DIBËR: LËVIZJET BRENDA VENDIT DHE EFEKTET DEMOGRAFIKE DHE EKONOMIKE
1. Në Dibër si efekt i migrimit ka një bilanc negativ të bilancit të hyrjeve dhe daljeve të rezidentëve, në vitin 2021.
Në kushtet e një lëvizje migratore në kah të kundërt është një tregues i rëndësishëm për orientimin e investimeve publike në objekte sociale, shëndetësore dhe arsimore, kulturore, sportive, të cilat nevojiten në rastin e prezencës së popullsisë aktive (arsimi) dhe asaj të moshuar (qendra shëndetësore).
Nga largimet dhe ardhjet e popullsisë në vitin 2021 në Bashkinë Dibër ka një humbje neto migratore në 2021 me – 990 banorë më pak. Ndërsa në nivel qarku, ky bilanc është edhe më negativ me – 1.845 banorë më pak. Demografia lidhur me strukturën gjinore anon nga meshkujt (52.2% meshkuj dhe 47.8% femra).
Megjithatë shihet se është dominuese popullsia në moshë pune (15-64 vite), duke paraqitur një tregues vitaliteti të pashfrytëzuar të tregut të punës (9.1% papunësia). Nga ana tjetër, duke patur dobësi në luftën ndaj informalitetit, si një tregues i korrupsionit administrata vendore duhet të koordinohen me administratën qendrore në Dibër për një bashkëveprim që nevojitet për të patur sa më pak informalitet, për të garantuar pensionet për të ardhmen.
Kjo qasje anti informalitet ndaj punës është edhe një nxitës i krijimit të një ambienti më të pranueshëm për të qëndruar dhe për rikthim të atyre që janë larguar.
Vini re!
Nisur nga largimet e ndjeshme në këtë bashki në dallim nga bashkitë e tjera në vend duhet të ndërtohet edhe një politikë investimesh dhe mënyra e komunikimit me publikun bazuar te parandalimi nëpërmjet edukimit profesional, por edhe investimit në infrastrukturën shëndetësore.
2. Lëvizjet e popullsisë si jashtë dhe brenda Bashkisë nuk kanë ndikuar në uljen e të ardhurave për frymë. Ajo pjesë që kanë ndryshuar vendbanimin kanë lëvizur në qendrat urbane më të mëdha, kryeqytetin e vendit, Bashkinë Tiranë dhe bashkitë e tjera fqinje, por edhe jashtë vendit , kryesisht si një nivel i pranueshëm migrimi.
Peshkopia si një ndër qytetet e tjera të vendit me prodhim të brendshëm nën nivelin mesatar të PBB-së, nisur nga vendndodhja gjerografike dhe traditat në bujqësi, industri, si dhe nga hyrje të rezidentëve nga zonat rurale dhe zona të tjera të vendit, si në shumicën e bashkive në Shqipëri nëpërmjet programeve zhvillimore është konsideruar në funksion të zhvillimit masiv dhe në vitet e fundit është objekt i Planit të Përgjithshëm Kombëtar (PPK) “Shqipëria 2030” për zhvillimin e territorit nëpërmjet urbanizimit. Sipas Vjetarit statistikor Rajonal, 2021 të INSTAT migrimi i brendshëm neto (hyrje-dalje) në vitin 2021 në nivel qarku është në ulje të dukshme, nëse krahasohet me vitin 2017 .
Ndërkohë, gjatë 4 viteve të fundit të ardhurat për frymë janë rritur me 52 mijë lekë, çfarë nënkupton që efektet e migrimit ndryshojnë të dhënat mesatare, por jo problemet, të cilat janë ende të pa adresuara sipas nevojave të banorëve përderisa largimet janë ende më të mëdha se ardhjet, duke tkurrur popullsinë e Dibrës me 1.6% më pak vetëm në një vit.
Gjithsesi për lëvizjen migratore brenda vendit ka edhe kërkesa ligjore që nuk ndalojnë lëvizjen e lirë, por janë detyrim ligjor për tu zbatuar. Mosveprimi i punonjësve për lëvizjet e popullsisë ndikon në politika të pasakta në vendimarrjen për ndarjen e fondeve, për momentin e zgjedhjeve dhe për përfitimin e shërbimeve që jepen nga qeverisja qendrore.
Detyrimet për tu përmbushur nga qytetarët lidhen me institucionet si më poshtë:
– Regjistrimi i vendbanimit në zyrën e gjendjes Civile
– Regjistrimi i fëmijëve në shkollë
– Transferimi i dosjes së automjetit
– Regjistrimi te Qendra Shëndetësore
– Regjistrimi për pensionin
3. Strategjitë sektoriale kombëtare dhe vendore në parandalimin e migrimit dhe të nxitjes së ofertës së punësimit duhet të përditësohen nëpërmjet reagimit të qeverisjes vendore.
