Deuroizimi, financat dhe rasti i transferimit të kredisë në Euro për KESH

deuroizimi

Deuroizimi, financat dhe rasti i transferimit të kredisë në Euro për KESH

Tregu financiar në Shqipëri, i cili zbatohet nga 16 institucione bankare dhe nga 3 fonde investimi, në fakt zotërohet në pjesën dominuese të tij (80% e tregut) nga 5 banka të mëdha që kanë lidhje direkte/indirekte me banka të vendeve që përdorin euron, si monedhën zyrtare. Pagesat ndërbankare në tregun financiar shqiptar përbëhen në 1/5 e tij vetëm me euro, ku inidividët kryejnë transferta në Euro sa 39% e gjithë transfertave bankare dhe bizneset kryejnë transferta në Euro sa 24% të gjithë volumit të transfertave të sistemit bankar.

Edhe pse kursi i këmbimit euro/lek në muajt e parë të vitit 2018 është shoqëruar nga luhatje dhe diferenca negative këmbimi për eksportuesit shqiptarë, publiku i gjerë (familjarët) vijojnë të mbajë kursimet e veta në euro. Arsyeja kryesore është se besueshmëria/perceptimi që kursimet në euro kanë më pak gjasa të humbasin vlerën e tyre në periudha afatmesme (për kur të nevojiten eurot për shpenzime) prevalon ndaj perceptimit se rritja e vlerës së Lekut mund të ketë ndikim në vlerësimin e kursimeve.

Kjo situatë është e tillë gjithashtu edhe për shkak se publiku beson se depozitat në Euro ruajnë një vlerë të sigurt kundrejt zhvlerësimit të mundshëm të Lekut, edhe pse ai nuk ka patur rënie të madhe në vitet e fundit.

Kujtimet e krizave të së kaluarës, kur dollari amerikan në ato kohë, por edhe euro kishte mbivlerësim ndaj Lekut të pajustifikuar nga zhvillimi i tregut shqiptar kanë tendencën të ndikojnë në vendimet e bizneseve dhe individëve shqiptarë që të ruajnë  depozitimet në euro si më të garantuara për ta.

Një arsye prapa kësaj psikologjie në ekonominë dhe familjet shqiptare bazohet më së shumti te fakti që agjentët dhe analistët financiarë nuk rivlerësojnë gjasat e skenarëve të pafavorshëm në kurriz të euros, por më së shumti i mëshojnë faktit të një monedhe kombëtare të pasigurtë të bazuara mbi perceptime dhe jo  nga fakte. Luhatjet e Lekut në vitet e kaluara kanë ndikuar te tendenca e politikës mbikqyrëse të Bankës së Shqipërisë që të rrisë vlerën e sigurimit të depozitave në Lekë, por pa keqpërdorur këtë politikë në kurriz të depozitave në valutë.

Euroizimi i investimeve kapitaleve shqiptare (aktivet materiale dhe depozitat bankare) si pasojë e politikës me hope në drejtim të ruajtjes së balancave midis Euros dhe Lekut në krijimin dhe lëvizjen e kapitaleve ka ndikuar edhe portofolet e bankave për kreditim të ekonomisë që Euro të jetë mbi nivele mesatare qarkullimi për vende si Shqipëria, që nuk e kanë objektiv, që politika monetare të orientohet tek Euro.

Për të shmangur mospërputhjet monetare midis valutave të ndryshme në bilancet e tyre, bankat kanë patur nxitje të brendshme nga bankat “mëma”, ku ato raportojnë që të japin hua në valutë të huaj, më së shumti në Euro.

Në ekonomi të vogla, dhe sidomos në ato ekonomi ku përdorimi i valutave të huaja është i lartë, siç janë Shqipëria dhe vendet e tjera përreth saj, vendimet për depozitimin e kursimeve, por  edhe ato për huamarrje nuk përcaktohen vetëm nga niveli i normave të interesit të shpallura nga Banka Qendrore.

Në një masë të konsiderueshme, ato janë ndikuar edhe nga diferenca e normës së interesit midis një vendi, (p.sh. si Shqipëria me Lekun) dhe normës së interesit dhe politikës ekspansioniste të vendeve që përdorin këto valuta të huaja (p.sh. Gjermania, Franca, Italia etj. me Euron).

