është në rritje edhe për vitin 2021.
Megjithëse, programet e Bashkisë mund të kenë synuar të bazohen mbi dokumente zhvillimore politikash, p.sh. për grupe të caktuara (të rinjtë), shihet se në Buxhetin e vitit 2021 (por edhe në buxhet e dy viteve përpara) nuk ka të parashikuar fonde specifike për këtë drejtim, përveç financimeve të dedikuara të projekteve të shoqëqrisë civile dhe asnjë investimi sipas buxhetit të dedikuar për të rinjtë.
Ndërkohë, investimet me fonde të brendshme të Bashkisë, por sidomos ato që shpenzohen nga investitorë dhe donatorë të huaj dhe kanë projekte që synojnë të nxitin ekonominë për punësim, shihet se kanë qenë të pamjaftueshme për të bërë ndryshimin në nivelin e punësimit, sipas kërkesave të punëkërkuesve.
Ndërkohë, fondet e huaja të programuara nga buxheti i shtetit përgjatë 2021 dhe 2022 duket se janë të kufizuara dhe nuk janë të adresuara për rritje dhe nxitje punësimi.
Në analizën e krijimit, por edhe mbajtjes së vendeve të punës shihet se ka pak arritje për të orientuar fondet në ato projekte që lidhen direkt me agroturizmin, si dhe hapësirave për zhvillimin e biznesit të prodhimit.
Kujdes!
Politika për punësim dhe aftësim duhet të synonte të nxiste në koordinim me kërkesat e qytetarëve të përcjellura nëpërmjet Bashkisë dhe direkt nuk kanë arritur të zhvillohen duke ndikuar mbi vendimarrjet e të rinjve për të migruar bashkë me familjet e tyre.
a. Kjo qasje nxit një mungesë për pjesëmarrje në zhvillimin rajonal duke lënë hapësira për vendimmarrje dhe zhvillime vendore për shfrytëzim të burimeve natyrore bazuar mbi vullnete politike të korruptuara, duke u provuar nga moszhvillimi i politikave që miratohen dhe nuk veprohet në kohë dhe me alokim burimesh përkatëse.
b. Kjo qasje shprehet si parashikim optimiste, por brenda saj tregon vullnetin për të planifikuar pa patur burimet në dispozicion. Pjesëmarrja e ekspertizës dhe analizave mundet të përballet dhe të ndikojë mbi këtë qasje të rremë duke sjellë zhgënjim dhe lënie hapësirë akteve korruptive dhe shfrytëzimit të burimeve nga grupe ekonomike që janë në lidhje me politikën e ditës
2. Shërbimet dhe programet aktive të tregut të punës nuk kanë gjetur ende zbatimin sipas strategjisë kombëtare për punësimin. Nisur nga zbatimi i ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit” nevojitet një koordinim mes zyrave të punës dhe krijimit të paketave gjithpërfshirëse për të lehtësuar kalimin e individëve të papunë dhe pa një arsim të përshtatshëm apo aftësi specifike drejt punës së denjë.
Por e gjitha kjo qasje nuk ka përfshirë sa dhe si duhet mekanizmat e bashkive, ku në këtë trajtim edhe Dibra nuk bën përjashtim. Në kuadër të detyrave të përcaktuara në Strategji nevojitet që të kërkohet zbatimi i analizës së kosto-përfitimit lidhur me efektin e programeve aktive në tregun e punës, ku bashkitë duhet të mbajnë rolin e liderit të këtyre programeve duke përfituar edhe fondet përkatëse që duhen decentralizuar sipas praktikave të mira në disa vende të BE-së.
3. Rritje e tregut të punës dhe ndikim nga organizatat e biznesit dhe të punës (sindikatat) i dobët në funksion të përmirësimit të drejtave të punës dhe ambjentit për biznes. Ulja e numrit të papunëve është një sfidë për secilën qeverisje vendore dhe kjo nuk është e veçantë vetëm për Bashkinë Dibër.
Vini Re!
Megjithatë një nga qasjet që Bashkia duhet të konsiderojë është që bazuar mbi prioritetet strategjike kombëtare të kërkojë të zgjerojë dialogun me institucionet që mbulojnë punësimin dhe politikat për edukim professional duke e kthyer në një prioritet të tyre edhe në programet buxhetore vendore .
Investimet në aktivitete që duhen lidhur me nevojat e tregut konkurues dhe të të ardhmes ende nuk janë të promovuara, për të ndryshuar nxitjen për punësimin e të rinjve. Mbështetja e arsimit profesional, i cili ka ndryshim me vite përpara, si edhe investimet në sektorë prioritarë sipas burimeve lokale duhet të jenë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës, por ende ka pak përfitues nga grupmosha 15-29 vjecarë.
Në periudhën 2017-2021, duke analizuar një indikator jo direkt, por që është i lidhur me punësimin (zhvillimi ekonomik) shihet se shpenzimet e Bashkisë për punësimin dhe zhvillimet ekonomike nuk kalojnë nivelin e 7% të buxhetit gjithsej, si shpenzimet kapitale, po ashtu dhe programet për rritje kapacitetesh dhe edukuese.
Vini Re!