Politika kryesore zhvillimore për nxitjen e ekonomisë së qëndrueshme dhe si rrjedhojë edhe punësimit cilësor është Plani i Përgjithshëm i Territorit, 2016 (PPV). Ky plan është llogaritur të kushtojë 99.1 milion Euro (13.2 miliard lekë) , si kosto fillestare, pa llogaritur devianca dhe rritje të kostove të ndikuara nga faktorë të ndryshëm.
Drejtimet kryesore të zhvillimit janë të programuara, në Planin e Detajuar Vendor të Dibrës (PDV) , me orientime në infrastrukturën rrugore, në urbanizim, në infrastrukturë arsimore, shëndetësore, për ujësjellës dhe kanalizime, për nxitjen e turizmit dhe kulturës, për rehabilitimin dhe mbrojtjen e mjedisit (lumenj, pyje, mbetjet urbane dhe të ngurta) dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë duke synuar balancat mes sektorëve.
PVD filloi të gjejë zbatim në buxhetin e vitit 2017 dhe në gjithë vitet e tjera në vijim me programe që ende janë në proces zbatimi deri në vitin 2030.
Nisur nga shpenzimet që janë kryer deri më sot sipas PDV, si investime kapitale me fondet e bashkisë shihet se infrastruktura dhe gjithë veprimtaria e Bashkisë janë mbuluar me 6% të buxhetit të Bashkisë.
Kujdes!
Raportimet për investimet kapitale dhe zhvillimin e programeve sipas PDV nuk arrihen dot të identifikohen, për të bërë matje të performancës sipas çdo programi. Për analizën e performancës së PDV nevojitet një raportim i dedikuar nga Bashkia ku të bëjë të plotë dhe të konfirmuar nga burimet e qeverisjes qendrore dhe vendore për të mos krijuar vështirësi në të dhëna dhe llogaridhënien me detaje për planin kombëtar të zhvillimit, 2030. Aktualisht raportimet për zbatimin e këtij dokumenti politikash mund të gjenden të copëzuara në disa burime, që edhe për një ekspertizë kërkon kohë dhe është kundër parimeve të raportimit financiar.
4. Problemet migratore do të kenë ndikim negativ në grupmoshat e reja dhe fuqinë punëtore. Migrimi i brendshëm në Dibër është i prirur që të ofrohet drejt tregjeve jo vetëm të brendshme, por edhe jashtë vendit për pagesa më të mira të vlerës së punës.
Në këtë situatë, transparenca dhe llogaridhënia është e nevojshme që të krijojë bindjen qytetare te një siguri afatgjatë, ku procesi i konsultimit me të gjithë grupet sociale dhe ato të interesit nuk është vetëm pjesë e detyrimit ligjor, por një komunikim bazuar mbi fakte dhe argumente bazuar në analizë dhe konkluzione që duhet të ndikojnë në vendimarrje dhe ti shërbejnë nevojave afatshkurtra dhe afatmesme.
Si faktorë të brendshëm janë faktorët ekonomikë që kanë ndikuar në largimin e familjeve drejt zonave ekonomike me mundësi më të mira jetese, por kjo është e lidhur edhe me pjesëmarrjen në tregun e punës dhe ekonominë zonale, që reflekton dhe gjendjen e përgjithshme e ekonomisë (të ardhurat /frymë), që kanë ndikimin kryesor në këtë deviancë.
Si faktorë të jashtëm janë kushtet e favorshme ekonomike në vendin e destinacionit, perspektiva e pagave më të larta, si dhe mundësive më të mira të punësimit, edukimit për moshat e reja, si dhe krijimi dhe rritja e kapaciteteve dhe kursimeve për të siguruar të ardhmen .
Në të dhënat statistikore për vitet 2017 dhe 2021 shikohet se papunësia është rritur me 0.7% dhe punësimi është ulur me 10.8%. Nëse përfshijmë edhe treguesin e të ardhurave për frymë, i cili në vitin 2017 ishte 382 mijë Lekë dhe në vitin 2021është 434 mijë lekë, atëherë tendenca për migrime të ardhme duhet analizuar në raport me investimet për ekonominë me rikthim të shpejtë të fitimit, në vend të infrastrukturës që e rikthen më vonë fitimin.