Roli i Bankës së Shqipërisë përgjatë gjithë 2018 (duke marrë në konsideratë 6-mujorin e parë) vijon të eci drejt qasjes së përçuarjes së masave të kujdesshme, kryesisht për të zvogëluar rrisqet e stabilitetit financiar për shkak të euroizimit duke rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e kursit të këmbimit dhe duke kufizuar euroizimin në zonat e ekonomisë që mund të përballojnë më mirë luhatjet e kursit të këmbimit.

Me rastin e shpalljes së kësaj politike duket se sistemi financiar dhe tregu valutor shqiptar ka filluar të reflektojë pasigurinë që mbart një veprim i tillë në një ekonomi informale.

Përballë politikës pro Euroizimit, të zbatuar de facto vit pas viti në tregun financiar shqiptar, (por pse jo edhe në tregjet e vendeve përreth nesh) qëndron tashmë politika kundër Euroizimit. Mirëpo, politika pro Euro  ka sjellë ndër vite rritjen e Euros në qarkullim (në formën e investimeve kapitaleve dhe kursimeve në depozita bankare) dhe i ka dhënë një goditje Lekut shqiptar duke e pakësuar rolin e tij në ekonomi, për shkak të varësisë së ekonomisë dhe kursimeve të individëve në Euro. Tashmë, pasi ky nivel i lartë i Euros ka ulur qarkullimin e Lekut në ekonomi (që përkthehet në ulje të efektivitetit të tij) e ka bërë tregun valutor shqiptar të ngurtë, joelastik dhe aspak të gatshëm t’i përgjigjet rrisqeve që euro ka ndaj dollarit amerikan, paundit britanik dhe valutave të tjera (jeni japonez, huani kinez).

Një ndikim tjetër me peshë vlen për financat publike nga efekti i qarkullimit të tepruar të Euros.

Një qarkullim monetar i mbingopur nga oferta e Euros ndikon në stabilitetin fiskal, i cili llogaritet dhe bazohet te Leku. Në rastin kur kemi qarkullim masiv monetar në Euro, pakësimi i qarkullimi të Lekut në transaksione ul prezencën e tij në tregun vendas dhe në të njëjën kohë ndikon në uljen e ritmeve të konsumit duke u përkthyer në më pak taksa për tu mbledhur.

Në situatën, kur politika monetare mendon se si të ulë ofertën e Euros në qarkullim dhe të rritë atë të Lekut ka dhënë ndikimet e para në produktet shqiptare për eksport. Në momentin, kur Euro është nënçmuar ka një problem në ekonomi, e cila mundet edhe të frenohet duke ndikuar në uljen e produktivitetit, por edhe ndikimin te pagat, konsumi dhe taksat që nuk arrijnë të paguhen nga ekonomia në atë masë të planifikuar nga buxheti.

Ky moment e bën të domosdoshëm kombinimin e politikës monetare me atë fiskale, pasi nga ana tjetër e gjithë kjo politikë duhet të marrë në konsideratë edhe efektin e ekonomisë informale, që kërkon të formalizohet nëpërmjet politikës së deuroizimit dhe projekteve të mëdha infrastrukturore civile dhe private.

Një mbiofertë e ekonomisë informale sjell një efekt në tregun formal (eksportuesit), por pa efekt në buxhetin e shtetit, pasi informalët synojnë që edhe në të ardhmen të mbeten jashtë skemave të taksimit, edhe pse hyjnë në treg nëpërmjet formave të ndryshme ligjore, por që nuk arrijnë të monitorohen nga zyrtarët e financave dhe taksave.

Çfarë duhet bërë kur jemi në kushtet e një mbivlerësimi të Lekut, si pasojë e dët dhe ndërkohë kemi edhe transferta të kapitaleve monetare në euro, si rrjedhojë e hapjes dhe zgjerimit të mëtejshëm të ekonomisë shqiptare duke marrë konsideratë projektet e mëdha infrastrukturore nëpërmjet partnershipit privat dhe publik?

Atëherë, cilat mund të jenë rrisqet e tregut financiar dhe politikës së transferimit të kredive në sistemin financiar shqiptar, të pamësuar me transferta fondesh të përmasave dhjetra milionë euro apo valuta të tjera?

Rasti më i freskët për analizë dhe diskutim rreth kësaj teme është transferta e parave të kredisë së BERZH në tregun financiar për kompaninë shtetërore, KESH sh.a.