Një nivel i tillë në një mesatare disavjeçare i shpenzimeve, duke marrë në konsideratë edhe zhvillimet e performancës ekonomike vendore duhet të adresohet me mbështetjen e gjithë faktorëve vendorë (përfshirje edhe të shoqërisë civile) në ministritë që analizojnë politikat e punësimit dhe edukimit profesional, për një politikë buxhetore më të përshtatur në periudhën e programeve buxhetore në nivel kombëtar me shtrirje rajonale, por edhe për të shërbyer me fokus konkret në përmbushjen e objektivave për zhvillim të tregut dhe nxitje të ekonomisë.
4. Politikat që kanë mbetur të pazhvilluara duhen të jenë objekt i analizës së gjithë ekspertizës së arritshme në tregun privat dhe publik, për të adresuar mosveprimet sipas segmenteve institucionale, por edhe mungesën e vullnetit për të bërë transparencën me të dhëna korrekte dhe në kohën që përcaktohet nga legjislacioni për informimin e publikut.
Kujdes!
Llogaridhënia si proces ballafaqimi mes Bashkisë dhe shoqërisë civile është në nivele jo të mira si model dialogimi dhe ka nevojë përmirësimi në cilësinë e dialogut. Në traditën shumëvjeçare është një perceptim mjaft i përhapur te publiku dhe shoqëria civile mosdhënia e llogarisë nga të zgjedhurit e bashkisë, për premtimet e parealizuara apo programet e pazhvilluara, përveç institucioneve që kanë detyrë auditimin e performancës ligjore dhe financiare të bashkisë.
5. Megjithë përpjekjet e ekspertëve të shoqërisë civile dhe të pavarur për të monitoruar punën e qeverisjes vendore (të ngjashme me modelin e këtij projekti), rrallë deri tani të zgjedhurit janë ballafaquar direkt me premtimet edhe pse në vitet e fundit janë bërë përpjekje per bilance mbi realizimet e premtimeve.
Llogaridhënia duhet të burojë pikërisht nga analiza që konsideron zbatueshmërinë e programit politik nëpërmjet monitorimit të vendimeve të këshillit bashkiak, por edhe performancës së Bashkisë dhe kryetarit të saj, si dhe opinionit të publikut, ku përfshihen kategori dhe shtresa të ndryshme të komunitetit vendor. Në monitorimin dhe analizën e llogaridhënies mbi performancën e Bashkisë rezulton se janë zhvilluar takime të rralla në këtë format (ekspertiza e shoqërisë civile me ekspertët dhe punonjësit e bashkisë).
Edhe nga Anketimi i bërë nga ana jonë,
kur qytetarët u pyetën “A jeni ftuar në ndonjë mbledhje/takim publik të Këshillit Bashkiak? na u përgjigjën 95% e tyre “Jo” dhe vetëm 5% e tyre “Po”. Ndërkohë, kur i pyetëm “Jeni të kënaqur me nivelin e diskutimeve në mbledhjet e këshillit Bashkiak?” rezultoi se 100% e tyre ishin deri diku të kënaqur me diskutimet.
Vini Re!
Nisur nga situata e vështira në ekonominë rajonale, me qëllimin e përgatitjes për përballje të efekteve të një goditjeje negative ekonomike (duke stimuluar qytetarët që migrojnë në vitet e ardhme), autorët e raportit, në përkrahje të stimulit ekonomik përgjithësisht bien dakord mbi tre drejtime, se si duhet të kryhen shpenzimet stimuluese përtej madhësisë së madhe të stimulit në rrethanat më të mira.
5. Për të qenë sa më efektiv stimuli duhet të jetë i orientuar direkt si një transfertë monetare:
Në kohë reale
Për të ndaluar një ekonomi që është në një spirale në rënie apo me frenim të rritjes, shpenzimet stimuluese duhet të hyjnë shpejt në ekonomi. Programet e shpenzimeve që kërkojnë muaj ose vite për t’u përfunduar mund të zgjasin shumë për të pasur një ndikim në kohë. Vonesat në shpenzime jo vetëm që mund të zvogëlojnë ndikimin në një performancën aktuale ekonomike, por mund të jenë edhe kundërproduktive nëse vijnë shumë vonë dhe kontribuojnë në mbinxehjen e ekonomisë.
Në grupet e identifikuara si nevojtarë
Për të stimuluar ekonominë, shpenzimet duhet të bien në duart e njerëzve që do t’i shpenzojnë shpejt për të shumëfishuar ndikimin e tyre. Zakonisht, kjo do të thotë në familje me të ardhura më të ulëta dhe njerëz që janë më të prekur ekonomikisht nga presionet negative ndaj mirëqenies së tyre. Marrësit që kursejnë paratë ose i përdorin ato për të shlyer borxhin ekzistues, mund të mposhtin qëllimin e stimulimit të shpenzimeve të reja dhe efekti shumëfishues i stimulit bie.
Me kohëzgjatje të përkohshme
Shpenzimet e stimulit duhet të kufizohen në periudhën kur është e nevojshme për t’u marrë me një recesion. Përndryshe, rritjet e përhershme në shpenzimet e deficitit mund të çojnë në borxhe të paqëndrueshme të qeverisë, të pengojnë shpenzimet për investime private ose të krijojnë shtrembërime të padëshirueshme mikroekonomike në ekonomi.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.