Në këtë rast edhe Strategjia e Zhvillimit duhet të mbështetet mbi analiza për të testuar vullnetin e politikave, të cilat duhet të mbështeten te një ekonomi e strukturuar bazuar mbi traditën agrobujqësore dhe prodhimin, duke stimuluar diversitetin sipas tregut të ardhëm të punës, ndërthurjen me zonat e tjera, përveç infrastrukturës rrugore, dhe urbane në këto vitet e fundit.
5. Në dimensionet e zhvillimit të numrit të bizneseve të tregut privat tregojnë për një rritje të vogël prej 4.7% të numrit të aktiviteteve në 2021 (869 biznese që operojnë në juridiksionin e bashkisë) krahasuar me 4 vite më parë (830 biznese që operojnë në juridiksionin e bashkisë).
Në nivel qarku në 2021 operojnë 3.023 biznese nga 2.906 biznese që operonin në 2017. Nga krahasimi duket se ka një rritje të bizneseve pjesëmarrëse në ekonomi, por me dominancë bizneset e vogla kryesisht për tregti me pakicë dhe shërbime me qëllim garantimin e një të ardhure në nivele të mbijetesës, pasi vetë qarkullimi tyre rezulton të jetë në nivele deri 2 milionë lekë në vit.
Nga ana tjetër papunësia duket se është në rritje të pandjeshme të aktivitetit ekonomik privat për arsye të mbylljes së bizneseve, ashtu si duket edhe në arkëtimin e të ardhurave vendore në buxhetin faktik 2021.
Nga monitorimi i buxhetit faktik 2021 duket se të ardhurat e munguara tregojnë për një numër biznesesh në rritje me borxhe tatimore. Kjo duket si një arsye e fortë për paqëndrueshmërinë në kohë të jetëgjatësisë së bizneseve në treg, apo ndryshe një dinamizëm i ulët i ekonomisë vendore, që konstatohet edhe me numrin e ulët të bizneseve për popullsinë (1 biznes per 76 banore).
6. Të ardhurat vendore janë arritur në nivelin 88% të programimit, por janë duke performuar drejt administrimit të mirë.
Në drejtim të ndikimit te të ardhurat tatimore të Bashkisë, duket arsyet për krijimin e debitorëve nuk ka penguar Bashkinë të arrijë një nivel të mirë në vitet e fundit në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore në nivelin 88% të programit buxhetor 2021, të ndryshuar. Vëmendja më e madhe duhet në administrimin e taksave vendore.
Një numër familjesh prej 2.1% (21.030 familje gjithsej) që kanë migruar kanë tokë bujqësore në pronësi dhe ato nuk janë tatimpaguese kontributivë edhe pse ligji i taksave vendore nuk i përjashton. Në njësitë administrative rurale ky proces i azhornimit të të dhënave është i nevojshëm të kryhet i plotë bazuar mbi afate plotësimi dhe përditësimi.
7. Ndikimi i politikave kombëtare dhe programet vendore duhet të azhornohen me ndryshimet për të frenuar një largim të ardhëm jashtë vendit nga Dibra.
Vlera e shtuar në ekonomi përgjatë 2017 – 2020 shihet të ketë patur luhatje. Nga treguesit statistikorë ka patur vijimësi në rritje të të ardhurës për frymë në vlerën 375 mijë nga 434 mijë lekë/frymë në 2021, me një rritje në të ardhurat për frymë me 15.7% më shumë krahasuar me 2017, apo mesatarisht rritje 4 % në vit.
Rritja e të ardhurave për frymë në këtë nivel tregon për një trend mesatar zhvillimi të mirëqenies në standarte që nuk munden të përballohen, nisur nga rritja e çmimeve, kostove të jetesës në tërësi në kërkimin për një mirëqenie të rritur duke u perceptuar edhe nga qytetarët e Bashkisë se zhvillimi ekonomik ka patur rritje të pandjeshme për familjet dhe individët, e cila është në të njëjtën kohë e pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet e ndryshme.
Megjithëse në këto 3-4 vite të fundit (prej vitit 2018) ka një rritje të investimeve përreth qytetit, si dhe investimet e filluara që 5 vite përpara në zonat rurale që lidhin shërbimet për to duket se vlerat e investuara nuk mjaftojnë për të rritur sa duhet vlerën e shtuar në ekonomi.
Ndërkohë, vlera e rritur e banesave të zonave të urbanizuara dhe të rinovuara ka ende kohë për të arritur në një përfitim për shumë familje. Ky ndikim në disa ekonomi familjare është me pak efekt në ekonominë e qytetit dhe rrjedhimisht edhe në të ardhurat e bashkisë për shkak të kërkesës së dobët të tregut.
Kujdes!
Strategjia sektoriale kombëtare për punësim dhe aftësim 2019 -2022 duket se pak elementë të përmendur si përparësi strategjike kanë gjetur zbatim në qasjen vendore. Në tërësi mungojnë lidhjet e objektivit për nxitjen e përfshirjes sociale dhe kohezionit territorial me programe të dedikuara vendore dhe me angazhim me struktura të plota dhe funksionale. Ky është një problem i institucionit qendror dhe vullnetit dinamik të strategjisë në azhornim me situatën ekonomike dhe kërkesat e biznesit vendas për punonjës të specializuar dhe jo krah të lirë pune.
8. Realiteti ekonomik dhe demografik në dinamikën e tij ka sjellë një ndryshim edhe në strukturimin e biznesit, kryesisht për bizneset e reja, si dhe duke u shoqëruar dhe me pezullime apo mbyllje aktiviteti.
Rreth 90% e bizneseve në qark ndodhen në bashkinë e Dibrës, të cilët janë të kategorisë së të vetëpunësuarve me punëmarrës familjarë dhe rreth 80 % e tyre kanë të punësuar vetëm një punonjës. Shumica e sipërmarrjeve zhvillojnë aktivitet në fushën e tregtisë dhe vetëm një pakicë e tyre në shërbime.
Sektorët më të rëndësishëm janë: tregtia, hoteleria dhe restorantet, transporti dhe komunikimi të cilët përbëjnë rreth 77% të numrit total të subjekteve që ushtrojnë aktivitet ekonomik në rajon, bujqësia, prodhimi dhe pylltaria, (22%) dhe ndërtimi (1%).
Pesha më e madhe e PBB-së vjen nga bujqësia (44% në vitin 2020) dhe ekonomia dominohet kryesisht nga aktivitetet bujqësore të vogla, të cilat me shumë gjasa janë biznese familjare, por të paregjistruara si aktivitete formale (bazuar te numri formal i bizneseve që prezantohen nga Relacioni Buxhetit Bashkisë).
Gjatë viteve të fundit, pesha e bujqësisë në ekonomi është rritur me 4.9% dhe kjo tregon për një orientim të thellë nga bujqësia, blegtoria dhe pylltaria) pavarësisht Planit të zhvillimit të territorit që ka synuar orientim turistik dhe një jete cilësore të qytetarëve.
Ndër produktet bujqësore më të rëndësishme për sa i përket prodhimit janë foragjeret (278.8 mijë tonë), perimet (14%) dhe drithërat (26.2 mijë tonë. Rritje të mëdha ka në numrin e pemëve frutore dhe rrënjëve të vreshtarisë.
Prodhimet dhe përpunimi i produkteve tradicionale tashmë konstatohet se është një aktivitet i harruar, megjithë aktivitetet e herëpashershme që zhvillohen për nxitje dhe gjallërim të ekonomisë së dikurshme bazuar te prodhimet bujqësore dhe blegtorale në Dibër dhe mundësitë për zhvillim dhe garantimin Elvers së shtuar në ekonominë vendore.
ANKETIMI 2022
Ndërkohë ne pyetëm publikun e Dibrës lidhur me shërbimet e bashkisë dhe si e perceptojnë ata këtë nga jeta e tyre e përditshme.
Me Anketimin tonë ne duam të testojmë publikun lidhur me shërbimet e administratës bashkiake. Lidhur me pyetjen “Tregoni përshtypjen tuaj aktuale për cilësinë e shërbimit nga Bashkia” lidhur me konfirmimin nëse “Punonjësit e bashkisë kanë njohuri”, 41% nuk e konfirmuan këtë, 13% u përgjigjën “Deri diku” dhe 38% konfirmuan këtë pyetje.
Në pyetjen tjetër që u drejtuam “Nëse ka punonjës që ju kushtojnë vëmendje?” 38% nuk e konfirmuan këtë, 31% u përgjigjën “Deri diku” dhe 31% e konfirmuan këtë pozitivisht.
Kur i kërkuam publikut që pyetëm të na përgjigjen mbi përvojën e tyre nëse “Punonjësit e Bashkisë janë gjithmonë të gatshëm t’ju ndihmojnë”, 63% nuk e konfirmuan këtë, 22% u përgjigjën “Deri diku” dhe 15% e konfirmuan këtë pozitivisht.
Ndërsa kur u kërkuam konfirmim ose jo mbi qasjen “Kur Bashkia premton se do të bëjë diçka në një kohë të caktuar, e bën atë që thotë”, 67% nuk e konfirmuan këtë dhe 34% u përgjigjën “Deri diku”.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.