Në mënyrë që KESH ta përfitonte huanë (transhin e parë) nga BERZH në mënyrën më efikase dhe nga ana tjetër duhet të minimizohej ndikimi i kësaj transferte në kursin e këmbimit valutor në tregun e brendshëm, u zgjodh të bëhej ndoshta ajo që i leverdisi më mirë politikës monetare të vitit 2018: konvertimi nga euro në lekë nga Banka e Shqipërisë me synimin që të shlyheshin overdraftet që kishin koston më të lartë financiare për vetë kompaninë.

Kjo qasje e kujdesshme politike e financiare, që me gjithë gjasat erdhi si rrjedhojë pozitive nga një bashkëpunim mes kompanisë, organeve drejtuese të saj dhe drejtuesve të Bankës së Shqipërisë, në dijeni të Ministrisë së Financave  arriti të krijojë një precedent për menaxhim të rrisqeve të transferimit të kredive nga një bankë e huaj në tregun shqiptar. Dhe nëse shikojmë edhe në rajon për raste të tilla mund të gjesh pak përvojë për ta marrë në konsideratë.

Banka e Shqipërisë në këtë rast, pas një sinjalizimi dhe bashkëpunimi të pandërprerë me gjithë faktorët ndikuesë në këtë zbatim të transferimit të kredisë financiare nga BERZH drejt KESH sh.a. e vlerësoi këtë transferim të kredisë, duke u bazuar te rrisqet duke synuar që të kishin efekte minimale për tregun e brendshëm monetar, duke patur në konsideratë edhe zhvlerësimin e kursit të Euros pikërisht në peiudhën që duhej të kryhej transferta.

Një zbatim korrekt i një politike monetare proaktive duke realizuar edhe konvertimin e kredisë, por edhe tërheqjen (blerjen) e Euros, që ishte e ofruar me tepri në tregun e këmbimit valutor ishte dëshmia e një operacioni të suksesshëm monetar, i bërë fakt në qershor të vitit 2018.

Ky transaksion kredie midis BERZH-it dhe KESH sh.a. është një precedent për të ardhmen e transaksioneve midis kompanive rezidente shqiptare dhe kreditorëve të huaj, i cili vlen si rast edhe për mjaft vende ballkanike.

Ndikimi i vendimeve të politikës monetare në ekonominë reale natyrisht që transmetohet në disa faza. Në rastin e një qasje të politikës monetare ekspansioniste, ashtu si është në vetvete politika e shpallur e deuroizimit është me vend sugjerimi, që ekonomisë në të njëjtën kohë duhet ti ofrohet më shumë kreditim për të qenë akoma edhe më e lirshme për të nxitur rritjen e prodhimit në sektorët që tashmë janë në faza të zbatimit të projekteve të miratuara.

Por, nëse autoriteti i vendimeve të Bankës së Shqipërisë nuk arrin të transmetohet në ekonomi nga bankat huadhënëse (për arsye të ndryshme), ato në fakt do të jenë në rolin e frenuesit të projekteve zhvillimore të sektorëve produktivë, pasi ashtu si dhe deri më sot kanë ndikuar në frenimin e rrjedhës së optimizimit financiar të tregut të kredisë, të kërkuar me forcë nga Banka e Shqipërisë.

Në këtë situatë rrisku euroizimi të mëtejshëm, që tashmë është shpallur nga Banka e Shqipërisë si rrisk i nivelit të lartë (me politikën e deuroizimit) nevojitet që ai të ndahet edhe me financat shqiptare duke modifikuar dhe kombinuar politikën fiskale me atë monetare për të ndikuar nëpërmjet mekanizmave të taksimit për rritjen e kostos për depozitimet në euro, dhe uljen e kostos së Lekut.

Nga ana tjetër, të dy institucionet që drejtojnë politikat monetare dhe fiskale duhet të synojnë për një balancim afatmesëm të rritjes së investimeve kapitale në lekë.

Në këtë mënyrë, rrisku i euroizimit të mëtejshëm të ekonomisë fillon të transferohet hap pas hapi në favor të një rritje të pranisë së Lekut në investime dhe sektorë që eksportojnë produktet dhe shërbimet “Made in Albania”.

Për sa kohë që Leku është një monedhë që nuk pritet të zëvendësohet nga asnjë valutë tjetër (rasti Kosovës dhe Malit të Zi), nevojitet që të ndiqet një politikë monetare dhe fiskale në nxitje masive të qarkullimit të tij në ekonomi.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: